MILOSAO

Pluton Vasi rrëfeu “Ndërkombëtarët” e tij, tani u mbetet kritikëve të flasin

14:30 - 11.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Filmi “Ndërkombëtarët” është një nga filmat artistikë më të vështirë të tranzicionit shqiptar. Kjo, thjesht, për mesazhin e drejtpërdrejtë, por edhe atë që ka qenë në kokën e regjisorit Pluton Vasi dhe që duhet të materializohej me këtë film. E përsërisim se filmi nuk ka qenë ndonjë lloj sfide teknike sesa ideore. Arsyeja është se “Ndërkombëtarët” në vendet e Ballkanit janë më shumë se institucion. Në thelb, ata janë subjekti ku projektohet çdo gjë që lidhet me jetën e ballkanasit. Çdo vend, që ka lidhje në këtë gadishull ka qasjet e veta me të huajt. Porse në këtë hulli, popuj të ndryshëm e kanë pasur sa të ndryshme dhe aq të njëjtë këndvështrimin e të huajve për ta. Kjo është arsyeja që në raste krizash, në tryezat e politikanëve kanë zënë vend librat e letërsisë së autorëve të këtij rajoni, që për hir të së vërtetës e kanë kaluar me sukses historinë, që tregohet për ta. Ivo Andriæ, Danilo Kish, Ismail Kadare, Nikos Kazanxaqis, Elitis, Orhan Pamuk kanë treguar qasjet interesante së të huajve me vendet e tyre, por edhe të përbashkëtën sesi vendasit perceptojnë të huajin.
Pluton Vasi, me këtë peshë të madhe trashëgimie dhe me subjektin e Ylljet Aliçkës, shkoi ngushtësisht afër idesë së groteskut dhe në një farë mënyre krizës morale së të huajve në ditët tona. Vetë libri “Rrëfenjë me ndërkombëtarët” i Aliçkës është një anatomi e gjerë sa i përket situatës sesi të huajt përballen me vendin tonë. Por, Vasi bëri modifikime shumë interesante duke futur disa linja të reja dhe e çoi drejt një komedie të zezë, ku në vetë filmin qarkojnë dy linja: një teatër me personazhe të njëjta me linjën e filmit kurse nënlinjat e tjera si ajo me lojën e shahut tregojnë realisht një nga pasqyrimet e tij sesi i shikojnë të huajt vendasit. Kadenca e filmit u mbajt me kujtimin retrospektiv të personazhit kryesor, që nga fëmijëria, që zgjidhej me një balonë, ëndrra që shkon sipër dhe sipër dhe kënaq të vegjlit. Por që një çast mbet në një oborr përfaqësie dhe për ta nxjerrë duhen leje pafund. Metaforë e këndshme dhe poetike.
Personazhet e Pluton Vasit qarkullojnë në një areal të ngushtë dhe dinamika që mund të presë një shikues mungon, pasi ideja e tij shpaloset përmes bisedave dhe dialogjeve të personazheve “të huaj” mes tyre, si edhe me personazhin kryesor të veprës së tij, që regjisori ia ka besuar Eni Shehut.




Duket se autori ka punuar në kohë rekord sepse xhirimet filluan në vjeshtën e vitit të shkuar (Premiera në ag të Pranverës), por arritja e autorit është padyshim racionalizimi që i ka ardhur prej një procesi të gjatë mendimi, që ai e ka përcjellë edhe përmes të gjithë njohurive dhe gjërave që ka dashur të deklamojë.
Linja e teatrit që është paralel me linjën kryesore duket si një negativ i aksionit, por edhe ajo që mban pezull personazhet tona të huaj që e shikojnë veten në një qerthull, ku vihen hapur në lojë. Pushteti që u kanë dhënë institucionet eprore të huaja që janë vendimtare për fatet e vendeve të vogla si tonat, ku nëpunësit e niveleve të ulëta e shpërdorojnë por edhe e kanë kthyer në një grotesk që autori nuk e fal. Disa herë guximi për të thënë të vërtetat e kalon dhe vetë regjisorin. Ndërkohë që në film është dashur të bëhet dhe shumë kujdes. Një sy i mprehtë mund të shikoj detajin sesa e vështirë është që në hyrje, kur regjisori duhet të zgjedhë tabletin për emërtimin e institucionit ndërkombëtar, që mund të keqkuptohej lehtësisht. Në fund, zgjidhja është shumë korrekte por edhe krejt e qartë. Ekipi realizues është treguar i kujdesshëm deri në detajet më të hollësishme që mund të krijonin paragjykime. Mbase do të duhej pak më shumë disiplinë në grupin e aktorëve, por që edhe këtë regjisori e ka menaxhuar brenda mundësive të tij.

Në fund kur mendon vështirësitë e bërjes së filmit, pengesat objektive dhe subjektive, duhet të themi se “Ndërkombëtarët” duhet vlerësuar, pasi është një subjekt që flet shumë më tepër sesa dëshmitë boshe dhe gjërat panegjirike, që u veshim të huajve. Kamera është shumë simpatike dhe përgjegjëse. Regjisori ka rrëfyer të gjithë atë që mendon për të huajt në vend, por edhe mënyrën sepse shqiptarët vetë janë konfuzë, një temë filozofike brenda komedisë së tij, që na e bën filmin të vlerësueshëm dhe të përballshëm me atë që tashmë kritikët duhet ta thonë shumë më tepër profesionalisht dhe me kurajë. Vendin që do të zerë në historinë e filmave shqiptarë u mbetet ta përcaktojnë kritikët, që deri më tani s’janë shprehur.
Film ka gjetur mbështetjen financiare nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Radiotelevizionin Publik Shqiptar. Grupi i aktorëve që e përbëjnë filmin janë Eni Shehu, Kastriot Çaushi, Karafil Shena, Rovena Lule, Hervin Çuli, Indri Shiroka Alfred Trebicka, Lulzim Zeqja, Eriona Kaçeli etj.
Xhirimet janë zhvilluar mes Tiranës dhe Durrësit. Ato janë zhvilluar edhe në ambientet e Teatrit Kombëtar, me një ide për të sjellë përfytyrimin e një mjedisi Parlamenti, ku diplomatët vëzhgojnë nga sipër deklamimet e pareshtura partiake shqiptare shpesh edhe kundër tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.