OPINION

Evropa në të përditshmen tonë

07:35 - 28.03.18 Dr. Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sa herë që flitet për negociatat me BE-në përmenden me të drejtë  standardet, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reformimi i gjyqësorit, vetingu, etj. Mirëpo  integrimi i plotë  në BE ka një diapazon shumë më të gjerë; ai përfshin këdo dhe çdo sferë të jetës sonë të përditshme, normat, zakonet, vlerat dhe në përgjithësi frymën evropiane.  Pa mohuar arritjet tona si nga shteti dhe komuniteti në fusha të ndryshme le ta ilustrojmë këtë me tri raste konkrete, por domethënëse.




Disa ditë më parë në Spanjë një grua vrau në mënyrën më çnjerëzore Gabrielin e pafajshëm 8-vjeçar, djali i të dashurit të saj. Ngjarje të ngjashme tragjike kanë ndodhur gjatë muajve të fundit dhe në Itali, Gjermani, Francë dhe gjetkë. Por ajo që bie në sy atje është reagimi publik me protesta masive kundër dhunës/krimit në familje dhe në shoqëri  me sloganin « Të gjithë jemi Gabriel » si në rastin spanjoll.

Pikërisht kjo frymë evropiane proteste dhe demonstrimi paqësor në raste të tilla makabre që vijojnë me analiza shteruese të institucioneve kompetente mungon në vendin tonë, edhe pse dhuna dhe krime tejet të rënda ndaj vajzave, grave, motrave, vjehrrave, nuseve, baballarëve dhe shokëve të ngushtë por dhe vetëvrasjet kanë marrë përpjesëtime të frikshme, sidomos në raport me popullsinë tonë. E theksojmë këtë pasi protesta dhe manifestime të tilla nuk janë vetëm akte të fuqishme solidariteti; mbi të gjitha ato krijojnë dhe forcojnë frymën dhe klimën denoncuese dhe kundërshtuese ndaj krimit të çdo natyre; kjo ka ndikimin e vet të madh për frenimin e këtyre dukurive me pasoja, krahas masave  ndëshkuese të shtetit dhe të drejtësisë dhe në mbështetje të viktimave dhe familjeve të tyre. Më e keqja ndodh kur në vend të këtyre protestave dalin në media dhe rrjetet sociale  insinuata, etiketime dhe detaje të pabazuara intime, aq sa  krijohet përshtypja se fajtorë janë viktimat dhe jo autorët e krimit!

Ku janë ato dhjetëra fondacione dhe organizata joqeveritare me emra nga më të ndryshmet që « mbijnë » sa herë ka ndonjë aktivitet me ndërkombëtarët, apo nuk shfaqen në të tilla raste? Po shkollat, fakultetet, komuniteti në përgjithësi përse struken në pasivitet? Shqetësimi është se kur nuk ngrihen të gjithë në këmbë për t’i thënë « JO » tragjedive të tilla, si mund të ketë një frymë të tillë proteste ndaj vështirësive të tjera social-ekonomike, veç ndonjë rasti të rrallë kur mohohet buka e gojës?

Në vijim, mungesa e frymës evropiane lidhur me kujdesin për ruajtjen e kujtesës historike, transparencës shtetërore dhe konsultimit me publikun e shihet në rastin e debateve për fatin e godinës së Teatrit Popullor; që të mos ketë më raste si deri tani që të detyrohesh të shembësh objekte me vlera të  paçmuara artistike. Sipas përvojës së përparuar evropiane, puna këtu fillon me regjistrimin në një listë të veçantë me mbrojtje nga shteti. Pastaj vijon me kujdesin e vazhdueshëm për mirëmbajtjen e tyre që të shmanget amortizimi fizik si në rastin e Teatrit të paktën gjatë 20 viteve të fundit. Së fundi, edhe kur kjo godinë duhet ringritur nga e para, të bëhet maksimumi që të mos ndryshojë vendi me mjedisin përreth, në mënyrë  që të jetojë kujtesa dhe atmosfera historike e asaj godine.

Përvoja dhe modele të tilla ka me bollëk në çdo vend anëtar të BE-së dhe SHBA-ve; por këtu po ndalemi fare shkurt te përvojat më të freskëta të  Berlinit. « Deutsch Theater » i famshëm në Berlin është ndërtuar qysh në vitin 1850. Lind pyetja: « A nuk kishte mundësi cilado qeveri gjermane dhe sidomos ato pas ribashkimit që po në atë vend, të ndërtonte një teatër tjetër 10 herë më të madh dhe shumë më modern? » Sigurisht, por kjo nuk është bërë, sepse askujt në atë vend teatërdashës nuk i ka rënë ndërmend një gjë e tillë, sepse çdo ndryshim në atë godinë do të dëmtonte ose cenonte traditën, kujtesën dhe  atmosferën historike të atij teatri emblematik  ku ka shkëlqyer edhe Moisiu ynë i madh. Gjithsesi garanci për çdo rast ka qenë dhe mbetet dhe ligji gjerman.

E njëjta gjë mund të thuhet për pikën e famshme të kalimit « Check Point Charlie » në qendër të Berlinit, aty ku deri më 1989 ndahej zona sovjetike nga ajo amerikane, një nga atraksionet më të mëdha turistike të kryeqytetit gjerman. Gjatë 28 viteve të fundit është ndryshuar dhe modernizuar pjesa më e madhe e kryeqytetit gjerman, por në zonën përreth nuk është lejuar asnjë ndryshim sado i vogël, veç rinovimit të godinave por në gjendjen e tyre të mëparshme.

Rasti tjetër e spikatur ndodhi në vitin 2013, kur për të mundësuar  ndërtimin e  një kulle/qendre tregtare aty pranë, me vendim të Bashkisë së Berlinit, dhjetëra punëtorë dhe buldozerë filluan shembjen e 18,5 metra në segmentin e vetëm të mbetur të Murit të Berlinit me gjatësi 1,3 km; ai ka vlerën e  një muzeu, së bashku me  100 krijime nga artistë nga e gjithë bota, ndaj dhe quhet « West Side Gallery ». Por puna nuk vazhdoi më tej për shkak të përshkallëzimit të protestave të « Nisma Qytetare për Mbrojtjen e West Side Gallery ». Nëse gati 30 vjet më parë, Presidenti Regan aty te Portat e Brandenburgut bëri thirrjen legjendare « Zoti Gorbaçov, shembe këtë Mur » këtë radhë, protestuesit i kërkuan të kundërtën Kryetarit të Bashkisë: « Zoti Wovereit, mos e shembni  këtë Mur »!

Si pasojë e përshkallëzimit të protestës publike dhe mbështetjes dhe nga yje të kulturës botërore u hoq dorë nga shembja e mëtejshme e atij segmenti të Murit të Berlinit.

Aspekti i tretë i frymës evropiane ka të bëjë me debatet e kohëve të fundit mbi paraqitjen hera herës problematike të disa moderatoreve tona në emisionet televizive. Edhe në këtë fushë, në vend të personalizimit absurd dhe diskutimeve shterpë fare mirë mund t’i referohemi njohjes dhe zbatimit të përvojës konkrete të televizioneve evropiane. Veç standardeve të tjera, këto të fundit kanë Kodin e Veshjes ( Dress Code) një « ligj » i detyrueshëm si për moderatorët  dhe të ftuarit e tjerë gjatë rubrikave të tyre televizive të çdo natyre dhe formati.

Këto Kode që shtjellohen dhe në trajnimet mediatike përcaktojnë në hollësi mënyrën e veshjes, ngjyrat, aksesorët e lejueshëm dhe specifiket teknike ; për burrat deri te ngjyrat e kostumit dhe kollares, gjatësinë e çorapeve, mëngët e këmishës, etj. Kurse në rastin e grave dhe vajzave me theks të veçantë te prerjet dhe përmasat, sidomos të  fundeve, bluzave dhe dekoltesë. Në këtë Kod universal ka një seksion të posaçëm të emërtuar « Tregimi i Këmbëve (legs showing )» manual ky që u rekomandon moderatoreve dhe të ftuarave në emisionet televizive të vishen mundësisht me funde të gjata, por kurrsesi me minifunde, në mënyrë të tillë që t’u mundësojnë lëvizjen e lirshme dhe pa siklet të këmbëve gjatë emisionit.

Në një pikë të veçantë të këtij Kodi shkruhet « shikuesit duan të shohin dhe dëgjojnë mesazhin dhe jo veshjet e tua » Sepse vërtet në TV veshja me paraqitjen vizive ka rëndësi të madhe për nivelin e shikueshmërisë dhe sidomos suksesin e një emisioni; por kjo ndodh vetëm kur ato vihen në funksion të përmbajtjes së informacionit që jepet; në të kundërt, do të devijohej vëmendja e publikut nga mesazhi i duhur. Atëherë edhe shikueshmëria e lartë mbetet  qëllim në vetvete, madje ajo i kundërvihet interesit më të gjerë publik dhe për pasojë kthehet në bumerang.

Kjo vlen dhe për emisionet sportive. Në televizionet evropiane ka disa moderatore të reja sportive krahas atyre me përvojë. Në të dy rastet, suksesi i tyre, duke e marrë për të qenë sharmin e natyrshëm femëror buron në radhë të parë nga përgatitja serioze, etika, kultura, «higjiena» në të folur dhe veshja e përshtatshme. Ndaj shpesh e ke shumë të vështirë të dallosh moderatoret sportive dhe kolegeve të lajmeve apo rubrikave të tjera politike/argëtuese.

Veç sa sipër, në Evropë dhe SHBA  merren masa ndëshkuese deri në largim nga puna të kujtdo moderatori/moderatoreje, pavarësisht nga fama kur ai/ajo paraqitet  në media dhe raste të tjera jashtë Kodit të Veshjes apo dhe me prononcime që bien ndesh me Kodin tjetër të Sjelljes.

Ja pse televizionet amerikane, gjermane, franceze, italiane, spanjolle, belge, etj., me ndonjë përjashtim të rallë ka kohë që janë « çliruar» nga raste, incidente dhe debate të kësaj natyre. Krahas paraqitjes së hijshme dhe cilësisë elitare të rubrikave të tyre, edhe moderatorët televizive shikohen, respektohen  dhe vlerësohen dhe  për angazhimin në gara sportive, konkurse, koncerte  dhe shoqata të ndryshme filantropike, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve dhe të sëmurëve, shtresave në nevojë, brenda dhe jashtë vendeve të tyre.

Së fundi, ka dhe plot shembuj të tjerë që diktojnë nevojën për « more Europe» në të përditshmen tonë. Lajmi i mirë është se ndryshe nga rrugët, autostradat, kullat, « kjo nuk kërkon fonde, tenderë dhe PPP-ra shtesë, por më shumë vëmendje, kujdes dhe referimi te përvoja dhe fryma evropiane. 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.