MILOSAO

Pa gëzime

10:10 - 18.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ky cikël me poezi sjell krijimtarinë e autorit Gjergji në ditët tona. Ka disa kohë që fle në arkivin tonë, ndërsa e sjellim në të gjithë përbërjen e vet për publikun. Autori është një lirik i paqtë, që mundohet edhe trishtim ta mbajë në një rregjistër të pranueshëm




Nga Demir Gjergji

Brenda Njeriut
-Sime bije, nënë-
Metroja shpon dritën, e çan mespërmes
Me fetusin e natës që gdhihet mëngjes.
Mars, 2018

NJË FYTYRË TJETËR…
Më sulmonte një fytyrë tjetër,
Ndërsa ndjeja po atë zemër!
Në oazin e lotëve të vjetër,
Sytë dilnin tepër!
Qenka herët, ende herët,
T’i lë lamtumirën verës,
Ta nis ftesën për festën vjeshtës.
Ma zë pamjen një fytyrë tjetër…
Vera baret brengës,
Vjeshta bredh në breshër…

BETEJA
Ishte ai vit, ishte ajo ditë me orën e ligë,
Që m’u bënë udhë, të ikja prej teje…
Ndërsa shembem natën si vigan mbi vig,
Ende shpirti s’jepet mes asaj beteje

MJEGULLA
Ngrihet
Frymëmarrja e gjumit të ujit,
Si gënjeshtra,
Fjalë pas fjale,
Nga buzët e tua të bukura.
Bie mbi pyetjen time
Për sinorët dhe orët,
Prej nga nisen meteorët.

GJUMË I TRAZUAR
Ëndrra
Erdhi,
Më pa
E të tha:
”Në tjetër shtrat…
U shtri yt atë!”
U zgjove.
Kërkove nënën,
Nga frika mos ishte në gjumë
Dhe shihte të njëjtën ëndërr.

VAJTIM PËR JASEMININ
E vranë jaseminin.
Ia thanë lulëzimin!
Nga dheu e shkulën,
Si plumbin prej gjurit!
Si gjëmën prej trurit,
Si nderin prej burrit,
Si ëndrrën prej gjumit,
Si flokë kufome, rrënjët e njoma,
Me lulet e vogla lotojnë aroma.
Në dheun e shkretë, të rënë në koma,
Goja e gropës s’ka folur akoma!

HEMATOMË
Hija e Tokës
Shkeli e shkoi…
P-lojës sonë!
Nën lëkurë, në gjak,
Më çel një zambak!
Mëngjesi u gdhi…
Mbylli sytë e fli,
Mbi zambak të zi!
Mbama dhimbjen ti!

MATERIE E
TEJDUKSHME
Ajo kthjellohet, kristal i tejpamshëm fundemajë.
Flijohet, që bredhin ta shoh matanë në pllajë.
Dhe druri i moçëm shkrihet në gaz e shkrehet në vaj,
Ma thotë gjithçka që dua të gjej në qenien e saj.

ANA, MOS U RRIT!
-Për Ana Iks-
Ana, vajzë e vogël,
Burrë isha unë.
Ia lëmoja flokët:
”Mos u rrit më shumë!”
Lutesha përditë,
Trembesha çdo vit:
”Anë, mos u rrit,
Rri kështu, si dritë!”
Ditë e vite vanë.
Lutjet shkuan dëm.
Ana, tashmë zanë,
Pret të bëhet nënë.
… Anën shoh e fshihem,
Ta takoj kam frikë…
S’pyesin se ku ndizen
Yjtë e dashurisë…

TRINI PA SHENJT
Fryma fikte fenerin.
Fillimin e flakte në fund.
Fjala fillonte të falej,
Nga buzët e Atit, nën gunë…
Nën blozën e strehës, mbi trung:
Frymë gjithçka… dhe fjala gjithkund.
Gjithëkush, udhëtar pa gjurmë në gjumë,
Dhe Mëma, dhe Ati, dhe shenjtët e lumë.
Kur ndrite ti në natën mbi shkrumb…
Fryma u shfaq te dallga si shkumë,
Fjala foli me urat mbi lumë.
Mëmë e ndjeve veten. Ati isha unë.
Shenjtorët e shumtë s’na hynin në punë.

GOJËDHANË
Ajo ishte një njeri, shtrirë në një histori.
Nis një gojë ta tregojë, ta këndojë.
Dhe vesh më vesh, dhe gojë më gojë…
Alfabeti përmbi letër s’mundi ta fiksojë.
Dhe rron, dhe vallëzon, dhe fluturon,
Frymë me frymë, shpirt më shpirt, qenies sonë.
Dhe je ti kjo histori,
Ikur larg nga vizatime, pergamena, shkronja, shkrime,
Veç robinjë e frymës sime!

TË PËRHERSHËM
Do të zhvishemi dhe një herë
Nga meshat, nga peshat, nga teshat,
Nga hyjtë e hyjneshat.
Pa gjak e pa eshtra,
Pa shqisa, qeliza, gënjeshtra
Do të shihemi dhe një herë
Veç erë në atmosferë,
Të gjithëgjendshëm, të përhershëm për t’u ndjerë,
Si atëherë, kur vraponim mbi tastierë!

NË KUJTIM TË SAJ
Fosil vetëtime
Ekzil bubullime,
Idil cicërime,
Në prill psherëtime.
Skalitja statujën, o dhimbje,
Ringjalle me frymën time!

SKAJE SAHARAJE
E vetme, Ajo pa Të…
Dheu pa qiellin tashmë.
Veç hëna, që hijet përzë
Dhe dielli, që flakën i vë.
Si flokët shkul pyjet planeti,
Themelesh rrënohet qyeti.
Në helm të vetvetes, akrepi,
Fundin e jetës e gjeti.
I vetëm! E vetme! Të vetëm!
Aisbergët mbi xhunglat u shembën.
E vetme! I vetëm! Të vetëm!
Në skaje Saharaje u tretën!

DJALI I VETMISË
M’u bâ n’ândërr
Në petkun e hijes së vet!
I askujt. Prej askund. Për kurrkund.
As fmi, as plak. As skllav, as mret.
Veç dhândër,
Që pret e s’din ç’ka pret.

Kjo ândërr, sa net e sa vjet,
Vjen e prap’ m’le shkret.

DOLLI DETARËSH TË DEHUR
Sa shumë udhë për këngën tonë!
Sa pak veshë e dëgjojnë!
Hapësirë pa fund e skaj,
Sa pak shenja brenda saj!
Ora shekull vjen për jetën,
Jeta endet detesh vetëm.
Shfaqet toka! Zbrazen gota!
Hapen porte… Kalben porta…

ME ZË TË LARTË
Me zë të lartë qesh kjo vajzë.
Me zë të lartë në bar.
Me zë të lartë,
Se është e bukur,
Me zë të lartë,
Se është e lumtur.
Me zë të lartë…
Dhe kthjellon si dita jashtë.
Me zë të lartë në bar.
Tri tryeza pranë,
40 vjet matanë,
1 mijë kode larg;
Udhëtari jam,
Kozmosit të saj.

UDHA NËN BORË
Udhën për te ti përmallshëm e mora.
Mbi udhë, e virgjër, dëbora!
-Mos e shkel, he të shitoftë ora!-
Në ëndërr dëgjova…
Dy flatra m’i nise saora,
Të vija mbi erërat të ftohta.

18- PRUSH
I AKULLT
-Një herë u deshëm,
Një Erë u ndeshëm!-

(Nga Dhjata Jonë)
Fytyrë e qeshur nën maskën që qan,
Maskë që qesh mbi lot e mërzi.
Dhe mali nën borë që mban një vullkan,
Dhe yjt mbi re si prushi nën hi…
***
Dhe veshja e hollë fsheh vjeshtën me mollë!

HAPA NË NGRICË
M.
Ti shkel vetëm në rrugicë…
Hija dobët shket mbi ngricë.
Se nga qielli zbret pak dritë…
Sa ç’më ke atje në shpirt.
Poshtë akujsh fle një farë,
Siç rroj unë brenda teje.
Thua do të mbijë vallë,
Të na bëhet hije vere?

VDEKJA E ALPINISTIT
I shtrirë në sallë,
Mbi cohë të bardhë.
Tej, mali përballë,
Nën borë, i gjallë!

DARKA PA TY
-Darka ime u bëftë zeherr,
Thirra mikun e s’më erdh’!-
(Këngë e vjetër ashikësh)
Në dy gota zbrazet një shishe shampanje,
Dhe në çast rimbushet me lëng të zi nate.
Për mungesën tënde dy gotat i pi…
I mbush prapë për vete me lëngun e zi!

VITE MOSHE
I shtang me shtangën e shëndetit,
I tall në hall e kulm të qejfit,
I helmoj me fruta e Edeni.
I bëj zogj në pentagram,
Në baladë i ngas revan,
Ua pres ditët, trung e cung.
Me ta mundem e i mund,
Me për-qeshje i vë për-fund.
Vjen pastaj dhe ti, me vel të kaltër vajze,
Qershizë e çelur, arie mbi sandale,
I thurim së bashku, gjerdan me korale,
Luajmë si të vegjël me Orën Fatale.

S’KE PSE E DI…
Zogu s’e di që i themi zog,
As, që për ne po cicëron.
Flutura s’e di se është flutur,
As, që për ne bëhet e bukur.
Vjollca s’e di që quhet vjollcë,
As, që për ne lëshon aromë.
As ti nuk ke përse ta dish,
Që unë, me vete, të them: shpirt…
Kur qesh për mua, pa e ditur.

AKUAREL
Tre drerë me buzë në ujë,
Zgjaten për të pirë
Fytyrat e tyre me brirë.
Pinë.
Liqeni alpin
Firon
Ngadalë…
Lumi dorëzohet pa fjalë…
Peshqit përpiqen në zall.
Drerët ngjiten në mal.

VJOLLCA NDANË UDHËS
E pashë e më pa.
Me vete aromën ma dha.
Ah, që jam nisur për larg,
S’e di se për ku
Dhe, kur të vij këtej prapë,
S’e gjej më këtu!

NË MES, NJË DITË E VOGËL
Mërgojnë zogjtë nga vjeshtë e artë,
Po vijnë te ti, nën shira, varg,
ShtegtimI i lodh… Ne jemi larg,
Këtu gdhin ag, andej është darkë.
Si malli, zogjtë nën qiejtë e rëndë,
Nga zgjimi im, në gjumin tënd.
Këtej ka brengë, andej s’ka hënë…
Në kurth kjo ditë e vogël zënë.

BINTE BORË
-Baladë-
Botës binte bukur borë,
Zemrën, kur ma dhe në dorë…
Jeta na u duk një orë!
Binte borë
Mbi ne, të gjorë,
Djaj-shenjtorë
Me kurorë!

NINULLË PËR TY
Fli, e dashur, mbylli sytë,
Fjetur s’bën as mirë, as keq.
Dhe pse jemi vetë i dytë,
Një frymë avullon në qelq.
Fli, vetvetja ime tjetër,
Perëndeshë në mermer.
Fli si fjalëza në letër.
Frymë nga fryma ime merr.
Shtrihu, zemër, humb në gjumë,
Mos dëgjosh as gaz, as brengë.
Fli, se gjumin ta ruaj unë.
Ëndërrligat po t’i tremb.
Fli, e mira ime, fli!
Lodhur prej pushtetit tim.
Mos ki frikë, se përsëri,
Bashkë do jemi në agim.

NJË EDEN PËR VETEN
Tashmë pasdarkat e qeta për ty,
Janë fshehje prej vetes dhe prehje tek unë…
Pastaj nga kjo botë ne ikim të dy,
Një Eden për veten e mbjellim në gjumë.
Mëngjeset ka kohë që shkrepin mbi ty,
Si blice verbues, si sy të pacipë,
Nuk është më Eden i gjumit aty,
As unë nuk jam, të të mbroj nga kjo dritë.

SHKALLË PËR POSHTË
Pak nga pak
Pikojmë në një lumë,
Që s’shkon më lart…
Hap më hap,
Vrapojmë në një udhë,
Që s’kthehet prapë.
Thellë e më thellë,
Hyjmë në një shpellë,
Prej nga më s’del.
Kot,
Ky lot,
Për një botë,
Që s’vjen më dot!
Lut një Zot
E kthe një gotë
Për atë mot,
Që s’bëhet sot!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.