MILOSAO

Europa ime: poema “Mahabharata” – një arketip indoeuropian -vështrim retrospektiv-

14:00 - 11.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Feride Papleka – Endrra për origjinën e ligjërimit, për një gjuhë meme të gjuhëve, ka pushtuar shumë mendje të shquara të gjenisë njerëzore në epokën moderne të ndriçuar sidomos nga filozofia materialiste. Janë bërë shpjegime krahasuese për pjesë dhe për tërësi të krijimeve të lashta, për mitologjitë si dhe për strukturat konceptuale të tyre. Përqasjet edhe në fushën e organizimeve shoqërore, ekonomike e politike, kanë çuar në përfundimin shkencor se në grupe të mëdha popullatash të Europës së sotme dhe të atyre të një pjese të Azisë, ka pasur marrëdhënie të ngushta e afri të tilla gjuhësore që vërtetojnë idenë se ata rrjedhin nga i njëjti trung i përbashkët. Gjuhëtarët ia kanë lënë indoeuropianishtes zanorëzimin e theksuar të sanskrites që mbahet si gjuha më e lashtë pasindoeuropiane.
Në veprën madhore Mite dhe epope e plotë, botuar në Paris më 1973 e që është deri më sot sinteza më e lartë e mendimit në këtë fushë, francezi Zhorzh Dymezil (George Dumezil), një nga gjenitë e studimeve krahasuese, me vrojtime gjuhësore, mitologjike e fetare ka vërtetuar idenë se besimet indoeuropiane paraqesin një strukturë të njëjtë trifunksionale të hierarkizuar : pushtet shpirtëror, fuqi dhe pjellori. Kjo ideologji tripjesëshe pasqyrohet në shumë kultura, si bie fjala sistemi i kastave në Indi : Brahmans – priftër, ksatriya (kshatria) –
luftëtarë, vaissya (vaisia) – bujq e blegtorë ; triada hyjnore apo rrëfimi i lindjes së Romës me tre përbërësit paraekzistues si :protoromakët e Romulit, etruskët e Luc(k)umanit, sabinët e Titus Tatiusit; për këtë të fundit bëhet edhe një shpjegim paralel mitologjik i ideologjisë treshe :Jupiteri (kryeperëndia), Marsi (perëndia e luftës) dhe Quirinusi (perëndia e punës) ; pastaj jepet historia e gjatë e tri familjeve te pasardhësit e tyre osetë në zemër të Kaukazit të Veriut ; historia e lashtë epike te Iranianët e Azisë etj. Duke parë çiftet e fjalëve që janë gati të njëjta në disa gjuhë të trungut indoeuropian dhe në gjuhën sanskrite si : ambrozi (pije zotash) – amrta ; Centaur (kafshë mitologjike) – Gandarva ; Uran (zot dhe planet) – Varuna ; flamen (prift në gjuhët nordike) – brahman etj., afria shndërrohet në një status shkencor të origjinës indoeuropiane.




Dymezil, specialist i besimeve fetare dhe i mitologjisë indoeuropiane botoi fillimisht librat Mitet dhe perënditë gjermanike, (1939) ; Mitra-Varuna, 1940 ; Perënditë indo-europiane, 1952 ; Ideologjia trifuksionale e popujve indo-europianë, 1968; Tipe epikë indo-europianë, 1971, Histori romake, 1972, Mite dhe epope, 1973…

*
Në pjesën e parë të librit të madh Mite dhe epope, me metodën krahasuese, si pararendësi i analizës strukturaliste, ai studion fillimisht poemën Mahabharata, fjalë për fjalë në sanskritisht Lufta e madhe e Bharatas. Ajo është poema më e gjatë që është krijuar në Indi dhe një nga poemat më të gjata të letërsisë, me rreth 120 000 paragrafe, e ndarë në 19 libra, që ngjitet deri në epokën vedike, dhjetë shekuj e ca para erës sonë, dhe vazhdon deri në shekullin VI. Duke qenë historia e famshme e pasardhësve të Bharatas, aty tregohet në mënyrë heroike dhe lirike aventura e pesë vëllezërve. Kjo poemë gjigante, në fakt, është një pjesë e epopesë së madhe të pushtimit dhe zhvendosjes së tribuve indoeuropiane në pellgun indian, të konflikteve të së tyre të brendshme e të luftës që duhej të zhvillonin ata kundër tribuve dravidiane që mbulonin atëherë territorin. Filologjike apo historike qoftë, kritika letrare nuk mund të zbatohet në tërësinë e këtij krijimi përbindësh. Poema me subjektin e dramës familjare të tre brezave është në të vërtetë si një sagë moderne. A është histori e zbukuruar apo fiksion i pastër ? Kjo pyetje bëhet në çdo vend ku ajo është përkthyer si rrëfim i historisë së kohëve pa arkivë. Ngjarja i përket një epoke ku perëndi dhe njerëz janë në marrëdhënie të natyrshme. Këtë do ta shohim më vonë te Iliada, te Eneida, ose te ndonjë krijim tjetër.

Subjekti mitik është ky : Mbreti Pandu vdes. Ai ka dy gra dhe pesë djem që janë ngjizur me zota të ndryshëm. Ata quhen: Youdistira, që simbolizon çinteresimin ; Bhima, që simbolizon dëshirën dhe interesimin mondan ; Arzhuna, që simbolizon përpjekjen për të bashkuar çinteresimin me frytshmërinë e detyrës ; binjakët Nakula dhe Sahadeva, që simbolizojnë klasat e punës. Familja Pandava kërcënohet nga një familje tjetër e një gjaku me të dhe detyrohet të shkojë syrgjyn; ajo kthehet pas disa vjetësh për të luftuar. Në mbarim të betejës kemi një lloj apokalipsi të vërtetë, një krizë kozmike që mund të sjellë fundin e botës. Por mbetet një prej vëllezërve që në agoni u lë nipërve mësime për mbretërimin, lirinë dhe shpresën. Rregulli vendoset dhe vëllezërit Pandava ngjiten në qiell. Futja e mitologjisë në epope është një moment i rëndësishëm në mendësinë krijuese të autorit kolektiv. Për një indian është e mundshme dhe mrekulli hyjnore një luftë ku marrin pjesë njerëz gjysëm të perëndishëm dhe perëndi. Struktura mitike e perëndive funksionale dhe struktura epike e ngjarjes aty është themelore e për rrjedhojë e para ka krijuar të dytën me një lloj projektimi në planin njerëzor. Gjithçka që është vërejtur në sjelljen e pesë vëllezërve, tregon përshtatjen me tri funksionet kryesore, harmonia e të cilave siguron një jetë normale.
Mahabharata është përshkrimi me gjuhë artistike i një sistemi të gjerë përfaqësimesh mitike në botën e njerëzve. Ajo mund të përkthehet edhe Rrëfim për Bharatën dhe paraqet gjer në fund dramën e një trungu antik, i cili jetoi në luginën e Indusit. Në gjuhën indi, që është gjuha kombëtare e Bashkimit indian, Indisë i thonë edhe Bharat. Kjo histori është një moment në jetën e pasardhësve të Vishnusë, si perëndia më e lartë në panteonin e besimeve indiane. Vepra, e cila është menduar mirë dhe është punuar nga specialistë të ditur e të talentuar, të cilët kanë shfrytëzuar mundësitë e mëdha që jepte lënda mitike, i përgjigjet një mbëhie që tejkalon letërsinë, duke bërë jetëshkrimin e disa brezave. Të kundërtat çojnë në zhvendosjen e një krize të fundbotshme (eskatologjike) nga toka në qiell, duke bashkuar arsyen me mitologjinë, ashtu si ndodh në vepra të tjera me subjekte të tilla. Në rrjedhën logjike të ngjarjeve si për shembull te kënga I: Fillimi ; te kënga V: Përgatitjet ; te kënga X: Sulmi nator ; te kënga XVII: Marshimi i madh ; apo te kënga XVIII: Ngjitja në parajsë, lexuesi vë re edhe dëshirën për përsosmëri që është histori përpjekjesh njerëzore e që sendërtohet te mistifikimi i mbretërisë së Youdistirës. Aty s’ndodh asnjë fatkeqësi : lutjet që mërmëriten janë të panumërta, nga retë bie shi kur duhet, peisazhet janë të mahnitshme, objektet janë të një cilësie të shkëlqyer, për të ngrënë s’mungon asgjë, atje ka fruta, gjelbërim dhe kurora lulesh. Shkurt, tërë natyra dhe shoqëria janë si një idil i ëmbël. Përpara kësaj tabloje njeriu mendon për fabrikuesit e historisë romake me Romulin dhe Numën dhe për shumë vepra të mëvonshme si Atlantida (për mitin e Atlantidës), shkruar nga Platoni 350 vjet para erës sonë ; Qyteti i Zotit, viti 427, nga shën Agustini ; Utopia, 1516, nga shën Thomas More ; Qyteti i Diellit, 1623, nga Tommaso Campanella etj.
Për poemën Mahabharata, modeli i komenterit mitik ka qenë lehtësisht i kuptueshëm, po të nisemi nga origjina mitike e heronjve të rëndësishëm si gruaja e përbashkët, vëllai i madh, babai dhe dy vëllezërit e tij. E mbinatyrshmja aty është një çelës për të zbërthyer shumë enigma. Kur nisen në syrgjyn vëllezërit Pandava, një zë pa trup u thotë : ” Mos vepro pa u menduar. Merr së pari leje duke iu përgjigjur pyetjeve të mia … “. Sepse katër nga personazhet e poemës i humbin ndjenjat pranë një burimi ku kanë pirë, pa dëgjuar paralajmërimin. Lista e zotave në poemë është parahistorike. Parahistorike duhet të jetë gjithashtu ekzistenca e perëndive etër dhe bijve heronj. Beteja mes perëndive dhe demonëve, e mishëruar sipas ligjit Brahman, bëhet që të lehtësohet toka.

*
Në shekullin XX, në pjesën e dytë të tij, studimet zbuluan se perënditë etër të vëllezërve Pandava në poemë janë padronë të tri funksioneve në formën arkaike indoiraniane të besimit vedik. Edhe radha e lindjes së Pandavave është e krahasueshme me rregullin hierarkik të trifishtë. Në parimet kryesore, thotë Dumézil, ngjarja e poemës dhe struktura e koncepteve të saj, nuk janë të ndryshme nga ajo që bëjnë analistët romakë, të cilët kanë ndërtuar historinë e mbretërve të Romës, nga ajo që ka bërë Snorri Sturlusoni me mitet dhe zotat e Skandinavisë së lashtë, apo nga ajo që ka bërë Saxo Gramaticusi me historinë mitike të Danimarkës.
Në të njëjtën kohë poema është një lloj enciklopedie e njohjes dhe e dijeve mitike, të shenjta e laike të indoeuropianëve të Indisë në atë epokë të largët. Ajo ka një histori të gjatë, duke pasur parasysh disa rishikime të saj. Njeriu mendon e pyet pastaj se çfarë kishte përpara shtesave e ndreqjeve të saj ? Poema e madhe Bhagavad – gita, e cila bën pjesë në librin e gjashtë, sipas gjasës është shtuar më pas. Libri i 19 që rrëfen për mitin që ka të bëjë me perëndinë Krishna ose me ” bariun e dashurisë “, gjithashtu është një ndërfutje e mëvonshme.
Koncepti i një krize të madhe kozmike, unike, e parashikuar për të ardhmen, dhe që do t’i japë fund një bote mediocre e që do të sjellë fill pas saj një botë të dëlirë, ekzistonte edhe pse nuk shfaqet te Rig-Vedat ose te himnet e dijes hyjnore.

Triada romake
Pjesa e dytë e librit Mite dhe Epope vazhdon me tregimin e lindjes së Romës, me tre përbërësit paraekzistues : protoromanët e Romulit, etruskët e Lukumanit dhe sabinët e Titusit, duke theksuar cilësitë hyjnore të mbretërve të parë. Triada mitike : Romul, Lukuman, Tatius dhe hyjniteti i tyre janë pasqyrim i përpiktë i ideologjisë trifunksionale.
Në pothuajse të gjitha krijimet e lashta të popujve indoeuropianë mund të shihet skema konceptuale që është struktura treshe, e cila ka shërbyer të ndërtohet historia, kombëtare apo ajo e botës. Po të marrim veprën e Hesiodit, shihet qartë struktura trifunksionale. Rrëfimi futet në një ansambël mitik të gjerë që ka korrespondeca në shumë nivele, sepse pasqyron një sistem klasifikues me vlera përgjithësuese për historinë e njerëzimit. Duke treguar vazhdimësinë e brezave, vepra simbolizon një seri të tërë aspektesh themelore të reales. Gjithashtu kapitujt e parë të veprës së Tit-Livit flasin për marrëdhënie të thella mes mbretërve dhe zotave. Enniusi me Analet dhe Plutarku me librin Jetë paralele, hedhin themelet e historisë së origjinave, të cilat shprehin krijimin njerëzor me skema, të cilat në kohët indoeuropiane shërbenin si truall ku takohej historia përrallore me copëza nga historia e vërtetë.
Virgjili është dëshmitar i drejtpërdrejtë dhe origjinal i traditave indo-europiane në shoqërinë trifunksionale. Poema e tij epike Eneida nuk është thjesht një vepër arti, ajo është para së gjithash një vepër patriotike, një vepër e shenjtë. Erudicioni historik aty është themeltar, në një farë kuptimi është një arsye që shpjegon ekzistencën e saj. Me 12 këngët e saj poema rrëfen historinë e pelegrinazhit të Eneas, i cili pas rënies së Trojës detyrohet të mërgojë në Itali e të themelojë kombin romak. Rreth princit trojan, organizohet legjenda e origjinave trojane të Romës, që rimerr poeti. Ja cili është subjekti: Enea, bir i Ankizit, bariut legjendar të Trojës dhe i perëndeshës Afrërdita, i martuar fillimisht me Kreuzën vajzën e Priamit, mbretit të Trojës, luajti një rol të rëndësishëm gjatë luftës së Trojës. Gjatë djegies së qytetit prej grekëve, ai shpëtoi Penatët (hyjni mbrojtëse të vatrës familjare) dhe u largua shpejt duke mbajtur në shpinë të atin, plakun Ankiz dhe për dore të birin, Askanjin. Prandaj është quajtur ndryshe edhe ” Enea i përshpirtshëm “. Midis aventurave të shumta mund të theksohet zbritja e tij në ferr, i prirë nga sibila e Kumës, e cila i profetizon fatin e veçantë për të krijuar një popullatë të re. Ai me të birin mbahen si stërgjyshër të Romulit. Poema njohu ilustrime të panumërta që në kohën e Antikitetit. Perënditë dhe perëndeshat nuk janë të mishëruar si te Mahabharata, por janë perëndi që futen vazhdimisht në veprim. Dysia e dramave, njëra kozmike dhe tjetra kombëtare, të kujton lojën me shumë burime të epopesë indiane. Virgjili u përpoq t’i jepte Romës një epope që përqaset me poemat homerike. Duke u larguar nga rrëfimi historik dhe mitologjik, ai trajton një subjekt legjendar, por me frymë kombëtare. Kjo vepër mbahet si një nga elementet themelore të kulturës europiane.

Legjenda narte e Osetëve të Kaukazit të Veriut
Pjesa e tretë e librit ka të bëjë me epopenë që u kushtohet tri familjeve narte në Kaukazin e Veriut. Bregu që kufizohet me Detin e Zi e zgjatet shumë para se të shkosh në Jug, është një nga ruajtësit më interesantë për popujt dhe gjuhët që mbijetuan që nga lashtësia indo-europiane. Edhe dekori ka një histori të gjatë peripecish për të cilat të vjetrit, bizantinët dhe arabët kanë sjellë të dhëna të pakta. Disa nga ata malësorë ishin aty që në kohën e gjeografëve grekë, të tjerë janë ardhës në kohë të ndryshme. Megjithatë në zemër të Kaukazit, mes popujve modernë jeton një popullatë krejt e ndryshme nga shumica, osetët që flasin një gjuhë të degës iraniane të indoeuropianishtes. Gjer në pushtimin rus, organizimi i tyre shoqëror ka qenë ai që është parë te skithët e Herodotit. Zakonet skithe i paraqet edhe Plini dhe ato janë të afërta me epopenë narte që këndojnë osetët. Osetët i këndojnë epopesë narte, të mbushur me heronj përrallorë, që jetonin në kohën e gjigantëve. Por shumë nartiotë kanë pasur gjithsesi vdekje që paraqitet si diçka dramatike, para se të zhdukej raca e tyre. Objektet e zbuluara nëpër varreza të mbuluara nga stuhitë historike, shpjegojnë më së miri tri funksionet indoiraniane : kulti fetar me kupën ; lufta me armët dhe puna me parmendë. Sipas legjendës narte zbulohet një psikologji politike e ndryshme në formë, por e afërt në përmbajtje me atë të Platonit te kreu i katërt i librit Republika, në të cilin parashtrohet koncepti për tri klasa : filozofët, luftëtarët dhe punëtorët e artizanët e bashkuar. Edhe shpirti njerëzor përbëhet nga tri parime : arsyeja, pasioni dhe të ushqyerit. Endrra e Platonit ngrihet mbi të njëjtën ideologji që mbijeton në folklorin e osetëve e që zbërthen thënien e Sokratit se urtia e Shtetit është të mendojë qartë e të vendosë drejt për të krijuar mbarësi.
Besnikëria e çuditshme e gjatë e osetëve për një strukturë mendimi që është më shumë se dymijëvjeçare e lashtë, duke ruajtur me kthjelltësi tema thesarë si epopeja narte, tregon se rrënjët e tyre indoeuropiane ishin të forta.
Është vërtetuar se miti indian i katër moshave të botës jepet me strukturën trifunksionale. Edhe në historinë e dinastive skandinave është zbatuar ideologjia trifunksionale. Sikur të mos kishte mitologji hyjnore, Roma vetë ka një mori legjendash për njerëzit e mëdhenj që e shpjegon origjinën e tyre si te Rig-Veda apo te Edda skandinave. Zotat vedikë, zotat romakë apo zotat irlandezë, sipas ideologjisë trifunksionale formojnë një shoqëri harmonioze. Eshtë gjetur pastaj një korrespondencë iraniane që lidhet me antikitetin e ideologjisë trifunksionale, një skemë që e kanë përdorur si rregull kronologjik gjithë popujt indoeuropianë për të parashtruar origjinat e tyre. Po të bëjmë një krahasim Romuli dhe Numa, Varuna dhe Mitra, Odini dhe Börri e të tjerë, qëndrojnë pranë e pranë.
*
Në grupimet e mëdha epike si: Mahabharata ; Triada romake, si dhe Epopeja e tri familjeve narte që studioi Dumézil-i, ideologjia trifunksionale zë vendin kryesor. Kjo strukturë haset edhe më gjerë në këngët epike të Irlandës së Veriut, në ato të ishullit britanik, tek armenët, te trakasit etj. Ajo është gjallë deri në ditët tona në një tregim legjendar të Zvicrës gjermanike, apo në grupin e madh të legjendave gjermanike që u bëjnë jehonë traditave të skithëve për origjinën e tyre. Në një mbishkrim që është gjetur në Persepolis, ka një konceptim trifunksional edhe në fjalët e mbretit Darius të persëve të lashtë, i cili i kërkon Ahura-Mazdës, perëndisë kryesore mazdeiste, t’i ruajë perandorinë.
A priori ekzistenca e temave epike indoeuropiane, apo ekzistenca e një letërsie indoeuropiane është një fakt i mundshëm. Që prej gjysmës së dytë të shekullit XX në format poetike janë vënë re përkitje prozodike, domethënë në metrikë dhe në vargëzim midis Indisë e Greqisë midis Iranit dhe Skandinavisë e të shumë pasardhësve të tjerë indoeuropianë që shpjegohen fare thjesht me një trashëgimi letërsie të përbashkët. Edhe paralelet iraniane dhe jo vetëm avestike, që janë tekste të shenjta të Iranit antik, lejojnë të mendosh se kjo lidhje e shpjegueshme midis funksioneve dhe bartësve të tyre është e lashtë.
*
Mahabharata si një vepër e madhe njohu një popullaritet të pamatshëm dhe u përkthye e u interpretua në të gjitha vendet që pranonin të kishin ndikim indian, duke i dhënë letërsisë dhe arteve të bukura të vendeve të tyre ashtu si dhe vetë Indisë një burim të pashtershëm temash. Ajo është përshtatur për kinema, për teatër dhe television si telefilm ose edhe si episode mitologjik.
Në poemë vihen re ndikimet e vazhdueshme letrare gjatë shekujve të redaktimit. Ajo është jo vetëm imagjinarja mitologjike e një popullate të talentuar e të pajisur për një mbushulli dhe për durimin e madh të rrëfimit, por është dhe një imagjinatë përherë e gjallë. Mendimi indian mbetet përherë i ushqyer nga mitologjia, e cila dëshmon ekzistencën e temave epike në folklor e në letërsi para ndarjes me stërgjyshërit gjermanikë dhe indoiranianë.
Edhe gjuha shqipe dhe populli shqiptar bëjnë pjesë në grupimin indo-europian. Profesori i shquar Eqrem Çabej, gjeniu i gjuhës shqipe, albanolog që duke u mbështetur në punën e gjuhëtarit Franc Bopp e në ” trinomin Gustav Meyer, Holger Pedërsen dhe Norbert Jokl”, nëpërmjet ligjeve shkencore të gjuhësisë krahasuese, vërtetoi (si shqiptar tashmë, sepse para tij kishin folur vetëm albanologët e huaj) një visar autokton të trashëguar që është i përbashkët në shumë gjuhë indoeuropiane. Ai përmend disa shembuj, por le të marrim fjalën natë : lituanisht naktis, gjermanisht Nacht, latinisht nox-noctis, sllavisht noç, etj.
Shpjegimi indoeuropian i botës është njëra prej ëndrrave të shumta njerëzore. Ajo tregon për rolin që kanë luajtur në histori popujt që kanë qenë trashëgimtarë të këtij grupimi të madh. Tabloja që paraqesin krijimet, tregon pasurinë e shpirtit njerëzor. Kur kjo pasuri shpërndahet në një poemë ose përmblidhet në disa faqe rrëfimi, ajo është e papritur dhe na dhuron veçanërisht një mësim: origjinën e përbashkët indoeuropiane.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.