MILOSAO

Dëshmia e rrallë e 7 prillit të 1939-s, përmes ditarit të postkomandantit Qazim M. Onuzi

09:38 - 08.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Petrit Palushi* – Në librin “Dëshmi e rrallë” (7 Prill 1939), mbas 79 vjetësh botohen materiale nga “Shënime mbi jetëshkrim” të Qazim M. Ahmetit (Onuzi), prej katundit Nangë (Rrethi Kukës).Ato japin kryesisht atmosferë lufte të 7 prillit dramatik të 1939-s, por dhe një jetëshkrim të pasur të Qazim M. Onuzit kur shërbente në Gjandarmërinë shqiptare para dhe pas kësaj kohe, derisa doli në lirim për arsye shëndetësore me 20 Dhjetor të 1939-s.
Qysh në fillim të fletores, autori shpall synimin e vet të kthjellët:
“Në ket tefterë do t’përshkruejmë me ekzaktësi jetëshkrimin t’onë tue cilsue vuejtjet e rinis s’ime gjatë kohës okupacjoneve e revolucjoneve barbarike”.
Fletorja përmban 40 faqe me shënime.
Le të jetë kjo paraqitje e vonuar e shënimeve të Qazim M. Onuzit si një nderim për të dhe shokët e tij që shërbyen në Gjandarmërinë shqiptare dhe njëkohësisht bënë qëndresën antifashiste në Prill të ’39-s.
Historia vonon, siç ka vepruar shumë herë ndër shqiptarët, por nuk harron.
Dhe ata u futën në histori si njerëz të thjeshtë, të pabujë, që do dëshmonin për historinë, por njëkohësisht do i përkisnin asaj gjithmonë e jetë.





***
Qazim M. Onuzi leu në vitin 1907.
Para se të vinte 7 prilli dramatik i ’39-s, kishte shërbye në Gjandarmarinë shqiptare në qytete a qytetza të ndryshme (Sipas tij: “Vendet qi kemi shërbye janë kto: Tropojë, Shkodër, Koplik, Kukës, Dibër, Durrës, Berat, Skrapar, Vlonë, Tepelenë, Korçë, Pogradec dhe Bilisht e Pukë, porse në kto Qendra ma të shumtën në Posta”).
7 Prilli e gjeti postkomandantin Qazim M. Onuzi në përballje me ushtrinë fashiste italiane.
Në shënime jepet qartë atmosfera e prag-luftës dhe më pas e luftës vetë, por nga ana e forcave të Gjandarmërisë shqiptare, në atë përfshirje, me një organizim deri – diku të shrregullt.
Atmosfera është e rëndë.

Informacioni që jepet në këto shënime është i çuditshëm, plot sinqeritet.
Lufta dhe përballja në front shihet nga këndi i një njeriu të thjeshtë, tepër të njerëzishëm, që mundohet të dëshmojë realisht se ç’ndodhi prej fillimit të datës 2 prill, por përqendrohet më tepër në ditën e zezonës të 7 prillit të 1939-s.
Post-komandanti lumjan Qazim Matë Onuzi e dinte detyrën e vet.
Detyra e shenjtë e thirrte me shkue në frontin e betejës pa u shmallë me kënd dhe pa i thënë as lamtumirë kujt.
Se njerëzit e familjes i kishte shumë larg dhe asnjë lajm s’mundi t’u niste. N’asnjë formë, sido ta merrte me mend.
U nis me shokët e vet në front, pa e dijtë mirë se ç’do të sillnin ditët a netët në vijim.
Në front, në Durrës me ba qëndresë kundër Italisë fashiste, pikërisht kundër asaj Italie, ku në Romë (në vitin 1929) kishte ndjekë për tre muaj kursin e karabinierisë.


Tashmë detyra ndaj atdheut tashmë ishte e lartë, sublime, e pandërrueshme me asgjë.
Sipas dëshmisë, “Dhe mbas akshamit, të tri kompanitë që ishna 350 shpirtë si dhe ato të Qarkut (të) Durrësit na shpërndanë nëpër pozicione, dmth., viseve për Qëndresë. Atëherë, vetvetiu u kuptue se konflikti qenka me Italinë, kurse eprorët akoma nuk na jepshin hollsina mbi çeshtjen”.
Është një rrëfim i një post-komandanti të dëshpëruar (krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar të shkruhet përgjithësisht për atë ngjarje, ku rezistenca e qëndrestarëve realë është anashkaluar), të cilin, bashkë me kolegët e tij, eprorët e vendosin në fushën e betejës, por që në mëngjesin e trishtë të 7 Prillit kur “filloi lufta egërsisht”, ai sheh një togkomandant që braktis frontin me dy skuadra, duke lënë shumë gjëra në mëshirë të fatit (“… Pra, sa filloi lufta, iku me dy skuadrat, të parën e të tretën, tue na u largue me kta edhe disa gjindarmë të skuadrës t’ime, ku unë, simbas urdhnit që mvesh ushtarakun, mbajta vendin e caktuem”).
Më pas, postkomandanti Qazim M. Onuzi, edhe pse i plagosur, lihet në vetmi…
Por nuk harron të shënojë në fletore se ia doli që, para se të shtrohet në spital, atë pak armatim që i kish mbetë ta dorëzojë në Komandën e P, të Gjindarmarisë në Tiranë.
Me 21 prill të 1939-s, udhëtoi me aeroplan dhe qëndroi në shtëpi një muaj me leje.
Mbas do kohe, postkomandanti Qazim M. Onuzi, luftëtari i frontit antifashist të 7 Prillit të 1939-s, do kthehej sërishmi në punën e vet, tek zbatonte urdhnat e Komandës P. të Gjindarmërisë (Në rrethin e Pukës, në Komandën e Kryemadhit. Kërkoi daljen në lirim për arsye shëndetësore, por s’i miratohet kërkesa. Transferohet në detyrën e Post-komandantit të Kabashit të Pukës. Me 20 dhjetor të 1939-s del në lirim mbasi kishte krye 14 vjet punë: Në Tropojë, Shkodër, Koplik, Kukës, Dibër, Durrës, Berat, Skrapar, Vlonë, Tepelenë, Korçë, Pogradec dhe Bilisht e Pukë…)
Kthehet në vendlindje, në katundin e vet, Nangë.

***
Asnjëherë në vitet e pasluftës nuk u pa kontributi i këtij njeriu të thjeshtë.
Kishte shërbye në Gjandarmërinë shqiptare në formën më shembullore për 14 vjet rresht, kishte marrë pjesë gjithashtu në rezistencën e 7 Prillit të 1939-s si antifashist i klasit të parë, u plagos në frontin e qëndresës dhe mu për arsye shëndetësore doli në lirim me 20 Dhjetor të 1939-s…
Një vit e një muaj e shtatë ditë para se të vdiste iu ndërpre edhe pensioni si invalid lufte. (Sipas shënimeve të tij: “Kam marrë pension si invalid lufte deri në fund të vitit 1955”)
Asnëherë s’u ankua në jetën e vet për pengesat e vështirësitë.
U rrek ta jetonte jetën ashtu si erdhi, herë të qetë, por më tepër dramatike derisa u nda prej saj në 7 shkurt të 1957-s.

 DËSHMIA E QAZIM M. ONUZIT PËR 7 PRILLIN
E 1939-s

***
Në Bilisht, me datën 2 Prill 1939, na u njoftue prej eprorëve tonë për rregullimin e veshmbathjes, pse gjoja do të shkojmë në Tiranë me festue dit-lindjen e trashigimtarit të Zogut, “Skënder”, mirëpo ndonse edhe eprorët a do të kishin dijeni apo jo mbi çeshtjen që kërcnohesh.
Kurse, mbas dy ditësh u informuem indirekt se nuk ish për lindjen e Princit, por edhe sepse nuk kishim dijeni, e kshtu me 5 Prill në mesditë, vetë i tetmbëdhjeti, me shpejtësi të jashtëzakonshme në dy automobila na nisën për Korçë, ku u bashkuem me fuqinë e gjithë Qarkut të Korçës; në ora 9 të natës allafrânga u mbushën 10 automobila me gjindarmë dhe na nisën në drejtim të Elbasanit, e në të dalë drita mbrritëm (në) Elbasan ku ish bashkue edhe fuqija e atij Qarku e mbasi na ndanë në kompani, na nisën në 20 automobila në drejtim për Durrës, ku mbrritëm në ora nji mbasdite.
E tue ndejtë në nji shesh pranë ku ishin ma parë shkollat e gjindarmëris, në kohë mbrâmje fluturuen në atmosferë përmbi nesh dy skuadra aeroplanësh, por shkakun e tyne se përse nuk na dhanë dijeni eprorët tonë.
Dhe mbas akshamit, të tri kompanitë që ishna 350 shpirtë si dhe ato të Qarkut (të) Durrësit na shpërndanë nëpër pozicione, dmth., viseve për Qëndresë. Atëherë, vetvetiu u kuptue se konflikti qenka me Italinë, kurse eprorët akoma nuk na jepshin hollsina mbi çeshtjen.
Unë isha në kompaninë e tretë dhe togë e tretë dhe se me skuadrën e dytë me zanë vend pranë Agiptit (Depos benzinës) rreth detit ku isha vetë i njimbëdhjeti si dhe skuadra e parë rreth qytetit dhe e treta te Ura e Dajlanit; dhe kshtu po bëjmë vëzhgimet e hapsinës detit, kurse në ora 2 mbasmesnate, u ndigjue qi deti ushtonte tmerrisht pse vijshin flotat italiane, ku vinte tue zmadhue ushtima e detit edhe prej së largu në hapsinën e detit dukeshin dritat e flotave sikur yjt e qiellit, të cilat ishin ma se 25 flota ku dukeshin grykat e topave të tmerrueshëm.

***
Dhe si u afruen në buzë të detit dhe u rreshtuen flotat, në agim të dritës ora 5 e 30 allafrânga të datës 7 prill 1939, filloi lufta egërsisht, mirpo nji toger ushtrije, i cili ish togkomandant, pra sa filloi lufta, iku me dy skuadrat, të parën e të tretën tue na u largue me kta edhe disa gjindarmë të skuadrës t’ime, ku unë, simbas urdhnit që mvesh ushtarakun, mbajta vendin e caktuem pranë Agiptit (Depos benzinës) vetë i gjashti aty ku isha urdhnue.
Si vazhduem për qëndresën mâ se dy orë, kur po merret Durrsi u bombardue prej flotave italiane tmerrisht aq qi u errësue dhe u mbulue djelli nga tymi i gjyleve. Në ket kohë fatkeqësisht më plasi nji predhë (gjyle) topi afër tue na flakrue katër-pesë metra n’ajër e tue u plagosë lehtë në dy kambët e dorën e djathtë si edhe piklim ftyrës e tronditja gjithë gjymtyrës trupore, qi aty kam mbetë i tronditun ma tepër se 15 minuta, si edhe plumbat e mitralozit vijshin si breshën, po nuk pashë damtim prej ktyne vetëm katër plumba më ranë në kapotë që kisha veshun dhe nji m’i ra pushkës afër rezës bajonetës tue m’i prishë pak drunin.
Mbasi u përmenda ku kisha mbetë, pashë shokët qi më ishin largue, u ngrita, mora pushkën dhe u nisa barkas rrethit rrugës dhe i zuna shokët tek Posta e Dajlanit, aty pak sa me pushue ju mbështetëm Postës e menjiherë na i ranë Postës me top dhe e shkatrroi krejt. Qi aty m’u plagos pak edhe nji gjindarm tue i ra nji copë gjyle në kambën e djathtë; edhe kshtu posa u përhap tymi i gjyles qi shkatrroi Postën, menjiherë vrapuem dhe ju mbështetëm ballit të Urës Dajlanit dhe tue na pa qi ishim mbas ksaj na i ranë 6 herë me top urës tue i këputë nji kambë çimentoje. Edhe ktu si u përhap tymi me shum mundim kemi kalue urën e hymë majtas fushës tue ndjekë viset e buta qi të moskërcasin gjylet, dhe me qëllim të mos na bombardojshin aeoroplanët qi na kishin mbulue përsipër ma se dyqind si edhe plumbat vijshin si breshni.
Shokët kaluen Rrashbullin, unë u ndalova në ecje pse zunë me m’u ftohë plagët si dhe më kapi etja. Kshtu, tue u përpjekë me ecë nga pak më panë dhe shtinë edhe katër herë me top, unë rashë barkas afër nji ligate (kënetë) e tri gjyle më kaluen mi krye, e katërta plasi në afërsi përpara edhe më mbuloi gati krejt me dhè tue ma shtypë gjithë trupin.
Si dola te Posta e Rrashbullit aty gjeta nji gjindarm qi m’priste, bashkë me ket hymë në Postë e pimë ujë, e kur duelëm në derë desh na zuni Posta ndër tâ, sepse e shkatrruen me top nga deti.
Shkuem deri në nji farë vendi djathtas, pranë rrugës në fushë janë do baraka ushtarake e disa ushtarë hipshin në nji automobil, por me kto edhe na deri në Rreth-Komandën e Shijakut. Aty gjetëm Rreth-komandantin me dy gjindarmë. Mora bukë edhe 158 fishekë mbasi më ishin mbarue në vijë të luftës, prej 200 copë më kishin mbetë vetëm 36 e bashkë me rreth-komandantin dhe gjindarmët u nisëm në të djathtë të Shijakut e hymë në mal në nji ullishtë se gjoja (të) vijshim nga Tirana. Mirpo, mbasi ndejtëm aty ma se dy orë unë u ligshtova tepër edhe ata u larguen e më lanë vetëm. Edhe unë mbas pak kohe u nisa zhagas dhe rashë në rrugën e madhe, aty mbeta krejt, s’mund eca, por ma vonë erdhi maqina e spitalit ushtarak të Tiranës për të marrë të plagosunit. Më gjetën në rrugë dhe më vunë në maqinë, më dërguen në Tiranë, e dorzova armatimin në Komandën e P. Gjindarmarisë dhe më shtruen në spital, ora 3 mbasdite, të datës 7 prill.
Me 20, po prill, dola nga spitali, qi me 21 (i) hipa aeroplanit dhe erdha në shtëpi me nji muej leje shëndetsije…

SHËNIME TË TJERA

42.
Me 1 Nantuer 1935 na u plotësue rroga me gradën Tetar.
43.
Komanda e P. gjindarmëris me urdhnin Nr. 5149/datë 7. 1. 1935, për arësye shëndetësore na transferoi nga Vlona në Qarkun e Korçës Postkomandant i Pleshishtit të rrethit Pogradecit, ku me 17 Dhjetuer mora Postën në dorzim.
44.
Me 30 Maj 1936, ditën e shtunë vdiq kushrini i parë Cen Sadiku nga nji smundje qi vuejti mbrenda javës si tifo.
45.
Komanda e Qarkut Korçës me shkresën Nr. 5 -20/1, dt. 6. 2. 1937 nga Pleshishti na transferoj Post-komandant i Çërravës, rrrethi i Pogradecit dhe me 2 Mars mora Postën në dorzim.
46.
Me datën 16 Maj 1937 u shpall Kryengritja e Delvinës, e cila u kryesonte prej ish-Ministrit të Mbrendshëm në Shqipni, Et’hem Tota nga Progonati i Kurveleshit, qi u vra bashkë me dy vllaznit e tij.


47.
Me urdhnin Nr. 1254, i datës 10. 6. 1937/1 të Komandës P. gjindarmëris, me 1 Qershuer na u plotësue rroga në gradën Rreshter.
48.
Për arsyna shëndetësore nga Posta e Çeravës kërkova transferim dhe me 22 Korrik 1937 na transferuen në Postën e Qendrës Pogradec, ku për disa kohë zavendësova P. e Qendrës.
49.
Me 8 Shtatuer 1937 shkova me transferim Post – komandant, në Velçan – Mokër (Rrethi i Pogradecit)
Me 24 Tetuer 1937, ditën e djelë u martova me nusen e dytë.
50.
Komanda e P. gjindarmëris me urdhnin Nr. 1580/2, datë 21. 6. 1938 nga Posta Velçan (e Mokrës) na transferoj në Sekretarinë e rrethit Bilishtit po të Qarkut Korçës.
52.
Me datën 10 Shtatuer 1938 kemi fejue (zanë) nusen e Hamdiut në katundin Brrut.
53.
Komanda e P. gjindarmaris me urdhnin Nr. 499/I, datë 6/5/1939, nga rrethi i Bilishtit Korçës na transferoj në Rrethin e Pukës, me shërbim ndihmës i Postës Sakatit.
54.
Me 4 Korrik 1939, nga Sakati shkova në Roje Komandën e Kryemadhit.
55.
Me 8 Gusht 1939, me nji lutje kërkova daljen në lirim për arsyna shëndetsore sepse me urdhnin Nr. 110/60, dt. 11-7-1939, i Komandës Rrethit Pukës na u kërkue ri-qëndresa dhe për 5 vjet shërbim e kshtu tue e pa dobsin e trupit nuk e përsërita mâ ri-qëndresën, por kërkova daljen në lirim.
56.
Me urdhnin Nr. 391/31, dt. 18-10-1939 të Komandës Rrethit Pukës, Roje Komanda e Kryemadhit u suprimue, unë u transferova Post-komandant i Kabashit Pukës.
57.
Në bazë t’urdhnit Komandës
Qarkut
Shkodrës Nr. 189/88, datë 3-12-1939, njoftue me të Komandës Rrethit Pukës Nr. 334/11, datë 5-12-1939, me 20 Dhjetuer dola në lirim, qi gjithë koha e shërbimit kemi plotësue katërmbëdhjet vjet.
58.
Vendet qi kemi shërbye jan(ë) kto: Tropojë, Shkodër, Koplik, Kukës, Dibër, Durrës, Berat, Skrapar, Vlonë, Tepelenë, Korçë, Pogradec dhe Bilisht e Pukë, porse në kto Qendra ma të shumtën në Posta.

*Shkrimtar dhe studiues

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.