MILOSAO

Teatri në epokën e Shekspirit, shfaqjet në ‘‘Globus’’

08:00 - 18.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga M.Morozov – Në shekullin e XVI rrugëve të Anglisë në vargun e endacakëve që tregonin ballada e valltarëve dhe të xhonklerëve u rreshtuan edhe trupa të vogla aktorësh. Aktorët endacakë ekzekutonin farse popullore dhe pjesë nga Misterët e Moralistët.
Fati i këtyre aktorëve endacakë e të mjerë nuk ishte për tu pasur zili. Ata ndëshkoheshin nga ligjet. Kur i zinin për herë të parë i rrihnin me kamxhik dhe i damkosnin me hekur të skuqur në veshin e majtë. Po ti zinin për së dyti i varnin në litar. Ligji bënte përjashtim vetëm për shërbetorët e aristokratëve më të njohur. Atëherë aktorët filluan të nxirrnin me njëmijë e një lutje patenta te aristokratët ku dëshmohej se ishin shërbyes të tyre. Në ditë të caktuara të vitit ata shkonin në kështjella te padronët dhe jepnin shfaqje. Që atëherë trupat aktoriale filluan të quhen “ shërbëtorë” të ndonjë farë aristokrati e cila u ruajt edhe në ditët e Shekspirir.




Në vitet shtatëdhjetë të shekullit XVI trupa aktoriale që quhej “Shërbëtorë të kont Lesterit” erdhi në Londër. Ata filluan të luanin nëpër oborret e hoteleve. Shfaqjet jepeshin në oborre të mëdha, të futura që rrethoheshin nga ndërtesa tre – katër katëshe. Në fund të këtyre oborreve vendoseshin voza dhe mbi to shtroheshin dërrasa. Këto ishin sheshet e skenave. Nga të tri anët skena rrethohej nga spektatorët. Galeria ngrihej gjatë murit të hotelit në katin e dytë.

Çfaqjet në oborret e hoteleve të Londrës kishin shumë sukses. Në vitin 1576 marangozi Xhejmës Berbexhe, i ati i tragjikut Rikard Berbexhe, ndërtoi i pari në Londër një teatër të përhershëm afër një lagjeje periferike të quajtur Shordëtiç. Kjo lagje ndodhej jashtë kufirit të qytetit dhe deri në një farë shkalle qe e maskuar nga ndjekjet e puritanëve. Shpejt përbri teatrit të ndërtuar nga Xhejmës Berbexhe u ngrit dhe një teatër tjetër i quajtur “Kurtina”. Numri i teatrove u rrit shpejt dhe në fund të shekullit të XVI në Londër numroheshin dhjetë ndërtesa teatri ( më i madhi nga të gjithë ishte “ Globusi” i ndërtuar në vitin 1599 po nga Rikard Berbexhe )

Në asnjë qytet të Evropës nuk kishte kaq shumë teatro si në Londër. Krijimtaria e Shekspirit veçanërisht ka lidhje me teatrin Globus që i takon edhe emri “Publikori” sepse i hapi dyert për masat e gjera popullore.

Sipas arkitekturës teatri “Globus” të kujton oborrin e një hoteli. Sheshi i gjerë oval ishte i rrethuar nga mure të lartë e të drunjtë. Ata mure ishin aq të lartë saqë ishte e pamundur të hynin spektatorët pa paguar. Hapsira quhej “oborr” dhe kjo mbushej me spektatorë nga popullata e thjeshtë të cilët pagunin vetëm nga një penni. Gjatë mureve të brendshëm ishin vendosur galeritë ku rrinin pasanikët e qytetit dhe llozhat ( që quheshin edhe dhoma ) të cilat shkëlqenin nga ari dhe gurët e çmuar. Ndonjë spektator që paguante në veçanti kishte të drejtën të qëndronte në skenë.
Pjesa përpara skenës ishte e zbukuruar. Në pjesën e prapme ngrihej streha që mbahej mbi dy shtylla të cilat në disa teatro ishin të zbukuruara me kolona mermeri. Si sfond skene shërbente muri i drurtë i ndërtesës me kullën që quhej “dhomë e kostumeve.” Brenda kësaj ndërtese visheshin dhe makjazhoheshin aktorët, ruheshin kostumet, aksesorët etj. Nga ndërtesa në skenë kishte dy dyer ndërmjet të cilave ishte ndërtuar një kamare që mbulohej nga një perde. Te “Romeo e Zhulieta” jepet skena në varreza: Romeo afrohet te prdja dhe bën sikur shpërthen hyrjen; atëherë perdja hapet dhe duket varri dhe Zhulieta e vdekur. Te Fausti i Krisofer Marlos kamarja përfaqëson kabinetin e doktor Faustit. Te Hamleti në këtë kamare pas perdes fshihej Polloni që përgjonte bisedën e Hamletit me Gertrudën. Mbi kamare ishte një ballkon ( kështu quhej skena e sipërme ). Aty e shpuri Hamletin Fantazma e të atit.

Dekoracione në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk kishte. Pema në një vazo të vogël përfaqësonte pyllin. Tryeza me një pagure dhe një gotë – tavernën e kështu me rradhë. Dekoracionet e vërteta të skenës duhet ti imagjinonte vet spektatori. Por pikërisht mungesa e dekoracioneve kishte anën e saj pozitive sepse gjatë zhvillimit të shfaqjes nuk u tërhiqej vëmendja spektatorëve në antraktet e gjata. Atëherë veprimet zhvilloheshin papushim ashtu si në kinematografinë e sotme. Teksti i Hamletit u nda në pesë akte në vitin 1676.
Dekoracinet e varfra ishin në kontrast me figurën e aktorit tek i cili ishte përqendruar gjithë vëmendja e spektatorëve. Veshjet e aktorëve ishin të pasura. Ata mbanin kostume kadifeje e veshje të leshta e atllasi.


Loja e disa aktorëve ishte krejt primitive. Tragjikët deklamonin me zë të lart e me shumë gjeste. Komikët i bënin të qeshnin spektatorët duke trilluar nga koka e tyre. “Tragjikët qëndronin në majë të gishtrinjëve, kurse komikët hidheshin lart” – kështu e përshkuan teatrin e asaj kohe një nga bashkëkohësit e Shekspirit. Rolet e grave i luanin djemtë dhe të vegjëlit të cilët sipas dëshmive të bashkëkohësve i interpretonin me shumë elegancë.
Të ardhurat më të shumta që dilnin nga çfaqjet i merrte pronari i teatrit kurse pjesa tjetër e të ardhurave ndahej midis aksionistëve ( Shekspiri ishte aksionist i teatrit “Globus.”)
Midis personelit teknik vend të rendësishëm kishte “ruajtësi i librave” i cili ruante dorëshkrimet e dramave. Në duart e ruajtësit të librave dhe të suflerit kalonin drama të panumërta që i patën shkruar dramaturgët e asaj kohe. Nga ato drama deri më sot nuk kanë arritur as njëzetë përqind. Ka shumë mundësi që të kenë humbur pa vajtur ende për botim edhe disa drama të Shekspirit.
Përveç teatrove masive, në Londër ekzistonin edhe teatro që ishin vetëm për “publikun e zgjedhur”. Fati i dramës këtu sigurisht nuk varej nga gjykimi i masave por nga opinioni i aristokratëve të dëgjuar. Njëri prej tyre dhe më i preferuari nga aristokracia londineze ishte “Teatri Blekfrajers.”

Krijimtaria e Shekspirit në themel është e lidhur me teatrin demokratik ku gjykonin masat e gjera të spektatorëve të cilat i përkisnin teatrit Globus.
Mbi kullën e drunjtë të ndërtesës së teatrit Globus valvitej një flamur. Përpara hyrjes zhurmonin spektatorët që mezi prisnin të hynin në teatër duke u shtyrë që të ishin sa më afër skenës. Në diell shkëlqente tabela e madhe ngjyrë ari ku ishte vizatuar Herkuli me globin tokësor mbi shpatulla dhe nënëshkrimi në gjuhën latine: “Totus mundus agit historionem” (E tërë bota është një teatër).
Brenda murit të teatrit, hapësira e cila të kujton formën ovale të gërmës O, nën qiellin e hapur dëgjoheshin të thirrura, të shtyra, grindje e të qeshura spektatorësh. Një ushtar trupmadh me një fytyrë të skuqur ngaqë është mekur i ngjan një buldogu të madh. Ky shan një çirak të dehur dhe herë pas here i tregon atij grushtin e madh gërxhallë. Mjeshtrat me gjyslyke rrathëbronxtë qëndrojnë të shastisur, pulitin sytë dhe pinë duhan duke nxjerrë nga goja shtëllunga të mëdha tymi. Studentët me kostume të zeza dhe pantofla shikonin me tallie kokoroshët krenarë me ato fytyra finoke të cilët shtynin me arrogancë turmën duke u tundur si shpendë të mëdha me ato pupla në kapele. Përmes turmës çunakë të vegjël shisnin mollë dhe puding të bëra me gjak kau. Nga do shikoje gra që endeshin andej këndej. Në galeritë e hapure prej kashte rrinin ulur çifte. Në ndonjë llozhë të shihte syri damën gjysëm të maskuar të shoqëruar nga dy kavalierë të armatosur me shpata e të veshur me këmisha të bardha me jakë të gjera.

Punëtorët e teatrit përgatitnin skenën për shfaqje: vinin dyshemenë e re prej kallamash dhe duke varur sfondin e pëlhurtë të skenës lyenin me bojë muret. Anëve të skenës uleshin mbi ca frone të vegjël zotërinj të privilegjuar ndërsa spektatorët e thjeshtë ulur prapa tyre bërtitnin të revoltuar ngaqë i pengonin për të parë lojën e aktorëve në skenë. “Hej ti struc, – ia priste dikush, – mbathja për në Afrikë andej nga ke ardhur.” Tjetri vërtiste andej vezë të prishura. “Kafshë! Mbani qetësi!” – murmuriste nëpër dhembë zotëria i veshur bukur dhe vazhdonte të qëndronte si hu përpara tyre.

Rrobet e aktorëve mbaheshin në një dhomë të madhe. Djemtë vishnin fustanet e grave dhe mbathnin këpucë të trasha prej tape me shuall dhe taka të larta që të dukeshin shtatlart. Midis turmës së aktorëve, duke mbajtur kokën lart, ecte një burrë i shkurtër e i mbushur nja tridhjetë e pesë vjeç, me mustaqe dhe mjekër. Ky ishte Rçard Berbexhe, pronari i teatrit dhe i pari në trupën e aktorëve. ( Nga rolet e Shekspirit Berbexhe ka interpretuar me sukses “Rikardin e III – të, “Otellon” dhe “Mbretin Lir”.
Shfaqja fillonte menjëherë sapo binte gongu. Instrumentat që shoqëronin shfaqjen në epokën e Shekspirit ishin primitivë. Megjithatë ato njësoj si veprat e Shekspirit ishin të çmueshme sepse ishin origjinale dhe popullore.
Përktheu Nazmi Seitaj


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.