MILOSAO

Tregim/ Festa e divorcit

09:41 - 08.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Po botojmë një tregim të bërë nga gazetarja, që nuk jeton më. Një teknikë e thjeshtë rrëfimi, por që shpreh dhe shumë nga shqetësimet e mëdha që e ndjera mbarte në vetvete…




Nga Arlinda Canaj

Takat e tyre pllaquriteshin në një nga rrugicat e Bllokut ndërsa tegelat e shiut që binin në asfaltin më shik të kryeqytetit ngjanin me sumbulla të argjenda.
-Ç’na ka gjetur në këtë Shqipëri! Soj-soj gjërash do dëgjojmë! Kjo e fundit nuk më kish shkuar kurrë nëpër mendje!
-Mua nuk më bëri dhe aq shumë përshtypje! -iu gjegj Sonja koleges. -Ka shumë familje që t’i kundrosh nga jashtë duken si ikona virtytesh, po aty nuk është e qëndisur dashuria dhe as katër stinët e Botiçellit. Lulëzojnë vetëm interesat materiale.
-Gratë në kohën e sotme llastohen shumë. Mua kështu më duket!
-Ti i mat gjërat me kutin tënd sepse ndjehesh rehat dhe je një grua me fat. Vuajtjet shpirtërore janë më të mëdha se ato materialet. Ato gërryejnë si një minierë që kurrë nuk pasuron shpirtin.
-Unë po iki! Mirupafshim. Ftesën po ta jap ty. Ta kam falur!

Dhe i nxori një ftesë të kuqe ku ishte vizatuar një trëndafil.
……..
Ndërsa dielli lodron mbi dritaren e dhomës, Sonja ulur në poltronë përballë pasqyrës së komosë kundron rrudhat që kishin nisur të shtoheshin. Ndoshta nga e enjtja e javës tjetër i duhet të bënte një seancë tjetër botoksi. Lëkura i ishte ashpërsuar dhe pse e trajtonte me kremra të shtrenjtë. Vetullat ishin lënuar mbi tëmtha dhe buzët ishin kreshpëzuar. Rrudhi hundën. Me një pambuk me solucion largoi gjithë papastërtitë e natës dhe nisi të trukohej ngadalë. Ndërsa vijëzonte lapsin e zi në sy dalloi në pasqyrë krevatin madhështor. Mbulesa e shpërndarë cep më cep me manjakëri, nga ku dalloheshin qartë lulet dhe ngjyrat e përpikta, i shtrembëruan mjekrën.
-Dreqi ta hajë! Viza e konturit të syrit i kishte shkuar shtrembër dhe mori ta fshinte me një pambuk ndërsa shkëlqente krenar dhe pa asnjë rrudhë krevati i saj i martesës. Çdo lule pranvere ishte e kombinuar me jastëçka të vegjël që Sylja i kishte qepur në forma të ndryshme: zemra, trekëndësha, katrorë, vezake dhe lule. Provoi të ngjyej përsëri sytë po i dridhej dora dhe atë herë plot përtesë vendosi ta braktiste tualetin. Mbase kalonte në qendrën e saj estetike dhe kryente ritin e grave në duart e një profesionisteje.
Gruaja i hodhi një sy qesëndisës krevatit dhe më pas hapi dollapin për të zgjedhur veshjen e saj. U vesh ngadalë por dhe në pasqyrën e komosë dalloi shtratin e ngrirë si në një vitrinë reklamash. I cingëriste nervat ai shtrat me pamje perfekte dhe përmbajtje jofunksionale. Aty s’kishte më ofshama dashurie…
…Ajo me të shoqin ishin njohur me shkuesi në vendin e tyre të origjinës në Malësinë e Madhe dhe kishin ardhur prej vitesh në kryeqytet. Iu kujtuan çarçafët e bardhë kambrikë me dantellën e bërë me grep nga ajo që i kish marrë në pajë, çarçafë që të nesërmen e dasmës u varën në degën e kumbullës të gjakosura dhe nëna e saj që qeshte tërë gaz: “Bijë nuk më paske turpëruar”. Ajo kumbull që atë pranverë u tha dhe nuk bëri më fryte. Ustai i fshatit e preu dhe i bëri një ikonë që ajo e mbarte akoma në sallon, të varur. Nuk kishin ndenjur gjatë në farefisni. Ramizi kishte zbritur në Tiranë dhe brenda një viti kish hapur një fabrikë këpucësh që ecte shumë mirë. Bëheshin plot dhjetë vjet në kryeqytet, dhe 11 vjet nga martesa e saj. Ramizi vinte gjithnjë i lodhur nga puna dhe prej tre vjetësh ata e ndanin krevatin vetëm formalisht. Burri me të cilin u martua me shkuesi nuk kish dalë i besës. Fillimisht kish zbuluar aromën e re të parfumit në lëkurën e tij, më pas kishin ardhur mesazhe ndjellëse në celular dhe më pas e vërteta e hidhur. Takohej me një vajzë njëzetvjeçare. Nga ajo ditë e mallkuar kish bërë një pakt të heshtur me veten! Do heshtte! Nuk mund të humbte shtëpinë luksin dhe të mirat materiale që bashkëshorti i saj i siguronte. Zbukurohej, vishej elegante, masazhe, makinë, biznes bukurie, jetë shoqërore me gratë aristokrate të kryeqytetit. Jetë që shumë prej grave shqiptare që rropateshin në punë për 150 mijë lekë e admironin.
-Çile! Eja pak!
Gruaja shërbente prej shumë vjetësh në vilën e tyre dhe ajo ishte e kënaqur shumë me punën e saj. Përveçse ishte një grua meraklije, Çilja ishte e njohur në lagjen e tyre si rrobaqepëse. I zgjidhte tërë merak copat kambrike ose ato të atllasit dhe i sajonte në mënyrën më të mirë të mundshme, asortimentet e saj, duke parë gjithë katalogët e modës për të qenë gjithnjë e kohës.
-Kam një porosi për ty!
-Urdhëro zonjë!
-Dua të më qepësh një palë çarçafë për merak.
-I ke për dhuratë zonjë?
-Po për dhuratë divorci!
-Çfarë!? Uh ç’është ky qamet! Ku ka qepë Sylja ndonjëherë çarçafë për ksi lanetësh.
-Do të të paguaj mirë dhe do të japë dhe një shpërblim. Këto do jenë çarçafët e fundit që do bësh për mua. Dua të ma derdhësh gjithë talentin që ke…! Dua që të jenë më të bukurat. Sepse një grua ka fituar lirinë… dhe dinjitetin e saj!
Gruaja me flokët e thinjura të mbledhura pas kokës, shqeu sytë, dhe për një hop u mbajt në komo. Prej më se 15 vjetësh që kur kishte ardhur demokracia ajo me makinën e dhuruar nga gjyshja, një makinë kineze e rrallë, kryente porositë e gjithë fëmijëve që vinin në jetë, bënte pajën e dhjetëra nuseve dhe nuk i kishte dalë kurrë llafi për keq dhe qepte qefinë me dantella të mrekullueshme. Pajat e saja kur tregoheshin në sy të njerëzisë gjithnjë shquheshin për veçansinë e tyre, sepse nuk i qepte kurrë seri, por gjithnjë me një fantazi të re. Kishte rritur me këtë profesion 6 kalamaqër dhe kishte ngrysur mijëra net për të përfunduar punën shpejt. E kishte pak keq me Avdiun se këto kohët e fundit pinte raki dhe çoku i merrte ndonjë lekë fshehurazi, por ajo gjithnjë ia kishte dalë.
-I dua shpejt, për dy ditë
“Qyqja, ç’më gjeti!” mendoi Sylja me vete. “Si mund ta kundërshtonte zonjën e saj që e mbante me bukë. Por, vallaji, për kshu turpesh nuk qepte dora e saj. Ç’do thoshte lagjja për të. Gratë që ndërsa mblidheshin merreshin me historitë e njëra-tjetrës sikur nuk kishin halle për vete.”

Ndërsa zonja largohej me atë vështrimin krenar dëgjoi kërcimën e derës që mbyllet. Syles i merren këmbët. Një dhimbje në të majtë të kraharorit i merr frymën dhe rrëzohet nëpër shkallë…

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.