MILOSAO

Frederic Chopin, krenaria e Polonisë, apoteoza e pianos, poeti i pianos, pianisti i pianistëve

13:42 - 15.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Sul Gragjevi* – I mërguar nga revolucioni, i braktisur nga e dashura, i ndarë nga jeta prej tuberkulozit, por gjithmonë elegant i veshur, imazhi delikat i Shopenit përmbushi të gjitha stereotipet e artistit Romantik. Ishte poeti i parë i pianos, muzika e tij ishte sakaq popullore dhe ai gjithmonë ishte mbi të gjithë. Një hero kombëtar, muzika e tij deklaroi lirinë e Polonisë, atdheut të tij.
Interpretimet e Shopenit në piano gjithmonë kanë qënë të bukura dhe fisnike, plot delikatesë, virtuozitet dhe pasion. Tonet e tij këndonin, herë në forte e herë në piano me ëmbëlsi, ngrohtësi, me rubato e mbi të gjitha, ishin cantabile, (cantabile në Si bemol). Nuk është lehtë të interpretosh muzikën e Frederik Shopenit se, ngaqë është e bukur, e këndshme, duket si e lehtë, por jo. Për ta interpretuar atë në mënyrën ‘shopeniane’ dhe pa gabime, është e domosdoshme të njohësh mirë karakterin e tij duke depërtuar në të. “Karakteri Polak” i muzikës së Shopenit është totalisht i pakundërshtueshëm sepse në muzikën e tij ai është përpjekur t’i jepte ekspresionin më të thellë të kombit të tij …… Shumë kompozitorë të Romantizmit kanë luajtur ose kanë dirigjuar muzikën e njëri-tjetrit, disa prej tyre ia kanë kaluar shpresat e brezit të ardhshëm. Frederic Shopen, që ishte pjesë e kësaj lëvizje, ishte tjetër. Në të vërtet, ai nuk e pëlqente Romantizmin. Ai e mendonte muzikën e Listit vulgare, nuk e pëlqente muzikën e Schumannit ndërsa për Berliozin dhe Mendelssohnin nuk thoshte asgjë megjithëse ishte mik me ata të gjithë. Po të dëgjonte muzikën e Schubertit, ai nuk e zinte në gojë ndërsa për Beethoven-in thoshte se kishte pjesën e admirueshme dhe atë të papëlqyeshmen, argumenton Harold C. Schonberg. Vetëm dy janë mjeshtrat që Shopeni donte, Bach dhe Mozart dhe për ta, ai kishte vetëm lavdërime. Ai, madje kompozoi ‘Variacione në “La ci darem” nga Don Giovanni i Mozartit. Frederik Shopen pëlqente të ishte në rrethin aristokratik dhe ishte i interesuar tepër në stilin, shijen, veshjen por edhe për një ton të bukur. Si një nga pianistët më të mëdhenj në histori, ai dha pak koncerte gjatë jetës së tij, ai ishte në thelb një pianist që preferonte mjedisin e ngushtë të sallonit. Që herët në jetë ai kish mësuar se nuk duhej të luante në piano në salla të mëdha, dhe ai u duk për herë të fundit para publikut në Paris më 26 Prill 1835, kur ishte vetëm njëzetegjashtë. Më pas, se ai u nda nga jeta 49 vjeç, ai dha vetëm tre recitale më shumë në një sallon të prodhuesit të pianove, Pleyel, duke zgjedhur më përpara me kujdes audiencën që nuk i kalonte 300. Por një mbrëmje, Shopen dhe List luajtën muzikë në piano për katër-duar ndërsa Mendelssohn kthente faqen e partiturës dhe priste radhën. Rreth pianos ndodheshin Berlioz, Meyerbeer, Delacroix, Eugene Sue, Heine dhe George Sand.




Në Paris
Shopeni iu përshtat mirë Parisit të viteve 1830’s dhe 1840’s. Ai nuk kishte shumë shokë të afërm, por e respektonte dhe e donte gjithkush. Ata e dinin që ky ishte një gjeni. Parisi ishte kryeqyteti intelektual dhe artistik i botës. Atje jetonin figura të shquara të letërsisë si Hugo‘, Balzak, Lamartine, Heine, Gautier, Musset dhe Sand, ndërsa muzikantët si List, Rossini, Mayerbeer, Berlioz dhe Cherubini e kishin Parisin si shtëpinë e tyre kurse Mendelssohn shkonte e vinte. Parisi kishte tri orkestra shumë të mira dhe ‘operan house’ më madhështoren.
Shopeni arriti në Paris më 1831 ku kaloi pjesën tjetër të jetës së tij. Vinte nga vendlindja Zelazowa Wola, afër Varshavës, i ati kishte emigruar nga Franca ndërsa e ëma ishte Polake. Talenti muzikor i Shopenit u shfaq herët, në moshën 6 vjeç ai ishte një pianist shumë i mirë. Adalbert Zyëny ishte mësuesi i tij, ai kultivoi te nxënësi i tij kryesisht muzikën e J.S.Bach. Në moshën 8 vjeç, Shopeni printon kompozimin e parë të tij që ishte një poloneze. Nga viti 1826 deri më 1928, ai studion kompozim me Jozef Elsner i cili e trajtoi studentin e tij në një mënyrë të veçantë. Ai kërkonte prej tij që të kompozonte simfoni, sonata madje edhe opera. Mirëpo, nuk mundi ta detyrojë atë dhe e la pianistin e ri ta zhvillonte talentin e tij natyrshëm. Kontributi i tij si mësues ishte i madh aqsa Shopeni u bë një muzikant i ‘panatyrshëm’, më shumë se një ‘mrekulli’ se ai, ishte jo vetëm një gjeni si një pianist, ai ishte në mënyrë krijuese një gjeni, një nga origjinalët më të bujshëm të shekullit. Gjeneza e një pjese të muzikës së Shopenit mund të gjendet në gjurmët e punimeve të Karl Çernit (Carl Czerny) (ish student i Beethovenit) dhe të Johann Nepomuk Hummel.
Frederik Shopen ishte një gjeni që kishte lindur, padyshim, me reflekse në gishtërinjtë, veshët dhe mendje, që muzikantë të tjerë nuk i kishin. Natyrisht, ai erdhi shumë më herët me pjekuri të plotë, sesa kompozitorët e tjerë dhe çdo gjë i dukej e lehtë. Si një muzikant, Shopeni ishte një nga fatlumët – një teknik i natyrshëm me një stil të lehtë, një kompozitor që kishte vendosur të shkruante qysh herët vetëm për instrumentin që e donte aq shumë. Ai ndihmoi në ndryshimin e faqes së muzikës dhe pjesa më e madhe e bashkëkohësve të tij e njihnin atë si revolucionar. Në vitin 1829, Shopeni dha disa koncerte duke mahnitur ekspertët me të rejat e muzikës së tij. Ashtu si të gjithë virtuozët, Shopeni u përqëndrua në muzikën e tij. Kur shkoi në Vienë dhe filloi të improvizojë në polonisht, midis reagimeve të vienezëve ishte edhe ky:” Si, kaq shumë ka mësuar Shopeni në Varshavë ?” Ai luajti edhe një herë tjetër në Vienë, kontaktoi shokë muzikantë, bisedoi me ta, dhe dëgjoi një konkurs pianistësh. Sigismond Thalberg, ishte një pianist për të cilin Shopeni tha:”Ai luajti në mënyrë të shkëlqyeshme por nuk është njeriu im”. Shopeni mund të bënte karrierë në Vienë por synimi i tij ishte Parisi dhe më 1833 shkruante:” E kam gjetur mënyrën time të jetës si dhe një shoqëri shumë të mirë”. Tashmë, Shopeni e përfshiu veten e vet në një nga episodet më të gjalla të historisë së muzikës. Njëzetenjë vjeçari, një gjeni me një stil pianistik të formuar dhe origjinal në mënyrë të përsosur, dëgjoi në piano Friederich Kalkbrennerin dhe u çudit. Ai ishte padyshim një pianist i mrekullueshëm, por ishte një klasik i shkollës së vjetër si pianistët e tjerë para-romantikë, Moscheles, Hummel dhe Clementi. Këta kishin një ide të vogël të burimeve koloristike të pianos. Pianistët klasikë nuk kishin ndonjë simpati për muzikën e Romantizmit. Kalkbrenner ishte ndoshta më i afti dhe më me përvojë ndër ata. Ai ishte ndër pianistët më popullorë në ditët e tij. Për disa arsye, Shopeni ishte i emocionuar me mënyrën e tij të ekzekutimit. Kalkbrenner e dëgjoi Shopenin dule luajtur në piano dhe i tha që “ti je një talent”, duke dëshiruar që Shopeni të kalonte tri vjet për tu zhvilluar si artist i famshëm në studion e tij. Shopeni nxitoi të njoftonte familjen e tij për hapin që po merrte. Babai dhe mësuesi i tij Jozef Elsner, të dy të tmerruar, i dërgojnë letër nga Polonia. Për fat të mirë, Shopeni, erdhi te arsyeja e tij dhe debutimin e tij të Parisit e bëri më 1832. List dhe Mendelssohn ishin të pranishëm në recitalin e tij. Pas kësaj, nuk kish më kuptim Kalkbrenner të cilit Shopeni ia dedikoi piano-koncertin No.1 në E minor. Jeta e pianistit ndryshoi me njohjen e Zhorzh Sandit e cila ishte 32 vjeçe ndërsa ai ishte vetëm 26. Emri i saj i vërtetë ishte Amantine-Lucile-Aurore Dupin, por e kishte adaptuar në George Sand menjëherë pas botimit të romanit të saj të parë ‘Indiana’ (1832) e më vonë të romanit Lelia (1833) në të cilët ajo trajton marrëdhëniet shoqërore dhe ngre lart revoltën e grave. Të dy librat tërhoqën vëmendjen e gjërë për sulmin ndaj moralitetit tradicional, veçanërisht martesës. Në jetën private, ajo ka qenë përfshirë në një martesë pafat me Kazimir Dudevant të cilit nuk i interesonin as romanet dhe as muzika. Zhorzh Sand ishte e orientuar nga Romantizmi dhe ëndërronte për “një dashuri në frymën Russo”, ana fiziologjike e martesës e rrënoi shumë, koha kalonte dhe ndjehej nevoja për dashuri.

Sëmundja e tij
Nga ajo martesë pafat, Aurora (Sand) ndahet zyrtarisht më 1836. Ajo i vazhdon lidhjet me Shopenin dhe më 1838 ata jetonin së bashku, madje kaluan dimrin e 1838-39 në Majorka. Koha ishte e keqe, shiu nuk pushonte, shtëpia ku jetonin ishte tërë lagështirë dhe sëmundja e mushkërive të Shopenit po përparonte. Sand e solli atë në Marsej të sëmurë. Pavarësisht nga sëmundja, Shopeni shkroi disa punime të rëndësishme në Majorka, përfundoi kompletin me 24 prelude të op.28. Preludet: në Do diezis minor op.45, në La bemol, në Do minor op.28/17 dhe 20, janë të ekzekutuara nga Vladimir Ashkenazi. Njëri prej kompletit ishte ‘Raindrop’ që mendohej të ishte një interpretim i shiut që binte pa pushim në shtëpinë ku jetonin të dy dashnorët. Preludi ishte në Re minor op.28/15 dhe i trishtuar. Lidhja e Shopenit me Zhorzh Sandin vazhdoi deri më 1847. Në Paris ata jetuan katër muaj në shtëpinë e Sandit në Nohant, këtu Shopeni kompozoi muzikën e tij më madhështore. Vitin e fundit, pasi ishte kthyer nga Anglia, Shopeni dukej mentalisht i depresuar. “unë ende s’kam filluar të luaj në piano dhe unë nuk mund të kompozoj”. Atë e ndihmuan Jane Stirling, nxënëse dhe mike e tij Skoceze, si dhe motra e saj të cilat kur panë gjendjen e tij pa shpresë, i dhuruan një shumë parash. Motra e Shopenit Luiza, u kthye nga Varshava për t’i shërbyer atij ditët e fundit. Zhorzh Sand i dërgoi një letër Luizës me të cilën donte ta shihte Shopenin por nuk mori asnjë përgjigje prej saj. Ishte e bija Sandit, Solange Clesinger, e cila qëndroi në krah të Shopenit kur vdiq në mëngjesin e 17 Tetorit 1849 (168 vjet më parë). Gjithashtu aty ndodheshin edhe motra Luiza dhe Princesha Marcelline Czartoryska, një mike e familjes.
Si pianist, Shopeni krijoi një stil që mbizotëroi tërë gjysmën e dytë të shek.19 dhe që nuk ndryshoi deri me Debussy-n dhe Prokofievin. “Për herë të parë pianoforte bëhet një instrument total: një instrument që këndon, një instrument i kolorit pafund, poezi dhe nuancë, një instrument heroik, një instrument intim”. (Harold C. Schonberg) dhe vazhdon më tej: “muzika pianistike e Schumann-it, është e mrekullueshme, origjinale siç është, muzika e Shopenit lulëzon natyrshëm jashtë mënyrës së tij të luajtjes në piano dhe si një pianist, ai ishte shumë para Schumann-it, duke shfrytëzuar instrumentin në një mënyrë idiomatike dhe tërësisht moderne”. “Në çdo rast, muzika e Schubert-it ushtronte një ndikim relativisht të vogël në ditët e tij, ndërsa ideja e re e pedaleve të pianos, përdorimi i gishtave, ritmi dhe burimet koloristike të cilat Shopeni i zbuloi, menjëherë u përvetësuan nga pianistët e rinj dhe kompozitorët e muzikës së pianos”.
Mendelssohn shkruante për Shopenin:”Është diçka tërësisht origjinale në luajtjen e tij në piano dhe është në të njëjtën kohë, mjeshtërore për të cilën ai mund të quhet një ‘virtuoso’ i përsosur….ai krijon efekte të rinj si Paganini në violinë, dhe përkryerja e gjërave praktikisht nuk ishte menduar më parë”. Franc List nuk ishte shumë krenar të mësonte nga Shopeni, midis tyre ishte një miqësi e turbulluar. Në fakt, List sinqerisht e admironte pianizmin e Shopenit dhe adaptoi shumë nga idetë e tij. Shopeni tregoi që piano mund të ishte më shumë sesa një instrument virtuoz në një “virtuoso music”. Shopeni futi konceptin e ornamentacionit funksional (dëgjo piano-koncertin No.1) madje List, një herë luajti një nokturn të Shopenit duke i shtuar të gjitha llojet e ornamenteve. Frederik Fransoa Shopen lindi më 1810 dhe u nda nga jeta më 1849, në moshën 39 duke lënë një krijimtari të pasur muzikore me ndikim të madh në të gjithë botën muzikore Perëndimore. Megjithatë, Shopeni u përqendrua në muzikën e salloneve me nokturne, mazurkat, valcet. Nokturnet 1-21 komplet, në Mi bemol op.9/2 dhe në Do minor op.27/2, janë ekzekutuar nga Artur Rubinshtein, mazurkat op.59, mazurkat në Re bemol op.30/3, në Si minor op.33/4, në La minor op.68/2 janë ekzekutuar nga Arturo Benedetti Michelangeli në Milano më 1962. Në pianon e tij ai luajti në një ton plot kolor dhe me elegancë. Valcet, në La bemol op.34/1, në La bemol op.69/1, në Mi bemol gjithashtu janë ekzekutuar nga Michelangeli. Pianisti Evgevy Kissin, i cili pothuaj çdo sezon interpreton para publikut të Çikagos, u shqua në interpretimin e piano-sonatës No.3, preludit op.45 në Do diezis dhe të scherzo No.4 në Mi op.54. Ai luajti me mjeshtërinë që e karakterizon, me një natyralitet dhe freski duke heshtur kritikën. Sensi i tij i poezisë dhe rubato e tij idiomatike janë të kombinuara me teknikën impresive në nivelin më të lartë.

Muzika e tij
Si një emigrant Polak në Paris, Shopeni qëndroi jashtë traditës së linjës kryesore të shek.19 – muzikës instrumentale Gjermane dhe operas Italiane. Punimet e tij në muzikë zbulojnë një kuptim të thellë të dy traditave. Eleganca, origjinaliteti dhe efikasiteti i formave të Shopenit janë unike. Vështirësia e luajtjes të punimeve të Shopenit më të shumtën duket në realizimin e idesë së tij më origjinale, ndryshe prej disa kompozitorëve të tjerë si Schumann apo Mendelssohn. Po të dëgjojmë dy piano-koncertet e Shopenit dhe veçanërisht të parin lirik, vështirë të ndahemi nga to, aq të këndshëm e tërheqës që gjithmonë janë interpretuar me shumë sukses në publik. Këto dy piano-koncerte ai i shkroi midis moshës 17-21 vjeç. Ashtu si Beethoven, Schumann dhe List, ai u rrit me dy ciklet e preludeve dhe fugave të J.S.Bach “Le Clavier bien tempere`” të cilët i interpretonte vetëm si recital dhe deklaronte se edukimi muzikor i kohës së tij ishte plotësisht i gabuar, se studimi fillonte me harmoni duke e lënë kontrapuntin për një vit më vonë. Për Shopenin kontrapunti ishte baza e të gjithë kompozimit madje për këtë, ai i referohej Mozartit. Është për tu theksuar se Shopeni arriti të zotërojë në mënyrë mahnitëse melodinë operistike Italiane. Në disa nokturne, sonata në Si minor dhe barcarole, Shopeni tregon një mjeshtëri e cila e afroi shumë me Vincenzo Belinin, një prej të paktave muzikë bashkëkohore të admirueshme. Ai zhvilloi aftësitë e tij në stilin Italian me Andante spianato, shkruan Charles Rosen, me sa duket, përpara se të njihej me punimet e Belinit. Ai adaptoi një hapje të një melodie për violonçelo nga Norma e Belinit, në një etyd të tij. Stili spianato ishte stili i Belinit dhe ishte bazë e shumë arritjeve të fuqishme ekspresive të Shopenit: Andante spianato & Grande Polonaise brillante op.22, me Sviatoslav Richter në piano: Richter luajti jo vetëm në mënyrë brilante por edhe poetike. Stili i operas Italiane madje duket shpesh në punimet më etnike dhe folklorike Polake të Shopenit, mazurkat, përgjithësisht në një interlud qëndror lirik. Shopeni shkroi shumë poloneze. Por edhe të tjerë kompozitorë kanë shkruar poloneze, por polonezet e Shopenit në La maxhor dhe në La bemol maxhor nuk ishin dëgjuar më parë. Polonezet në La (militare) op.40/1, në La bemol op.53 të Shopenit kanë qënë kuptuar si deklaratë politike e patriotizmit për vendin e tij i cili ishte në luftë për të siguruar lirinë e tij. Etydet e Shopenit ishin një fitore e pikësynimit të ideologjisë Romantike dhe ndikuan thellë në brezat e mëvonshëm, çdo etyd ka vështirësi teknike të veçantë. Etydet op.10/1-12 dhe op.25/1-12, dhe 3 Nouvelles etudes, janë interpretuar nga pianisti virtuoz Nikollaj Luganskij me një tingull mjaft të bukur në çdo dinamikë dhe me një delikatesë të përsosur. Kompozitori Polak, delikat dhe shëndetlig, vuri një dorë të fuqishme mbi të ardhmen e muzikës, dhe kjo nuk do të thoshte se muzika e tij ishte pa forcë. Skercot (1-4), scherzo 2 në Si bemol minor dha balladat (1-4), Fantasia në Fa minor op.49, Fantaisie-impromptus op.66, polonezet e fundit si ajo heroike në Fa diezis minor, dy sonatat e fundit (ai kompozoi tri por ajo në Do minor është studenteske), Variacione në temë nga “I Puritani” të Belinit, përmbajnë madhështi. Shopeni nuk nxitohej të shtronte në partiturë idetë e tij siç ndodhte shpesh te Mozarti dhe Schubert. Shopeni punonte ngadalë dhe nuk e publikonte punimin pa qenë i përsosur. Shumë nga kompozimet e tij rezultonin nga improvizimet. Pianisti dhe kompozitori Karl Filtsch (ish nxënës i Shopenit) përshkruante punën e Shopenit:”Një ditë tjetër dëgjova (Mars 1842) Shopenin që po improvizonte në shtëpinë e Zhorzh Sandit. Ishte një mrekulli të dëgjoje Shopenin që kompozonte në këtë mënyrë. Nga frymëzimi i tij dukej që luante në piano pa hezitim dhe kur vinte puna që duhej shkruar në partiturë i gjithë mendimi origjinal me detajet, harxhonte ditë me nerva të sforcuara dhe i dëshpëruar. Ai ndryshonte dhe retushonte të njëjtën frazë pandërprerje, ecte poshtë e lart si i habitur.” Madje edhe kur një punim ishte publikuar, Shopeni nuk ishte i kënaqur. Ai donte të bënte ndryshime në çdo rast kur ishte e mundur. Shopeni gjithmonë kishte parasysh që kolori në kompozimet e tij duhet të mbizotëronte formën. Edhe ‘idea e vetme’ e Shopenit shfaqet në etydet, preludet, mazurkat dhe nokturnet. Punimet në formën e gjërë, siç janë skercot, balladat, fantazia në Fa minor, janë zgjidhje e vetë Shopenit lidhur me formën-sonatë. Sonata klasike nuk i interesonte shumë atij. Sonata e hershme në Si bemol, sonata 2 me ‘Marshin Funeral’, është tërësisht e huaj si koncept i sonatës klasike dhe këtë ia dedikoi një admiruesi si Schumann. Megjithatë, Shopeni kompozoi edhe dy piano-koncerte prej të cilëve, i pari në Mi minor op.11, interpretohet detyrimisht nga pianistët finalistë të konkursit Ndërkombëtar të pianistëve me emrin Frederic Chopin. Piano-koncerti në Mi minor op.11, përbëhet nga tri kohët:1.Allegro maestoso 2. Romance:Larghetto 3. Rondo: Vivace. Allegro maestoso risoluto ka tri tema, është e formës-sonatë dhe fillon me një introduksion të gjatë, rreth 4 min. Tema e këndshme ka një karakter të qartë dhe fanfareje, me një linjë melodike të eksitueshme. Roli i introduksionit është i rëndësishëm në këtë piano-koncert. Introduksioni dëgjohet përsëri në ekspozicionin e pianistit, zhvillimin dhe reprizën. Tema e pjesës kryesore shfaqet në Mi minor, që tingëllon nga orkestra, është melodioze, lirike. Elementi bazë i temës mbështetet në harmoninë tonike (T6) që sjell emocion të përmbajtjes, kthjelltësi dhe më pas janë tremolot e timpanit dhe të harqeve të ulta që krijojnë një gjendje emocionale dhe ankthi. Shopeni përdori me zgjuarësi pizzicato për t’i shtuar paksa brilancë teksturës si dhe përdori kontrabasset me pjekuri për të ndryshuar kolorin e të gjithë seksionit të harqeve. Si pjesa kryesore ashtu edhe sekondare, janë lirike, në të dyja-mendime ëndërruese, kantilenë e qetë. Me kadencen e ‘butë’ të pjesës kryesore përgatitet tema sekondare tonaliteti i së cilës, në Mi maxhor, është zgjedhur nga Shopeni por që nuk i përshtatet normave klasike të sonatës. Ekspozicioni i pianistit fillon me temën e shkurtër të introduksionit, disa pasazhe të shkëlqyeshme, virtuoso-ornamentale përgatisin shfaqjen e temës të pjesës kryesore. Zhvillimi ose përpunimi është i ndërtuar në temën e pjesës kryesore në kombinim me figura brilante të instrumentit të pianos ndërsa repriza fillon në masën 486 përsëri me orkestren e cila ekzekuton temën e hapjes. Pjesa kryesore në reprizë (rekapitulacion) është e ekspozuar në tonalitetin bazë Mi minor, ajo sekondare i drejtohet Sol maxhorit që të mos prishet përmbajtja figurative.

Orkestrimi i tij
Në coda-n e shkurtër orkestrale, edhe një herë kujtohet tema e introduksionit. Romanca është shkruar në tonalitetin Mi maxhor, ndërsa për Larghetto, Shopeni kishte bërë shënimin: “Larghetto nuk është e fuqishme por shpejt bëhet romantike, kjo është si një ëndërr në një natë me hënë”. Janë dy tema të afërta me njëra-tjetrën, të qarta e të kthjellta, jo në kontrast. Tema e parë është ornamentale dhe e shkruar në teksturën homofone-harmonike, në gjini të nokturnit. Tema e dytë është e shkruar në tonalitetin H dur (Si maxhor) dhe në krahasim me të parën, është më melodioze, me plot pasazhe ornamentale në regjistrin e sipërm. Koha e dytë përfundon me një coda të kthjelltë në material të temës A. Shopeni në kohën e dytë nuk donte të krijonte një efekt të fuqishëm sepse pëlqente Romancën e qetë dhe melankolike për të dhënë një impresion. Finalja e koncertit, në Mi maxhor, është shkruar në formën Rondo. Të gjitha temat kanë bazën e muzikës popullore të dansit. Tema e refrenit është energjike dhe e gëzueshme. Karakteri i gëzueshëm i temave bazë, pasuria e ngjyrave pianistike, efektiviteti i virtuozitetit – të gjitha këto përcaktojnë tonin festiv të finales të piano-koncertit në Mi minor. Mbasi e kompletoi kohën e tretë, Shopeni e ekzekutoi koncertin e tij privatisht, në fillim me kuartet harqesh dhe më vonë me orkester të vogël. Më 11 Tetor 1830 u bë premiera e piano-koncertit No.1 me sukses të madh dhe Shopeni i tha një miku të tij që, “Koncerti ishte një sukses madhështor”. Interpretues ‘shopenianë’ të piano-koncertit no.1, konsiderohen pianistët e mëdhenj Emil Gilels, Artur Rubinshtein, Claudio Arrau, Vladimir Ashkenazi, Maurizio Pollini, Evgenij Kisin.
Artur Rubinshtein interpretoi piano-koncertin No.1 në E minor të Shopenit me ‘London Neë SO’. Tema kryesore e koncertit në E minor ishte memorabile dhe Larghetto ishte nën kontrollin e pianistit për kolorin dhe rubato-n. Rubinshtein luajti me delikatesë momentet poetike të Shopenit në këtë piano-koncert. “Që të ishe pianist i madh në shek.19, ishte e domosdoshme të ishe një pianist Chopin i madh ……………. literatura e pianos do të ishte e papërfytyrueshme pa Shopenin” shkruan Harold C. Schonberg.

*Dr. Sul Gragjevi, kritik muzike


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.