OPINION

Mos fyeni heroinat!

07:40 - 10.03.18 Fitim Çaushi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në disa gazeta e emisione televizive, flitet me keqardhje dhe “vlera” të pakontestueshme të Musine Kokalarit. Përdoren epitete për “bukurinë” e saj dhe klasifikohet padrejtësisht si “shkrimtarja e parë”! Nuk kanë munguar as përvjetorë madhështorë dhe sesione shkencore në Gjirokastër, e deri tek projektet për restaurimin e shtëpisë muze!




Kuptohet se rivlerësimi i saj nuk është as për “bukurinë” e saj të rrallë, as për talentin e veçantë, por për motive politike dhe përvetësime financiare. Ata e falsifikojnë Musinenë aq, sa po të ishte gjallë vetë Musineja, do ta kundërshtonte këtë tiradë himnesh hipokrite!

Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, Musineja hiqej si revolucionare. Për këtë e thërritën në Frontin Nacionalçlirimtar për bashkëpunim në revistën antifashiste “Gruaja Shqiptare”. Kryeredaktore ishte Nexhmije Hoxha dhe Ollga Plumbi. Musinesë iu besua kryeartikulli, por ajo shkroi, përveç gabimeve të tjera, se: “disa do luftojnë sot, disa do luftojnë nesër!” Enver Hoxha ndërhyri menjëherë pranë redaksisë, duke orientuar se “duhet të luftojmë të gjithë sot, s’ka kohë për nesër”.

Duke e parë se ajo nuk ishte në një akord me Luftën Nacionalçlirimtare, u largua, dhe nuk zhvilloi asnjë aktivitet për Luftën Antifashiste. Ishte momenti historik kur shqiptarët ishin ndarë në antifashist dhe profashist. Në cilën krah e rreshtojnë “studiueset” e dosjes Musine Kokalarin? Këtu fillon analiza e vërtetë.

E ndikuar nga kryeballisti dhe udhëheqësi shpirtëror i saj, Mit’hat Frashëri, u vendos në barrikadë të kundërt me gratë dhe vajzat e Shqipërisë, duke iu kundërvënë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Së bashku me Skënder Muçon formuan Partinë Socialdemokrate. Në prezantimin e asaj partie, mori pjesë i dërguari i PKSH, Qiriako Harito, i cili në emër të Partisë Komuniste dhe Frontit Nacinalçlirimtar, i bëri thirrje për bashkim. Por, pas kthimit nga Konferenca e Pezës të kryetarit të saj, Skënder Muços, ata degjeneruan në grazhdin e Ballit Kombëtar, duke u bërë bashkëpunëtorë të fashizmit kundër Luftës Nacionalçlirimtare. Çdo spekulim politik, se ajo “sfidoi komunizmin”, është i gënjeshtërt.

Në kohën kur gratë dhe vajzat e Gjirokastrës, iu bashkuan Luftës Nacionalçlirimtare, së bashku me 6000 gra e vajza të Shqipërisë, Musinea bashkëpunonte me krerët e Ballit Kombëtar. Gazeta “Rilindja” e Kosovës ekspozon këtë dokument të grupit informativ të Asime Kosovës: “Në dhjetor 1943 një oficer amerikan zbarkoi në Vlorë dhe kërkoi të takonte Mehdi Frashërin. Regjenti nuk pranoi të ekspozojë veten, në vend të regjentit shkoi komandanti i Ballit për qarkun e Vlorës, Skënder Muço, i kënaqur nga biseda, tha se amerikanët i këshillonin “nacionalistët” për të përkrahur qeverinë, por njëkohësisht kërkonin rreptësishtë se qeveria nuk duhet të shkojë shumë larg në bashkëpunim me gjermanët”. (Rilindja” 27 gusht 1993.)

Sikundër shihet, kryetarit të Musinesë, Skënder Muços, i është dhënë urdhri për të përkrahur Qeverinë e Regjencës, e cila ishte në shërbim të pushtuesit gjerman. Një njoftim i shërbimit sekret britanik në prill 1944, dëshmon se sa thellë u zhytën të ashtuquajturit socialdemokrat – ballistë, në luftën kundër Frontit NCL: “Trupat e Ballkomit siç është bërë i njohur u bashkuan me gjermanët në luftën kundër partizanëve…Ballkomi pranoi se shtabi ushtarak i tij ka dënuar me vdekje dhe ka pushkatuar njerëzit e kapur, të cilët ndihmuan partizanët…Skënder Muços i erdhi keq për bashkëpunimin me gjermanët, por mendonte, se kjo ishte e vetmja rrugë për të thyer lëvizjen partizane të cilin ai e vlerëson si armik të parë të tij”. (FO 371/45-3550/39/R7779)

Sikundër shihet, Musine Kokalari është në akord me kryetarin e partisë së saj “socialdemokrat”, të cilit “i paska ardhur keq” për bashkëpunimin me gjermanët vetëm e vetëm për të thyer lëvizjen partizane të cilën e vlerësonin si armik të parë!

Përse Musineja u hodh kundër grave dhe vajzave shqiptare, në vend që të paktën të ishte asnjanëse, si disa të tjera?! Nuk ishte një gabim rastësor i rrethanave, që t’i falet, ishte një veprimtari e ndërgjegjshme disa vjeçare kundër Frontit Nacionalçlirimtar. Nuk e detyroi njeri të shkonte me pushtuesit kundër Frontit Nacionalçlirimtar, ishte zgjedhja e saj. Përse pseudo studiuesit shtiren se u vjen keq për të, kur askush nuk i ka rënë në qafë Musinesë? Ishte Musineja që i ra në qafë popullit dhe grave shqiptare.

Musineja sfidoi Luftën Nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit nga fashistët, jo komunizmin! Nuk mjaftoi kjo, dhe Musine Kokalari plekset në agjentura të huaja për ta rrëzuar me çdo kusht Pushtetin Popullor pas çlirimit.

Është e natyrshme që ligjet e aprovuara nga populli, do të binin edhe mbi Musinenë: më 13 mars, pas arrestimit të Gjergj Kokoshit, Ministrisë së Jashtme britanike i raportohej nga Kazerta: “Edhe Zyra e Luftës është futur në këtë panik…Ka mundësi që personat e implikuar në këtë gjyq do të thonë të vërtetën se kanë patur kontakte me këtë mision” (FO 371/58474/24/R3948)

Raporti i Roger Pisentit, përforcon bindjen se grupet opozitare pas çlirimit, ku bën pjesë edhe Musineja, kanë qenë grupe agjenturore: ”Misioni ushtarak britanik në Shqipëri ka organizuar lidhje me elementët kundërshtarë për të marrë informata”. (FO. 371/58509/9187/R10109)

Më 30 qershor 1946, oficeri i Misionit Britanik Arnot, raportonte: “Pohimet e bëra në gjyqet shqiptare janë padyshim të drejta, ato paraqesin implikimin e nxjerrë nga shënimet që kanë mbajtur shqiptarët e fajësuar. Mendoj se mund të dalin edhe gjëra të reja lidhur me të akuzuarit e tjerë: Kokoshi, Asllani, Shaban Balla, Musine Kokalari e Anastas Papapostoli” (FO 371/58509/9187/R10109)

Sikundër shihet, në grupin e të implikuarve me agjenturën britanike, përmendet Musineja dhe jo një grua tjetër. Përderisa majori i Misionit Ushtarak britanik pranon, se “pohimet e shqiptarëve të fajësuar janë pa dyshim të drejta”, kjo na përforcon bindjen se grupet opozitare, pas çlirimit, kanë qenë grupe agjenturore, që nuk donin demokracinë, por përmbysjen e Pushtetit Popullor në Shqipëri, dhe kalimin e saj nën ndikimin e shteteve të huaja!

Raporti përfundimtar i misionit amerikan në vitin 1946, dëshmon se Musine Kokalari ishte në drejtim të kundërt me popullin: ”Zgjedhjet sollën një kënaqësi në popull si shprehje e dëshirës së pjesës më të madhe të popullit shqiptar. Ky nuk është vetëm opinioni i misionit, por edhe i korrespodentëve të shtypit, të cilët erdhën në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet”.

Dhjetë ditë më vonë nga informata e Jakobs, misioni amerikan njoftonte: ”Fronti NÇL gëzon në popull mbështetje më të madhe se sa grupi opozitar…Elementët opozitarë janë të organizuar në mënyrë të mjerueshme dhe nuk kanë asnjë program pozitiv…Në përgjithësi udhëheqësit e Frontit NÇL janë patriotë dhe kanë qëllime të mira…Ata kanë një konsideratë të madhe në popull” (A. 84/7/801/7-145)

Përse Musineja ishte kundër Luftës Nacionalçlirimtare dhe udhëheqjes së saj, që, siç dëshmon misioni amerikan, gëzonte konsideratë në popull?! Dy vëllezërit e Musinesë, sikundër edhe ajo, u lidhën me pushtuesit si kolaboracionistë dhe u dënuan, sikundër edhe Bahri Omari.

Ndërsa vëllai tjetër i Musinesë, Hamdi Kokalari, ishte njeri i nderuar, shok shkolle me Enver Hoxhën në Korçë dhe Francë. Ky ishte i lidhur me luftën partizane për çlirimin e Shqipërisë nga fashistët. Pas çlirimit Hamdi Kokalari u emërua shefi i Protokollit në Ministrinë e Jashtme, e më vonë punoi si përkthyes në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” i nderuar dhe i respektuar. Nga puna e tij e ndershme ne kemi sot “Kontin e Montekristos” dhe shumë përkthime cilësore nga frëngjishtja.

Këta spekulatorë e përdorin të ndierën Musine, si gladiatore që sfidoi komunizmin! Kë sfidoi Musineja, Zonjën Çurre që çante dëborën e dimrit me partizanin e plagosur në krah, Bule Naipin e varur pas torturave te rrapi në “Sheshin e Çerçizit”, Fato Berberin apo Nimete Progonatin të varura nga nazistët? Vlerësime meritojë këto vajza, vepra e të cilave përbën një akt madhor me ideale të mëdha humanitare, me shpirt sakrifice, shembull etik, ku mund të mësojnë gjeneratat e reja, dhe jo Musine Kokalari që u përdor si mercenare e të huajve! Vlerësimi me superlativa i Musine Kokalarit, është injorim për dëshmoret dhe heroinat gjirokastrite!

Dihet se e ashtuquajtura letërsi e Musine Kokalarit, është një letërsi folklorike, thjesht disa të dhëna për vajtimet dhe dasmën gjirokastrite, sikundër dëshmon tregimi “Sa u tund bota”. Artistikisht ajo është nën mesataren.

Me të drejtë theksohet fakti, se vajzat gjirokastrite dhe shqiptare, në vitet ’30 filluan të merreshin me letërsi, por nuk ishte e para Musineja. Përpara saj ishte vajza gjirokastrite Selfixhe Ciu, poetja e parë e Gjirokastrës dhe Shqipërisë, qysh në vitet 1932-1934, poete me vlera të larta ideotematike dhe artistike. Kjo u martua më vonë me ish-drejtorin e Teatrit Popullor, antifashistin dhe dramaturgun Xhemal Broja. Për motive të karakterit të saj egoist dhe ambicioz, ndonëse ishte partizane e orëve të para dhe komuniste e vendosur, internohet nga Tirana në Kurvelesh, kthehet të Tiranë e përsëri internohet në Myzeqe. Përse nuk vlerësohet edhe ajo, që i qëndroi besnike Luftës Nacionalçlirimtare?! E njëkohshme me të ka qenë edhe poetja nga Shkodra, Luiza Sereqi, pas tyre del në dritë Musineja me krijime fare modeste.

Është çmenduri të planifikohen qindra milionë lekë për ndërtimin e shtëpisë së bashkëpunëtores së fashizmit dhe shërbëtores së të huajve, ndërkohë që qindra vajza gjirokastrite janë pa punë, pa shpresë për t’u martuar dhe për ta jetuar jetën si njerëz të lirë dhe të respektuar nga shteti! Ky është një qëndrim antihumanitar, imponues dhe arrogant ndaj shqetësimit të qytetarëve gjirokastritë.

Drejtuesit e veprimtarive të ndryshme për Musine Kokalarin në Gjirokastër, janë të aftë për të gjetur projekte dhe të sigurojnë ndonjë kockë për vete, pavarësisht se me këto veprimtari fyhen heroinat dhe dëshmoret e Gjirokastër, njëra prej të cilave Bukurie Bazo luftoi deri në Vishegrad dhe mbeti përjetësisht atje. Këta sahanlëpirës nuk kujtohen për gjakun e rinisë së tyre, që u vu në themelet e Shqipërisë së lirë, por nuhasin grazhdet nga mund të kullosin në këtë kohë të turbullt.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. –Ate kujtohet ”Jovan Bregu”’….besij se po…SI i tha tek ” P.176”
    ”JA THE MOR JA THE.., PO KUJT JA THE”
    —- Problemet i ngre shume drejt,por kujt po ja thu …

    Përgjigju ↓