KULTURË

Artistët në protestë/ Ndrenika për teatrin: Rama të na lërë të qetë

11:30 - 03.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Ka vijuar edhe dje e hëna e protestës për Teatrin Kombëtar. Aktorë, arkitektë e artistë janë mbledhur sërish kundër shembjes së godinës së TK dhe kundër projektit të prezantuar në mesmars. Prej fillimshkurtit artistët nuk janë tërhequr nga qëndresa e tyre për çështjen, duke dalë kundër bashkisë, ministrisë dhe qeverisë. Kulmi ka arritur dje kur Robert Ndrenika njësoj si në letrën e vitit 2002 i ka kërkuar kryeministrit Rama t’i lërë të qetë aktorët. Më poshtë fjalët e artistëve dje.




Robert Ndrenika
Ky Teatër ishte çerdhja jonë, kopshti jonë, nuk kemi marrë ndonjë rrogë të madhe, e kemi shtyrë me talone e … Por unë shoh që ne në një mendje jemi të gjithë. Ka mendime të ndryshme, por kundër asaj PPP-së, jemi të gjithë në një mendje. Ai donte të bënte një P, me një çiban në kokë priste më ’97. Tani do të na nxjerrë ca çibanë, por jo këtu në kokë, por rreth e rrotull nëpër trup. Unë jam kundër PPP-së, jam u mendimit dhe kam qenë që teatri kombëtar, shtetëror duhet ta bëjë shteti, e ka për detyrë ta bëjë shteti. Në këtë drejtim i bëj thirrje edhe Presidentit të Republikës, të prononcohet në këtë pikë: duhet ta bëjë shteti Teatrin Kombëtar apo jo? Ndërsa PPP-ja po të ketë dëshirë le të bëjë teatro private sa të dojë. Tani ç’mendje kam? E kam parë këto ditë me vëmendje dhe këtë sallë, dhe Eksperimentalin. Kjo që u lye e u mirëmbajt siç e kemi thënë të gjithë, kjo rron. Por edhe për Kombëtarin që nuk është vënë asnjë gozhdë gjatë këtyre 27 vjetëve, unë ju siguroj dhe kjo mund të qëndrojë dhe 70 vjet të tjera, pa vënë asnjë gozhdë. Kam mendimin që ne të presim se edhe një vit apo dy, ne nuk e heqim dot, por ai do të largohet vetë dikur…Ai do të të PPP se s’ka nga shkon. Ne, të presim dhe pastaj të vazhdojmë punën këtu, dhe mbasi kryeministri të PPP-jë, ne të vazhdojmë të bëjmë teatër, e të zgjedhim rrugën tonë. Të paktën të na lërë të qetë.

Vasjan Lami, aktor
Është kënaqësi që në këtë shqetësim tonin nuk po na lini vetëm, dhe arsyeja është madhore, sepse teatri është kombëtar, pra nuk është vetëm i yni. Do të dëshiroja që të kishte më shumë njerëz, veçmas aktorë, sepse kushdo ka përgjegjësi morale dhe artistike, që të prononcohet, të thotë mendimin e tij: çfarë do të bëhet me teatrin? Ky teatër, e kanë thënë shumë mirë edhe arkitektët, se ka vlera historike. Ta shuash është shumë kollaj, ta ruash është po aq kollaj. Unë, si Vasian, jam që të ruhet. Ndërsa, teatrin e ri, le ta bëjnë diku tjetër, sepse është shumë mirë, që qyteti të ketë një teatër të ri. Por, se di deri ku mund të shkojmë me këto mbledhje. Kam mendimin, që të bëjmë një referendum, edhe aty të marrim një vendim popullor.

Alert Çeloaliaj, aktor
Kjo është dëgjesa e katërt për Teatrin Kombëtar, e iniciuar nga Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit, që është kundër shembjes së TK. Tema e kësaj jave është: ‘E drejta qytetare në vendimmarrje’. Këtë e bëjmë për sensibilizim, por edhe për të ditur se cilat do të jenë të drejtat tona në këtë nismë të hapur dhe jo ligjore. Gjëja që po vuajmë në këtë rast është transparenca! Nisma është nisur nga SPAK (Sindikata e Pavarur e Artistëve të Teatrit Kombëtar) dhe është mbështetur nga SASE (Sindikata e Artistëve të Skenës edhe Ekranit). Komisionari i të drejtës së informimit na kthehu një përgjigje që ishte se: “Tashmë, projekti është bërë publik”. Projekti është bërë publik, por ne atje kemi parë vetëm rendera se si do të jetë TK. Më e rëndësishme është që renderat nuk janë një projekt. Vazhdojnë që të na shmangen, prandaj ka mungesë transparence, sepse ne nuk dimë asgjë se si do të jenë sallat, skena, gardëroba, ambientet ndihmëse në TK. Kjo hije mjegulle krijohet nga ata që kanë në dorë projektin edhe ja hedhin njëri-tjetrit si patate, njëherë e ka bashkia, njëherë ministria dhe një herë kryeministria.

Arben Derhemi, aktor
A e kuptoni, sesa e dhimbshme është që vjen një arkitekt dhe na thotë: Vrisni frikën! Neve, aktorëve të Teatrit Kombëtar, që sot jemi kaq pak këtu. Ndërkohë, këtu vijnë artistët Cirkut Kombëtar, të gjithë siç janë, për të mbrojtur territorin e Teatrit Kombëtar. Ndërsa, aktorët e Teatrit Kombëtar edhe aktorët e Teatrit Eksperimental, që duhet të ishin të gjithë këtu sot, për të mbrojtur punën e tyre, dinjitetin dhe personalitetin e tyre karshi një njeriu që po na ç’bën, karshi një arroganti, që nuk i lindi dëshira për të bërë Teatrin e ri, por i lindi dëshira për të bërë pesë-gjashtë-shtat kulla, prandaj erdhi fati i teatrit, që po s’bëhet. Ky njeri nuk kishte ndërmend që të bënte TK. A e kuptoni këtë? Madje, dëshiron që ta zhdukë edhe këtë që është. Të vrasim frikën? Si vritet frika? Të hënën tjetër, ç’di kush nga ne të sjellë edhe 10 apo 50 vetë, edhe do ta vrasim frikën brenda vetes njëherë. Në rast se kemi bërë ndonjë gabim, në rast se kemi mbjellë ndonjë pemë ndonjëherë. Unë, jo! As kam ndërmend që të mbjell. Nëse kemi marrë një lekë gabimisht edhe kemi bërë një biznes gabimisht me këta njerëz, në rast se u kemi thënë frikën gabimisht, duhet që të vrasim frikën me një katarsis brenda vetes sonë. Edhe duhet që të japim fjalën, se nuk bëhet m. Nuk bëhet më në këtë mënyrë! Nuk flitet më me këta njerëz, sepse këta janë një ruspë e madhe, që nuk duan të dinë fare për shpirtin. A e kuptoni, që ai njeri nuk ka shpirt, pasi themeli i shpirtit është familja. Besoj se e kuptoni!

Bashkim Zahaj, skenograf
Mendoj që lëvizja jonë duhet të bëhet në një mjedis të mbyllur, dhe kjo është një e drejtë e Sindikatës dhe nga një kontratë e përbashkët që është aprovuar shumë kohë përpara, dhe institucionet duhet ta respektojnë dhe e kanë detyrim ligjor. Nëse nuk marrim dot një sallë për t’u mbledhur mendoni se sa mund të marrim gjëra të tjera. Mendoj se duhet të bërë një CD që të jetë me xhirime më interesante që janë në arkiv në RTSh me personalitete shumë të shquara, që nuk janë sot midis nesh, ose dhe janë, çfarë kanë thënë për teatrin. Janë xhirime shumë interesante, dhe kjo CD të shpërndahet nëpër institucione, dhe të shfaqet në mrbëmje nga teatri eksperimental për të luajtur në rol tek të rinjtë që nuk e njohin. Duhet të thirren edhe studentët e arkitekturës dhe të arteve. Ne kemi studentë të arkitekturës të jashtëzakonshëm.
Po ashtu duhet të bëhet një bisedë me presidentin nga një grup prej artistëve, për të marrë një mendim prej tij. Dhe e fundit është e pamundur që lëvizje të tilla të mbajnë larg partitë, mendimin opozitar politik. Në të gjithë botën lëvizjet patjetër partitë opozitare janë mbështetëse. Ky është mendimi im personal, dhe nuk e var xhaketën në asnjë parti.

Elvis Hoxha, pedagog
Unë e kam jetuar këtë teatër, dhe pse ai është më i vjetër se unë. Kemi një fat të keq këtu se institucionet jetojnë më pak se njerëzit. Sot më vjen keq, Teatri ka lindur para meje, por shumë institucione që kanë lindur pas meje faktikisht do zhduken para meje. Nuk ka gjë më të hidhur. E dyta, që me vjen tmerrësisht keq është ky lloj kodi që kemi ne, në mendim. Ne kemi një fat shumë të madh sepse kemi pas një kryeministër mjek, dhe një piktor. Ai i pari vrau më 21 janar njerëz, edhe pse si mjek ka betimin e Hipokratit, për të shpëtuar njerëz, pikërisht ai ka shkelur hapur betimin e disiplinës së tij të mjekësisë. Ky kryeministri i tanishëm, që i thotë vetes artist që ka shkelur gjithë kodet e artit, sepse gjatë kohës së tij me mirëmbajtjen e tij, është vrarë kinema republika, 17 Nëntori, stadiumi..- janë vrarë gjithë vendet e artit, kanë përfunduar nën kulla. Akademia e Artit, Teatri i Operës kanë qenë dhuratë prej rusëve kjo do të thotë se gjithë perandoritë na kanë lënë një trashëgimi, dhe njëherë që ne, ndërtojmë shtet për t’i zhdukur gjithë këto gjurmë. Këta janë vrasës serial-killer, dhe më i madh serial killer është Ministria e Kulturës që vrau ish-godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve, dhe tani shkoi të vriste Kinostudion. I prodhojmë këta. T’i akuzosh këta dhe të thuash se mungon frika, por më shumë se frika këtu mungon dashuria. Unë s’kam vend të flas këtu. Këtu duhet të ishin aq shumë artistë. Vetë ata duhej të flisnin, sepse kanë jetuar me djersë. Ne nuk jetojmë me emrat e personazheve tanë. Emri im është i vdekshëm. Këta aktorë kanë jetuar me emrat e personazheve. Nëse ka arritje Shqipëria, është vetëm vënia në skenë e një pjese të Evropës. Në vend që të shtonte sipërfaqen, kryeministri thotë a ka mundësi t’iua vras teatrin. Sa do të vrasin akoma? Sepse këto po vrasin talentet e njeriut. Kjo është të presësh të gjithë talentet që ka njeriu. T’ia vrasësh aktrimin dramaturgjinë, talentin e shkrimit, muzikën, kërcimin… çfarë do të bëhet ky njeri veçse skllav? Këta janë vrasës të një cilësie të veçantë. Këta janë prodhues të skllavërisë, e një teknologjie të rreme, që gënjen shqiptarin, sepse do lodrat, ndonjë Benz Mercedes, nuk i do personazhet historikë, por kullat i do, vetëm të shesë. Ne po jetojmë tragjedinë e artit. Tragjedia ka lindur për ta hequr nga rruga. Ta lexojmë dhimbjen e tragjedisë. E futëm tragjedinë në skenë që të mos prodhohej e keqja mes njerëzimit. Ne po e nxjerrim prap nga skena po e fusim në popull. Ne nuk bëjmë pyetjen përse vriten kaq shumë shqiptarët mes tyre? Po, vriten, sepse ne nuk e shohim tragjedinë në skenë. Ne e rivalizojmë teatrin si disiplinë me ‘Big brother’, ‘Portokollli’, ‘Al bazar’ dhe ashtu siç bëjnë me pronën publike që e lejojmë ta shkatërrojnë, e më pas thonë se shteti nuk e mban dot. Sikur ta mbanin Teatrin gjallë përpara se të vdisnin artistët e mëdhenj, të paktën ata mos ta shohin se si rrënohet jeta e tyre. Të paktën këta të gjorët që prodhuan një ndjenjë ç’kusur kanë…?!

Besnik Aliaj, arkitekt
Jo vetëm për artistët që kanë punuar, kanë jetuar në këtë ndërtesë, por edhe për ne që jemi qytetarët e Tiranës, ky mjedis do të thotë shumë. Unë jam i brezit që ka mbaruar shkollën në 90-ën e them këtë për të theksuar se kam përjetuar një proces ndryshimi e transformimi të madh dhe një revoltë popullore ndaj shtypjes, po e quaj, vënies së shqelmit në fyt, jo se sot jemi në një situatë të njëjtë, por jemi gjithsesi në një situatë regjimi autoritar. Ajo që dua të ndaj me ju është një emocion që kam përjetuar në fillim të vitit 91 dhe ata që e kanë përjetuar, e dinë shumë mirë se për çfarë po flas. Kam qenë në një sallë të TK për të parë një shfaqje të jashtëzakonshme, për herë të parë kthehej Edi Luarasi pas një dëbimi artistik, artist të pranishëm këtu kanë qenë prezent. Ishte rikthimi i “zonjës plakë”, ka qenë një nga ato moment që të rrëqethej mishi nga emocionet, prej fjalëve që artistët thanë së bashku, e që unë skam për ta harruar. Ishte një mesazh i jashtëzakonshëm për publikun, për të bërë ndryshimin e madh që pritej. E solla këtë moment, se të tilla çaste ka pasur shumë në këtë ndërtesë. Pikërisht në këtë ndërtesë që mund t’ju duket e zakonshme në pamje të parë, por që unë iu siguroj se është e jashtëzakonshme. E konfirmoj këtë, edhe si arkitekt, i përket një rryme që bota ka hyrë në modernizëm, racionalizëm, një rryme të veçantë për të cilin vendi ynë ka shumë nevojë, pasi gjithmonë ka shkuar pas stilit rokoko, apo të dekorazioneve që, në fakt, thonë shumë për karakterin tonë. Nuk thonë atë që ne duhet të jemi të drejtpërdrejtë, të përballemi me gjërat. Por unë besoj edhe duke përshkruar emocionin që solla, në atë që quhet shpirti i qytetit, shpirti i hapësirës publike, ajo është një gjë që nuk mund të blihet, nuk ka PPP që mund ta zëvendësojë atë. Ti mund të bësh xham, hekur, mund të bësh arkitekturën më moderne, por ajo nuk ka vlerë përballë shpirtit, i cili është në eter, nuk mundet që ta zëvendësosh me material, me lekë dhe në forma të tilla. Pra, unë dua të them që kjo histori e jashtëzakonshme duhet mbrojtur, duhet ruajtur. Absolutisht që duhet investuar për ta mirëmbajtur sepse nëse është gjendja e tillë, kjo vjen ngaqë nuk është investuar. Në historinë e qytetit ne kemi pasur edhe histori të tjera “spastrimi”, dhe ky qytet si të gjitha vendet e rëndësishme të Evropës Lindore ka kaluar dy moment të rëndësishme spastrimi, atë gjatë ekonomisë së centralizuar të ashtuquajtur komunizëm, se ne, në fakt, nuk e dinim se çfarë ishte, dhe moment tjetër është ai i ekonomisë së tregut që, gjithashtu, nuk e dimë se çfarë është. Është një dhunë që ushtrohet dhe ndaj trashëgimisë ndaj kulturës, ndaj historisë, në mënyrë të qëllimshme dhe gjithçka matet vetëm me metër katrorë, me euro për metër katrorë, me vlerë monetare dhe material dhe asgjë tjetër nuk vlen. Shpirti nuk vlen! Në këtë aspekt doja të nënvizoja pikërisht këtë gjë që nesër kështu siç ka nisur kjo histori rrezikohet. Nisi me atë që quhej “Pazari i vjetër” i Tiranës, ndërkohë që ne sot mund të kishim një thesar me të cilin mund të bënim turizëm, do të kishim trashëgiminë, do t’ua tregonim mysafirëve që vinin, brezave të rinj. Do u tregonim pastaj këto ndërtesa, do tregojmë dhe ne atë çka do mund të lëmë më pas e me radhë. Po ne sot s’kemi çfarë t’u tregojmë! Përse ne nuk kemi, ndryshe nga Greqia, Italia apo edhe fqinjët tanë sllavë, përse ne nuk jemi si të tjerët. Sepse ne historikisht kemi shkatërruar “shpirtin” e qytetit, e hapësirës publike, të kombit dhe kjo bëhet në mënyrë sistematike nga të gjithë pa përjashtim. Ndërkohë që duhet shumë pak dhe ajo që duhet është dashuria për vendin, për qytetin, asgjë tjetër. Mungon dashuria për vendin, nuk ka nevojë që patriotizmin ta tregojmë më fjalë të mëdha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.