SHËNDET

Entela Basha: Si të parandaloni hemorragjitë dhe ishemitë cerebrale

14:00 - 09.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Hemorragjitë apo ishemitë cerebrale janë sëmundjet që shkaktojnë shkallën më të lartë të invaliditetit dhe vdekshmërisë në botë. Tensioni i lartë është një ndër faktorët kryesorë që ndikon në aksidentet vaskulare cerebrale, por pa harruar këtu edhe nivelin jashtë normave të kolesterolit, glicemisë dhe konsumimin e duhanit që ndihmojnë në rritjen e riskut. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në Gazeta Shqiptare, mjekja neurologe, Entela Basha tregon se aksidentet vaskulare cerebrale (AVC) janë një grup sëmundjesh që rriten me shpejtësi me rritjen e moshës, ku 75% e tyre ndodh te personat mbi 65 vjeç. Më tej neurologia shpjegon të gjithë faktorët që ndikojnë në rritjen e riskut, dhe mënyrat e parandalimit të tyre, duke iu bërë thirrje të gjithë atyre që konstatojnë një nga shenjat klinike, që të paraqiten sa më shpejt të jetë e mundur në urgjencë.




Çfarë janë sëmundjet vaskulare cerebrale?
Sëmundjet vaskulare cerebrale sot përfshijnë një ndër grupet më të rëndësishme të sëmundjeve, jo vetëm për shkak të numrit të madh të personave të prekur, por edhe për shkak të shtrirjes së grupmoshave të prekura. Sot shihen raste me aksidente vaskulare cerebrale që nga dekada e tretë e jetës.
Cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e aksidenteve vaskulare cerebrale?
Aksidentet Vaskulare Cerebrale (AVC) shkaktohen nga ndërprerja e furnizimit të trurit me gjak, zakonisht e shkaktuar nga dëmtimi i enëve të gjakut (duke e çarë ose bllokuar). Kjo shkakton mungesën e furnizimit të trurit me oksigjen dhe lëndë të tjera ushqyese duke sjellë si pasojë dëmtimin e tij.

Si grupohen këto sëmundje?
Aksidentet vaskulare cerebrale ndahen në dy grupe të mëdha: ishemike dhe hemorragjike, ku ishemitë cerebrale zënë 80- 85% të rasteve dhe zakonisht shkaktohen si pasojë e mbylljes së një ene gjaku nga një tromb ose embol. Gjithashtu, përveç kësaj dhe ulja e përgjithshme e fluksit të gjakut mund të shkaktojë ishemi të trurit. Ndërsa hemorragjitë cerebrale përfshijnë 15- 20% të rasteve me AVC, zakonisht të shkaktuara nga çarja e një ene gjaku, duke bërë rrjedhje të gjakut në brendësi të trurit ose në hapësirat e cipave të tij. Gjithashtu, 20-40% e njerëzve që pësojnë infarkte të trurit mund të bëjnë dhe transformime hemorragjike të këtyre zonave, deri në një javë pas infarktit te trurit.

Cilat janë kategoritë më të rriskuara nga hemorragjitë apo ishemitë cerebrale?
AVC janë një grup sëmundjesh që rriten me shpejtësi me rritjen e moshës, 75% e AVC ndodh në moshën mbi 65 vjec. Përdorimi i kontraceptivëve në moshat e reja rrit incidencën për të pësuar aksidente vaskulare tek femrat e moshës së re.

Mund të përmendni disa nga simptomat kryesore që paralajmërojnë një aksident vascular cerebral?
Shenjat klinike neurologjike shumë të rëndësishme për t’u vëzhguar dhe për të dyshuar fillimin e një aksidenti vaskular cerebral janë: vështirësi në të kuptuar dhe në të folur, konfuzion, vështirësi në gjetjen e fjalëve; paralizë të një ane të fytyrës dhe të trupit, mpirje dhe rëndim të dorës dhe të këmbës së një ane; ulje të pamjes në njërin sy ose në të dy, apo dhe dyfishim të pamjes; dhimbje të forta të kokës, të vjella, ndonjëherë e shoqëruar me humbje të vetëdijes. Gjithashtu, edhe humbja e ekuilibrit deri në pamundësi për të ecur e vështirësia në gëlltitje janë shenja paralajmëruese të një aksidenti vascular cerebral.

Si bëhet diagnostikimi i këtyre sëmundjeve?
Spektri i diagnostikimit dhe i trajtimit të sëmundjeve vaskulare cerebrale në ditët e sotme është zgjeruar shumë duke përfshirë jo vetëm trajtimet terapeutike medikamentoze. Diagnostikimi në kohën e duhur lë hapësirë për trajtime medikamentoze më specifike dhe trajtime endovaskulare intracerebrale. Këto metoda trajtimi ndihmojnë ndjeshëm jo vetëm në mënyrën e trajtimit të sëmundjes por ndikojnë dhe në uljen e shkallës së invaliditetit dhe vdekshmërisë kur dihet që këto sëmundje hyjnë tek sëmundjet që shkaktojnë shkallën më të lartë të invaliditetit dhe vdekshmërisë në botë. Paraqitja sa më herët në urgjencë, brenda 3 orëve të para të instalimit të shenjave neurologjike bën të mundur sot dhe në Shqipëri kryerjen e një procedure duke ofruar një mundësi për pakësimin apo dhe eliminimin e deficiteve neurologjike. Vendimi dhe kryerja e trombolizës bëhet nga mjekët specialistë, pasi jo të gjithë rastet mund të jenë përfitues të procedurës.

Cilat janë masat parandaluese që duhet të marrë personi i sëmurë?
Është e rëndësishme të kontaktoni me një mjek specialist neurolog nëse vini re një nga shenjat që përmendëm. Kontrolli i tensionit të lartë është një ndër faktorët më të rëndësishëm në parandalimin e aksidenteve vaskulare. Ushtrimet fizike, eliminimi dhe menaxhimi i stresit, mbajtja e një diete të shëndetshme, eliminimi i kripës apo alkoolit, si dhe përdorimi i medikamenteve antihipeter tensive, me këshillën e mjekëve specialistë mund të bëjnë një monitorim shumë të mirë të vlerave të tensionit duke mbajtur nën kontroll kështu faktorin më të rëndësishëm të shkakut të aksidenteve vaskulare. Gjithashtu, edhe ulja e sasisë së kolesterolit dhe yndyrave të saturuara; eliminimi i duhanit dhe monitorimi i vlerave të glicemisë ndihmon në uljen e riskut.

Faktorët e riskut të aksidenteve vaskulare cerebrale:

Faktorët e mënyrës së jetesës
Mbipesha, obeziteti
Mungesa e aktivitetit fizik
Përdorimi i alkoolit
Përdorimi i substancave, drogave, amphetamines.

Faktorët mjekësorë
Hipertensioni arterial
Përdorimi i duhanit ose ekspozimi ndaj përdoruesve të duhanit
Kolesteroli i lartë
Diabeti Mellitus
Apneja e gjumit
Sëmundjet kardiovaskulare, duke përfshirë insuficiencën e zemrës, defekte të lindura zemrës, infeksione të zemrës (endokarditet) apo çrregullime të ritmit të zemrës
Personat që kanë histori personale dhe /ose familjare kanë risk më të shtuar për të bërë AVC ishemike ose hemorragjike

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.