KULTURË

“Matja e botës”, takimi i dy prej mendjeve më të ndritura të Gjermanisë

13:45 - 08.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Asnjë nuk donte të përdorte mendjen. Njerëzit donin qetësinë e tyre. Ata donin të hanin dhe të flinin, dhe donin që të tregoheshe i mirë me ta, por nuk donin të mendonin”, “Matja e botës”, Daniel Kehlmann, Botimet Pegi, roman, 2018.




Një satirë për klasicizmin gjerman, një roman aventurash, një portret i borgjezisë në fillim të shekullit XX, një studim për sakrificën dhe moralin e shkencës, portreti i dy burrave në plakje, të vetmuar secili sipas mënyrës së vet; dhe një tekst që lexohet lehtë, gjithë aludime, citate dhe xhevahire të fshehura.
Romani “Matja e Botës” përkthyer nga Sokol Mici, risjell në vëmendje ngjarje të harruara me të cilat Daniel Kehlmann ka ndërtuar një vepër të shkëlqyer, që është bërë bestseller tashmë në Gjermani, po edhe në vende të tjera në Evropë.

Historia nis në vitin 1828, kur Gausi, një matematikan, fizikan dhe astronom, ftohet, nga Aleksandër fon Humbold, eksplorues, gjeograf dhe shkencëtar, të shkojë në Berlin ku do të mbahet një kongres shkencëtarësh. Gausi nuk ka aspak dëshirë të marrë pjesë, nuk i pëlqen të udhëtojë, njerëzit nuk para i interesojnë; është tip i vetmuar, tejet kritik dhe gërnjar, por Humboldi është më kokëfortë dhe arrin ta bindë. Takimi midis dy prej mendjeve më të ndritura të Gjermanisë iluministe i jep autorit shkas për të rrëfyer jetët e tyre jashtëzakonshme, që nga fëmijëria e deri në takimin e vitit 1828, duke përfshirë edhe përshkrimin lehtësisht të kuptueshëm të teorive që kanë themeluar gjeografinë dhe matematikën moderne.

Autori e shoqëron lexuesin në udhëtimet e Humboldit mbi lundra të pabindura, në majat e maleve më të larta e në thellësitë e kratereve e shpellave më të fshehta. Lexuesi përhumbet në magjinë gjeniale të zbulimeve të Gausit, duke qeshur me manitë e tij, duke u pasionuar pas ideve dhe mënyrës se si e shihte botën ai, jetën dhe të ardhmen. Ky është portreti entuziast e i përkushtuar i gjigantëve të shkencës dhe kulturës, të cilët zbresin nga piedestali dhe kthehen në personazhet zbavitëse të një komedie tejet të saktë nga pikëpamja historike.
Stili paksa surreal i Kehlmann-it është një përzierje e komedisë, romancës dhe makabres, me dritëhije realizmi magjik, aq sa të duket sikur po lexon Borges-in në “Pyllin e Zi”.

Romani ngjall emocione thellësisht frymëzuese rreth përpjekjeve të racionalitetit më të lartë në betejë me natyrën e egër dhe mizore të njerëzimit.
Daniel Kehlmann (1975) është një shkrimtar gjerman dhe austriak, autor i dhjetëra veprave. Romani e tij më i njohur, “Matja e botës”, i përkthyer në mbi njëzet gjuhë të botës, është libri më i shitur në gjuhën gjermane, që nga botimi i romanit “Parfumi” i Patrick Süskind. Kehlmann është fituesi i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.