Sociale

Avokati, Adriatik Lapaj: Ja propozimet për disa ndryshime në projektligjin “Për strehimin social”

12:00 - 26.02.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej më shumë se një viti, po bëhet shqyrtimi i projektligjit “Për strehimin social” në parlamentin e Shqipërisë, që ka si synim përmirësimin e kuadrit ligjor në fuqi. Avokati dhe njëkohësisht aktivisti që mbulon të drejtat e qytetarëve në nevojë, Adriatik Lapaj tregon për “Gazeta Shqiptare” se ai vetë ka marrë pjesë në këtë proces prej fillimit dhe ka paraqitur idetë e tij në lidhje me disa ndryshime që duhen bërë në disa prej pikave të projektligjit. Avokati thekson se do të ishte më mirë që të merrej parasysh propozimi në bazë të të cilit paraqitja e kërkesës për sigurimin e padisë në gjykatë, të bëjë pezullimin e veprimeve të mëtejshme, pra të garantohet pezullimi i prishjes së banesës deri në vendimin e gjykatës.




Në propozimet e tij për projektligjin, avokati shton se të gjithë individët që zhvendosen nga vendbanimi për shkak të investimeve publike ose private, nuk do të përfitojnë kompensim vetëm në rastet kur njësia e vetëqeverisjes vendore dëshmon se nuk disponon asnjë alternativë tjetër strehimi në kuadër të programeve të tjera të strehimit social. “Kur personat janë pa të ardhura apo kanë të ardhura shumë të ulëta sipas përcaktimeve të këtij ligji, shteti garanton ofrimin e ndihmës ligjore falas sipas ligjit 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”.

Gjithashtu, në nenin 18 projektligji jep përkufizimin e banesave sociale me qira por mënyra se si është përkufizuar nuk është shumë efektive pasi pronat në pronësi publike janë të patjetërsueshme”,-citohet në propozimet për ndryshimet e projektligjit “Për strehimin social”. “Në këtë proces kam marrë pjesë prej fillimit ku dhe kam paraqitur këndvështrimin tim dhe propozime në vazhdim, një pjesë e të cilave dhe është pranuar. Në fazën aktuale që ndodhet projektligji ka ende disa pika që do duhet të përmirësohen përpara miratimit të tij final.”,-thekson avokati për “GSH”. Sipas tij, projektligji fut mjaft koncepte të reja dhe në tërësi sjell mekanizma shumë të mirë për të zgjidhur problematikat e strehimit. Ai do të jetë një mjet shumë i fortë në dorën e avokatëve të të drejtave të njeriut në vend, apo organizatave të shoqërisë civile që në fokus kanë strehimin. Ai do të jetë edhe një tërësi mundësish për njësitë vendore për të pasur më shumë hapësirë, mundësi dhe kapacitete për t’i dhënë zgjidhje problematikës së strehimit.

Ky projektligj fut për herë të parë në nenin 5 “Parimin e sigurisë së qëndrimit”

1. Qëndrimi në një vendbanim, strehim të përkohshëm ose të përhershëm është i pacenueshëm.
2. Në çdo rast, ndalohet dëbimi i individëve/familjeve nga vendbanimi i tyre.
3. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet zhvendosja e individëve/familjeve nga vendbanimi i tyre.
Pikërisht ndalimi i dëbimit dhe zhvendosjes pa gjetur më parë një strehim alternativ është një mburojë shumë e rëndësishme për qytetarët, të cilët do duhet të zhvendosen nga vendbanimi tyre për shkak të investimeve publike.
Por projektligji ka dhe disa pika që duhet të përmirësohen të tilla si:
Neni 17 pika 2 dhe 3.
Procedurat e zhvendosjes:
2. Në rast se qëndrimi në një vendbanim ose strehim bëhet i pamundur, për shkak të investimeve me interes publik, prishje të objektit për shkak të përjashtimit nga procesi i legalizimit ose raste të tjera, të përcaktuara në këtë ligj apo ligje të tjera, njësia e vetëqeverisjes vendore:
a) nxjerr aktin administrativ për zhvendosjen nga banesa;
b) njofton individin/familjen 30 (tridhjetë) ditë para zhvendosjes;
c) nuk kryen prishjen e objekteve pa siguruar sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpronësim.
3. Në çdo rast, individët/familjet që preken nga vendimi kanë të drejtë të kundërshtojnë zhvendosjen e tyre në Gjykatën Administrative. Nëse është e nevojshme, atyre u ofrohet ndihmë juridike nga institucionet shtetërore.


Koment
Pika 3, parashikon të drejtën e të prekurit nga zhvendosja për t’iu drejtuar gjykatës. Nga praktika e deritanishme kur gjykata shprehej objekti ishte prishur, pra gjykata gjykonte pasi fakti ishte kryer duke u paragjykuar kështu dhe vendimi. Si shoqëri civile kemi propozuar që paraqitja e kërkesës për sigurimin e padisë në gjykatë të pezullojë veprimet e mëtejshme deri në vendimin e gjykatës për sigurimin e padisë, pra çdokush që gjendet përballë ekskavatorëve shtetërorë që duan t’i prishin shtëpinë të ketë mundësinë që menjëherë t’i drejtohet gjykatës dhe paraqitja e kërkesës në gjykatë të jetë mjet që garanton pezullimin e prishjes deri sa gjykata të shprehet.
Propozim
Neni 17 pika 3 të ndryshohet si më poshtë:
3. Në çdo rast, individët/familjet që preken nga vendimi kanë të drejtë të kundërshtojnë zhvendosjen e tyre në Gjykatën Administrative.
Procedura e zhvendosjes pezullohet në rastin e paraqitjes së kërkesës për sigurimin e padisë derisa gjykata të vendosë me vendim të ndërmjetëm për pranimin ose rrëzimin e kërkesës sipas afatit 5 ditorë nga paraqitja e kërkesës parashikuar në Kodin e Procedurës Civile.
Kur personat janë pa të ardhura apo kanë të ardhura shumë të ulëta sipas përcaktimeve të këtij ligji, shteti garanton ofrimin e ndihmës ligjore falas sipas ligjit 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”.
Gjithashtu, në nenin 18 projektligji jep përkufizimin e banesave sociale me qira por mënyra se si është përkufizuar nuk është shumë efektive pasi pronat në pronësi publike janë të patjetërsueshme.
Neni 18.
“Kuptimi i programit të banesave sociale me qira.”
Koment
Në pikën 1 të këtij neni thuhet:
“Programi i banesave sociale me qira është programi me anë të të cilit jepen me qira banesat në pronësi publike nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë dhe mbeten në pronësi të subjekteve private, por që vihen në dispozicion të programit të banesave sociale me qira, me pëlqimin e pronarit privat.”
Propozim
Mendojmë se duhet zëvendësuar termi “në pronësi publike” me termin “në pronësi shtetërore” dhe pika 1 duhet të marrë formën:
“Programi i banesave sociale me qira është programi me anë të të cilit jepen me qira banesat në pronësi shtetërore nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë dhe mbeten në pronësi të subjekteve private, por që vihen në dispozicion të programit të banesave sociale me qira, me pëlqimin e pronarit privat.”
Neni 19
“Fondi publik i banesave sociale.”
Koment:
Pika 1 shkronja “c” parashikon:
“blerje ose ndërtime të banesave nëpërmjet të ardhurave të siguruara nga taksa e ndikimit në infrastrukturën e grumbulluar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në masën jo më pak se 1 për qind të saj”
Pra fondi publik i banesave sociale në njësitë e vetëqeverisjes vendore përbëhet nga jo më pak se 1% e të ardhurave të siguruara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Kjo vlerë është shumë pak
Shembull me të dhëna zyrtare:
Bashkia Tiranë:
Për vitin 2016 të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë ishin 928,454,660 Lekë,
1% e vlerës totale të ardhur nga taksa e ndikimit në infrastrukturë është vetëm 9,284,546 (nëntë milion e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind e dyzetë e gjashtë lekë). Në terma optimist me këtë vlerë mund të blesh vetëm 3 shtëpi në qytetin e Tiranës në një kohë kur për vitin 2016-2017 janë regjistruar 5880 familje të pastreha.
Propozim
Propozojmë që shkronja “c”, paragrafi 1 të ndryshojë si vijon:
“blerje ose ndërtime të banesave nëpërmjet të ardhurave të siguruara nga taksa e ndikimit në infrastrukturën e grumbulluar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në masën jo më pak se 5 për qind të saj.”
Neni 20
“Kontributi i sektorit privat në krijimin e fondit publik.”
Koment
Pika 1 e nenit 20 duhet riformuluar. Është dukshëm një dispozitë që vendos në kushte të pabarabarta subjektet investuese në treg.
Propozim
Propozojmë që pika 1 të riformulohet si vijon:
“Çdo shoqëri ndërtuese ose investitor, që investon dhe kryen ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi, për efekt përfitimi, për çdo 2000 metra katrorë sipërfaqe ndërtimore, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën 50 metrave katrorë sipërfaqe funksionale dhe që të plotësojë kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale me qira. Sipërfaqja respektive mund të konvertohet nga ndërtuesi në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi brenda të njëjtës njësi administrative.”
Koment
Pika 2, që i referohet shtimit të volumit të ndërtimit është shumë evazive pasi nuk përcakton sa do të jetë sipërfaqja që kalon për llogari të strehimit social.
Propozim
Pika 2 e nenit 20 duhet të mirëpërcaktohet. Një variant mund të jetë:
“Nëse një subjekt që aplikon për leje zhvillimore për ndërtim banese, për efekt përfitimi, kërkon rritje të volumit të ndërtimit, në përputhje me standardet e miratuara në planin vendor, atij mund t’i akordohet shtesa në volum përkundrejt kalimit pa shpërblim në favor të fondit publik të banesave sociale me qira të 7.5% të sipërfaqes së krijuar si pasojë e shtesës në volumin e ndërtimit.”
Neni 39 “Përcaktimi i vlerës së subvencionit të qirasë në tregun e lirë.”
Koment
Pika 2 bie ndesh me parimin e përballueshmërisë të parashikuar në nenin 3 pika 1, shkronja “b” dhe “c” të këtij projektligji.
Propozim
“Pagesa që duhet të bëjë familja për diferencën ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së subvencionimit të qirasë duhet të respektojë parimin e përballueshmërisë së strehimit të parashikuara nga neni 3 i këtij ligji.”
Neni 45 “Kuptimi i banesave sociale me kosto të ulët.”
Koment
Nga mënyra se si është ndërtuar kapitulli VII “Programi i banesave me kosto të ulët”, theksi vendoset te mundësia e blerjes së banesave me kosto të ulët nga ana e qytetarëve duke garantuar shteti interesat e kredisë, duke dalë garant për marrjen e kredisë apo duke dhënë dhe grante deri në 10% të vlerës së objektit, por në asnjë rast nuk parashikon mundësinë që qytetarët të mund të blejnë direkt të bashkia banesën që kjo e fundit ka në pronësi pa u dashur të futen në kredi në bankë. Nga mënyra se si është ndërtuar ky kapitull duket i mangët pasi me të drejtë parashikon sa thamë më sipër si mundësi (kreditimin, dorëzanin, grantin e menjëhershëm 10%) po përse të mos parashikoj dhe mundësinë që ato familje që e kanë një banesë me qira si rezultat i programit të banesave sociale me qira të parashikuara nga neni 10 germa (a) dhe që kanë qenë të rregullta në pagesa ose që plotësojnë kushtet për të përfituar sipas nenit 50 të këtij projektligji një banesë me kosto të ulët të mund ta blejnë atë banesë duke i paguar njësisë vendore vlerën respektive, e cila në çdo rast të mos jetë nën vlerën e kostos së ndërtimit. Kjo mund të realizohet juridikisht përmes kontratës së shitblerjes me kusht pezullues , pra banesa qëndron me barrë hipotekore deri ditën që familja shlyen të gjithë vlerën e përcaktuar në kontratë. Shlyerja e vlerës së banesës me kosto të ulët nga familja do të bëhej përmes këstit të ndryshueshëm, i cili në parim përcakton një këst dysheme sa më të përballueshëm dhe familja është e lirë që mbi këtë këst dysheme të mund të paguaj sa mundësi ka sipas muajve të ndryshëm, punësimit të anëtarëve të saj e me radhë. Çdo pagesë e familjes zbritet nga vlera e objektit i cili i kalon përfundimisht në pronësi ditën që ka shlyer të gjithë vlerën e kontratës. Kjo do sillte dy efekte pozitive:
Familjet do të stimuloheshin drejt sakrificës dhe ecjes përpara për t’u shkëputur nga varfëria, pasi ata e dinë që nuk po paguajnë më qira por një këst për shtëpinë dhe çdo këst i afron edhe më shumë drejt pronësisë. Kjo do ngjallte te familjet shpresë dhe do ishte një shtysë e mirë për të ecur përpara.
Do ndihmohej fondi i banesave sociale të rinovohej me banesa të reja në vazhdim duke ulur kostot e mirëmbajtjes për bashkitë, të cilat me lekët e gjeneruara nga këstet e banesave të shitura me kontratë me kusht pezullues do mund të ushqenin skemën e strehimit social me objekte të reja.
Propozimi:
Sa më sipër mendoj se duhet të shtohet dhe një pikë tjetër (konkretisht pika d) si më poshtë:
Neni 45 pika 4 parashikohet:
Për lehtësimin e blerjes së BKU-së nga përfituesi përdoret njëri ose kombinimi i instrumenteve financiare të mëposhtme:
a) Granti i menjëhershëm;
b) Subvencioni i interesave të kredive;
c) Garancia për marrjen e kredisë me dorëzani nga institucionet shtetërore ose garancia shtetërore për kreditë hipotekore, nëpërmjet institucionit investues, në rastin e përkeqësimit të të ardhurave të përfituesit.
d) Kësti ndryshueshëm.
Neni 46
Koment
Nisur nga propozimi që në këtë kapitull të mund të parashikohet edhe mundësia e blerjes me këste drejtpërdrejtë te bashkia e banesave me kosto të ulët propozoj që neni 46 në pikën 1 të formulohet si më poshtë:
Format e sigurimit dhe burimet e financimit
Banesat me kosto të ulët sigurohen nëpërmjet:
Ndërtimit nga subjekte publike ose private;
blerjes nga tregu;
Kalimit nga programi i banesave sociale me qira të banesave që janë në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore ose banesave sociale me qira që janë financuar pjesërisht apo tërësisht nga buxheti i shtetit, në programin e banesave me kosto të ulët në ato raste kur ka një kërkesë për blerje nga qiramarrësi.
Lihet siç është……
Lihet siç është…
Kalimi nga programi i banesave sociale me qira në programin e banesave me kosto të ulët bëhet sipas kushteve dhe procedurave të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Kushtet dhe procedurat e blerjes dhe shitjes së banesave me kosto të ulët si dhe kriteret për përcaktimin e çmimit të shitjes së truallit për familjet përfituese miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 57
“Streha e përkohshme dhe rastet e përdorimit”
Koment
Streha e përkohshme duhet të përmbushë parimin e banesës së përshtatshme neni 4, qasjes në shërbimet publike bazë dhe duhet të konsiderohet si alternativa e fundit e strehimit. Sa i takon pikës 2 shkronja c, “individë që zhvendosen nga vendbanimi për shkak të investimeve publike ose private dhe nuk përfitojnë kompensim”, mendojmë se këto raste nuk ndodhin në kushtet e urgjencës sikundër mund të jenë fatkeqësitë natyrore etj, pasi planet vendore si dhe procedurat e lejeve apo miratimit te investimeve janë të parashikueshme dhe shtrihen në kohë, e për rrjedhojë, vendosja e kategorive të parashikuara në shkronjën c në strehë të përkohshme duhet të jetë zgjidhja e fundit vetëm në ato raste kur mungojnë instrumentet për të zbatuar programe të tjera të strehimit social
Propozim
Propozojmë që kategoria e parashikuar në pikën 2 shkronja c të hiqet.
Alternative: Pika 2, shkronja “c” të riformulohet si vijon: individëve që zhvendosen nga vendbanimi për shkak të investimeve publike ose private dhe nuk përfitojnë kompensim, vetëm në ato raste kur njësia e vetëqeverisjes vendore dëshmon se nuk disponon asnjë alternativë tjetër strehimi në kuadër të programeve të tjera të strehimit social.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.