KULTURË

I mbijetuari i kampit të Tepelenës: Xhufi mbron të vërtetën kriminale

12:25 - 04.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas deklaratës së Pëllumb Xhufit 1 jave më parë për jetën në kampin e Tepelenës në komunizëm, kanë reaguar të mbijetuarit e kampit. “Kampi i Tepelenës ishte ndoshta kampi më i mirë. Ai i Maliqit ishte më i tmerrshëm. Askush nuk e thotë pse u ngrit ky kamp.




Në këtë kamp u izoluan familjet kryesisht nga veriu”, tha Xhufi. Ai shtoi se, “këta që e kanë promovuar çështjen e këtij kampi, ku është angazhuar edhe Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tepelenës, e kanë quajtur Aushvici shqiptar, kampi i shfarosjes në masë. Po ta dëgjojnë lobet çifute do të tmerrohen, sepse është një banalizim. Unë kam pasur rastin të shoh dokumentet e CIA-s për këtë kamp, që ishin informuar nga njerëz nga brenda. Ata thonë që këta janë familjet e njerëzve të arratisur të sponsorizuar nga Jugosllavia”, – deklaroi Xhufi. Deklaratat e tij kanë shkaktuar lum kritikash.

Nga Shefqet Dobra

Unë kam qenë në atë kamp, nga fillimi, kur shkuam nga Berati deri në ’54-ën. Kur u shkri ai kamp i mallkuar isha njëmbëdhjetë vjeç, gjë e ç’do pëllëmbë të atij vendi. Gjynah të qahemi, s’na paska munguar asgjë, më mirë e paskan ditur ata që nuk kanë qenë atje.
Njerëz të panjohur, që flitnin jo vetëm dialekte, por edhe gjuhë të ndryshme, burra, gra, fëmijë e të vjetër, madje edhe të sëmurë psikikë e sakatë, intelektualë e të pashkollë, i grumbulluan në këto kazerma të mëdha me katër radhe krevatesh, na vendosën partizançe, si lopët në stallat, flinin radhë familje pas familjeje, në ato krevate pa shkëputje. Ky ishte “kampi pushimit” të Tepelenës, ku këta njerëz duhet të mësoheshin të bashkëjetonin me njëri-tjetrin, në mungesë të lirisë dhe me rregullat e ashpra të burgut, por ky nuk ishte një burg sido kudo, jo, jo, ky ishte burg familjar, aty kishte njerëz nga një vjet deri në ndoshta nëntëdhjetë vjet. I rrethuar me tela me gjemba, ruheshin me roje të armatosur. Kjo do ishte jeta e këtyre njerëzve të quajtur fajtorë edhe se asgjë nuk kishin bërë, e të padënuar me ndonjë vendim gjyqësor.

Në foto:  Pëllumb Xhufi

Puna e parë që do bënin këta njerëz, ishte: të grumbullonin predhat që avionët e pushtuesve tanë – për të mos vrarë njerëz të pafajshëm, nuk i kishin hedhur predhat në qytet, por në pyllin e Bençës.
Ne, burra e gra, fëmijë e të vjetër, na vunë t’i grumbullojmë, u bënë aq stiva, sa ai vend dukej si fushë drush, shumë, sidomos fëmijë, u vranë nga ato të mallkuar. E ç’faj kishin pushtuesit se vriteshim ne, ai ruajti qytetarët e Tepelenës, ne na vunë që të vriteshim, nuk ka arsye tjetër; duheshin njerëz të specializuar për atë punë, jo ne. Edhe fusha brenda rrethimit ishte e minuar, shteti ynë nuk e kishin çminosur para se të na grumbullonin ne aty. Ato të mallkuara shpërthenin poshtë këmbëve tona, herë pas here, secila prej tyre merrte një ose më shumë jetë njerëzish, si të qëllonin, kjo ishte: njerëzit të vriten, e fajtor të mos kishte.
Eh, ç’janë kujtimet e vegjëlisë, ato nuk shlyhen kurrë nga kujtesa jonë, ato janë si themeli i shtëpisë që, edhe nëse shtëpia shembet, themelet janë të gatshëm të ngrihen mure tjera dhe vuajtjet e këtyre njerëzve, veçse përsëriteshin nga koha në kohë, gjithnjë më të vështira por, Tepelenën nuk mund ta harrojmë. Pasi mbaroi kjo punë e mallkuar, që u pagua me jetë njerëzish, nënat tona duhet të bënin dy rrugë të ngarkuara me dru, nga mali i Luzatit të furnizonin: mensat, furrat dhe zyrat e qytetit, edhe të kampit- këtu ne na kishin çuar për të bërë “qejf”, për të ngrënë, na jepnin vetëm 400 gramë bukë misri thatë deri në pesëdhjetën.
Por, kishte edhe më keq; në 1950, një ditë, nuk i çuan në punë, na nxorën në fushë që në mëngjes, nuk dini çfarë prisnim, afër drekës, erdhën ca makina me të internuar tjerë nga Cërriku, ata i rreshtuan veç nesh. Pastaj, thirrën të gjithë të ata që ishin në moshë pune, nga kampi ynë, i hipën në makinat që prunë tjerët.
Dita e ndarjes ka qenë dita më e zezë; nënat qanin se, po linin fëmijët në mëshirë të fatit, fëmijët ulërinin, kur prindërit i hipnin në makinat, ishte tamam si kur ndanin shqerrat nga delet, por me një ndryshim, se për shqerrat kujdesej e i kulloste bariu, kurse për ne fëmijët, pleq e të sëmurët nuk kishte më kush të kujdesej.
Ne fëmijët e hanim atë pak bukë që në mbrëmje, pritnim kur të merrnin racionin mbrëmjen tjetër, të hanim, se nuk kishte prind të na e raciononte. Por, bujaria e shtetit nuk mbaronte, kishte punë edhe për ne të vegjlit. Kur vinim nga shkolla, na vinin të pastronim gurët, kur plugohej ekonomia ndihmëse e repartit. Ishte punë e rëndë për ne, t’i nxirrnim nga dheu dhe, t’i largonim me tezgë nga ara, ne ishim edhe të pangrënë, dhe nëse nuk kënaqej polici që na ruante, na dënonin: me birucë, ose na priste racionin e bukës.
Sot duket e pabesueshme, por jemi shumë që akoma jetojmë dhe i mbajmë mend këto mizori të atij kampi “dëfrimi” si thotë historiani i “nderuar” shoku Xhufi.
Kur ishim në Turan, ishin varret e italianëve shumë të rregullt, kurse në kampin e Beçës, ata që u vranë nga predhat ose nga minat, që ishin të mbuluar në fushën para kazermave, nga sëmundjet apo pleqëria, të cilët varroseshin, xhelati, mëkëmbësi i komandantit të madh: toger Hakiu, çdo pranverë, i plugonte. Pra, ne shqiptarët nuk duhet të kishim as varre. Ç’rëndësi kishte për ne, se ishin me tulla kazermat, ne ankoheshim për trajtimin, jo për muret. Në fund, të vdekurit, i varrosën te ura Bençës, atje i lamë, kur na larguan nga ky kampi i “qejfit” por, më vonë, edhe këta, i kishin prishur, dhe e dini pse? Siç më tregonte një plak vendali, në 2010-ën, kur kthehesha nga Greqia, shkova t’i shikoja varret e moshatarëve të mi – plaku kulloste delet aty – ai më pyeti ça po kërkoja; i thash se këtu ka pas ca varre – ai më tha:- Po si mund rrinin ato varre aty more djalë?
– Pse? -i thash unë. Se ata varre ishin dëshmi për ekzistencën e atij burgu. Kur po shkonte Enveri ynë i “dashur” në Gjirokastër, kishte pyetur: – Ç’janë këto varre këtu mo? Janë të atyre të kampit – i kishin thënë.
-Bah!- kishte bërë. Po, përse nuk i kanë prishur akoma? Kur të kthenemi nga Gjirokastra, nuk dua t’i shëkonj më, më kupton apo jo? I plugoni, që mos u duket nam as nishan. Armiqtë tanë, edhe në varr o t’i ndjekë ndëshkimi ynë! – kishte thënë. Dhe brenda asaj dite, i pluguan – tha plaku.
Këta ishin sundimtarët e padinjitet, që hakmerreshin ndaj të pambrojturve, të pafajshmëve – me motivin se këta, ishin fajtorë vetëm se ishin fëmijë, nipa, stërnipa, apo kushërinj të “armiqve” dmth., këta ishin të dënuar bedela. Vetëm në Shqipërinë “demokratike” socialiste apo Shqipërinë lule, kishte tillë. Por ne nuk e paskemi ditur sa rehat paskemi qenë, paska tjerë, që nuk kanë qenë në atë kamp, që e ditkan më mirë nga ne.
Po, si intelektual Pëllumbi, të mbyllë sytë për disa minuta, ta imagjinoj veten të ishte moshën tonë, në atë në atë kamp “rehatllëku”, me nënë, motër e tjerë, të vuante si ne, vetëm se është: djali, nipi, kushëriri apo dhëndër atje ku është dhe të jetonte në ato kushte që ishim ne, si do mund të fliste sot vallë?
Pëllumbi është një nga historianët më të mirë, në mbrojtje të së vërtetës kriminale të asaj kohe. Si historian, e ka për detyrë, në fund të fundit, të lehtësojë barrën e të parëve të tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.