Sociale

Dëgjesa e parë prindërore mbi autizmin

13:30 - 14.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mbi 100 prindër të fëmijëve me autizëm, por edhe të atyre me aftësi të kufizuar kanë kërkuar mbështetje nga qeveria shqiptare për sigurimin e mësuesve kujdestarë dhe orëve të terapisë për vogëlushët e tyre. Këto shqetësime, u ngritën nga prindërit ditën e djeshme gjatë takimit të parë “Dëgjesë prindërore për autizmin”, organizuar nga Fondacioni ‘Fëmijët Shqiptarë’. “Besoj, edhe ju si unë merrni nga shteti një lloj ndihme, për paaftësi dhe për kujdestari. Nuk i kalon 20 mijë lekë. Më thoni çfarë mund të bëj unë me 200 mijë lekë të vjetra. Unë kam 6 vite që paguaj mësuesen ndihmëse të djalit tim që e çoj në shkollë. Do ta paguaj, sepse unë e di që fëmija im nuk mundet të qëndrojë më vete. Çfarë të bëj më parë? Dhe flas unë, që jam më suese dhe marr një rrogë”, -u shpreh Blerina Shehu Lala, nënë e një fëmije 14 vjeçar që vuan nga ky çrregullim i spektrit autik. Më tej, Edmond Tupe bëri me dije se autizmi ka bërë të mundur ndryshimin e tij dhe ka dhënë një mesazh shumë të fortë për të gjithë prindërit e fëmijëve me autizëm. “Qëndrimi im ndaj autizmit të tim biri ka evoluar, që nga libri i parë, sidomos që nga libri im i dytë me realizëm. Domethënë, prindër unë ju them, mos u shkurajoni, mos u ligështoni. Misioni juaj është që sa të jeni gjallë ta bëni të lumtur këtë fëmijë.




Nëse ju do ta keni mendjen gjithë kohës tek pyetja se çfarë do të bëhet pas vdekjes time gjate gjithë kohës, ju do të shkurtoni ditët tuaja, edhe kjo do të bie në kurriz të fëmijës tuaj”, – bëri thirrje Tupe për prindërit e pranishëm. Ndërkaq, drejtuesja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë kërkoi që zëri i nënave të këtyre fëmijëve të dëgjohet e tu jepet sa më shumë mbështetje nga instancat përkatëse. “Bëhuni bashkë, bëhuni iniciatorë të lëvizjeve të mëdha dhe kini vëmendjen e veçantë ndaj këtyre nënave, ndaj këtyre fëmijëve. Sidomos ndaj nënave, që kalojnë shumë net pa gjumë, që çdo ditë përballen me sfida të reja. Ju nuk njihni as rrënimin ekonomik që këto familje kanë. Përpiquni për ligje që t’i mbështesni, për ligje sa më të buta që të ndihen të lehtësuara. Mbani hapur dyert e institucioneve për t’i dëgjuar hallet e tyre dhe problemet që ata kanë dhe të jeni një pjesë jo vetëm e mbështetjes së tyre por të jeni një shpresë e madhe për ta”, – bëri thirrje Berisha. Gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, disa kohë më parë, u bë me dije se autizmi prek 1 në 68 fëmijë të lindur në Shqipëri dhe u theksua se shëndeti publik po hyn në krizë. Ndërkohë, shifra alarmante paraqiten nga viti në vit për sa i përket personave me çregullime të spektrit autik në vendin tonë, ku regjistrohet një rritje prej 30-40%.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.