Kryesore

Individi shqiptar, Aushvici… Tepelena, dhuna verbale

12:06 - 08.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Në të gjithë debatet që bëhen në vend, lexuesi, shikuesi dhe dëgjuesi kanë perceptimin se jetojmë në dy Shqipëri. Në atë njërën e perceptuar nga të mirët dhe tjetrën të përvijuar nga të këqijtë. Për një fakt të njëjtë dhe gati kategorik, siç mund të jetë dokumenti real, ka interpretime të ndryshme që në fund të debateve shterpë i humbasin kuptimin vetë domethënies së faktit




Aq shumë përflitet dokumenti dhe relativizohet çdo gjë, saqë dhuna verbale që ushtrojnë debatuesit të bën të harrosh vuajtjen dhe tmerrin dhe të bësh protagonizmin. A ka rëndësi se vdiqën 5. 10, 20 apo 30 fëmijë, apo 300 syresh? Jo është Aushvic. Nuk është Aushvic. A duhet t’i gjejë dikush varret e tyre? Kush i vrau? Pse u detyruan të vdisnin?

Shqipëria ka një specifikë interesante sepse çdo organizim shtetar që ka përfaqësuar sistemin ekonomiko-shoqëror i është kundërvënë ashpër dhe pa kushte paraardhësit. Sistemi monarkik nuk i fali paraardhësit, kurse arriti që të izolojë deri me litar çdo sens republikan në vend. Sistemi komunist shkoi më tej: E filloi shkrimin e historisë pas vitit 1944 dhe gjithçka të bërë deri më atëherë e nxiu në mënyrën më bajate. Për të ardhur në vitin 1990, kur të ashtuquajturit demokratë dhe socialistë, si derivate të vërteta të PPSHsë, jo vetëm mohuan gjithçka të bërë para këtyre kohëve, por u përpoqën të ngrenë një realitet tjetër. Maskimi u krye mrekullisht. Brenda ligjërimit politik të ashtuquajtur demokratik, janë sajuar dy grupime, që atakojnë gjithçka që bëhet nga tjetri. Kështu individi shqiptar humbet në një qerthull, që mbushet me lloj-lloj simbolikash, së fundmi për interesa të ngritjes së historisë së persekutimit.

Por, po bëhet kaq e shëmtuar kjo, sa përpjekja për të sjellë në mëndjen e publikut kujtesën e diktaturës ka reflektuar nulitetin total ndaj qasjes së problematikës. Dosjet e hapura, deri më tani, thjesht kanë treguar gjëra të stërpara dhe të stërdëgjuara megjithë zhurmën e shumë individëve për t’u evidentuar. Ndërkohë, në këtë angazhim sot e kësaj dite nuk është bërë gjë me të zhdukurit, ashtu si nuk dihen për shumë nga gjërat që lidhen me të pushkatuarit etj. Derivatet e PPSH-së nuk mund të shkonin më shumë se kaq edhe në parashimin më të mirë. Pasojat e kësaj tollovie është sot fakti sesi identifikohen simbolet e keqes në vend. Kohë më parë, tifozët e ekipit sportiv të Tiranës për të shprehur armiqësinë me tifozët kundërshtarë të “Partizanit” do të shkruanin një një banderolë të madhe: “Juve jeni për në Aushvic”. Pa marrë parasysh faktin që ky episod kaloi pothuaj pa asnjë telash për tifozerinë, ajo zbuloi mentalitetin sesi përshkruhet dhe si identifikohet tmerri i këtij simboli në Shqipëri. Mbi të gjitha si evidentohet tjetri, madje edhe kur ai është një njësoj ose pjesë e një areali.

Në kohën e tij, Hitleri, njeriu që ndryshoi për keq fatin e Botës në dekadat e para të shekullit XX, shprehej: Dy botë përballen me njëri-tjetrin – njerëzit e Perëndisë dhe njerëzit e Satanait! Hebreu është anti-njeri, krijesa e një Zoti tjetër. Duhet të ketë ardhur nga një rrënjë tjetër e racës njerëzore….Të dy rrënjët janë aq të ndara saç është vetë njeriu dhe kafshët. Jo se unë do ta quaja hebreun një kafshë. Ai është shumë më larg edhe nga vetë kafshët. Ai është një krijesë jashtë dhe krejt i huaj edhe për natyrën”. Fjalë lunatike, por atëkohë të denja për të ndryshuar fatet e botës dhe për të ngritur një popull të tërë pas një ideologjie racash.

Duket se sfida e kujtesës në vendin tonë është mirëfilli antropologjike dhe kurdo në Shqipëri, qoftë në Demokraci, ekziston gati një ndarje antropologjike: Ata dhe Ne. Për fat të keq nga një i njëjti brum. Komunistët bënë të njëjtën gjë, kur vunë në funksion të gjithë artin dhe letërsinë për të përshkruar se ata (lexo: klasat e përmbysura prej tij ishin me probleme!) ishin krejt ndryshe, nuk ishin si të zgjedhurit. Për Arendt-in  një nga kritiket më të thella të nazizmit, theksohej se regjimi totalitar ka shkatërruar mundësinë e veprimit politik, duke i privuar viktimat e saj nga statusi antropologjik i qenieve njerëzore, fakt që përbën veçantinë e tmerrshme të Holokaustit. Dhe, aq e theksuar ishte kjo, saqë esencën e Holokaustit nuk e vë askush në numrin e viktimave, madje edhe në përdorimin e teknologjisë apo dhe burokracinë për ta zbatuar atë, por në sulmin e saj antropologjik, ‘duke i bërë qeniet njerëzore të dukeshin si qenie njerëzore janë të tepërta ‘, citojmë Arendt.

Larg debateve që po bëhen, por në vëmendjen e njerëzve, nuk duhet të jetë thjesht numri, por mënyra sesi njerëzit e pambrojtur, gratë dhe fëmijët u zhveshën nga koncepti i njeriut. Por, dhuna verbale që ushtrohet nuk e lejon këtë. Lufta e sotme në Shqipëri duket në faktin sesi dhe cili grup mund ta rrëmbejë Aushvicin, ta bëjë të vetin, pa harruar se krejt e jona është simbolika e “Tepelenës” dhe tmerri i saj, që është njësoj i tmerrshëm sa i përket individit shqiptar…me çdo fenomen dhune. Por, dhuna verbale nuk e lejon këtë, ajo do evidentimin e pak njerëzve në kurriz të çdo gjëje. Jemi Ne. Janë Ata.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. lavdi vepres se ENVER HOXHES per luften kunder tradhtarve dhe antishqiptarve te kti vendi , qe luftuan ne kra te pushtusit kunder vendit ton , e me von me agjenturat e huaja UDBse jugosllave dhe ASFALIS greke dhe me agjenturat e tjera kunder shtetit dhe popullit shqiptar , vdekje tradhtarve te kombit.

    Përgjigju ↓