SHËNDET

Ylli Merja: Si t’i kuroni sëmundjet e syve me bimë mjekësore

14:00 - 05.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mundohuni të vëzhgoni sa herë gjatë ditës dora fërkon sytë dhe këto duar shpeshherë janë edhe të palara. Për rrjedhojë, ne dashur pa dashur çojmë pranë kapakëve të syrit baktere ose viruse. Këto mikroorganizma ose grimca qëllojnë shpeshherë që të krijojnë problematika tek sytë. Krahas këtyre veprimeve, problematikat në sy krijojnë edhe pluhurat dhe grimcat që ndodhen në ajër, por që në stinën e pranverës, ato janë të shumta dhe të mbushura edhe me polene lulesh. Po kështu, mund të kujtojmë se edhe larja në pishina me ujë të kloruar mund të krijojë infeksione të syve.




Infeksion bakterial apo virusal?
Nëse skuqja e syve është e menjëhershme dhe shoqërohet me lotime, djegie, bezdi ndaj dritës, sekrecione të trasha mukupurelente, atëherë kemi të bëjmë me infeksione bakteriale. Në këto raste kemi skuqje të syrit, konjunktiva bulbare si dhe skuqje të kapakëve (palpebrale) dhe kjo çon deri në formimin e sekrecioneve purulente (si qelb me ngjyrë të verdhë) ose ngjitje të kapakëve të syve. Të gjitha këto shenja flasin për një infeksion bakterial, ndërsa kur këto çrregullime nuk vijnë të menjëhershme, por për një kohë më të gjatë, atëherë kemi të bëjmë me infeksione virusale. Këto të fundit që shkaktojnë skuqje janë ato simplex dhe zoster. Në përgjithësi të dy këto lloj infeksionesh nuk japin temperaturë, por vetëm shenja lokale. Grupmosha që preket më shumë nga këto dy lloj infeksionesh janë fëmijët nga mosha 1-3 vjeç dhe ata të moshës 3-10 vjeç. Këto konjunktivite gjithashtu janë ngjitëse, pra nëse një nënë ka dy fëmijë me mosha të përafërta, e nëse vëren një skuqje të syve te njëri prej fëmijëve, duhet të tregojë kujdes që të mbrojë fëmijën tjetër nga infeksioni i syve. Në moshat fëminore qumështi i gjirit të nënës është një mbrojtës shumë i mirë karshi sëmundjeve bakteriale ose virusale. Infeksionet virale kanë si specifikë aktivizimin e tyre kur ka një periudhë viroze në qarkullim, sidomos në grip dhe ky lloj infeksioni kap jo vetëm fëmijët e vegjël, por çdo lloj moshe. Në të dyja rastet, por më tepër tek infeksionet bakteriale ndodh që kapilarët të rrisin presionin e gjakut dhe nga ky presion ato të çahen, të plasariten në majat e tyre dhe këto enë gjaku të krijojnë një ndjesi sikur kemi rërë në sy dhe kjo mandej shoqërohet me acarim të pjesës së brendshme të kapakëve të syrit nga ku edhe kjo më vonë pëson një fare skuqjeje.

Sy të thatë
Një sëmundje tjetër është edhe ajo e syve të thatë ose që njihet si mungesa e lotit. Nëse kemi të bëjmë me këtë patalogji duhet të kemi shumë kujdes, se kjo është një shenjë e çrregullimit kronik të sistemit të imunitetit të ashtuquajtur Sindroma Sjorgen që dëmton funksionin e gjëndrave të lotit në sy dhe të pështymës në gojë. Kjo sindromë më së shumti prek femrat rreth moshës 40 vjeç, të sëmurët me artrit reumatoid dhe lupus ose ato femra të cilat kanë çrregullime hormonale. Sytë e mjegulluar apo një shikim i turbullt shkaktojnë një dobësim të të parit e kjo sëmundje është karakteristikë për njerëzit e moshuar ose ata persona që vuajnë nga diabeti e përdorin shumë medikamente. Kruajtja e syve shfaqet në ato raste kur personi është alergjik ndaj pluhurave, qimet e kafshëve shtëpiake e grimcave të ajrit. Në këto situata, zona rreth syve bëhet jashtëzakonisht e ndjeshme dhe enjtja apo fryrja e syve mund të na tregojë një shenjë të mungesës kronike të gjumit. Ndërsa shfaqja e të ashtuquajturës unaza gri rreth irisit të syrit mund të jetë shenjë e arkus senilis, që lidhet me nivelin e lartë në gjak të kolesterolit apo triglicerideve, çka mund të jenë rrezik i mundshëm për sëmundjet e zemrës apo ndonjë sulmi në tru.

Sy të lëngshëm
Në të gjitha ato raste kur personi ka sy të lëngshëm, por që shoqërohen me një sekrecion me ngjyrë të verdhë dhe që shpeshherë ngjiten kapakët me njeri-tjetrin, atëherë kemi të bëjmë me një infeksion bakterial. Nëse kjo shoqërohet edhe me turbullimin e shikimit, atëherë mund të kemi të bëjmë me sindromën e shikimit kompjuterik, respektivisht stresit të rritur për shkak të kontrastit të dobët të ngjyrave në kompjuter. Ndërsa kur e bardha e syve ka marrë ngjyrë të verdhë, kjo është shenjë e verdhëzës, problemeve në mëlçi dhe në tëmth. Nëse personi është gjithmonë me sy të verdhë, ai patjetër duhet të bëjë provat e heparit.

Trajtimi me bimë mjekësore
Përmendëm të gjitha simptomat e sëmundjeve që mund të prekin sytë tanë, por le të shohim më konkretisht sesi duhet t’i luftojmë me bimë mjekësore. Nëse fëmija është në moshën 0-1 vjeç, nëna duhet t’ia lyejë sytë me qumështin e gjirit 1-2 herë në ditë dhe mund t’u bëjë një kompresë me kamomil të syve çdo darkë 5-10 minuta. Nëse fëmijët janë nga moshat 2-10 vjeç, atëherë është mirë që trajtimi i sëmundjeve virusale ose bakteriale të bëhet në këtë mënyrë: Në një tenxhere ziejmë me një gjysmë litër ujë 2 lugë gjelle kokoçel dhe një lugë gjelle kamomil. E lëmë të mbuluar tenxheren me kapak për 10 -15 minuta e më pas e kullojmë çajin kur është në temperaturën 45-50 gradë celcius. Hedhim një garzë të pastër në pjatën ku ndodhet çaji, e shtrydhim pak dhe e vendosim mbi sy për 2-3 minuta. Më tej qërojmë një thelb hudhër, e copëtojmë pak me dhëmbë dhe pastaj lyejmë sytë nga jashtë. Do të vëmë re që pas një djegieje të lehtë, syri sheh qartë dhe pastër. Personi me sy të infektuar duhet të ketë peshqirin e veçantë të tij dhe duhet të përdorë propolis blete si dhe të konsumojë 1-2 lugë gjelle boronicë në ditë. Ju theksojmë se hudhra dhe boronica janë ndër të parat që ndikojnë në qartësimin e shikimit. Ndër produktet e tjera ato ushqime që janë të pasura me luteinë dhe zeaksantinë reduktojnë rrezikun nga katarakti ose “perdja” në sy. Këto produkte gjenden jo vetëm tek boronica e shafrani i kuq, por edhe tek brokoli misri, bizelet, panxhari dhe kungulli i njomë. Boronica është njëkohësisht edhe një çlodhës shumë i mirë i syve, ndërsa kajsitë e karotat mund të ndihmojnë edhe në shërimin e disa sëmundjeve të syve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.