KULTURË

Ministria e Kulturës dhe Skena e Pavarur Kulturore, me marrëveshje bashkëpunimi

12:15 - 14.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“E ardhmja e skenës kulturore është decentralizimi, skena e pavarur, por për këtë duhet punë, emancipim dhe dialog”, – u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Skenës së Pavarur Kulturore. Në ambientet e MK-së u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Skenës së Pavarur Kulturore dhe Ministrisë së Kulturës për bashkëpunimin dhe konsultimin paraprak për ndryshimet në ligjin “Për Artin dhe Kulturën”. Ky memorandum është hapi i parë juridik drejt këtij rrugëtimi. “Beteja jonë e përbashkët”, – e cilësoi përpjekjen për të zhvilluar dhe forcuar mekanizmat në zhvillim të kulturës, përfaqësuesi i SPK-së, Andi Tepelena, duke shtuar se, “kurorëzojmë sot këtë memorandum si akt angazhimi reciprok. Në javën përpara hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE gjej rastin të theksoj se kultura është mjeti më i mirë për ta çuar Shqipërinë në Evropë”. Njoftimi i MK-së thotë se skena kulturore shqiptare ka vuajtur pasojat e periudhës së gjatë të centralizimit, kohë kur krijimtaria artistike prodhohej vetëm nga institucionet shtetërore. Sipas saj, në gjithë këto vite kemi një konfuzion dhe mangësi në politika kulturore, që kanë frenuar zhvillimin dhe emancipimin e skenës së pavarur.




Për të nxitur krijimtarinë përmes thirrjeve të hapura, për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm e transparent të shpërndarjes së fondeve, për politika që rrisin cilësinë artistike e garantojnë respektim të së drejtës së autorit, Ministria e Kulturës nënshkroi me SPK-në një Memorandum Mirëkuptimi, përmes së cilit të dyja palët do të angazhohen në hartimin e një kuadri ligjor, me qëllim një reformë të plotë të artit dhe të kulturës të bazuar mbi Strategjinë Kombëtare të Kulturës, që është duke përfunduar në bashkëpunim me ekspertë të Këshillit të Europës.
Përfshirja e ekspertëve vendës dhe të huaj në draftimin e ligjit do të ndihmojë për ta bërë ligjin më të qëndrueshëm dhe më afër standardeve evropiane. Kumbaro shprehu angazhimin e institucionit që ajo drejton për të ndihmuar financiarisht shoqatat shqiptare që aplikojnë në Creative Europe, duke pasur parasysh vështirësitë ekonomike me të cilat përballen, si dhe bëri me dije se, “kemi nisur punën për rishikim të ligjit të sponsorizimeve, ku çdo sugjerim mbetet i mirëpritur”.

Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua nga zëvendësministrja e Kulturës, Valbona Shujaku dhe Andi Tepelena, përfaqësues i SPK-së. Skena e Pavarur Kulturore (SPK) është rrjeti më i madh kulturor në Shqipëri, i përberë nga organizata ndër më të njohurat dhe aktivet në fushën e artit dhe kulturës. SPK është krijuar më 4 maj 2013. Qëllimi i këtij rrjeti është të ndërtojë një skenë kulturore të qëndrueshme, nisur nga mungesa e faciliteteve për veprimtaritë kulturore e artistike, mosfinancimi dhe pabarazia e aksesit ndaj fondeve publike për artin dhe kulturën në Shqipëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.