SHËNDET

Katër hapa efektivë si të kemi fytyrën e pastër si të një fëmije

14:00 - 07.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Duke pasur gjithmonë në mendje shprehjen “Kurrë mos vendosni mbi lëkurën tuaj diçka që nuk do e hanit”, ne po ju japim disa këshilla shumë të vlefshme. Për një lëkurë të butë e të pastër si të një fëmije, për prekje mbresëlënëse dhe të paharrueshme, duhet t’i kushtojmë rëndësi të veçantë lëkurës sonë. Duke qenë se lëkura jonë e fytyrës vazhdimisht grumbullon papastërti, edhe pastrimi dhe kujdesi ndaj saj duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i rregullt. Është e rëndësishme të theksojmë që kujdesi ndaj saj duhet të jetë sa më natyral dhe produktet të jenë delikate, pa përbërës kimikë dhe sintetikë.




Rituali i zakonshëm:
Përveç sapunit që të gjithë e dimë që duhet përdorur 2 herë në ditë (larje me ujë të ftohtë edhe në dimër), lëkura do edhe përkujdesje të tjera. Lëkurat e thata dhe të yndyrshme janë më problematike se lëkura normale, rrjedhimisht duan më shumë kujdes. Hapi i parë (pas sapunit) është skrabi. Në mënyrë që ajo të jetë sa më e gatshme për t’u pastruar nga pikat e zeza dhe njollat, duhet të jetë pastruar më parë nga shtresa e qelizave të vdekura që e pengojnë lëkurën për proceset e tjera të pastrimit dhe ushqyerjes.

1. Skrabi duhet bërë 2-3 herë në javë për lëkurat e yndyrshme, 2 herë në javë për lëkurat e thata, 1 herë në javë për lëkurat normale (skrabi duhet bërë me shumë delikatesë pa ushtruar forcë, duke ndihmuar me lëvizje rrethore në gjithë fytyrën). Skrabi eliminon toksinat nga lëkura, qelizat e vdekura dhe papastërtitë e sipërfaqshme, të cilat e bëjnë lëkurën të duket pa jetë, e vrazhdë dhe e plakur. Përveç kësaj, qelizat e vdekura bllokojnë poret duke mos e lënë atë të ajroset siç duhet, madje as të lahet siç duhet me sapun. Pra, është një hap i domosdoshëm. Pasi është hequr shtresa me qeliza të vdekura, lëkura është më e gatshme të pastrohet dhe ushqehet në thellësi. Skrabe 100% natyrale me lajthi dhe bajame të grira, për çdo lloj lëkure gjeni në dyqane me bimë mjekësore. Ai përmban bajame dhe lajthi të grira, sheqer të kuq, si edhe vaj të bajameve të ëmbla e lajthisë. Kushton 5 mijë lekë të vjetra.

2. Avulli i cili duhet bërë të paktën një herë në muaj, (avulli duhet bërë pas skrabit, siç shpjeguam më lart). Ky ndihmon në qarkullimin e gjakut dhe në pastrimin e pikave të zeza. Skrabi dhe avulli ndihmojnë edhe në pakësimin e akneve apo puçrrave. Shtoni vaj esencial të livandos dhe sherebelës, që avulli të jetë më i efektshëm për pikat e zeza, ose vaj esencial rozmarine që avulli të jetë më çlodhës për lëkurat e stresuara. Kujdes! Avulli nuk duhet të zgjasë më shumë se 10 minuta.
3. Maskë pastruese dhe ushqyese pas avullit
Një maskë multifunksionale ka efekte të shumëfishta pasi është zbardhuese, ushqyese, tonifikuese. Është e formuluar për t’ju përshtatur çdo lloj lëkure. Këto lloj maskash janë të përsosura për pastrim të thellë të pikave të zeza, zbehje të njollave kafe dhe qukave, si edhe në ushqyerjen dhe hidratimin e lëkurës.

4. Pas skrabit, avullit, maskës, rituali përfundohet me masazh fytyre
Për masazh duhet patjetër vaj bajamesh të ëmbla, lajthie ose kokosi, të cilat ndihmojnë në mbylljen e poreve dhe në raste më problematike kokosi vazhdon pastrimin e pikave të zeza duke i nxjerrë ato më në sipërfaqe, kështu do ta keni më të lehtë pastrimin e tyre me një tampon pambuku. Pra masazhi me vajra ndihmon në pastrim akoma më të thellë, shtrëngim poresh, tonifikim të lëkurës së fytyrës dhe ushqim të vazhdueshëm të saj. Për ato që preferojnë krem, mund të përdorin kremin e tyre të zgjedhur.

Këshilla të tjera të specialistëve janë këto:
1. Në momentin që zgjidhni produktet për fytyrën, lexoni mirë përmbajtjen e tyre në etiketë. Nëse etiketa përmban dhjetëra emra kimikatesh që as nuk i njihni, bëni mirë të mos e blini.
2. Në momentin që vendosni të blini, atëherë duhet që të gjitha produktet të jene të paktën të një linje. Nuk është mirë që kremi i ditës të jetë linjë tjetër, kremi i natës nga një linjë tjetër, pastruesi i makijazhit tjetër linje e kështu me radhë.
3. Mos bëni skrabe, avull e pastrime më tepër se ç’duhet, sepse e dëmtojnë lëkurën.
4. Përmbajtjet agresive shmangini plotësisht.
5. Masazhoni fytyrën çdo natë para se të flini, kjo do të ndihmojë jo vetëm për një gjumë të qetë, por edhe për të mbajtur fytyrën në formë.
6. Mos e prekni lëkurën gjatë ditës me duar të papastra, duart mbajnë shumë mikrobe, të cilat e ‘sëmurin’ lëkurën e fytyrës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.