Sociale

Ndihmë emocionale për të rinjtë shqiptarë përmes platformës “www.nukjevetem.al”

14:00 - 26.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vera Remskar, drejtoreshë ekzekutive e “Foundation Together Kosova” shpjegon si funksionojnë këshillat “online” për problemet psikologjike dhe mjekësore. “Sipas parashikimeve të OKB, në 2020 depresioni do të jetë sëmundje kryesore”.




Projekti i këshillimit ‘online’ “Nuk je vetëm” bën dy vite, çfarë projekti është ky dhe si ka filluar rrugëtimin e tij?
Fondacioni “Together Albania”, në shkurt të vitit 2016 ka lançuar projektin e parë për këshillim “online” për të rinjtë e Shqipërisë www.nukjevetem.al. Vendimi për të sjellë në Shqipëri një shërbim të tillë doli nga një historik 8-vjeçar tashmë të një shërbimi të ngjashëm në Kosovë (www.nukjevet.net), ngase nga të gjitha pyetjet që merrnim në Kosovë, pothuajse 25% e tyre vinin nga Shqipëria. Si pasojë, lindi nevoja që të rinjtë shqiptarë të kishin një portal të dedikuar vetëm për ta. “Nuk je vetëm” në këto dy vite është vizituar nga 638,300 përdorues dhe ka ofruar mbi 1331 përgjigje me tematika të ndryshme. “www.nukjevetem.al” është një portal që u ofron të rinjve këshillim “online” falas dhe anonim. Pas këtij shërbimi janë 30 ekspertë mjekë dhe psikologë të mirënjohur në Shqipëri, të cilët ofrojnë këshillimin falas. E gjithë kjo është mundësuar falë mbështetjes financiare të ambasadës norvegjeze.
Përse zgjodhët formën “online” të këshillimit?
Pasi projekti u është dedikuar të rinjve, atëherë forma “online” është më e përshtatshmja. Në ditët e sotme të rinjtë janë kryesisht “online”, na pëlqen kjo ne apo jo dhe ku më mirë mund t’i takojmë të rinjtë, se sa aty ku ata qëndrojnë shumicën e kohës, pra “online”. Një e dhënë që e vërteton këtë fakt është që në këto 2 vite ne jemi kontaktuar nga 185 shtete, që do të thotë se kudo ku ka shqiptarë, kanë arritur të na gjejnë. Pra, nuk ka rëndësi se ku ndodhen fizikisht, nëpërmjet “Nuk je vetëm” është bërë e mundur që ata të marrin ndihmën profesionale në gjuhën e tyre.
Çfarë problematikash mund të adresojnë përdoruesit në portalin tuaj?
Ne kemi marrë pyetje për problematika të ndryshme, që i prekin adoleshentët që nga pëlqimet e hershme e deri tek çështjet mjekësore, sidomos gjinekologjike edhe urologjike. Sigurisht që problemet psikologjike si ankthi edhe depresioni janë disa ndër temat më të shpeshta. Një numër i konsiderueshëm pyetjesh na vijnë edhe në lidhje me tentativat dhe idetë e vetëvrasjes, abuzimet seksuale, të cilat sigurisht trajtohen në mënyrë urgjente nga ekspertët tanë. Të gjitha këto tema i diskutojmë me të rinjtë drejtpërdrejt në ligjërata që i mbajmë në shkollat fillore dhe të mesme në të gjithë Shqipërinë.
A keni një databazë të dhënash?
Ne jo vetëm që e kemi këtë databazë, por ajo është e formuluar shumë mirë, ku çdo pyetje që vjen, kategorizohet për natyrën e problematikës, madje në bazë të tyre u vendos edhe tema e Konferencës së Parë Ndërkombëtare të mbajtur shkurt të vitit që lamë pas.
‘Seksualiteti dhe të rinjtë në Shqipëri – Konteksti kulturor, edukimi i pamjaftueshëm seksual në shkolla dhe roli i medias” ishte titulli i konferencës, që e pa çështjen e seksualitetit në katër prizma: kontekstin kulturor, sjellja dhe qëndrimet seksuale të të rinjve, ndikimi i medias si edhe edukimi seksual në shkolla. Ishte një konferencë që përfshiu të gjithë aktorët përgjegjës, ministritë përkatëse, ekspertë ndërkombëtarë, shkollat, fakultetet, mediat, profesionistë të fushave si dhe të rinjtë. Në çdo vit nxjerrim të dhëna që kemi mbledhur mbi pyetjet më të shpeshta që vijnë nga të rinjtë. Duke marrë parasysh parashikimet e OBSH-së, në vitin 2020 depresioni do të jetë sëmundja kryesore, çka tregon se çrregullimet e shëndetit mendor janë në rritje e sipër gjithandej. Ky trend për fat të keq vërehet edhe mes të rinjve tanë. Prandaj ajo që fondacioni “Together Albania”, përmes projektit “Nuk je vetëm” është që të sensibilizojë opinionin e gjerë për rëndësinë e kërkimit të ndihmës rreth problemeve të shëndetit mendor. Fokusi kryesor vazhdon të përqendrohet tek ofrimi i ndihmës dhe mbështetjes emocionale të të rinjve, ndërtimi i kulturës të kërkimit të ndihmës dhe ulja e stigmës dhe turpit, i cili zakonisht është shumë i theksuar në shoqërinë tonë.
A ishte kjo një alternativë përballë neglizhencës, nëse mund të themi të institucioneve shtetërore, të prindërve, shkollave, apo është thjesht një novacion? Pra, në çfarë niveli vlerësoni se qëndron vëmendja e shoqërisë ndaj mirëqenies e të rinjve?
Ajo që ne kemi vënë re është që të rinjtë kanë shumë nevojë për këtë lloj shërbimi. Nuk dëshirojmë t’i vëmë gishtin askujt. Ka shumë faktorë, të cilët kanë kontribuar në këtë gjendje, ku për të rinj nuk ka shërbime të nevojshme dhe të përshtatshme për të kërkuar ndihmë brenda sistemit shëndetësor. Për këtë, roli i organizatave si e jona mund të jetë i rëndësishëm në përmbushjen e këtij boshllëku. Por, në anën tjetër është vetë jeta shumë e shpejtë çka ndikon që prindërit nuk e kanë gjithë kohën që do të kishin dashur për t’ua dedikuar fëmijëve, mësuesit kanë klasa shumë të mëdha dhe nuk arrijnë të dedikojnë kohën e duhur për t’i diskutuar këto tematika mëse të rëndësishme me nxënësit. Nga ana tjetër, të rinjtë jetojnë në një botë krejtësisht të ndryshme nga ajo që kanë jetuar prindërit e tyre. Kanë superinformacion përpara tyre që i marrin nga interneti, një burim informatash që jo gjithmonë dinë ta përdorin për t’iu shërbyer atyre. Ajo që është parë në këto dy vite në “Nuk je vetëm” është se të rinjtë e kishin shumë të nevojshme një portal të kësaj natyre, sepse ata vetë na kanë gjetur, ata na kanë kërkuar duke na shkruar pyetje nga më të ndryshmet. Unë di të them gjithashtu që të rinjtë e sotëm përjetojnë dhimbje dhe probleme nga më të ndryshmet, që ndoshta në syrin e një të rrituri janë gjëra vlerësohen si kaluese, por që në syrin e tyre janë gjëra shumë të rëndësishme për të cilat ata kanë nevojë shumë të madhe që të kenë një profesionist mbi kokë. Përparësi më e madhe e “Nuk je vetëm” është që është një shërbim i aksesueshëm për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, pavarësisht se ku ata banojnë, në qytete apo në fshatrat më të thella, me një telefon dhe internet ata kanë akses 24 orë.
Përmendët profesionistët, sa janë ata dhe si është lloji i angazhimit të tyre me ju?
Ne kemi aktualisht 30 ekspertë në faqe, të cilët ofrojnë ndihmën e tyre krejt vullnetarisht. Ata janë të specialiteteve të ndryshme, si psikologë shkollorë, psikologë klinikë, psikologë të specializuar vetëm për problematikat e adoleshentëve, psikologë që merren vetëm me ankthin apo vetëm me trauma. Kemi gjithashtu psikiatër, mjek dermatolog, gjinekolog, mjek të përgjithshëm, urolog, ortoped, dietologe etj. Ne jemi munduar që të përfshijmë në këtë projekt një gamë ekspertësh, që do të mbulojnë të gjitha problematikat e të rinjve si ato të shëndetit fizik, ashtu edhe ato të brendshme e shpirtërore. Puna vullnetare e të gjithë ekipit është porosia më pozitive që një projekt mund të bartë në shoqërinë shqiptare dhe një shembull i mirë për të gjithë, se çdo individ mund të kontribuojë në fushën e tij të veprimit dhe të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri, sidomos në këtë periudhë tejet të ndjeshme, që ka ndodhur një luhatje masive e vlerave në shoqëri, çka prek më shumë të rinjtë dhe shëndetin e tyre.
Interesant është edhe bashkëbisedimi me përdoruesit e tjerë, mendoni se i lehtëson të rinjtë socializimi dhe ndarja e eksperiencave?
Pyetjet janë të hapura për të komentuar nga bashkëmoshatarët, por komentet gjithashtu administrohen. Ne nuk e postojmë asnjë koment me natyrë ofenduese, negative, apo komente që personin që ka shkruar pyetjen do ta bënin të ndihej keq. Qëllimi i faqes është që të jetë ndihmuese, të japë mbështetje dhe të jetë një hapësirë e sigurt për të rinjtë që të ndajnë eksperiencat e tyre me pozitivitetin maksimal.
Sa do t’i ndihmojë të rinjtë këshillimi “online”?
Sipas të gjitha hulumtimeve, është parë se këshillimi në formën “online” është ai që të rinjtë e preferojnë karshi këshillimit ballë për ballë. Këshillimi “online” ka shumë përparësi, pasi është lehtësisht i aksesueshëm, ata nuk duhet të shkojnë askund për të marrë ndihmën që ju duhet, sidomos kur janë në ndonjë situatë krize. Këshillimi “online” nuk mundet ta zëvendësojë këshillimin ballë për ballë, por është një shërbim shumë i mirë për të marrë qoftë edhe ndihmën e parë, apo për t’u drejtuar nga profesionistë në vendin e duhur.
Mendoni se e ka thyer portal juaj tabunë e hapjes për problemet psikologjike?
Mendoj që “Nuk je vetëm” ka bërë një hap në këtë drejtim, sidomos tek të rinjtë, duke u hapur një derë në të cilën të rinjtë trokasin në rast nevoje, duke e ruajtur anonimitetin e tyre. Kjo ndjenjë sigurie dhe besimi që kanë krijuar ndaj nesh i bën ata të ndihen rehat mjaftueshëm që me ne të ndajnë problematika mjaft të ndjeshme siç janë, abuzimet seksuale, incesti, dhuna në familje, orientimi seksual dhe idetë për vetëvrasje. Shumica na shkruajnë se jemi të parët me të cilët ata ndajnë këto tregime të dhimbshme nga jeta e tyre. E gjithë kjo na bën të jemi shumë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për këtë besim, që të ofrojmë ndihmë profesionale, duke e ruajtur gjithmonë anonimatin e tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.