MILOSAO

Harold Bloom ngec në Morinë të Kukësit!?

14:00 - 01.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

MORINË Kufini, shkrim i verbët i shiut.
Drita Ademi




Nga Kujtim Dashi – Sipas të dhënave relativisht të sakta që ka autori i këtij S I N O P S I, Harold BLOOM, i cili ka mbetur sot deri diku si një luftëtar vetmitar në botën e kritikës letrare dhe, që me 11 korrik të këtij viti, do të bëjë 88 vjeç, nuk ka qenë kurrë në Morinë të Kukësit. Kur thuhet kurrë presupozohet se as matanë Drinit dhe as këtej Drinit nuk ka qenë asnjëherë, madje, thuhet se edhe se ku bie ALBANIA (kuptohet edhe Kosova) nuk e di me saktësi të plotë, ose di aq sa informacione dalin sa herë për ALBANIA-n (të copëtuar në pesë shtete) në brigjet mediatike kur ka lajme krizash të rënda, shpesh rrënqethëse dhe ia tërheqin vëmendjen e tij aq të hallakatur ndër studime dhe me interes në rënie për zhvillimet ndërkombëtare. Ai njeri aq i ditur e “kontravers”, kuptohet se nuk është në gjendje të dijë as për numrin e madh të simpatizantëve të tij në këto vise, ose edhe që “hanin bukë”, më saktë thërrime prej sofrës së tij ndonjëri syresh. Pra, as të kritikut ambicioz, ruralist, shpesh herë i nakatosur edhe me politikën e MADHE, e cila një ditë prej ditësh, kur u alternuan dy copat e së njëjtës bajg…pasi kaloi përmes rrota e qerres, pandryshueshmërisht siç nëpërmendte këtu e një shekull më parë At Fishta, e nxori si leshterikë dhe e la pa punë, rrugëve, domethënë pa rrogë. Po jo pa nafakë. Nafakën e gjeti (ose e gjetën ata që ia shihnin fytyrën shpesh në karuselin mediatiko-politik të shtetit amë, tuj “dhanë mend pa hesap” e për gjithçka) përtej Drinit, ku pas LIRISË u zgjua një ambicie e madhe popullore, për t’u bërë shkrimtar, ashtu si më parë (dhe tani njësoj) në shtetin amë, – kur hyri demokracia, më parë kishte pasë hyrë partia dhe, përpara saj, kishin pa hyrë Italia e gjermani, të gjithë hynin e hynin…) kur u modifikua sintagma nga “i gjithë populli ushtar”, në “i gjithë populli shkrimtar”. Në njëfarë mënyre u bë si agjenci (me një person) e licensimit të shkrimtarëve që u duhej të pahiteshin edhe me pak letërsi, që të shquheshin, ose të dilnin edhe më të zot se sa i njihnin më parë mileti, kur ishin nën serbin.

Favoret e kësaj sipërmarrjeje studiuesi a kërtiku (kandidat për të gjitha titujt e çmimet qe jepte dorëshpuari i Presidencës tonë, përveç asaj të “Nënës me shumë fëmijë”) i përmendte vetë, dy kryesoret: BUKA dhe UDHA janë GRATIS. Në konfidencë, dikujt i kishte rënë në dhëmballë dhe e kishin marrë vesh dyzet mëhallë, se organizatorët e promovimeve të librave që vetëm dhuroheshin, duke shkruar autorët e tyre “në qiellin e shtate” autografe sa gazepi mbi gjysmën e frontespicit, se përveç bukës dhe udhës që ishin gratis i jepnin (sigurisht ai i merrte) edhe nga 70-100 euro shpërblim për çdo ligjërim të vëllait të njohur nga Shqipëria, i cili “po na i di vlerat tona mirë e jo si do ksosh prej nesh”. Kështu, po e zgjidhte edhe fatin e keq të papunësisë (më saktë të parrogësisë) së pushtetarëve të radhës të alternuar, që s’ia kishin gjetur asnjë vend karuselistit pa bosht, ose flugerit tipik që kthehej lehtësisht nga frynte era e ngrohtë e pushtetit, prej te cilit priste e priste që t’ia dinte kimetin…Në të vërtetë OJF-të nuk e linin pa gjë, sidomos ajo e kunatit që mbahej në këmbë prej gati njëzet vjetësh, por ai s’ishte mësuar me pikatore…

Por një ditë, për dreq, nuk i eci fati. Është pak të thuash nuk i eci, u alarmua dhe, për pak, desh të kthehej nga udha, sikur mos ta ndihte vullnetarisht një vajzë nga Presheva që studionte në Tiranë për mjekësi (një bukuroshe qe Tanusha!) dhe që e kishte në krah në sedilje të autobuzit. Kërtiku, si këndej dhe matanë Drinit mbante në xhepin e pasmë të pantallonave si një gjimnazist i hallakatur e megaloman një fletore të hollë, në të cilën kishte konspektuar, kryesisht Harold Bloomin dhe me citatet e tij sugjestiononte audiencën, pa për librin që promovohej i mjaftonte të dinte për të pakogjë: vetëm titullin, autorin dhe gjininë dhe nëse ishte veteran i UÇK-së, pas Lirisë, natyrisht. Të tjerat i nxirrte bujarisht Harold Bloomi, pa hesap. Shumëkush e identifikonte kritikun e shquar me më të shquarit liderë amerikanë, që u ishin ndodhur në ditë të vështira si rrallëkush. Kishte një oratori që s’e trembte vetvetja se çfarë bluante mbarë dhe pa orë të hequr nga dora mbi tryezë, për të kontrolluar kohën që kishte në dispozicion. Pak kush mund ta merrte vesh se ku niste Bloom-i e ku kërtiku. Ai bëhej zot i panelit…
Pra, Harold Bloom ngeci atë ditë në Morinë të Kukësit, më saktë në një lokal disa km pa shkuar në kufirin më të çuditshëm në botë shqiptaro-shqiptar (pikërisht kjo e kishte çmeritur H. Bloomin, kur e kishte marrë vesh dhe pat bërë analogji me inekzistencën e kufirit gjermano-gjerman, pas rënies së murit të Berlinit dhe nuk i jepte dot shpjegim kësaj shëmtie), ku autobuzi i linjës u ndal për një pushim të shkurtër. Vetëm, kur kishin kaluar ndonja një km larg Morinit, u kujtua se ç’e kishte gjetur.
Kërtiku i vendosur, të cilin e qetësoi kompetenca e azhurnimi teknologjik dhe gatishmëria e rallë e preshevianës Tanushë, sipas tij, studentes begenisëse, e cila e garantoi Profesorin (vdiste t’i drejtoheshin kështu, megjithëse kishte pamjen e një meci province të lumtur e paksa me bark, që ka RA në Tiranë tash shpejt dhe i dukej, se bota sillej rreth tij e ndonjë libri qe kishte botuar) se me të mbërritur në Prishtinë do të gjente te Biblioteka Kombëtare Universitare një shoqe të saj (na kanë ra të dy baballarët në një ditë e në një vend në Luftën e Kosovës, -shtoi me krenari) me një përkthim translate page, të librit të Harold Bloomit, që i lipsej, pasi sakaq i kishte shkruar sms dhe shoqja e saj kishte nisur nga puna për ta nxjerrë nga sikleti Prof. e preokupuar.
Kështu kërtiku buka dhe udha gratis (ose BUG, pa r) dhe honorari i referimit ose i licensimit nga 70-100 euro, edhe pse Harold Bloom-i ngeci në Morinë të Kukësit, më saktë në një restorant të traditës (dhe kushedi se kujt ia ka ndritë mendjen, nëse e ka ditur se çfarë ka gjetur), ia mbërriti orës së promovimit dhe mahniti audiencën me njohuritë e gjëra, duke garantuar në të njëjtën kohë edhe tre promovime të tjera të njëpasnjëshme buka dhe udha gratis (ose BUG, pa r) dhe honorari i referim-licensimit nga 70-100 euro, një në Prishtinë, një në Gjilan dhe tjetrin në Gjakovë. Ndjehej i lumtur, më lanë pa punë, por jo pa rrogë e nafakë!…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.