OPINION

Task Forca Mjekësore Ushtarake, çfarë ofrojmë

07:20 - 07.03.18 Bardh Spahia
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Projektligji për ngritjen e një Task Force Mjekësore Ushtarake të përbashkët të Ballkanit, është një nismë e SHBA dhe mbretërisë së Norvegjisë që i jep dinjitet këtij parlamenti në këto kohë kritike që po kalojmë. Është një marrëveshje që do të ndihmojë në bashkëpunimin ushtarak dhe mjekësor mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit në funksion të paqes dhe partneritetit strategjik.




Bashkëpunimi veçanërisht në këto dy fusha strategjike si mjekësia dhe mbrojtja është gjithmonë i mirëpritur dhe i vlerësuar, sepse bazohet tek shkëmbimi i eksperiencave më të mira, përvojave të suksesshme profesionale dhe inovacionet teknologjike në të dy sektorët.

Duke shprehur mbështetjen për arritjen e kësaj marrëveshje, do të ndalem tek disa dilema që dalin nga përmbajtja e marrëveshjes në raport me rolin e Shqipërisë.

Dhe për mua dilema kryesore është se çfarë do të ofrojë vendi ynë në mjekësinë ushtarake, kur vendet ratifikuese të marrëveshjes Bosnje – Hercegovina, Republika e Maqedonisë, Malit të Zi, Republika e Serbisë dhe Republika e Sllovenisë, kane një sistem shëndetësor, i cili bazohet në politika më serioze, strategji dhe vizion më të qartë  dhe ajo çfarë ka më  shumë  rendësi, kanë  qeveri dhe një sistem me pak të  korruptuar.

Sigurisht që Shqipëria ka kapacitete të fuqishme tek stafet mjekësore, por logjistika, mjedisi dhe i gjithë menaxhimi në sistemin e shëndetësisë është sot në nivelet më  të  dëshpëruara.

Shqipëria në këtë TASK FORCE do të jetë sipas meje, në pozitën e një shteti inferior që  vetëm do marrë  donacione. Pse e them këtë? Fakti që Shqipërisë i është lënë minimalisht 7 vite periudhë prove e më pas të marrë rolin e pritësit, zotit të shtëpisë për të menaxhuar projektin, dëshmon fare qartë se asnjë shtet i rajonit e jo më i BE nuk vlerëson standardet e sektorit të mjekësisë ushtarake shqiptare.

Dhe kanë plotësisht të drejtë partnerët për të mos besuar një qeveri që e ka kthyer vendin në Kolumbinë e kokainës dhe hashashit që furnizon jo vetëm Europën, por edhe kontinentin tjetër. Nuk dua sot të trajtoj çështjen e kanabizimit të  republikës së Ramës, pasi dua të përqendrohem në  problemet dhe mungesat e shumta që paraqet sistemi shëndetësor dhe veçanërisht mjekësia ushtarake, ku dhe bazohet kjo marrëveshje.

Se në çfarë gjendjeje mizerabël është sot sektori i mbrojtjes dhe i mjekësisë ushtarake mjafton të shihni paaftësinë totale të  drejtuesve të  këtij sektori për të  parandaluar apo përgjigjur situatave të  ndryshme të  emergjencës, dhe gjendjen e mjerueshme të mijëra banorëve të bllokuar nga dëbora dhe uji në malësitë dhe fshatrat e Jugut dhe Veriut. Nuk ka mëdyshje që forcat ushtarake kanë bërë të pamundurën për t’iu gjetur pranë këtyre banorëve dhe duke sakrifikuar dhe jetën e tyre.

Por kjo është meritë e sakrificës së ushtarëve tanë dhe aspak i indiferencës, arrogancës dhe paaftësisë që vjen nga drejtuesit e mbrojtjes dhe shëndetësisë që jetojnë mes komoditetit dhe luksit.

Shqipëria pas dy përmbytjeve të njëpasnjëshme ra nën izolimin e dëborës ku sërish doli edhe më në pah mjerimi, varfëria, mungesa e ilaçeve, mungesa totale e shërbimit mjekësor të urgjencës, mungesa e arsimimit, mungesa e infrastrukturës, errësira e plotë , mangësi që na kujtuan kohën e errët të diktaturës komuniste me heronjtë e rremë  të propagandës.

Me dhjetëra mesazhe e apele për ndihmë marrim çdo ditë nga malësitë e Shkodrës ku fëmijë e të moshuar nuk kanë ilaçe, nuk marrin shërbim mjekësor dhe jo për faj të mjekëve, por për faj të sistemit korruptiv që grabit vetëm para e taksa, por që nuk siguroi asgjë për dimrin e paralajmëruar.

As makina urgjence, as helikopterë në dispozicion, as farmaci emergjence për zonat e izoluara. Asgjë. Edhe pse këta banorë paguajnë taksa, paguajnë energji, paguajnë me lekët e tyre, rrogat e zotërinjve ministra që këtë realitet e shohin vetëm në ekranet televizive dhe në fotot e “Facebook”.

Çdo gjë u pa, vetëm shteti nuk u pa askund në këtë krizë të motit të egër, pasi kryeministri dhe ministrat e luksit kishin të tjera çështje për t’u marrë si p.sh. skandalet e njëpasnjëshme të kapjes së kuintalëve me kokainë apo tenderët e radhës dhe koncesionet partneritet publik privat që po lajnë miliardat e drogës.

A ka Shqipëria standarde konkurruese të mjekësisë ushtarake për t’u paraqitur si një partner i denjë i NATO-s në këtë marrëveshje? Unë them se jo dhe jam plotësisht i bindur që dhe ju ndani të njëjtin mendim. Spitali i traumës, ai ushtarak është sot dëshmia më e qartë e rrënimit të sistemit shëndetësor, ku nuk ekzistojnë as pajisjet më bazike, më të domosdoshme për t’i ardhur në ndihmë pacientit në emergjencë.

Për të mos folur për ambulancat një dështim i turpshëm i partneritetit me privatët e kryeministrit. Në autoambulancat e urgjencës nga pasiguria në rrugë dhe kudo gjejnë vdekjen edhe shoqëruesit e pacientit. Më absurde dhe tragjikomike se këto ngjarje që ndodhin vetëm në Shqipëri, nuk ka.

Në kohën kur diskutohej kjo marrëveshje më shkoi ndër mend se dy zonjat ministre respektivisht ajo e Mbrojtjes dhe e Shëndetësisë kanë vetëm një model “suksesi“ për të paraqitur para partnerëve tanë dhe ajo është formula magjike e milionave të oligarkëve “Partneritet Publik Privat”, ku pikërisht shëndetësia është oazi i pastrimit dhe i përfitimit marramendës nga paratë e shqiptarëve dhe lavatriçja e parave të kanabisit dhe kokainës.

Është sistemi i shëndetësisë që dëshmon çdo ditë korrupsionin masiv qeveritar ku paratë nuk shkojnë për depistimin masiv të popullsisë, apo për përmirësimin e kushteve në maternitete e spitale ku po vdesin në mënyrë të mistershme çdo ditë foshnje dhe askush nuk sqaron pse.

Si profesionist që vij nga ky sistem, unë  shtroj pikëpyetjet që ngre gjithmonë në Komisionin e Shëndetësisë dhe në sallën e parlamentit.

Çfarë mund të ofrojë shërbimi mjekësor shqiptar në këtë Task Forcë, kur shëndetësia jonë  mbetet një shërbim i mirëfilltë privat, ku çdo shqiptari i duhet të  paguajë  çdo ditë  e më  shumë  për një shërbim për ditë   e më  të  keq, ku klanet e biznesit që mbështet kryeministri bëjnë ligjin në çdo nivel të sistemit të shëndetësisë.

Pas katër vite e gjysmë, shërbimi publik mjekësor është kthyer ne interes të  mirëfilltë privat për pushtetarët pasi nuk ofron asgjë për shqiptarët në hall dhe pa para. Mjekësia është në kohën e saj më të errët, sepse:

1.Nuk ka as edhe shërbimin më të thjesht falas në spitalet tona

2.Nuk ka mjete dhe logjistikën e nevojshme mjekësore

3.Mungojnë ilaçet

Mjekët po largohen me shumicë, rreth 150 mjekë të përgjithshëm e specializantë të  sapodiplomuar largohen çdo vit nga Shqipëria.

Kjo hemorragji profesionistësh po e fut sistemin në një krizë aq të  thellë sa jo vetëm në  spitalet rajonale, por dhe në  QSUT mungojnë mjekët specialistë dhe infermierët.

As nismat për të promovuar specialistët që  do shkonin në  rrethe me 100 000 lekë të  vjetra mbi pagën apo ajo e fundit për bonus 250.000 lek të  vjetra për disa mjekë  të  QSUT nuk funksionuan.

U shpik patronazhimi si një mënyrë eksportimi artificiale e specialisteve te caktuar në  ditë  të  caktuara që  shkaktonte konfuzion e radhë  të  gjata në  Tiranë tek institucionet ku këta mungonin. E skandali i radhës, së fundi ishte se këta mjekë  as nuk paguhen për periudhën e patronazhimit. Jo vetëm në  rrethe, por dhe në  Tiranë në për qendrat shëndetësore mungojnë pediatrit e specializuar dhe rolin e tyre e kryejnë mjekët e përgjithshëm.

Për të vijuar më tej me skandalet e korrupsionit dhe të kriminalizimit të sistemit nga oligarkët e pushtetit tuaj.

Koncesioni i laboratorëve ku nga 18 të shpallura vetëm 3 prej tyre janë hapur, për të shkuar drejt shëndetësisë falas të cilën e premtoi 4 vite më parë  ku nga 1 milion euro në vit që kushtonte i gjithë sistemi i laboratorëve, pasi i kalon privatit shteti do t’i paguajë atij dhe 8 milionë euro. Sipas të  dhënave nga Ministria e Financave nga 68 miliardë lekë që do paguhen deri në vitin 2025, shëndetësia do të marrë pjesën e luanit, me 40 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro).

Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë (check-up) për periudhën 2015-2024, për të cilën buxheti do shpenzojë gjithsej 7.82 miliardë lekë (57 milionë euro).

E si të mos mjaftonte kjo, kontrata e re e Qendrave Shëndetësore me Fondin për kujdesin shëndetësor i kthen mjekë t e familjes që  paguhen me taksat tona në  shërbyes pa pagesë  të  Vilma Nushit.

Ka mbi 2 vjet që  nuk del lista e barnave të  rimbursueshme duke i shkaktuar humbje buxhetit të  shtetit mbi 10 milionë  euro për shkak të  monopoleve të  alternativave të  vetme të listës.

Shpreh besimin dhe vlerësimin maksimal tek mbështetja e aleatëve tanë SHBA dhe Mbretërisë së  Norvegjisë për t’i dhënë një hov cilësor mjekësisë ushtarake dhe bashkëpunimit rajonal, sikurse ka dhënë deri tani për rritjen e kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë në kuadrin e anëtarësimit në NATO.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.