KULTURË

“Teatri, projekt klientelist”/ Deklaratat kontradiktore Kumbaro-Rama

13:20 - 29.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një projekt klientelist! Kështu e kanë cilësuar deputetët e opozitës në Komisionin parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik projektin e qeverisë për Teatrin Kombëtar.
Para ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, e thirrur në një seancë dëgjimore ata qenë të ashpër. Dëgjesa zgjati pesë orë dhe mes palëve pati debate të ashpra, ndërsa ministrja la komisionin, pasi deputetët e ndërprisnin.




Përfaqësuesit e akuzuan ministren se qeveria po merr përsipër të zhvillojë një projekt klientelist, ndërsa kryetarja e komisionit, Albana Vokshi i tha Kumbaros se kanë hequr qëllimisht godinën e teatrit nga zona muzeale-historike dhe se, sipas një dëshire të kryeministrit Edi Rama, teatri do të shembet.
Ministrja Kumbaro, në përgjigje të pyetjeve, nuk shqiptoi në asnjë moment se godina e teatrit do të shembet ose jo, por theksoi se projekti që u prezantua disa ditë më parë ishte një propozim i vetofruar nga një kompani ndërtimi dhe i bazuar tek një studim i territorit të Tiranës dhe ndryshimeve të tij pas vitit 2000.
Sipas Kumbaros, projekti është ende një koncept dhe po shqyrtohet nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës.

DEKLARATAT KONTRADIKTORE RAMA-KUMBARO
Më 12 mars, ditën kur projekti u prezantua, kryeministri Edi Rama tha se “godina aktuale do shembet dhe mbi gërmadhat e së shkuarës do ngrihet Teatri i ri Kombëtar. “Ai është pjesë e një propozimi për Partneritet Publik Privat nuk do të jetë një teatër me kullë”, theksoi kryeministri. Shtoi se, “nga 3000 metra, do kemi 9000 metra katrorë në dispozicion. Nga një sallë e vetme sot, do keni katër salla nesër, ku nga hapësira të papërshkrueshme e poshtëruese për dinjitetin e çdokujt që i thotë vetes artist, do ketë hapësirë më të madhe për ta. Salla kryesore do ketë 620 poltrone, ku krijohet edhe një sallë e re e hapur mbi teatër me mbi 100 vende. Ka edhe dy sallat të reja të tipit ‘blackbox’ me nga 100 vende secila. Do të kemi një teatër që do jetë trefishi i këtij që është sot dhe do ketë një sistem të tërë infrastrukture për shfaqjet që sot nuk ekziston”.
Si për të çimentuar deklaratën e tij, shefi i qeverisë, theksoi se: “Ne do të avancojmë që projekti të realizohet brenda vitit të ardhshëm. Teatri do të jetë baza e projektit”.
Por, dy javë më pas, ministrja ‘përgënjeshtron’ kryeministrin.
Në komision, Kumbaro tha dje se “nuk kemi një vendimmarrje në kuptimin juridik të fjalës nga qeveria. Kryeministri ka ftuar arkitektin Bjarke Ingels si pjesë e propozimit të ardhur pranë Bashkisë së Tiranës për një koncept, të prezantojë atë koncept, duke shprehur një vullnet politik për të ndërtuar teatrin”.
Ministrja e Kulturës shtoi në përgjigje të pyetjeve të deputetëve se: “Nuk kemi kërkuar projekt as ne si Ministri Kulture, as qeveria. Subjekti privat (një kompani) ka sjellë një kërkesë. Kompania private ka propozuar një koncept nëpërmjet arkitektit Bjarke Ingels. Në momentin që ky koncept erdhi zyrtarisht pranë Bashkisë Tiranë, ishte vullneti politik i menjëhershëm për ta ndarë këtë koncept me publikun. Këtë kërkesë, për një projekt të Teatrit Kombëtar, jemi duke e shqyrtuar. Jemi pikërisht në këtë fazë, të shqyrtimit. Të gjitha këto i kemi bërë publike. Në vijim të çdo vendimmarrje që do ketë, do ta bëjmë publike dhe do të jetë objekt i konsultimit dhe i ndarjes me opinionin publik; qofshin ata komuniteti i artistëve, i arkitektëve apo i gazetarëve”.

DEBATE E AKUZA NË KOMISION
Në pesë orë, debatet mes ministres dhe deputetëve të opozitës qenë të ashpra. Pas një sërë pyetjesh nëse do të shembet Teatri Kombëtar, Vokshi i ka kërkuar Kumbaros të japë dorëheqjen, duke e quajtur atë të paaftë. Kjo e fundit ka refuzuar të dorëhiqet, duke sqaruar se godina e Teatrit Kombëtar ka shfaqur shumë here probleme dhe shembje të pjesë të ndryshme.
Kumbaro replikoi duke thënë se “nuk e jap dorëheqjen. Unë flas për dokumente zyrtare. Në emër të Teatrit Kombëtar janë shpenzuar 6 milionë dollarë, por projekti u ndërpre. Kryeministri shpreh vullnetin politik për një godinë të denjë teatri. Mënyra si do të ndërtohet do të jetë rezultat i procedurës ligjore. Do të ndërtojmë teatër të ri, sepse teatri për të cilin flasim është në kushte skandaloze. Turp të keni!”.
Dorëheqjen Kumbaros ia kërkoi edhe deputeti i djathtë, Luçiano Boçi, i cili i tha ministres të urdhërojë menjëherë ndalimin e punimeve ose të largohet, duke shtuar se teatri po prishet për një arsye qesharake, për faktin se nuk është ‘monument kulture’.
Në mbrojtje të ministres foli deputeti i PS-së, Bujar Çela, i cili u shpreh se “ne e duam teatrin, duam gjithçka të mirë, teatri nuk është monument kulture. Opozita nuk është në gjendje të përfaqësojë popullin. Po debatojmë kot”.
Pas tij, ndërhyri Kejdi Mehmetaj (LSI) që tha se “po thuhen të pavërteta. Kërkohet që qytetarët të bëhen për budallenj, si dhe të luhet me çështje të rëndësishme. Kolegët e mazhorancës janë të detyruar të mbulojnë çmenduritë e Ramës. Ju, z. ministre bini në kundërshtim me fjalët e tua. Problemet që thoni ju janë bërë për shkak të lëvizjes së themeleve. Kur kishit kaq shumë shqetësime, pse nuk bëtë asnjë studim?”.
Për deputeten e LSI, Nora Malaj, çështja e teatrit është çështje trashëgimie, teatri nuk është vetëm i atyre që interpretojnë, por i të gjithëve. “Është detyrë kushtetuese e jona që të mbrojmë të gjitha institucionet, duke i trajtuar me shumë seriozitet. Duket një kalvar i gjatë mundimesh i njerëzve, ne jemi këtu për të dhënë zgjidhje. Është krijuar një situatë e jashtëzakonshme. Ne do jemi para popullit deputetë të paaftë, nëse nuk japim zgjidhje, Parlamenti do të quhet shterp”.
Duke mbrojtur vendimet e qeverisë, Fadil Nasufi (PS) tha se, “jemi futur në një hulli institucionale, gjithë Shqipërinë e ka zaptuar informaliteti, projekte me shpenzime marramendëse. Sot na rrëmben pasioni i madh për gjëra që janë drejt shkatërrimit, për të ndërtuar gjëra të reja, që edhe ky brezi që është sot të lërë gjurmët e veta”.
Edhe Shezai Rrokaj e mbrojti teatrin duke theksuar se ai “duhet të veçohet nga çdo lloj nisme që mund të ketë në atë zonë. Çdokush që është rritur në Tiranë e konsideron këtë teatër pjesë të historisë së vet. Trashëgimia më e madhe kulture janë artistët, njerëzit. Këta njerëz, ky kontribut, kjo dije nuk duhet të fshihet. Teatri është pikë reference historike, pa të cilën nuk ekziston dot kujtesa. Teatri është pjesë e identitetit të një vendi. Ky teatër nuk duhet parë si një gjë që po shkatërrohet, ai edhe mund të shembet, të prishet, por ne duhet të ndërtojmë një të tillë edhe më të mirë, aty, si pjesë e rikthimit të kujtesës. Ndjehem shumë i prekur nga ky problem. Refuzohen takimet me njerëzit e çmuar të këtij vendi. Politikanët shkojnë e vijnë, shkencëtarët, artistët do të mbeten. Teatri duhet të bëhet nga shteti dhe duhet të jetë pjesë e veçuar, të ketë fizionominë e tillë që t’i shërbejë vazhdimësisë së kujtesës kombëtare”.
Më e ashpër ishte deputetja Albana Vokshi: “Keni thënë se mungon harta, por keni gënjyer. Ja ku është harta, e kemi ne. Ju nuk dini se çfarë keni, nuk po bëni dot detyrën tuaj. Në relacionin tuaj keni thënë se nuk hiqet, por zgjerohet. Në fakt, e keni hequr, ju keni mashtruar Kuvendin”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.