MILOSAO

Aristoteli dhe Aleksandri i Madh: çfarë marrëdhënie?

14:00 - 01.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Prof.Dr. Gjergj Sinani – Marrëdhënia e Aristotelit me Aleksandrin e Madh kanë përbërë një temë të mprehtë diskutimi që nga autorët e lashtësisë e deri në ditët tona. Përmes një eseje historiko – filozofike, kjo kumtesë synon të sjellë disa prej këtyre diskutimeve që nuk kanë të bëjnë me një marrëdhënie ndërmjet mësuesit dhe nxënësit, por edhe një marrëdhënie ndërmjet mjeshtrit më të madh të mendimit të lashtësisë me një sovran që ndikoi më shumë se kushdo në përhapjen e helenizmit nga Europa në Azi. Duke u bazuar në veprën e Diogjen Laercit dhe historianëve si Plutaku, Diodori i Siçilisë apo Arrieni, kjo ese synon më shumë në paraqitjen e diskutimeve që kanë ngritur këta autorë në mendimin historik dhe filozofik. Ndoshta Aristoteli gjeti te Aleksandri një nxënës më të denjë se ai kur Platoni dështoi ta gjente te Dionisi, siç theksonte Hegeli.
Dy personalitete, dy ngjarje të mëdha të antikitetit grek. I pari, një nga formuesit më të mëdhenj të të menduarit perëndimor, i dyti, përhapësi i kulturës helene nga Europa në Azi. Në të njëjtën kohë jeta dhe vepra e tyre është mbushur me aq shumë legjenda dhe fantazi, të cilat kanë ngjallur shumë pyetje dhe diskutime, sa historia dhe filozofia nuk kanë reshtur së marruri me ta. Se cila është madhështia dhe rëndësia e Aristotelit, mjafton të sjellim vlerësimin e Hegelit: “Në qoftë se do të merret seriozisht filozofia, asgjë nuk do të vlente më shumë se sa të bëje një kurs për Aristotelin. Kjo për mënyrën e grumbullimit në një koncept që dëshmon madhështinë dhe mjeshtërinë e Aristotelit, ashtu edhe në thjeshtësinë e këndvështrimit të tij, me mënyrën e tij për të gjykuar me pak fjalë”1.
Sfida që shtrohet është: si shikohet kjo marrëdhënie nga pikëpamja historike dhe si shikohet nga pikëpamja e filozofisë së historisë?
Me Aleksandrin lidhet periudha helenistike, që tradicionalisht cilëson periudhën e historisë greke që shtrihet nga Aleksandri i Madh, maqedonasi, deri në dominimin romak, pra fundin e shek.IV para Krishtit deri në fund të shek.I pas Krishtit. Në sajë të ekspeditës së jashtëzakonshme të Aleksandrit, që do e shtrinte ndikimin grek nga Egjipti në Samarkand dhe në Tashkent dhe deri në Indus, hapet një epokë e re në historinë perëndimore. Kjo është epoka e shkëmbimeve intensive tregtare jo vetëm me Azinë qendrore, por edhe me Kinën, Afrikën si dhe me Europën perëndimore. Traditat, idetë, fetë, kulturat do të përzihen dhe ky takim do të lerë një gjurmë të pashlyeshme në kulturën perëndimore2.
Por, cila ka qenë jeta, vepra dhe bashkëpunimi i tyre? Në tekstet e historisë së filozofisë mësojmë se Aristoteli lindi në Stagira rreth vitit 384 para Krishtit. Babai i tij, Nikomaku, duke qenë mjeku personal i mbretit Amintas III, babait të Filipit, pati rastin të qëndronte shumë herët në oborrin mbretëror maqedonas dhe lidhi miqësi shumë herët me Antipatros, fisnik maqedonas. Diogjen Laerci, te i cili janë mbështetur shumë autorë mbi jetën e filozofëve grekë, e fillon kështu jetëshkrimin mbi Aristotelin. “Aristoteli, djali i Nikomakut, me origjinë nga Stagira. Përsa i takon Nikomakut, ai rridhte nga Nikomaku, djali i Makaonit, djalë i Asclepsios, sipas asaj që thotë Hermipe në veprën e tij Mbi Aristotelin dhe jetoi tek Amintas, mbreti i Maqedonasve te i cili shërbente si mjek dhe mik. Ai (Aristoteli) është dishepulli më autentik i Platonit. Portreti fizik. Ai kishte një qime në gjuhë, siç thotë Timothe Athinasi në traktatin e tij Mbi jetët. Por thuhet gjithashtu se ai i kishte këmbët të dobëta dhe sytë të vegjël, se ai mbante një veshtje që binte shumë në sy, unaza dhe flokë të shkurtra. Ai pati gjithashtu për djalë Nikomakun nga konkubina e tij Herpyllis, siç na thotë Timotheu”3. Pasi ndoqi për 20 vjet (367-347) mësimet e Platonit te Akademia dhe pasi jetoi disa kohë në oborrin e mbretit tiran-filozof Hermias i Atarnesë, ku u martua me mbesën e këtij të fundit, ai u zgjodh nga Filipi si preceptor i Aleksandrit. Duket se ky post duhet të ketë ngjallur një konkurrencë të ashpër, pasi Izokrati, një orator i famshëm që i dërgoi një letër Filipit ku i këshillonte që të bashkonte të gjithë grekët dhe ta drejtonte politikën pushtuese drejt Azisë, i kishte rekomanduar Filipit nxënësin e tij Teopompin e Kios si preceptor të Aleksandrit.
Te Hegeli lexojmë: “Aristoteli është me origjinë nga Stagira mbi gjirin strimoniak dhe koloni greke; pra është një grek nga lindja, megjithëse ishte nga Thraka. Kjo koloni greke ra në këtë kohë nën sundimin e Filipit të Maqedonisë, ashtu si dhe pjesa tjetër e vendit”4. Më pas Hegeli ndjek po ato që thotë D. Laerci. Këtu dalin disa pyetje. Pse duhej që Hegeli t’i mëshonte idesë se Aristoteli ishte grek? Nuk duhet të harrojmë se Hegeli jetonte në një kohë kur politika dhe mendimi europian po luftonin për pavarësinë e Greqisë nga sundimi otoman dhe duhej ngritur ndërgjegjja nacionale greke. Shumë autorë nuk përmendin se aty kishte një koloni greke. Dalin disa pyetje: Pse babai i Filipit do të merrte si mjek dhe mik personal babanë e Aristotelit, nëse ai do të vinte nga një koloni greke në Stagira? Po të ishte kështu, Diogjen Laerci nuk do të ngurronte që ta theksonte origjinën greke të Aristotelit? Kur Laerci shkruan se ai kishte një “qime në gjuhë”, nga shumë studiues shihet si një tregues që ai nuk e fliste shumë qartë gjuhën greke.
Një fakt tjetër që ka ngjallur shumë diskutime është testament i Aristotelit që na sjell D. Laerci, ku Aristoteli nuk e përmend se kujt duhej t’i përkiste Liceu. Ai ja ngarkoi zbatimin e testamentit Antipatros dhe Nikanorit, djalit të Antipatros, fisnikë maqedonas, dhe disa emra të tjerë për të cilët nuk ka të dhëna. Antipatros, pas nisjes së fushatës së Aleksandrit, mbeti regjent për Maqedoninë, në mungesë të mbretit. Data e testamentit, pas vdekjes së Aleksandrit, përkon me periudhën kur Antipatros mori drejtimin e Maqedonisë. Gjesti i Aristotelit shikohet nga komentuesit e shumtë si një shenjë miqësie ndaj Antipatros, por mund të ketë dhe arsye të tjera. Në një shënim për këtë fakt, autorët e ribotimit të veprës së D. Laercit sjellin këtë shpjegim: “Opinioni i pranuar përgjithësisht sot është se ligji athinas ja ndalonte Aristotelit, për shkak të statusit si “metek”, domethënë resident i huaj, që të zotëronte dhe, pra, që të linte trashëgim gjë tjetër veçse pasuri të tundshme”5. Ndërsa në një shënim shtesë në fund të librit V të D. Laercit lexojmë: “Testamenti duhet interpretuar në kuadrin e legjislacionit (athinas, por Aristoteli nuk ishte athinas dhe, testamenti me gjasë duke qenë posteriori nga tërheqja në Chalcis, ekzekutimi i tij nuk do të varej nga ligji athinas)…”6. Atëherë, nga gjithë këto diskutime me të drejtë shtrohet pyetja, cila është origjina e Aristotelit?
Diogjen Laerci, në një kronologji të shkurtër të jetës së Aristotelit na thotë se në periudhën e sundimit të arkonatit të Pitodotit, “ai shkoi te Filipi, vitin e dytë të Olimpiadës së 109, (343-342 para Krishtit kur Aleksandri ishte 13 vjeç, Gj.S.), ndërkohë që Aleksandri ishte 15 vjeç… Për më tepër, thuhet se ai i rekomandoi Aleksandrit Kalistenin, por ai e ofendoi mbretin dhe se ky, për ta shmangur, nga njera anë dalloi Anaksimenin dhe, nga ana tjetër, i dërgoi dhurata Ksenokratit”7. Kalisteni ishte nipi i Aristotelit.
Sipas historisë Filipi i vendosi mjeshtrin dhe nxënësin e tij në një rezidencë afër oborrit mbretëror në Miéza. Fatkeqësisht nuk dihet se çfarë mësimesh i dha Aristoteli nxënësit të vet. Ajo që dihet me siguri është se Aristoteli, duke ndjekur traditën greke dhe duke u larguar nga preceptet e Platonit, i kushtoi një rëndësi të veçantë poezisë dhe pikërisht Homerit. Ai vuri në dispozicion të Aleksandrit një botim të Iliadës, të cilën Aleksandri nuk e ndau nga vetja edhe gjatë fushatave të tij, të cilën e mbante poshtë jastëkut së bashku me shpatën e vet, na thotë Plutarku. Mësimi i Aristotelit mbaroi rreth vitit 340 para Krishtit kur Aleksandri ishte 16 vjeç dhe Filipi i caktoi të birit detyra administrative dhe ushtarake. Aristoteli, pasi qëndroi disa kohë në Stagirë, në 335 u vendos në Athinë dhe formoi shkollën e vet të filozofisë si rivale të Akademisë. Edhe për këtë fakt ka shumë diskutime. Diogjen Laerci na thotë se kur Platoni mësoi që Aristoteli formoi shkollën e vet është shprehur: “Aristoteli na lëshoi një vickël kali, siç bëjnë, sapo lindin, zogjtë e pulës me nënën e tyre”. “Hermipi thotë të Jetët, vazhdon Laerci, se kjo ndodhi në momentin kur Aristoteli ishte pjesë e ambasadës që shkoi te Filipi për athinasit kur Ksenokrati (Izokrati, Gj.S.) u vendos në krye të Akademisë; kur ai u kthye dhe e pa shkollën nën drejtimin e një tjetri, ai zgjodhi si shkollë një sallë shfaqjesh që ishte vendosur te Liceu dhe, duke shkuar e ardhur deri në orën për t’u mirosur me vaj, ai filozofonte në shoqërinë e dishepujve; prej kësaj vjen që ai u quajt Shëtitës. (Për të tjerë, kjo sepse, duke diskutuar me Aleksandrin çështje të ndryshme, pasi ky i fundit sapo kishte dalë nga një sëmundje, ai bënte shëtitje)”8. Këtu Aristoteli jepte mësime të logjikës, fizikës, zoologjisë, metafizikës, moralit, poetikës dhe retorikës. Në këtë rreth sdudjuesish në Athinë filozofi ndiqte karrierën e nxënësit të vet.




Më në detaje na paraqitet Plutarku ku ja vlen të theksojmë disa momente. “Aleksandri, me sa duket, nuk mësoi vetëm moralin dhe politikën, por ai mori edhe mësime sekrete dhe më të thella që filozofët i cilësojnë posaçërisht si “acroamaike” (mësime të dhëna gojarisht) dhe “epoptike” (që lidhen me iniciacionin) dhe që ata ruhen t’i përhapin. Në fakt, kur Aleksandri kaloi në Azi, kur mësoi se Aristoteli kishte botuar disa libra që trajtonin këto çështje, ai i shkroi në emër të filozofisë një letër shumë të hapur dhe ja teksti: “Aleksandri për Aristotelin, përshëndetje. Ti ke bërë gabim që botove mësimet e tua akroamaike. Sepse në çfarë do të jemi ne superiorë nga të tjerët, në qoftë se doktrinat që ti na ke mësuar bëhen të përbashkëta për të gjithë? Për sa më përket mua, unë më shumë do të preferoja të dallohesha nga njohja e të mirave më të mëdha se sa nga fuqia. Qofshë mirë”. Aristoteli, për të ngushëlluar Aleksandrin për ambicien e tij të zhgënjyer, u justifikua për subjektin e shkrimeve të tij duke thënë se ato ishin botuar pa thelb dhe, në fakt, është e vërtetë se traktati i tij për metafizikën nuk ka asnjë dobi për këdo që dëshiron të mësojë ose të mësohet: ky nuk është gjë tjetër veçse një manual për përdorim nga dishepujt e formuar plotësisht”9. Dija dhe pushteti, çfarë marrëdhënie e ndërlikuar që nga lashtësia e deri më sot, që vazhdon të shqetësojë çdo shoqëri?
Vijon

Shënime
(Footnotes)
1 G.W.F. Hegel, Leçons sur l
’histoire de la philosophie
, T. 3, Vrin, Paris, 1972, f. 513.
2Për më shumë, shiko; Pierre Hadot, Qu’est-ce la philosophie antique, Folio Gallimard, 1995, f. 145-226.
3 Diogè ne Lewrce, Vies et doctrines des philosophes illustres
, La pochotheque, 1999, f. 555.
4 G.W.F. Hegel, Leçons sur l’histoire de la philosophie, Vep. e cituar, f. 500-501.
5 Shënimi 3 në Diogè ne Leë
rce, Vies et doctrines des philosophes illustres, f. 566.
6 Po aty, f. 648.
7 Diogè ne Lewrce, Veper e cituar, f. 564.
8 Diogè ne Lewrce, Veper e cituar, f.556.
9 «Alxandre le Grand, Histoire et dictionnaire», Robert Laffont, Paris, 2004, f. 7.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.