Kronikë

“Kryekuzhinjeri i terroristëve”, hetimet fundosin shqiptarin e ISIS

16:32 - 05.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në Vjenë filloi gjyqi kundër islamistit 19-vjeçar austriako-shqiptar Lorenc K. Sipas aktakuzës ai ka nxitur një dymbëdhjetëvjeçar në Gjermani për të bërë atentat në tregun e krishtlindjeve në Ludwigshafen.




“Shko te tregu i krishtlindjeve, më shumë njerëz”, – qe mesazhi që Lorenz K. i dërgoi dymbëdhjetëvjeçarit Yad A, në nëntor 2016. Yad A. më parë kishte ndërtuar një bombë sipas udhëzimeve që austro-shqiptari Lorenz K. kishte publikuar në internet me pseudonimin “kryekuzhinjeri i terroristëve”.

Me bombën në çantë, Yad A. donte të bënte një atentat vetëvrasës në një kishë protestante në Ludwigshafen. Fat, që rripi me bomba me gozhdë, nuk shpërtheu. Fat që Yad A. e hodhi në gëmushë. Tani Lorenz K. është në bankën e të akuzuarve në Vjenë, ndër të tjera, për nxitje të një akti terrorist dhe përkatësi në një organizatë terroriste e kriminale.

Të mërkurën, më 4 prill 2018, kur filloi procesi nën masa të rrepta sigurie, Lorenz K. pranoi se i është betuar Shtetit Islamik, IS, por jo se ka qenë ai nxitësi i atentatit të dështuar të dymbëdhjetëvjeçarit në Ludwigshafen. Avokati i tij, i cili sikurse gjykatësit dhe prokurorët, nuk pranojnë të përmenden me emër, për shkaqe sigurie, thotë se asokohe 17-vjeçari ka qenë vetë viktimë e ideologjisë së milicisë terroriste. Sipas tij, atij i është “shpëlarë truri” nga një mentor. Akuzat e prokurorisë se ai planifikonte një atentat në Vjenë, për të cilin kishte folur edhe me shokët e vet, avokati i quan “dërdëllitje rinore”.

Prokuroria përfaqëson një tjetër tezë: Sipas saj, i pandehuri ka shërbyer si shembull për djalin dhe se Lorenz K. planifikonte edhe atentate të tjera kundër bazave ushtarake në Gjermani. Nëse akuzat e prokurorisë dalin të vërteta, Lorenz K. mund të dënohet me 15 vjet burg.

Nga ateist në islamist

Lorenz K. nuk ishte i panjohur për drejtësinë vjeneze. Dy herë kishte bërë vjedhje me dhunë, për çfarë deri në tetor 2015 kishte qenë nëntë muaj në burgun e të rinjve, ku, sipas raportimeve të disa mediave, thuhet të ketë ndodhur edhe afrimi i tij me fenë islame.

Pak kohë pasi doli nga burgu ai u konvertua në fenë islame. Një vit më vonë shkoi në Gjermani për t’u martuar sipas ritit islamik me një vajzë 16-vjeçare që e kishte njohur në internet dhe që i përkiste skenës salafiste gjermane. Së bashku me të, dhe një tjetër bashkëpunëtor nga Gjermania, ai kishte planifikuar të bënte atentatet vetëvrasëse. Por i ati i të shoqes, që kishte qenë kundër martesës së tyre, e kishte denoncuar në polici. Edhe dy të tjerët tani janë në arrest në Gjermani.

Sesa besimtar është në të vërtetë Lorenz K, kjo është diskutuar gjerë e gjatë në mediat austriake. Prindërit e tij me prejardhje nga Shqipëria janë ateistë. Në profilin e tij në Facebook, që ende ka afro 600 miq, në postimet e pesë viteve më parë, sheh një 14-vjeçar krenar për prejardhjen e tij shqiptare, por edhe që adhuron dhunën me armë dhe kulturën e gangsterëve. Në atë kohë ai nuk kishte pasur lidhje me fenë islame.

Por radikalizimi i ndodhur më vonë, si pasojë e të cilit ai ndërroi emrin në Sabur Ibn Gharib, duket se është rrënjosur thellë. Sipas organeve zyrtare, as programi që po përdoret aktualisht për çradikalizimin e tij, nuk po tregon rezultat. Në qelinë e tij janë gjetur vizatime kishash të djegura dhe xhihadistë të gatshëm për dhunë. Veç kësaj, thuhet se ka bërë përpjekje të konvertojë edhe të burgosurit e tjerë. Burimi: DW


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.