MILOSAO

Shtjella e një romani të vështirë me karakter historik

14:00 - 25.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Romani “Patriarku Moreas” i Leka Ndojës ka do pak kohë, që është në publik. Autori, një njohës i mirë i letërsisë fikshën dhe teorisë së letërsisë, ka bërë një sprovë të vërtetë, duke u futur në lëmin historik të gjinisë së romanit. Dhe, sprova e tij, që mbart shumë mund ka referuar një temë me një histori të hershme, të gati katër shekujve më parë në shekullin e parë të historisë moderne. Në fakt, publiku ynë këtë shekull e njeh ende dhe i referohet si Mesjetë sepse ndryshimet në hapësirat shqiptare ishin gati të papërfillshme.




At Dhimitri është narratori i kësaj vepre, por autori, si njohës i mirë i kompozicionit e ka ndarë këtë narracion në sythe për të futur regjistra të tjerë, lidhur me ngjarjet e ndryshme dhe për të ndërthurur realisht një shumësi narracionesh. Libri është pak i vështirë për kohën që i referohet, pasi jemi në fund të shekullit XVI në Ditën e Shën Lorencit, kur në fuqi është ende kalendari Julian. Ngjarjet, për të cilat bëhet fjalë janë ato që lidhen me ardhjen e Armadës spanjolle në Himarë. Bëhet plani i çlirimit të Arbërisë së Jugut dhe në vepër del dhe zbarkimi i pafat i pinjollit të Skënderbeut, veç shumë episodeve që ka sajuar autori, por edhe që janë të vërteta. Prifti basileas nga Dhrimasa e rrëfen me një regjistër gati kishtar dhe në pjesët ku ai është në narracionin kryesor, autori e ka shpalosur të gjithë talentin e tij dhe kulturën e madhe sa i përket përballjes së kësaj figure me ngjarjet. Dhe, ato që e veshin të gjithë veprën janë pa asnjë dyshim ngjarjet të cilat lidhen me Kryengritjen e Himarës. Në vepër krahas këtij personazhi kemi edhe një galeri të tërë personazhesh, të cilët mbartin me vete atribute historike.

I vëllai i priftit Dhimitër është Kapedan Nina, një personazh që mbart atributet më të mira të luftëtarit arbëror, por edhe një fill ku kapen shumë nga gjërat që do të na kumtojë autori. Në libër hasemi me shumë përfaqësues ushtarakë të vendeve të ndryshme dhe toponimi, ku autori ka meritën se di ti bashkojë dhe të japë me mundësitë e tij mjediset e kohës. Libri duhet t’i ketë marrë një kohë të madhe autorit, sa i përket shtjellës historike, por edhe dhënies së një sensi të kuptueshëm për to.

Duhet të sqarojmë se libri duket si një enciklopedi e kësaj kohe, pavarësisht se është fikshën, paçka toponimive, personazheve dhe ndërthurjes së situatave, që bëhen për efekt të veprës.
Një element që duhet t’i vihet në pah autorit është leksiku i zgjedhur dhe tejet i ndërthurur i toskërishtes së Bregut me zonat e tjera të jugut për t’i dhënë një tis edhe gjeografi veprës së tij. Ndërkohë që personazhet e Lekës nuk janë të stisur, por mbartës të historive të jashtëzakonshme.

Kryengritja e Himarës nën këndvështrimin e këtij romani historik merr një dimension shumë të respektuar, por edhe që e orienton lexuesin të jetë shumë më i zgjedhur sa i përket historisë sonë.
Romani mund të ishte pak më i kursyer me dendurinë e ngjarjeve dhe emrave dhe përpjekjen e autorit për ta shoqëruar me një leksik tepër të vështirë të toskërishtes, sepse lexuesit e ka disi të vështirë ta ndjekë. Por, gjithsesi, autori duhet vlerësuar për këtë përpjekje dhe kontribut të një periudhë që është jo shumë e ndriçuar sa i përket materialit historik. Në shumë momente duket sikur Leka Ndoja do të sfidojë vetveten.
Autori, me këtë libër, tregon se ka interesa të gjëra dhe se historia mbase do jetë një ankorim i gjatë i vet për vepra të tjera, që mund t’i grishin dhe historianët që të na japin situata të asaj kohe.

Pushtimi i kështjellës së Sopotit

Nga Leka Ndoja* – Kështjella e turqve në Sopot, u vendos të ngrihej pas ekspeditës së Vezirit Sinan Pasha në Santi Quaranta kur pushtoi Buthrotin. Fortesa ishte në ndërtim e sipër nga turqit e ngrihej nja 10 milje në lindje të Qiprit mbi një grykë të lumit Efterran në kodër. Në jug të ranishtes qe ngritur një fortesë mbi skelë për të siguruar ankorimin e karamusalieve e fusteve të Sulltanit. Kaluan gjiun e Panermit poshtë Malit të Gjembit. Prinin para ushtrisë Patriarku me pivalin e kuq e Oktaviani me uniformën portokalli me vija të zeza ndërsa në krye mbante helmetë e vizierë konkuistadori. Ushtria u lëshua teposhtë Malit të Gjembit nëpër shtegun e Kudhësit, për të mos u dalluar nga deti ku feluket e venedikasve kishin nisur të vëzhgonin lëvizjet e ushtrisë.
Ishte e dielë dhe Zoti thosh se mbas festës së Shën Lorencit do të qe ditë paqeje, por për luftëtarët Shën Lorenci qe martir dhe shiu i meteorëve tregonte lotë që kërkonin shpagim.
Lumi Efterran zbriste nga shkëmbinjtë duke krijuar luginën në poshtë Malit të Çifutit: një thellojë e lumit e kish burimin poshtë shpatit me rrëmore, krijuar nga një tërmet që kish gremisur mbi fshatin e vjetër pllaka dhe popla gurësh.
-Ajo Fortesa trekëndore mbi kodër mos është venedike Kapedan? – pyeti Oktaviani Kapedan Ninën.
-Dikur po, por tani e ka halldupi! – foli Nina duke zbritur nga doriu.
Me të mbërritur mbi kalin e zi, Patriarku Athanas me pivalin e kuq të shpaluar u bashkua me dy krerët që po shihnin nga qafa e Gjembit: spahilerë të tmerruar në ikje e rrukullimë.
-A ka mbetur zbarkimi në fshehtësi? – pyeti Oktaviani Kapedanin i shqetësuar për disa lëvizje jo të rregullta të grupeve të spahinjve. Kjo e vuri në mendime Kapedan Ninën, se ikja nga sytë këmbët iu duk si stratagjemë Oktavianit. Hodhi sytë nga Patriarku, i cili nën atë petk të purpurt ngjante si Hyu i luftës, u qetësua.
-Ç’të jenë këta që ikin ashtu sikur t’u jetë futur zekthi. Turqit janë luftëtarë të mirë…
-I dëboi ky asht! – foli nga mbrapa Barba Nokia që doli nga gryka e malit përmes shkurreve. Rrihte gunën që ishte njolla njolla nga lëngu i fiqve të detit.
Kalorësit nuk e dinin historinë e turqve me Barba Nokiën. Ata të llahtarisur, kishin marrë malin përpjetë për t’u shpëtuar shpagimit të Allahut.
-Patëm qëlluar mbi një profet, – i thoshte tatari-tatarit duke ikur në rrëmujë nga vendrojet.
-Aty në Bregmal ka dalë një xhind i zi nga sopi i detit, – i tha tatari lajmës, Perri Beut, – ka katër ditë që na i shkriu shigjetat e shpatat. Edhe e shtëna e arkibugjës ëltine na u kthye mbrapsht. Nuk është sevap Perri Bej, ta lësh të vdesë kryespahinë!
Perri Beut i vinin lajme të përçudëshme nga kasnecët. Nga Stambolli Sulltan Mehmeti III e urdhëronte të nisej për të mbrojtur bregun, ndërsa nga Bazadona i vinte lajmi se kishte zbarkuar vetë Madhëria Spanjolle Filipi II me gjithë Armadën e Pathyeshme që ishte fuqia xhehnemit.
Arkimandriti i Janinës i pati dërguar një zamzane me verën e bërë në ishullin Pandalejmon. Kjo e fundit e habiti, se edhe Arkimandriti Trandafillo do të kishte pasoja nga pushtimi spanjoll.
-Trandafillo i jep pak gojës në meshat kundër papanëve, – i tha defterdarit të Delvinës Perri Beu. Si e rrahu çështjen: ndau në tri nuska tri vendime të ndryshme: të shkonte në luftë, të priste apo të pinte. Për këtë iu drejtua sufiut Papsava që kishte kënduar librin Kitabulal Menamat të Kalifit të ndjerë Amir Mimini. Sufiu Papsava i dha të drejtë Arkimandritit.
Kështu që të pinte pa vepruar mund të ndëshkohej nga Mehmeti III, prandaj vendosi të dërgonte komandantin Orlligllu me bashibuzukët.
-Të vendoset qetësia nga kështjella e Cernit deri në Spile, – u dha urdhëri i ditës, – dhe “të shkohen në hu zullumqarët”, pataj nisi të pinte verë drejt nga zamzania e Janinës.
* Pjesë nga romani


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.