Kryesore

Del raporti dëshpërues për Teatrin Kombëtar: Duhet ndërhyrë në themele

08:30 - 13.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Vihen re përkulje dhe dëmtime në disa zona të soletës, paraqiten degradime lokale, në disa elemente druri vihen re deformime të dukshme dhe kalbje, po ashtu vihen re dëmtime në një pjesë të pllakave. Vende-vende betoni është i dëmtuar. Në pjesët e zbuluara vihet re dukuria e segregacionit të betonit, kjo dukuri ndikon jo vetëm në aftësinë mbajtëse të betonit, por edhe në lidhjen beton-çelik. Në pjesët e zbuluara është i dukshëm korrodimi i çelikut… çka zvogëlon aftësinë mbajtëse të shufrave. KONKLUZION: Riparimi i objektit dhe sjella në kushtet teknike të sotme përbën një vështirësi. Ajo kërkon kosto të larta, disa herë më tepër se kostoja minimale fiskale dhe një ndërhyrje rrënjësore në 90% të objektit. Kërkon ndërhyrje në themele, në strukturën mbajtëse të objektit, në çatinë e objektit si edhe në soletat e ndërkateve. Ndërhyrja sado e madhe të jetë në objekt, nuk e sjell në kushtet optimale teknike të sotme sipas kodeve të projektimit”.




Është ky konkluzioni i një inspektimi në terren, i bërë nga grupi i punës së Institutit të Ndërtimit për Teatrin Kombëtar.
Raporti i përbërë prej 12 faqesh analizon në detaje të gjitha problematikat e godinës, nga çatia, te themelet, nga betoni te çimento.
Teksa e ka publikuar regjisori Kastriot Çipi, ish-drejtor i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ka shkruar se: “Raporti i Institutit të Ndërtimit përgënjeshtron drejtorin e TK, Hervin Çuli, drejtoren e IMK Arta Dollani dhe ministren e Kulturës Mirela Kumbaro! Në asnjë rresht nuk provohet rreziku i shembjes dhe zjarrit! Përkundrazi, raporti është akuzë për shpërdorim detyre nga këta zyrtarë publikë, që prej më shumë se katër vjetësh nuk kanë marrë asnjë masë për mirëmbajtjen e ndërtesës”!
Duket se Çipi i referohet asaj pjese të raportit, ku thuhet se, “sipas shkallës së qëndrueshmërisë ndaj zjarrit të ndërtesave dhe të veprave të artit, grupet e djegshmërisë dhe kufijtë minimalë të qëndrueshmërisë së pjesëve të ndërtesës ndaj zjarrit janë për rastin e godinës së teatrit, kategoria IV, pra vështirësisht të djegshme (nga 5 kategori që ka rregullorja e Policisë së Zjarrfikësve e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi). Po aty sqarohet se shkalla vështirësisht të djegshme do të thotë që: nën ndikimin e zjarrit ose të temperaturës së lartë flakërohen me vështirësi, digjen si prush, ose karbonizohen dhe vazhdojnë të digjen vetëm në prani të burimit të zjarrit e pas heqjes së burimit të zjarrit, menjëherë ndërpritet djegia.

I njëjti raport, i firmosur nga Agron Hysenlliu, Gramos Dushku, Anila Xhahysa, Stela Bita, Arjan Çiku, Silvana Pasho, Mamica Shehi, Blerina Gjini, Afrim Çenga, Denada Gjoka dhe Ermal Draçi (inxhinierë dhe arkitektë), thotë se, “kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve për të cilat është projektuar. Ato janë pothuajse jashtë normave të projektimit të godinave të këtij lloji. Ambientet nuk ofrojnë kushte optimale për stafin, por edhe për qytetarët që e frekuentojnë shpesh atë”.
Ata thonë se, “duhet të realizohet një studim fizibiliteti, i cili është një element i nevojshëm për të përcaktuar kërkesat për performancat që do të realizohen sipas kërkesave të komunitetit.
Shtohet se mungojnë daljet e emergjencës, prani e lagështirës, plasaritje e çarje e dyshemesë, etj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.