OPINION

Eksperiment i dështuar

07:20 - 10.03.18 Dr.Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Para disa ditësh, presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani deklaroi se nuk do të ishte më kandidat për kryeministër në Itali, pasi kishte pranuar fillimisht  ftesën e liderit të “Forca Italia”, Silvio Beruskoni. Po ashtu, një nga zëvendësit e Tajanit, social-demokrati G. Pitella i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të PD-së së majtë, Matteo Renzit për ato zgjedhje. Mirëpo të dyja këto parti patën një rezultat tejet zhgënjyes në zgjedhjet e 4 marsit.




Në fakt, kooptimi i drejtuesve më të lartë, sidomos të Parlamentit Evropian në krye të forcave politike në vende të ndryshme, në mungesë të personaliteteve bindëse dhe fitues nga terreni është një praktikë e njohur.

Por, nëse Tajani dhe Pitella nuk u përfshinë direkt në fushatë, ish-zv.presidentja tjetër e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, që ka kontribuar aq shumë edhe si raportuesja për Kosovën dhe të drejtat e grave vitin e kaluar dha dorëheqjen nga ai funksion dhe konkurroi në zgjedhjet e përgjithshme në Austri për kandidate kryesore e të gjelbërve për kancelare. Por, ajo parti që as dy vjet më parë fitoi në zgjedhjet presidenciale, pësoi disfatën më të rëndë qysh nga viti 1983 me 0,5 për qind, aq sa as vetë Lunaçek nuk mundi të hyjë në parlamentin e atij vendi.

Gjithsesi, rasti më tipik vitin e kaluar ishte ai i zgjedhjeve të 24 shtatorit 2017 në Gjermani, ku si kandidat për kancelar kundër Merkel u kooptua ish-presidenti i Parlamentit Evropian, social-demokrati Martin Schulz; me një nxitim të madh, menjëherë pas përfundimit të mandatit të tij të dytë dhe vetëm 3-4 muaj nga fushata e zgjedhjeve të reja parlamentare. Në dy muajt e parë prania e tij krijoi një eufori të madhe ose “Schulz efekt”. Mirëpo entuziazmi dhe shpresat e SPD-së gjermane u shuan si flakë kashte pas tri humbjeve në lande dhe veçanërisht pas katastrofës historike të kësaj partie me vetëm 20,5 për qind të votave, pothuajse aq sa dhe AfD-ja ekstremiste. Sikur të mos mjaftonte kjo, Schulz bëri edhe dy gafa të tjera politike, që i kushtuan karrigen dhe karrierën e mëtejshme politike në krye të SPD-së, duke përfshirë së fundi vetemërimin nxitimthi si ministër i Jashtëm në koalicionin e madh ende të pangjizur, edhe pse kishte deklaruar prerazi se kurrë nuk do të ishte në një qeveri me Merkel. Baza e partisë reagoi si asnjëherë duke e detyruar Schulzin të tërhiqet nga drejtimi i partisë dhe natyrisht, nga zyra e ministrit të Jashtëm.

Për pasojë, “në vend që t’i vinte vetullat, i nxori sytë SPD-së”, që ndodhet në pozita edhe më të mjerueshme politike, edhe pse në koalicion të detyruar me CDU-në, si rrugëdalje nga e keqja më e madhe.

Raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, por mesa duket, nuk janë nxjerrë mësimet e duhura. Dy dekada më parë, ish-Komisionerja e BE-së, Emma Bonino, që ka  ndihmuar shumë edhe vendin tonë gjatë periudhës së krizave me 1997-1999 u kthye në Itali vetëm për disa muaj vetëm si ministre e Jashtme, kurse partia e saj radikale me gjithë emrin e saj, nuk ka arritur të kapërcejë pragun e parlamentit. Ndërsa gjatë periudhës 2011-2013, kur Italinë e pushtoi kriza e madhe financiare, në krye të qeverisë teknike u caktua komisioneri i mirënjohur i BE-së, Mario Monti. Por me gjithë rezultatet, Monti dështoi i pafuqishëm kryesisht nga xhelozia e politikës italiane, që nuk e lejoi të jepte ndihmesën me kompetencën e tij të jashtëzakonshme. Ky rast vërtetoi shprehjen se, “qeveritë teknike kanë politika, por jo politikanë, kurse populistët kanë politikanë, por jo politika”. Përjashtim këtu bën vetëm Romano Prodi, që pas mbarimit të mandatit si president i Komisionit Evropian (1999- 2004) arriti të rizgjidhej Kryeministër i Italisë në vitin 2006. Por, kjo ndodhi sepse ai kishte qenë edhe më parë kryeministër dhe mbi të gjitha, shumica në atë periudhë në Itali kërkonin një alternativë bindëse evropiane, që t’i kundërvihej euroskeptikut Berluskoni.

Raste të tilla gjen, ndonëse më rrallë, edhe në organizata të tjera ndërkombëtare, sidomos në OKB. Rasti më i freskët është ai i Ban Ki Moon: menjëherë pas përfundimit të mandatit të dytë si sekretar i përgjithshëm i OKB-së, (2007-2017) ai paraqiti kandidaturën si president i Koresë së Jugut. Por, në prag të fushatës u detyrua të tërhiqej, sepse gjasat për fitore ishin të pakta dhe të një skandali korrupsioni, ku ishte përfshirë vëllai i tij.

Ndër shkaqet dhe arsyet kryesore të dështimit të kësaj dukurie mund të përmenden: shkëputja për vite e tyre nga realitetet konkrete politike, ekonomike dhe institucionale të vendeve të tyre; kushtet, rrethanat,  problemet dhe mbi të gjitha rregullat e ndryshme të  lojës; veç kësaj, pasi kanë arritur majat e politikës kombëtare, eksponentë të tillë janë larguar prej saj, madje edhe në mosha të avancuara; ndërkohë, politika në vendet e tyre vazhdon të gërryejë, duke ua hequr atyre shanset e rikthimit; me logjikën pak a shumë se “ju e dhatë maksimumin tuaj, ndaj ju dërguam atje për të përcjellë këtë përvojë; kurse ne po punojmë fort këtu, kemi plot kuadro shumë të mirë, përse duhet atëherë një ‘comeback’, që vështirë se mund të prodhojë një alternativë të re, veç komoditetit të personit të mësuar tashmë me ofiqe, pushtet dhe ceremonira?”

Ja psh., Martin Schulz kishte si avantazh krahasues vokacionin e tij evropianist në zgjedhjet më të fundit në Gjermani, mirëpo këtë vokacion e ka me kohë edhe Merkel e të tjerë liderë, kështu që Schulz vështirë se mund të bënte diferencën në këtë fushë madhore. Për të tjerat nuk kishte kurrfarë shansi, sepse Schulz në 25 vitet e fundit kishte qenë në labirintet e Europarlamentit dhe ishte “outsider” i vërtetë për Gjermaninë. Edhe Tajani, Pitella apo dhe Lunaçek me evropianizmin e tyre kishin fare pak shans në Itali dhe Austri, ku forcat euroskeptike dhe populistët kanë vite që punojnë në terren, hapur dhe nën rrogoz.

Shkak tjetër i rëndësishëm është se për institucionet e BE-së, të gjitha pa përjashtim, ka një perceptim përgjithësisht negativ publik, ato dhe liderët e tyre konsiderohen në shumë vende anëtare si shkaktarët dhe fajtorët e krizës së azilit, emigracionit, pasigurisë, papunësisë dhe në përgjithësi të çdo të keqeje! Për pasojë, ridalja në skenën politike të vendeve anëtare të eksponentëve të tyre vetëm se zgjeron terrenin për forcat euroskeptike, populiste, ekstremiste etj., që thonë me zë të lartë: “Prapë  na ‘mbinë’ këta  këtu, po ku ishit ju deri dje, pse nuk i rregulluat këto punë kur ishit atje, po na vini e na jepni mend tani”?

Këtë realitet mesa duket e kanë kuptuar kohë më parë protagonistë të tjerë të shquar të institucioneve evropiane dhe më gjerë. Me gjithë famën dhe lutjet që u janë bërë, ata nuk kanë pranuar të konkurrojnë në vendet e tyre. Tipik është presidenti më i famshëm i Komisionit Evropian, Zhak Delor (1984-1994) ish-presidentja emblematike e Parlamentit Evropian, Simone Veil etj..

Ndaj, katapultimi apo kooptimi i liderëve evropianë në vendet anëtare është eksperiment i dështuar. Përvoja tregon se është më e udhës të promovohen me kohë e jo “brenda natës” liderë të rinj në vendet përkatëse, që më vonë do të përbëjnë edhe fondin rezervë për drejtues të institucioneve ndërkombëtare, por veçse pa rikthim në politikën kombëtare.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.