SHËNDET

Ylli Merja: Si të kuroni alergjitë e stinës me bimë mjekësore

12:05 - 29.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në stinën e pranverës vetë klima paraqitet me temperatura të ulëta, me ndryshime e shira, me luhatje të shpeshta dhe e gjithë kjo situatë mund të shoqërohet me alergji në shumë persona. Ndërkohë, në momentin që temperaturat do të rriten, pemët do të zhveshin sythat e tyre e poleni i luleve do të përhapet në ambient. Kur poleni thithet nga njeriu nëpërmjet rrugëve respiratore të frymëmarrjes, atëherë fillojnë shqetësimet në organizëm.




Ky i fundit irritohet e reagon ndaj grimcave, të cilat janë futur në mushkëri e shfaqin problematika, ku numri i leukociteve apo rruazave të bardha të gjakut fillon të rritet e më tej imunoglobulina fillon të marrë vlera të larta. Me kalimin e tyre në gjak, fillon të rritet histamina, një kimikat që kur hyn në qarkullimin e gjakut, krijon një irritim, një ënjtje të rrugëve respiratore, skuqje të syve apo probleme me hundën.

Në këto momente, individit i fillojnë teshtimat, ka kruajtje apo nxirrje të rrathëve të syve, skuqje të buzëve e në rastet kur këto depozitime janë mbi lëkurë, fillon të irritohet i gjithë sistemi. Të gjithë personat janë në kontakt me polenet, ngacmuesi i parë që shkakton alergji si dhe myqet që rriten në kushte shtëpie apo në ajër, por theksohet se jo të gjithë njerëzit janë alergjikë nga dy faktorët e mësipërm.

Në rastet kur ulet rezistenca, njeriu është shumë i predispozuar për t’u prekur nga alergjitë e stinës, pasi këto elementë e kanë shumë më të thjeshtë që të japin efektin e tyre ngacmues dhe irritues në një organizëm të dobët. Në këtë periudhë njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm e të përpiqen të rritin sa më shumë imunitetin.


Simptomat
Dallimi i simptomave të alergjisë është i dukshëm e thelbësor, krahasuar me shenjat që shfaqen kur individi është i prekur nga gripi. Nëse personi ka një kollë të bezdisshme, të shoqëruar me rritje të temperaturës e këputje trupore (në këmbë e duar), me një rëndesë në mushkri dhe dhimbje koke, atëherë duhet kuptuar që këto shenja lidhen me ftohjen. Ndërsa kur njeriu preket nga polenet, ai nuk ka temperaturë, por teshtitje, rrjedhje hundësh, kruajtje sysh e nëse kruhet edhe lëkura, fillon të skuqet.


Trajtimi me bimë medicinale
Normalisht që gjatë kësaj periudhe, duhet që individi të kujdeset shumë që të rrisë imunitetin, kështu që duhen përdorur produkte që përmbajnë flavonoide apo vitaminë C. Nëse u japim fëmijëve 5-6 kokrra trëndafili të egër, atëherë do të kuptojmë që është një medikament me të vërtetë jo vetëm rifreskues, por që ndikon edhe në rritjen e rezistencës. Gjithashtu, rekomandohet përdorimi i lëngut të limonit e portokallit, si dhe shafrani i kuq. Ndërkaq, këshillohet për të gjithë personat alergjikë, marrja e qumështit të bletës dhe propolisit.

Këto dy të fundit janë testuar në rastet e personave me alergji kronike e kanë dhënë efekte të mrekullueshme. Qumështi i bletës luan një rol kyç në organizëm, pasi i vë të gjitha organet në punë duke i bërë më dinamike në luftën ndaj viruseve. Një ndër shkaqet e alergjive të stinës janë edhe myqet e këto bëhen shkak për rritjen e shkallëve të irritimit në organizëm. Propolisi antimykotik ul në mënyrën më drestike, shkallën e agresivitetit të sporeve të kërpudhave apo poleneve. Rekomandohet të merren 10 pika nga ky medikament në ditë e kështu do të ketë një përmirësim të situatës e qetësim të mushkërive.

Edhe çaji antialergjik këshillohet nga ana jonë për pacientët si dhe të bëjnë një shpëlarje të trupit me lëngun e bimëve të trumzës, gjethet e ftoit e mushmollës, në mënyrë që të largojmë nga organizmi gjithë pluhurat. Gjithashtu është mirë të përdoret një çaj rigoni apo trumze, pak spec i kuq apo djegës që rritin së tepërmi rezistencën e organizmit, pa harruar edhe karotën. Ushqimet si qumështi, djathi, kosi nuk këshillohen që të përdoren nga personat alergjikë, pasi janë kultura shumë të përshtatshme, ku mund të zhvillohen më së miri ngacmuesit që shkaktojnë alergji. Gjithashtu, edhe çaji i kamomilit nuk duhet të përdoret pasi e vë trupin në gjumë dhe ndërkohë fitojnë terren e shumohen mikroorganizmat që shkaktojnë alergji.

Në rastet kur individët kanë bllokim të sipërm të rrugëve të frymëmarrjes, pra të hundës, atëherë duhet të përdorin vajin e dafinës, i cili ka efekte të mrekullueshme në luftimin e alergjisë, pasi përmban flavonoide që minimizojnë irritimet. Njerëzit që kanë lotim të syve nga alergjia duhet t’i shpëlajnë fillimisht me ujë të ftohtë, ose me çajin e cianës, e pas kësaj të bëjë një lyerje nga jashtë me hudhër, ndërsa në rastet e kollës së thatë duhet të përdoret lulja e thundërmushkës apo propolisi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.