BLUETOOTH

Gena dhe Anesti: Na lidhi dashuria për muzikën

12:45 - 24.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Prej kohësh i shohim në një bashkëpunim së bashku. Ai është një nga këngëtarët më të kërkuar të momentit në vend si dhe në diasporë, ndërsa bashkëpunëtori i tij, një organist, i cili është po ashtu i kërkuar në tregun muzikor. Po flasim pikërisht për Genën dhe organistin e tij, Anesti Cenko. Në një intervistë të përbashkët ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare” dyshja flet për marrëdhëniet e tyre në punë dhe jashtë, si lindi bashkëpunimi si dhe projektet më të fundit që do të nxjerrin në muzikë.




Anesti Cenko

Si nisi bashkëpunimi me Genën?
Për sa i përket bashkëpunimit me Genën nuk mund të them që ishte rastësi takimi. Kam qenë unë që kërkova momentin kur Gena ishte i ftuar në një nga klubet e Tiranës edhe i prezantohem duke treguar interes për të bashkëpunuar me të! I tregova të gjithë materialet që kisha përgatitur për të dhe kështu filloi gjithçka.

Si janë marrëdhëniet me Genën jashtë pune? Po marrëdhëniet në punë?
Marrëdhëniet me Genën janë të përkryera si në punë edhe jashtë pune. Arrijmë të merremi vesh më se mirë, sepse bashkohemi edhe në konceptin e muzikës. Nëse arrin ta kuptosh atë çfarë ai ka në kokë (për sa i përket punës) mendoj se ke kuptuar mënyrën e tij të punës.

Keni pasur ndonjë incident të vogël?
Kjo gjë nuk ka ndodhur ndonjëherë edhe besoj se nuk do ndodhi sepse, siç thashë, ne kuptohemi shumë mirë në marrëdhënien e punës edhe jashtë saj.

Si nisi udhëtimi në botën e muzikës?
Kam qenë nga ata fëmijë që kisha shfaqur talentin dhe dëshirën time drejt instrumentit të baterisë që në moshën 4-vjeçare. Edhe prindërit e mi e kuptuan që më pëlqente muzika dhe sidomos të luaja në bateri. Por me kalimin e viteve kuptova se veten e gjeja me mirë në piano se në bateri.

Ka qenë gjithnjë zgjedhja juaj e parë muzika?
Sigurisht kanë qenë prirjet e mia dhe dëshira për t’u marrë me muzikë dhe mund të them që finalizimi i rrugëtimit ka qenë universiteti.

Cili ka qenë bashkëpunimi që ju ka lënë më tepër mbresa?
Të them të drejtën çdo bashkëpunim ka bukurinë e vet, sepse karakteret e këngëtarëve kanë qenë të ndryshme. Nuk marr shkas se po punoj me Genën, por ai ka një veçanti, në atë çfarë ai transmeton te publiku edhe te mua si koleg. Energjia e tij është për t’u admiruar.

Keni ndonjë projekt të fundit të cilin jeni duke e përgatitur?
Gjithmonë mendojmë për projekte të reja. Plane kemi shumë. Tani për tani nuk dua të zbuloj asgjë, por shumë shpejt do kemi diçka të bukur.

Cili është orientimi muzikor që preferoni më tepër?
Unë kam luajtur shumë stile muzikore, sepse edhe puna ndër vite ma ka kërkuar këtë gjë, aq më tepër dhe bashkëpunimet që kam pasur me këngëtarë të rrymave të ndryshme. Unë personalisht preferoj një muzikë që ne e kemi pak të vështirë ta kultivojmë, sepse kërkon një terren tjetër për t’u promovuar. Mund të them që e gjej veten dhe te muzika jazz, blues, soul.

Pse zgjodhët të bashkëpunoni me Genën?
Në fakt, isha në kërkim për diçka të re. Gena gjithmonë ka qenë nga këngëtarët e mi të preferuar dhe mendova që mund të punoja më shumë kënaqësi me të, për ato çfarë unë kisha ndërmend të realizoja. Për këtë arsye isha unë që i kërkova Genës takim. Dhe ja ku jemi sot. Plot energji, dëshirën e mirë dhe pasionin për të bërë gjëra të bukura që dhe publiku që na ndjek në çdo koncert të kënaqet në maksimum me muzikën tonë! Sepse ky është dhe qëllimi ynë, të kënaqim publikun jo vetëm veten!

Ku synoni të arrini në të ardhmen?
Sigurisht që objektivat janë për të qenë lart e më lart, sepse ky është edhe synimi i çdo muzikanti. Pse jo, dhe në skena të mëdha botërore. Por një gjë është e sigurtë: Muzika do më shoqërojë gjithë jetën.

Gena
Përse zgjodhët të kishit bashkëpunim me Anestin?
Nesti është një muzikant tepër i talentuar me dëshirë të madhe për punën, por mbi të gjitha është një djalë i edukuar. Këto janë element tepër të rëndësishëm për një bashkëpunim.

A jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri muzikor?
Po unë këto kohë jam duke punuar gjithë kohës në studio pasi po përgatis 3 projekte të reja. Të tria do të jenë duete. Njëra prej tyre, e cila del së shpejti, do të jetë me kolegen time, Greta Koçi. Të tjerat mbeten surprise, për t’u parë pasi nuk dua t’i zbuloj akoma.

Cili është bashkëpunimi me këngëtarë të tjerë që ju ka pëlqyer më tepër dhe ka pasur më sukses? Me kë do të preferonit të bashkëpunonit në të ardhmen?
Një bashkëpunim me këngëtarë që ka pasur shumë shumë sukses ka qenë me Nora Istrefin, “Le mamma”. Në të ardhmen do preferoja të bashkëpunoja me shumë artistë sepse bashkëpunimet gjithmonë kanë sukses dhe priten mjaft mirë nga publiku. Nuk do të veçoja dikë pasi ka shumë.

A keni pasur ndonjë “konflikt” apo incident me kolegët? Nëse po, cilin rast mund të veçoni?
Në përgjithësi natyra ime është paqësore dhe nuk krijoj konflikte me asnjë. Kjo shihet besoj dhe ndër vite që unë nuk kam pasur ndonjëherë sulme ndaj asnjë kolegu. Gjithmonë shoh punën tim e nuk jam natyrë që merrem me llafe. Madje i shmangem komplet kur ka të tilla situata.

Gena është një këngëtar i lidhur shumë ngushtë me muzikën, i kërkuar edhe në diasporë. E keni menduar të vijoni karrierën muzikore në Shqipëri apo jashtë vendit, si shumë këngëtarë që janë larguar?
Unë mendoj se “Guri i rëndë peshon në vend të vet” por kjo për sa më përket mua, sepse në rastin e disa artistëve me prejardhje shqiptare që janë në tregun ndërkombëtar si Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa, mendoj se është për t’u vlerësuar se si kanë arritur të deportojnë në industrinë muzikore botërore. Por ato ia kanë dalë më së miri dhe jemi të gjithë krenarë për këtë.

Nëse do zgjidhnit të largoheshit, përse do të ishte?
Në qoftë se do të zgjidhja të largohesha nga vendi im, do të ishte vetëm për të zgjeruar karrierën time artistike. Mendoj se çdo artist po njësoj do mendonte! Kjo jo vetëm për artin, por në çdo lloj fushe!

A do të preferonit ju që vajzat tuaja të zgjidhnin rrugën e muzikës? Cila nga ato e ka më tepër pasion?
Pse jo? Në qoftë se do t’iu pëlqente dhe do kishin talent, s’do ishte keq! Të dyja e kanë pasion si çdo vajzë në atë moshë! Unë i kam lënë të lira të zgjedhin vetë profesionin që duan të bëjnë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.