KULTURË

A po politizohet protesta?! Artistët: Rama e Kumbaro na shmangin, do takojmë Ruçin!

13:45 - 11.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Në më shumë se dy muaj protestë për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, artistët nuk janë stepur para asgjëje: as nga braktisja e kolegëve, as nga fyerja e heshtja e qeverisë, sikundër e kanë quajtur. Përpjekjet për t’i përçarë, sipas modelit, ‘përça e sundo’, nuk kanë munguar, madje njëherë, ia dolën. Por, nuk zgjati shumë. Ata u ribashkuan, e tani, më të ashpër se më parë, më të vendosur se më parë, edhe pse për shumëkënd, që nuk i ndjek nga afër, duket sikur luftojnë me mullinjtë e erës.




Së fundmi, ata kanë takuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulëzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Këto, janë takime të javës së fundit, në një hark të shkurtër kohor, për çka, është krijuar një farë ideje, se çështja e teatrit, më shumë se një çështje që do zgjidhje, po bëhet pjesë e diskursit politik, duke politizuar edhe qëllimet e artistëve. E për sa më lart, politizimi, jo gjithnjë u shërben kauzave, më shumë se u shërben, i bën pis.
Kur marrëdhënia e ngrirë me qeverinë vazhdon, në një kohë që qeveria hesht, e artistët ngrënë zërin çdo ditë, përshtypja se protesta po futet në hulli të gabuar, veçse sa doli në pah.

Po pse artistët po i takojnë politikanët?
Aktori Arben Derhemi, kryetar i sindikatës së aktorëve të TK-së, tha dje për “GSh” se i takojnë “Për të lobuar në parlament për çështjen e teatrit për të bërë politikat e teatrit para se të vijë dikush tjetër dhe të gjendemi si gjithmonë në fillim të diçkaje, për të bërë një ligj që do t’i japë fund ecejakeve tallëse të politikës për një artist, për të lobuar për statusin e artistit dhe të godinës së Teatrit Kombëtar”. I pyetur për arsyet që i janë qasur figurave politike, ai tha se e bëjnë këtë, sepse “nuk duam që dikush nesër a pasnesër të na thotë: kam çuar 500 email-e, por ju s’dini gjë. Do kërkojmë takim edhe me kryetarin e Kuvendit dhe atë të PDIU-së si parti parlamentare”.


Për të njëjtën çështje, është pyetur edhe Kastriot Çipi, i cili u përgjigjet në këtë intervistë, pyetjeve të “GSH”, si më poshtë.
– Zoti Çipi, këto ditë artistët kanë takuar figura politike si Presidenti Meta, Monika Kryemadhi e Lulzim Basha. Pse i keni takuar? Çfarë prisni prej tyre?
Takimet me Metën, Bashën dhe Kryemadhin janë vazhdimi i një serie, që ka nisur me Avokatin e Popullit dhe do të vazhdojë me takimin me Ruçin dhe një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar për Edukimin.
Të gjitha këto takime vlejnë për të paraqitur pikëpamjet tona ndaj çështjeve të rikonstruksionit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental, ligjit për artin dhe kulturën dhe buxhetit të Ministrisë së Kulturës. Prej tyre presim reagim institucional, në përputhje me statusin e gjithsecilit.
– A nuk po e politizoni protestën?
Nuk e kuptoj pse e quani këtë “politizim”. Të këta individë përfaqësojnë institucione të shtetit shqiptar, ashtu si edhe Kumbaro e Rama. Edhe me këta të fundit do të donim të takoheshin, por ata vazhdojnë ta refuzojnë dialogun me ne. Çfarë duhet të bëjmë? Të lejojmë disa politikanë të abuzojnë me pushtetin e tyre dhe të refuzojmë dialogun me të tjerët, që të mos “politizohemi”?
– A nuk mendoni se do përdoreni nga politika?
Kjo pyetje është vazhdim i pyetjes së mëparshme. A do të na përdorë politika ne, apo do ta përdorim ne politikën, kjo mbetet për t’u parë. Nëse Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental nuk shemben, por rikonstruktohen, nëse buxheti i ministrisë katërfishohet, duke u barazuar me atë të Maqedonisë dhe, nëse për artin apo teatrin bëhet një ligj i mirë, do të jem shumë i lumtur të më quani “i përdorur” nga politika.


– Çdo të hënë një takim, deri kur? Si do vijojë protesta?
Protesta do të vazhdojë derisa qeveria të heqë dorë nga arroganca dhe të pranojë dialogun. Protestat do të shpeshtohen dhe do të intensifikohen dhe nuk do të mbeten brenda sheshi të Teatrit. Paralelisht me protestat do të vazhdojmë debatin në media dhe denoncimin e shkeljeve ligjore të Ramës dhe Kumbaros.
– A keni pasur kontakte me qeverinë, bashkinë a ministrinë?
Bashkisë i kemi kërkuar informacion me shkrim dhe na është refuzuar po me shkrim kjo e drejtë ligjore. Ministria e Kulturës, siç ju thashë, prej dy muajsh e refuzon dialogun. Ndërsa qeverisë nuk kemi marrë mundimin t’i kërkojmë asgjë, sepse na ka mjaftuar mesazhi që na ka dhënë Ministria e Kulturës.
– Kolegët që nuk mendojnë si ju, ata që e pëlqyen projektin e qeverisë, çfarë ju kanë thënë për protestën?
Ata pak kolegë që e kanë pëlqyer projektin ukrainas të plagjiaturistit Ingels nuk kanë marrë pjesë në protesta. Nuk i kemi pyetur dhe ata nuk na kanë bërë ndonjë koment. Është e drejta e tyre të bëhen me qeverinë, siç është e drejta jonë të jemi kundër qeverisë në këtë çështje.
Zgjidhja ideale, që do t’i bënte të gjithë palët të lumtur, do të ishte të rindërtohej Teatri Kombëtar dhe të ndërtohej edhe teatri ukrainas i Ingelsit dhe pastaj artistët të ndahen në dy grupe dhe të punojnë secili grup në teatrin e tyre të preferuar. Unë do ta nënshkruaja nesër një peticion të tillë. Le të shpresojmë se do ta nënshkruanin edhe ata.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.