DOSSIER

“Dramat e Kujtim Spahivoglit predikojnë shthurje morale”

14:00 - 07.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

DASHNOR KALOÇI- Në kuadrin e mbledhjeve të shumta që u mbajtën gjatë gjithë vitit 1973 nga institucionet kulturore dhe artistike, si në Tiranë, ashtu dhe në të gjitha qytetet e mëdha të vendit, gjë e cila, siç kemi parë dhe në mjaft dokumente arkivore, që publikohen në mjaft kapituj të këtij libri zhvilloheshin pas fjalës së Enver Hoxhës të mbajtur fillimisht me aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në muajin maj të atij viti organizoi një mbledhje të gjatë ku u morr në analizë dramaturgjia shqiptare. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, në këtë mbledhje ka qenë i deleguar nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së, Jakup Mato, instruktor për problemet e artit dhe kulturës, i cili ka bërë dhe raport-informacion, që më pas ia ka dërguar dy sekretarëve të Komitetit Qendror, Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë. Nga informacioni i Matos, raportin e asaj mbledhje e ka mbajtur, Dritëro Agolli, i cili në atë kohë sapo kishte ardhur në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, duke zëvendësuar në atë funksion të lartë, Dhimitër Shuteriqin, akademikun, studiuesin dhe shkrimtarin e njohur, që ishte hequr “me ceremoni” nga kreu i Lidhjes, duke u konsideruar si një nga bashkëpunëtorët dhe mbështetësit kryesor të Fadil Paçramit.




Po sipas raportit në fjalë, në atë mbledhje kanë diskutuar një numër shkrimtarësh apo kritikësh që kishin lëvruar më shumë në krijimtarinë e tyre, gjininë e dramës, si: Llazar Siliqi, Filip Ndocaj, Dalan Shapllo, Ramiz Lika, Kudret Velça, Kolë Jakova, Kujtim Spahivogli, Miho Gjini, Fatos Kongoli, Spiro Pone, Teodor Laço, Xhezair Abazi, Sulejman Mato dhe Ndrek Luca. Ajo që vihet re në këtë raport-informacion, është fakti se Dritëro Agolli është treguar disi i butë në diskutimin e tij me kritikat ndaj kolegëve shkrimtarë dhe dramaturgë, (ndryshe nga raportet, informacionet apo diskutimet e tij të mbajtura para se të merrte kreun e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë), ku përveç Fadil Paçramit që ishte epiqendra e goditjes, ai ka përmendur vetëm disa emra krijuesish, si Ibrahim Uruçi, Kujtim Spahivogli, Miho Gjini, Kleanthi Dusha, Kiço Blushi e ndonjë tjetër, të cilët me përjashtim të Blushit, të gjithë të tjerët përfunduan burgjeve dhe internimeve. Gjëja tjetër që vihet re në këtë raport-informacion, (gjë e cila vihet re dhe nga faksimilja përkatëse), është fakti se: ndryshe nga praktika normale e korrespodencës së aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së me institucionet kulturore dhe artistike që kishte në varësi, ku letrat apo raport-informacionet i dërgoheshin fillimisht Ramiz Alisë, që i mbulonte në rrugë partie ato dhe e kishte detyrë funksionale atë gjë, ky raport-informacion, i është dërguar fillimisht Hysni Kapos, i cili mbulonte organet e diktaturës së proletariatit (Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Hetuesia, Prokuroria, Gjykatat, Sigurimin e Shtetit etj) dhe për dijeni Ramiz Alisë?! Gjë e cila po të “deshifrohet”, nënkuptonte që dokumenti kishte mjaft probleme, me të cilat tashmë duhej të merreshin organet kompetente qe mbulonte Hysni Kapo në rrugë partie si sekretar i Komitetit Qendror. Dhe ashtu ndodhi në të vërtetë, personat e kritikuar në atë raport, si Fadil Paçrami, Minush Jero, Ibrahim Uruçi, Kujtim Spahivogli, Miho Gjini e Kleanthi Dusha përfunduan burgjeve dhe internimeve. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të tjera, të publikuara në kapitujt e tjerë të këtij libri, edhe ky botohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim.

(vijon nga numri i kaluar)

I N F O R M A C I O N
P E RD I S K U T I M I N M B I D R A M A T U R GJ I N E

Shumë diskutues, duke folur për kufizim tematik që në fakt e largonte dramën nga dielektika e realitetit shoqëror, nga temat e mëdha të kohës, qenë të mendimit se figura e gruas në vepra të tilla nuk është trajtuar kurdoherë drejt. Figura e gruas shihet në këto vepra nga kënde të ngushta, ndonjëherë nga pozita konservatore, e ndopnjëherë në anën tjetër, liberale, pa përjashtrur këtu qëndrimin sentimentalist.
Duke folur për drama të këtij lloji, Kol Jakova u ndal në dramën, “Nuk kam mall për vjetërsira”, të Fadil Paçramit, ku tha ai, autori na nxjerr një teori të çuditëshme”. Mësuesi Fatos në një fshat malor, me zakone të egra e mbron vajzën malësore të cilën duan ta martojnë me zor, mbasi e kanë fejuar të vogël sipas zakoneve prapanike. Vajza lufton kundër zakonit. Ajo ikën te Fatosi, i cili e ka mbrojtur kudo qëndrimin e saj. Kështu të rinjtë përfundojnë në martesë. Në pjesën e dytë, pikërisht ky Fatosi që ishte luftëtarë i së resë, pa asnjë justifikim bëhet prapanik. Pse bëhet i tillë nuk merret vesh.
Autori nuk e justifikon një gjë të tillë as merr mundimin të na e japë, mos tjetër, detaje që të na mbushin mëndjen. Atëhere unë kam të drejtë të nxjerrë konkluzionet e mija se autori don të tregojë se si mplaken njerzit, nga përparimtarë, bëhen prapanikë, kurse gjithnjë përparimtare, është e reja, i riu. Kjo teori, mban erë borgjeze dhe revizioniste”. Më poshtë, Kol Jakova arriti në konkluzionin e drejtë se dramat me tema të vogla intime, “treshi magjik (ai, ajo, ai), doli përsëri në skenë në një formë liberale të theksuar dhe qëllimi i emancipimit u kthye disa herë në të kundërtën e tij. Ne nuk kemi nevojë për mikrodrama, për drama që i përkasin jetës intime të dy-tre njerëzve dhe të tjerëve nuk u intereson fare, aq më pak nuk kemi nevojë për drama që predikojnë shthurrjen morale të femrës sonë siç predikon “Historia e një vajze”, e cila është fyerje për femrën tonë.

Liberalët në mjaft raste kuptuan për konservatorizëm ligjet që rregullojnë jetën dhe marrëdhëniet në shoqëri. Ata u ngritën kundër këtyre ligjeve në mënyrë që të shkohej më shpejt në shthurrjen morale. Një erë e tillë të keqe bie dhe drama e Kujtim Spahivoglit “Një shok i klasës sonë” dhe ndonjë tjetër…”
Si rrjedhim i njëanshëmrisë ideo-tematike në konceptimin e disa veprave dramatike të këtyre viteve të fundit, kemi edhe një ngushtim të përmabjtjes. Në të njëjtën kohë, në dramaturgjinë e këtyre viteve të fundit pak gjen shprehje trajtimi i masës si forcë kryesore lëvizëse e shoqërisë, roli i saj në transformimet e mëdha socialiste. Mungon kështu drama e vërtetë popullore, me karakter epik, ku të pasqyrohet jo vetëm fizonomia e masës, por edhe lidhja e saj dialektike me figurat e heronjëve tanë. Nuk ndjehet si duhet ajo që thotë shoku Enver se “çdo njeri në jetën e tij revolucionare është krijues, mendimtar, prodhues, transformator”. Kështu që kemi në dramën tonë edhe një frymëmarrje të ngushtë, që vihet re kryesisht në ato vepra ku reduktohen problemet në një rreth të ngushtë interesash e qëllimesh.

Duke analizuar dhe diskutuar rreth të metave që vërehen në krijimtarinë dramaturgjike të viteve të fundit, u bënën vërejtje për vepra dhe autorë të ndryshëm, përmes një fryme kritike dhe autokritike. Diskutuesit u ndalën gjatë edhe tek teprimi e mbivlersimi i konvencionit dhe simbolikës gjatë këtyre viteve të fundit, mbivlersim që u duk si në dramë, ashtu dhe në skenë. Tendenca për reduktimin e dramës në dy-tre personazhe, të cilët simbolikisht pasqyronin mendimin e “avancuar” të popullit, të shpie në paraqitjen e zbehtë të realitetit apo në artin për një elitë të zgjedhur. Ajo të shpie gjithashtu, në monotoninë e karaktereve, ngjarjeve, ambjenteve, punës, jetës në përgjithësi, në formalizëm.
Në mbledhje u vu në dukje (p.sh. nga Xhezahir Abazi, Miho Gjini, etj), se, si rezultat iu ndikimeve të huaja, kanë lindur njëkohësisht edhe mjaft çrregullime e shtrembërime në formën artistike të disa veprave. Kështu vërehen keqpërdorime të retrospektivave, copëzime të veprimit dhe të karaktereve, fragmentarizëm dhe shthurrje të dialogut dhe imitime të tjera të formës artistike sipas dukjeve “modern” të dramaturgjisë së huaj dekadente. Subjekti bëhet kësisoj një rrjet merimange. Në të pesë dramat e fundit të Ibrahim Uruçit fragmentarizmi krijon copëzime të vazhdueshme të veprimit dhe një jetë të cunguar të personazheve. Në dramën “20 ditë” të Fadil Paçramit konvencioni dramaturgjik i pamotivuar krijon një tablo të shtrembëruar të realitetit historik (Lufta Nacional-Çlirimtare shikohet prej banakut të kafesë).

Problemi i thellimit të karaktereve, i pasurimit të tyre me mendime emocionuese të mëdha për shoqërinë, jetën, ndërtimin e botës së re shqiptare mbetet një ndër problemet aktuale të dramaturgjisë sonë për të cilën u diskutua shumë.
Në mbledhje u tha se karakteret në dramat e viteve të fundit janë zbehur me veprime të palogjikëshme, hera herës snobiste dhe ky snobizëm është dhënë nga disa autorë si diçka e kohës, si diçka moderne.

Në mbledhje u vu në dukje nga shumë diskutues se zbehja e karaktereve, ftohja dhe reduktimi i tyre në skema të thata logjike, u reflektua edhe në gjuhën e personazheve. Gjuha e personazheve të tilla është intelektualiste, e zhveshur nga çdo kolorit dhe intonacion kombëtar.
Krahas dramaturgjisë dhe teatrin tonë, është zhvilluar dhe ka ecur përpara edhe mendimi kritik në këto fusha. Megjithatë, diskutues të shumtë vunë në dukje se këto vitet e fundit edhe kritika e dramës dhe teatrit nuk e ka luajtur si duhet rolin e saj, ajo nuk ka qenë gjithmonë në rolin e duhur për të luftuar me konseguencë ndikimet e huaja formaliste e moderniste. Përkundrazi në mjaft artikuj apo parathënie janë bërë teorizime të gabuara shpesh antirealiste. Kështu në revistën “Nëntori”, por më shumë në gazetën “Drita”, janë botuar artikuj ku flitej për një “dramaturgji të re”, “për një teatër të ri”, ku pikënisja nga jeta zëvëndësohet me pikënisjen nga idetë, ku, ndër të tjerat, personazhet veprojnë sipas dëshirës së autorit, ku kanë rëndësi themelore vërtetësia historike, konkrete e thellimi i personazheve dhe ku emocionet ngatërrohen me sentimentalizmin. Nuk janë të pakta rastet kur edhe kritikë me përvojë janë konformuar me opinione të njëanëshme, duke u bërë në këtë mënurë bartës dhe trasmetues të këtyre opinioneve.
Në diskutim u vu në dukje se është e nevojshme që në të ardhmen të luftohet gjithashtu për një kritikë më parimore, mbi baza më shoqërore, për një kritikë më shkencore, të bazuar dhe argumentuar, larg karakterit fyes e denigrues.

Pati kritika (nga Miho Gjini) edhe për dramën “Stuhi në prill” të Skënder Luarasit, vënë në skenë nga teatri i Korçës, mbasi në të lufta jonë duket sikur nxitjen e merr nga Spanja, nënvleftësohet roli i Partisë dhe se për mjaft çështje nuk ka vërtetësi historike.
Kritika të ashpra u bënë për disda drama të Minush Jeros. Kështu u kritikua “Një natë e shkurtër qershori” (botuar në Buletinin e Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore), për mungesë të vërtetësisë dhe të analizës klasore të ngjarjeve. Veçanërisht shumë u kritikua drama “Historia e një nate” (vënë në skenë në Teatrin e Gjirokastrës). Kjo vepër përshkohet nga ideja e asgjesimit shpirtëror dhe fizik të njeriut me “njolla” në shoqërinë tonë. Tek personazhi kryesor autori sheh psikologjinë e kafshës; tek ai s’gjen asgjë të bukur; tërë veprimtarinë dramaturgjike e përshkon një ndjenjë fataliteti. Kontradita jo antagoniste në gjirin e popullit shihen si kontradita të karakterit antagonist.

Në këtë dramë nuk ndjehet zëri i shoqërisë sonë. Personazhi tjetër i dramës, (një profesor) është tipi i intelektualit borgjez që tek vajza sheh vetëm femrën. Ky personazh hedh mendime dhe ide kundër realitetit tonë. Autori i këtyre dramave, u përpoq që të kundërshtoje dhe justifikojë kritikat.
Diskutuesit theksuan se mësimet e Partisë dhe fjalimet e shokut Enver janë një ndihmë e çmuar për dramaturgët tanë, si për të gjithë punonjësit e tjerë të Letërisë dhe Artit. Mjaft diskutues si Teodor Laço, Kudert Velça, Fatos Kongoli, etj bënë autokritikë për mendime të padrejta të shprehura në shtyp për problemet e dramaturgjisë. Ndërsa në ndonjë diskutim, si në atë të Miho Gjinit, u vu re prirja për të zvogëluar arritjet e dramaturgjisë sonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.