KULTURË

“Shalli i zi” i Pirandelos

12:00 - 14.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Titullin e merr nga një prej tregimeve më të dhimbshme. Është jeta dhe sakrifica e një motre për të vëllanë dhe më pas “braktisja” dhe “internimi” i saj në një martesë mbytëse, që e çon drejt fundit.
Është zhbërja e njeriut nga vështirësitë e jetës kur pavarësisht se çka dhënë, nuk merr mbrapsht as mirënjohje e as besim – në këmbim të të gjithave, ajo humb nderin sipas konceptit të kohës kur u shkrua, por humb edhe ata që i deshi. Leximet mund të jenë disa, këndvështrimet po ashtu. Ajo është historia e një gruaje, por është edhe historia e një njeriu çfarëdo, që gaboi vetëm një herë e nuk ia falën, anipse deri atë ditë nuk kish gabuar kurrë e kish dhënë shumë.
Eleonora Bandi e sheh jetën e saj të shkërmoqet përditë nga pak, deri kur dhimbja bëhet më e fortë se logjika, për ta tretur larg.
E vetmuar, ajo grua që e kish shkuar jetën në ‘ndershmëri’, në të vetmin rast që ‘gaboi’ i humbi të gjitha.
Historia e Eleonora Bandit dhe të vëllait Giorgios, historia e Bandit me Gerlandon bëhen pikënisja e një fati tragjik, ku nuk ka vend për ata që gabojnë. Teksa shalli i zi është gjithë ç’mbetet prej Eleonorës, autori sjell në vëmendje ende sot ‘shajet e zeza’ përreth nesh, ku fati tragjik ende përndjek gra e vajza, për ‘nderin dhe lavdinë’ e burrave, vëllezërve e baballarëve.
Ky tregim është njëri prej disave dhe ka shërbyer si titull për vëllimin e Luigi Pirandellos, botuar nga “Çabej” nën titullin, “Shalli i zi e tregime të tjera”.
Këto tregime, pjesë e përmbledhjes “Novela për një vit”, u shkruan ndërmjet viteve 1894-1920. Ato janë një radiografi e pamëshirshme e marrëdhënieve njerëzore, arsye për të cilën mbeten kaq aktuale edhe sot. Të ardhura në shqip me përkthimin mjeshtëror të Mustafa Greblleshit, tregimet e Luigi Pirandellos do të mund t’i gjeni në harkun e pak ditëve në çdo librari. Botohen për herë të parë, edhe pse u përkthyen gjatë shekullit të kaluar.





Të botuara më parë në “Corriere della Sera” e më pas më vete, prej çfarë synonte arriti të botonte diç më shumë se 200, sepse vepra e tij mbeti e papërfunduar. “Ideja që pati Pirandello ishte që të lexohej nga një novelë për çdo ditë, në 365 ditë të vitit. Kanë një histori të veçantë në përkthimin në shqip. Fillimi i viteve 1940 qe një periudhë, kur botuesi i tyre jo vetëm sillte letërsi të huaj shqipe, por ishte edhe një ‘filtrues’ i asaj letërsie të huaj që vinte në shqip. Vangjo Nirvana i kondicionon atëkohë Greblleshit, deri atëherë i panjohur, jo vetëm përkthimet, por edhe detyrën për të gjetur një ilustrator që të mund të pasqyronte grafikisht narracionin e përkthimeve. Ishte ai që pikasi atë që sot njohim ne si Ibrahim Kodra- atëherë ilustrator në kinema ‘Nacional’. Punojnë bashkë për një sërë novelash, të cilat nuk u botuan asnjëherë”, tregon Anna Shkreli nga botimet “Çabej” .
Vangjo Nirvana, kur i dha Greblleshit një vëllim të Pirandellos, i tha: – “Dua të krijoj një lëndë rezervë për faqen e tretë të gazetës.
Prandaj, përkthe ato tregime që kam shënuar me laps të kuq dhe m’i dorëzo një e nga një. Gjej edhe një piktor për ilustrimet. Përkthimi i një tregimi paguhet dhjetë franga, ndërsa skicat shtatë franga”.
Në librin e tij të kujtimeve, Greblleshi thotë se “në fund, kur i përktheva e nuk u botuan, kuptova që kjo ishte mënyra e Vangjo Nirvanës për të më ndihmuar financiarisht, pa më dhënë lëmoshë”.
Mbi procesin e punës, vetë Greblleshi shton se, “përktheja një tregim në ditë. Ibrahimi bënte skicat. Dorëzuam të parin. Kryeredaktori mbeti i kënaqur edhe nga përkthimi, edhe nga skicat. Çdo ditë merrnim unë dhjetë franga dhe Ibrahimi shtatë franga”.
Secili tregim ka një rrëfim më vete, një histori më vete, që nga absurditeti i luftës, miqtë e pabesë, pamundësia për të qenë vetvetja e më larg. Ka mes tyre, dëshmi e përshkrime magjepsëse të kohëve të shkuara, rigjejmë zanatin e fenerndezësit, lidhjen e njeriut me tokën e fëmijërinë e me pushtetin, si më poshtë.
“Kur qytetërimi, i mbetur akoma pas, e dënon një njeri të mbajë një shkallë të gjatë në krah nga një fener te tjetri dhe të ngjitet e të zbresë nëpër këtë shkallë, te çdo fener tri herë në ditë: në mëngjes për ta shuar, pasdreke për ta fshirë e për ta bërë gati, në mbrëmje për ta ndezur – sado qoftë kokëtrashë e i dhënë pas verës, i bëhet ves të arsyetojë me vete dhe t’i masë gjërat me lartësinë e shkallës”, shkëpusim nga tregimi “Disa detyrime”, që teksa rrëfen historinë e fenerndezësit, jep raportin e punonjësit me pushtetmbajtësin, si një raport të zhdrejtë, ku i varfri nuk bën dot asgjë në peshoren kur i pasuri vendos.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.