KULTURË

“Perënditë pagane, shikimi, delikatesa dhe …”, Vlerësimi për 10 artistët shqiptarë në Milano

10:00 - 13.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shumë krenare për 10 artistët shqiptarë në ekspozitën “Ex Gratia” në Milano. Dhe shumë e lumtur që Ministria e Kulturës është mbështetëse e kësaj ekspozite, ku shpaloset art bashkëkohor shqiptar”! Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e njoftoi me një urim të përzemërt çeljen e një ekspozite të 10 artistëve shqiptarë në Milano, këtë të shtunë.
Por ndërsa pika finale është Italia, ka një udhëtim të nisur në Shkodër, muaj më parë, me një shkollë arti ku artistët u përballën dhe biseduan me emra të njohur të artit bashkëkohor sot.




EX GRATIA
Të shtunën më 14 prill 2018, me rastin e edicionit të njëzetetretë të MIART – ekspozitës ndërkombëtare të artit modern dhe bashkëkohor në Milano inaugurohet aktivitetit i pestë i projektit në PRATICA. Ky cikël ekspozitash është mirëpritur nga avokati Giuseppe Iannaçone, e mbahet në mesin e një pjese të koleksionit të tij personal të artit bashkëkohor dhe vendoset brenda një zone të dedikuar të firmës së tij ligjore. Pas prezantimit të artistëve Davide Monaldi,
Luca De Leva, Andrea Romano dhe Beatrice Marchi, në PRATICA do të prezantohet një krahasim i vazhdueshëm midis veprave të artistëve të njohur ndërkombëtarë dhe artistëve të talentuar, por akoma të panjohur, të ftuar në event për të krijuar projekte specifike për ambientin. Ndaj, këtë të shtunë, më 14 prill, një ekspozitë kolektive e 10 artistëve të rinj shqiptarë në bashkëpunim me shkollën e ‘Art House’ do të jetë i hapur për publikun për një vizitë “EX GRATIA”.
Eventi është një ide e zhvilluar nga Giuseppe Iannaçone, e kuruar nga Adrian Paci dhe Rischa Paterlini, me bashkëpunimin e veçantë të prof. Zef Paci. Për Miart 2018, Giuseppe Iannaçone ka zgjedhur t’ia kushtojë “In Pratica#5”, një projekti të veçantë që e bën Italinë të njohë punët e realizuara bujarisht, nga Adrian dhe Melisa Paci në Shkodër, Shqipëri: ose më tepër një shkollë për artistët. “Ajo që më frymëzoi – shkruan Iannaçone – ishte akti i bujarisë që ju, Adrian, keni treguar ndaj qytetit tuaj të origjinës, Shkodrës dhe artistëve shqiptarë. Falë shkollës së ‘Art House’ ju keni bërë të mundur që dhjetë artistë të kenë mundësinë të takohen, të ndajnë përvojat dhe të diskutojnë punën e tyre, pa kërkuar asgjë në kthim. Ju u keni dhënë atyre rastin për të mësuar nga përvojat e kuratorëve dhe kritikëve ndërkombëtarë”. “‘Art House’ është një vend – shprehet Adrian Paci – ku përcillen ide në një shtëpi private që hapet për komunitetin e qytetit të vet dhe ku bashkësia e një qyteti të vogël hyn në dialog me kontributet intelektuale dhe kulturore të botës së madhe të artit, pa humbur intimitetin dhe natyrën e ngushtë të marrëdhënies”.
Me fjalë të tjera, nëse Shqipëria nuk shkon në pjesën tjetër të botës, është pjesa tjetër e botës që shkon në Shqipëri.

VLERËSIMI PËR ARTISTËT
Në hapësirat e firmës ligjore, midis veprave të Koleksionit Iannaçone, të rikonceptuar për këtë ngjarje do të ekspozohen edhe veprat e dhjetë artistëve të programit “Art House School” 2017.
“Asnjëherë më parë – shkruan Giuseppe Iannaçone – nuk e kisha imagjinuar që një ditë do të kisha të ftuar dhjetë artistë që ekspozojnë punën e tyre. Sidoqoftë, tani që i shoh së bashku, vë re edhe një herë se kur artistët janë në gjendje të arrijnë të lexojnë brenda dhe të prekin thellësitë e njeriut, një mrekulli ndodh. Bukuria lëvizëse e Marc Quinn duket sikur flet të njëjtën gjë gjuhë të dashurisë si video e Alketa Ramajt. Imazhet e brazilianëve të rinj portretizuar nga Jetmir Idrizi të kujtojnë të njëjtin kërkim për identitetin seksual ilustruar në shkrepjet fotografike të Nan Goldin. Fotografitë e realizuara nga Stefano Romano komunikojnë me figurat solide të Massimo Bartolinit, shikimi i fytyrës në veprën e Silva Agostinit të kujton shikimin e veprave të Dana Schutz. E kuqja e neonit në fotografitë e Remijon Pronjës duket se bie ndesh me ndjesinë e intimitetit shtëpiak në veprat e Paola Pivit, delikatesa në vizatimet e Bora Baboçit rishfaqet në ato të krijuara nga Andrea Romano, paraqitja e perëndive pagane apo të krishtera nga Alket Frashëri janë në pajtim me panteonin e hyjnive. Heronjtë mitologjikë të Luigi Ontanit; peizazhet e Lek M. Gjeloshit të kujtojnë ato të Hernan Bas; piktura e Iva Lulashit ballafaqohet me atë të Borremans; vizatimet introspektive të Fatlum Doçit janë të ngjashme me peizazhet e ëndrrave të artistëve indianë, të tillë si Atul Dodiya”.
Ideja e këtij projekti është shpjeguar plotësisht në vëllimin që shoqëron ekspozitën, redaktuar nga Mousse Publishing në italisht, anglisht dhe shqip. Edicioni përmban imazhe të veprave të artistëve, që kanë ndjekur shkollën e ‘Art House’ si dhe një përmbledhje bisedash mes Adrian e Zef Pacit me dhjetë artistët që janë në qendër të ekspozitës.
Ekspozita çelet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Ekspozita mund të vizitohet në Studio “Giuseppe Iannaçone” nga 15 prill deri më 13 korrik 2018.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.