SHËNDET

Bajram Balliu: Anomalitë që shkakton konsumimi i alkoolit gjatë shtatzënisë

13:30 - 12.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Shtatzënia është një nga eksperiencat më të mrekullueshme në jetën e një femre, por kujdesi që duhet treguar për mbarëvajtjes e saj duhet të jetë maksimal. Konsumimi i duhanit apo alkoolit gjatë barrës mund të sjellë anomali të lindura të fytyrës dhe çrregullime të sistemit nervor qendror te fëmija. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku obstetër-gjinekolog, Bajram Balliu rekomandon disa mënyra të vlefshme që duhet të ndjekin gratë gjatë shtatzënisë. Ai thekson se duhen evituar punët në turnin e tretë, ngritja e peshave të rënda dhe ekspozimi ndaj ambienteve me rrezatim.




Cilat janë disa nga shkaqet që mund të sjellin komplikacion gjatë shtatzënisë?
Ndryshimet fiziologjike që ndodhin gjatë shtatzënisë, krijojnë kushtet për një ecuri të mbarë të barrës dhe funksionimin normal të sistemeve kryesore. Ushqyerja jo e përshtatshme, higjiena jo e mirë, streset psikike dhe puna e rëndë fizike, bëjnë të mundur që shtatzënia të mos zhvillohet në kushte të favorshme dhe madje mund të ketë edhe komplikacione gjatë barrës.

Sa e rëndësishme është higjiena gjatë kësaj periudhe?
Gruaja duhet të mbajë higjienën e nevojshme me qëllim që të ruajë shëndetin e saj dhe të sigurojë një zhvillim normal të fëmijës si dhe të parandalojë komplikacion gjatë shtatzënisë dhe ato të periudhës së lindjes dhe lehonisë.

Çfarë duhet të ketë parasysh një grua shtatzënë, në momentin që është edhe në marrëdhënie pune?
Në përgjithësi, gruaja shtatzënë nuk duhet të përjashtohet nga aktiviteti i përditshëm fizik dhje mendor, i cili është shumë i nevojshëm. Jeta sedentare (pa lëvizje) favorizon dhjamosjen, uljen e tonusit muskular, konstipacion, çrregullime të aktivitetit të lindjes dhe ndërlikime të tjera. Duhet të rekomandohen ushtrime fizike të cilat ndikojnë pozitivisht në mbarëvajtjen e shtatzënisë. Por njëkohësisht gruaja shtatzënë duhet të shmangë sforcimet e lodhshme fizike dhe mendore. Ajo duhet të përjashtohet nga puna në turnet e treta, të mos ngrejë pesha, të mos qëndrojë në ambiente me temperatura të larta apo rrezatime. Gjithashtu, duhet të heqë dorë nga punët me lëndë të ndryshme apo që shkaktojnë vibracione pasi përbëjnë rrezikshmëri për ecurinë e barrës.

A duhet të udhëtojë një grua shtatzënë apo të kryejë ushtrime fizike?
Gruaja duhet të përjashtohet nga udhëtimet e gjata dhe nga ata që shkaktojnë tronditje të mëdha. Largimi nga mjeku, i cili ndjek shtatzëninë, gjithashtu, është një arsye për të mos ndërmarrë udhëtime të gjata, por i lejohet të shkojë në rrugëtime të zakonshme. Ndërkaq, një grua shtatzënë nuk duhet të ushtrojë sporte që kanë të bëjnë me aktivitetin fizik si vrapi apo ngritja e peshave, por mund të bëjë shpesh shëtitje në ajër të pastër. Gjumi i saj nuk duhet të zgjasë më pak se tetë orë dhe duhet të jetë i plotë. Nuk rekomandohet përdorimi i preparateve gjumëdhënëse si terapi për rregullimin e gjumit.

Sa ekziston rreziku i prekjes nga infeksionet gjatë barrës?
Vazodilatacioni i enëve pelvike dhe ndryshimet që ndodhin në organizmin e gruas shtatzënë. Favorizojnë infeksionet si trikomonia, kandidida, mykoplasmosat, infeksionet virusale dhe më rrallë klamidia dhe gonorrea. Por duhet të mjekohen vatrat infektive kronike si anginat, kariesi dentar, kolpiti dhe infeksionet e tjera. Vlen të theksoj se edhe kujdesi për lëkurën duhet të jetë maksimal, duke u larë shpesh. Profilaktika e mastiteve dhe e fisurave të papilave mamma e duhet të bëhet duke i larë përditë gjinjtë me ujë në temperaturën e dhomës dhe me sapun.

Sa e rrezikshme është për fëmijën, konsumimi i duhanit dhe alkoolit gjatë shtatzënisë?
Gratë që pinë duhan gjatë shtatzënisë kanë një peshë më të vogël të bebeve të tyre. Monoksidi i karbonit dhe nikotina janë përbërësit kryesorë që japin efekte të dëmshme mbi fetusin. Rreziqe të tjera te gratë që pinë duhan gjatë barrës, janë edhe plasja e parakohshme e ujërave amniotike. Pirja e alkoolit gjatë shtatzënisë shkakton sindromin “alkoolik fetal” i cili konsiston në vonesë në rritjen e bebit, anomali të lindura të fytyrës dhe çrregullime të sistemit nervor qendror.

A ndikon shtatzënia në prishjen e dhëmbëve?
Koncepti se shtatzënia rëndon kariesin dentar akoma nuk është i provuar. Procedurat normale dentare nën anestezi, mund të kryhen në çdo kohë ndërsa procedurat më të gjata mund të shtyhen për në tremujorin e dytë dhe të tretë të barrës. Nëse abscesi dentar duhet të trajtohet me antibiotikë, këto duhet të këshillohen më parë nga obstetri. Gjithashtu, edhe hipertrofia e gingivave është e shpeshtë gjatë kësaj periudhe e duhet shmangur rentgenografitë te gratë shtatzëna.

Cilat janë rekomandimet tuaja për ecurinë e një shtatzënie?
Një grua shtatzënë nuk duhet të bëjë not në basene, të cilat mund të favorizojnë infeksionet dhe vazodilatacionin e enëve pelvike, të cilat mund të shkaktojnë përgjumien dhe rënien e saj në vaskë. Vlen të theksoj se gjatë shtatzënisë, veshjet duhet të jenë të lehta, praktike dhe komode, mundësisht prej pambuku. Nuk këshillohen të vishen këpucë me taka apo rroba të ngushta. Kujdesi për gjirin me qëllim të formimit të thumbit, duhet të jetë i nevojshëm, gjithashtu, pasi kështu sigurohet një ushqyerje normale me gji. Mendohet se rezultat të mirë jep pirja e sasive të mëdha të ujit gjatë shtatzënisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.