MILOSAO

Poezi nga Wislawa Szymborska dhe Adam Zagajewski

13:45 - 18.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një cikël i shkurtër me klasikët e letërsisë polake e sjellim në këtë numër nën shqipërimin e Prof. Pandeli Çinës, që është shpesh i ndërlidhur me këtë letërsi dhe arritjet e saj më të mira…




 

Wislaw Szymborska

PORTRET GRUAJE

Kjo duhet të jetë për tu zgjedhur.
Të ndryshohet,që vetëm asgjë të mos ndryshojë.
Kjo është e lehtë, e pamundur,e vështirë,ia vlen të provohet.
Nëse duhet sytë i ka,herë të kaltër,herë të hirtë,
të zinj,gazmorë,tërë lotë pa ndonjë shkak.
Fle me të si e para nga bregu,e vetmja në botë.
I lind atij katër fëmijë,asnjë fëmijë,një.
Naïve,veç ia del mbanë fare mirë.
E pafuqishme,por do ta shtyjë.
Nuk ka krye mbi supe,por atë do ta ketë.
Lexon Jaspersin dhe shkrime grash.
Ajo nuk e di përse i duhet kjo vidhë dhe do që të ndërtojë një urë.
E re,si zakonisht,e re, përherë ende e re.
Mban në duar një harabel me krahë të thyer,
ka paret e veta për një udhëtim të largët dhe të gjatë,
një hanxhar për mish,një kompresë dhe një gotë me vodkë.
Ku po vrapon ajo kështu,vallë, nuk është lodhur?
Por jo,vetëm pak,shumë nuk prish punë.
Ajo ose e do atë, ose ka ngulmuar.
Për të mirë,jo për të mirë dhe për mëshirë të Zotit.
***

Për “tu bërë zot” ( sic!) njerëz mbi njerëz.
Nëpërmjet veprës shndrit synimi moral.
Nën një penë më pak naive ajo ndofta do të vezullonte.

Mjerisht,ç’të thuash.Kjo tezë që në themel është e rrezikshme
(mosvallë nuk jemi ne të vetmit
nën diell,nën gjithë ata diej në botë)
dhe zhvillimi i sajë me një stil të çlirët
(një përzjerje e sublimes me të folmen e rëndomtë)
bëjnë, që dikush do ta besojë këtë?
Me siguri askush.Pikërisht.

 

Wislawa Szymborska

RECENSION I NJE VJERSHE
TE PASHKRUAR
Në të parat fjalë të kësaj vepre
autorja pohon se Toka është e vogël,
ndërsa qielli tepër i madh,
ndërsa yje “në të ka më tepër se ç’dduhet”.

Në përshkrimin e qiellit ndjehet një paaftësi,
autorja humbet në një hutim të tmerrshëm,
goditur nga vdjerrja e shumë planeteve
dhe sakaq në mentë e sajë (le të shtojmë: jo të përpiktë)
nis të lindë një pyetje
vallë ndërkaq mos jemi vetëm
nën këtë diell,nën gjithë diejtë e botës?

Për një reng të llogarisë me gjasa!
Dhe të bindjes së gjithanëshme sot!
Përkundra fakteve kokfortë,që ndonjë ditë
mund të bien në duartë e njerëzve.Ah,poezia.

Ndërkaq profetja jonë kthehet në Tokë,
në atë planet, i cili mbase “vërtitet pa dëshmitarë”,
me të vetmen “science fiction në të cilën kozmosi mund të qendrojë”.
Dëshpërimi i Paskalit (1623 – 1662 shënimi ynë)
i duket autores të mos ketë aspak konkurencë
me Andromedën as me Kasjopean.
Ekskluziviteti i zmadhon shumë gjërat dhe të detyron,
pra, del problemi si të jetohet et cetera,
sepse “zbraztia këtë nuk e zgjidh për ne”.
“O Zot, i thërret njeriu vehtes,
ki mëshirë për mua, më ndrit”…

Autoren e bren mendimi për jetën e shthurur aq lehtë,
sikur të ishte në një humnerë pa fund.
Për luftërat, të cilat – për mendimin e sajë me këmbëngulje –
janë humbur përherë në të dy anët.

 

Wislawa Szymborska

TE SHKRUASH BIOGRAFINE

Çfarë duhet ?
Duhet shkruar një kërkesë,
ndërsa kërkesës t’i bashkangjitet jetëshkrimi.

Pavarësisht sa e gjatë është jeta
biografia duhet të jetë e shkurtër.

Eshtë e detyrueshme përmbledhja dhe përzgjedhja e fakteve,
ndryshimi peizazheve në adresa
dhe i kujtimeve që luhaten në data të përpikta.

Nga të gjitha dashuritë mjafton ajo e martesës,
ndërsa nga fëmijët vetëm ata që kanë lindur.

Më e rëndësishme kush të njeh,sesa kë njeh ti.
Udhëtimet vetëm nëse bëhen jashtë shtetit.
Përkatësi për diçka,veç pa thënë përse.
Dekorimet pa thënë për ç’ arsye.

Shkruaj ashtu,sikur të mos kesh folur kurrë me vehte
dhe të jesh anashkaluar nga larg.

Shmangi me heshtje qentë, macet dhe shpesët,
ato rraqet për kujtim, miqtë dhe ëndrrat.

Më sakt çmimi se vlera
dhe titulli se përmbajtja.
Më sakt të dihet numuri i këpucëve, sesa ku po shkon ai,
ky për të cilin e heq veten.

Për këtë është një fotografi me vesh të zbuluar.
Vlerësohet trajta e tij,jo ajo çka dëgjohet.
Çfarë dëgjohet ?
Zhurma e makinerive që grijnë letër.

Adam Zagajewski

PER VEHTE NE DITAR

Shtrihet,shtrihet re e hirtë,
një lule bozhuri po çel.
Ty asgjë s’të lidh me këtë tokë,
asgjë s’të lidh me këtë qiell.

Oborri përçartet në vapë,
një mace gogësin në verandë.
Ti ecën në rrugicë,blirët lulëzojnë,
veç nuk e di, në cilin qytet,

nuk mban mend,në cilin vend.
Ndrijnë krahët e gargujve të lehtë,
nata vjen me hap të butë,
gonxhet e trëndafilit fshihen.

Ti je vetëm një ëndërr,shëmbëlltyrë,
je vetëm një dëshirë.
Kur të zhdukesh,do të zhduken retë,
kujtim i bronxtë do të mbetesh.

Do të banosh në lumenj
dhe në ato pemë,mes hijeve,
veç do zhytesh
në dhe,në dhe,në dhe.

Përktheu nga origjinali Pandeli Çina


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.