KULTURË

Shaban Sinani/ Të rejat për “Hieronymin në botën arbëreshe”

11:00 - 13.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Prof. Matteo Mandalà* – Monografia e prof. dr. Shaban Sinanit është qartësisht e frymëzuar prej figurës dhe veprës së Jeronim De Radës, por zgjeron me ambicie kufijtë e saj, duke e përfshirë botën arbëreshe në kompleksitetin e shumëfishtë të historisë së kulturës së saj. Rezultati është një pikëpamje origjinale dhe inovative – do të thosha enciklopedike, duke marrë në konsideratë bibliografinë e plotë, të pasur dhe të veçantë të përdorur nga autori, që hap perspektiva të reja kërkimi dhe që, në të njëjtën kohë, vlerëson në përputhje me traditën më të mirë shkencore në fushën humaniste, linjat kërkimore të shtjelluara në dekadat e fundit.




Duke përdorur në mënyrë jokonvencionale teknikat metodologjike të shkollave të ndryshme, të kombinuara ndërmjet tyre jo për të shkaktuar mbivendosje të tepërta, por në të kundërtën, për të nxitur analiza joparagjykuese të aspekteve të ndryshme të trajtuara, libri shfaqet në formën e tij shumëkëndëshe si një refleksion organik i një periudhe të gjatë historike (shek XVIII – shek. XX). Ky është një libër i mbështetur mbi kontributet e vlefshme të dhëna nga figura prestigjioze të kulturës arbëreshe (dhe jo vetëm) të këtij harku kohor dhe, mbi të gjitha, mbi fenomenet kulturore të ndezura nga iluminizmi dhe të zhvilluara nga shekulli i nacionalizmave, që duke arritur kohët ditët tona ripropozohen nën format modern tematika të rëndësisë së veçantë: ndër këto ajo e identitetit përkundër tendencave homogjenizuese të globalizimit.

Këto aspekte dhe origjinat e proceseve të ndërtimit të identitetit trajtohen në kapitullin e parë Prej shekullit të iluminizmit gjuhësor në shekullin e nacionalizmit gjuhësor (Disa të dhëna të reja për një riperiodizim të historisë së letërsisë shqipe), në të cilin autori, në një kah hulumton me ndjeshmërinë e rrallë prej bibliofili dhe, në një kah tjetër rindërton me besnikërinë rigoroze të filologut, matricat – për fat të keq jo shpesh të hasura – të koncepteve mbi të cilat, që në shek. XVIII u themelua ideologjia shqiptare e cila në vijimësi ka ushqyer lëvizjen rigjallëruese të Rilindjes. Konceptet që të rikthejnë tek aktivitetet e kishës katolike, në Itali si në Ballkan, një rol përhapës joindiferent, që shkakton rithirrjen e influksit, edhe ai jodytësor, të ideve iluministe që u manifestuan, përtej dhe përkundër çdo karakteri paradoksal, që u përket zakonisht veprave pedagogjike, didaktike dhe formuese të zhvilluara nga intelektualët katolike: ndër ta murgjit basilianë, këta edhe arbëreshë, të cilët vepruan në Jug të Shqipërisë; franceskanët e veriut, gli papades-ët arbëreshë në Itali.

Vepra e realizuar përgjatë shekullit të tetëmbëdhjetë, gati-gati një amalgamë kombëtare, tregon një ngjashmëri qëllimesh që tradhton ngjashmërinë e origjinës, dhe kjo bëhet objekt shqyrtimi i kapitullit të dytë të librit, që prof. dr. Sinani jo pa qëllim e ka titulluar Botë arbërore veriore në letërsinë arbëreshe: rasti i patronimeve, ku tregohen se si “dallesat” krahinore bashkëkohore te paramenduara, nuk japin njohuri të drejta mbi faktet e ndodhura përpara në diasporë, por kërkojnë qasje të reja duke shfrytëzuar qasjet e shkencave linguistike. Në këtë rast të onomastikës dhe toponomastikës historike, të cilat kontribuojnë në mënyrë mahnitëse në zgjidhjen e disa “enigmave” që historiografia deri me sot nuk ka qenë në gjendje t’i zgjidhë.
Në këtë linjë kërkimore vijon pjesa e tretë, De Rada dhe Milosau. Rreth varianteve të emrit të autorit dhe të veprës, në të cilin rimerren dhe diskutohet disa intuita të Arshi Pipës. Ka interes të madh çështja që rreh rreth origjinës së emrit të heroit të veprës deradian, por edhe rreth autorit.
Kapitulli i katërt, duke hetuar mbi materialet e vlefshme në dorëshkrim të Thimi Mitkos, mik i madh i Dhimitër Kamardës, i Jeronim de Radës dhe i Xhusepe Skiròsë, ndalon në lajmin e dhënë nga Gj. Pekmezi, përkujdesës i botimit të dytë të Bëljet shqipëtare (Vjenë 1924) kur vinte në dukje se një vjershë e De Radës, bashkë me tekste të tjerë, nuk ishte përfshirë në volum. Duke ndjekur zhvillimet rreth këtij lajmi, prof. Sinani ofron një pasqyrë interesante të traditës së ndërkomunikimit të traditës gojore dhe të letërsisë romantike arbëreshe me sistemin letrar shqiptar, qëllimi i të cilës është mirëdokumentuar nga historia e Kangjeljit VII të Milosaos, një histori që lejon ndërlidhjen e zonave të largëta të albanofobisë dhe për t’i njohur De Radës dhe veprave të tij merita më simbolike dhe më të vendosura, dhe pa ja errësuar meritat estetike dhe letrare. Për këtë qëllim të fundit, shkruhet edhe në pjesët e tjera në vijim: Një poemë për Janji Uniadin-n nga Jeronim De Rada dhe një krahasim ndërtekstor me poemën Skënderbeu të Henry Longfellou-t; Pamje ungjillore në poezinë e De Radës; “Rapsodie di un poema Albanese” dhe “Il Codice Chieutino”: çështje të shkallëve të autorësisë; Kulti i epopesë gjatë Rilindjes dhe vepra e De Radës; Dora d’Istria, Angelo de Gubernatis dhe Jeronim de Rada në letrat e tyre; “Shêjzat” për Jeronim de Radën, Jeronim de Rada dhe një çështje e riperiodizimit të historisë së letërsisë shqipe – të cilat mbajnë si pikë referimi botën “deradiane”, zbulojnë zakonet e Autorit për të lëvizur me shkathtësi në fushën e studimeve krahasimtare, ndër të tjera dhe pa anashkaluar hapjen e hapësirave për analiza të drejtuara metodologjikisht drejt ektodikës dhe kritikës letrare, dhe drejt antropologjisë kulturore dhe kulturologjisë.

Figura e De Radës dhe bota arbëreshe shkëlqejnë serish në sfondin e dy eseve Letërsia arbëreshe si urë ndërmjet nënsistemeve (Prej fillimeve deri ne shekullin XIX) e Arbëreshi si karakter në letërsinë shqipe: “Karpa” dhe “Kurbani ballkanik”, në të cilat prof. Shaban Sinani jep prova gjerësisht për erudizmin e tij të thellë: së pari, me një përnjohje metodike dhe rigoroze historiko-kulturore vendos njëri mbi tjetrin gurët e urës arrogante të komunikimit letrar që arbëreshët, siç tregon dhe hapja e librit të Francesco Altimarit, e cila është përfshirë me qëllim në këtë libër, ia kishin dalë të krijonin në pesë shekujt e qëndrimit të tyre në Itali dhe që harresa e historisë rrezikon gjithnjë që t’ia humbim gjurmët. Së dyti, duke analizuar romanet e dy shkrimtarëve të ditëve tona, Martin Camaj dhe Luan Starova, ekzaltohet roli i besuar arbëreshëve dhe kulturës së tyre si ruajtës së një kujtese kolektive dhe ngarkesë të jashtëzakonshme antropologjike.
Botimi i këtij volumi do të përbëjë një progres domethënës në përhapjen e një njohjeje më të qendrueshme dhe të sigurtë të De Radës dhe të botës arbëreshe.
*Katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Departamenti i kulturës dhe i shkencave shoqërore, Universiteti i Palermos


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.