MILOSAO

Rusia, një histori politike e tranzicionit

09:37 - 15.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Profesori veteran i historisë në Fakultetin Filologjik nuk e ka pasur të vështirë të tregojë paradokset sllave. Një jetë e tërë në katedrën e historinë moderne të shekullit XX e ka bërë jo thjesht një vëzhgues të hollë por edhe analist të mirë historik. Adem Mezini e fillon historinë prej nga koha kur gati tridhjetë vjet më parë, Mikhail Gorbaçov u bë Sekretari i ri i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ashtu si mund të merret me mënd gjithçka fillon me shpjegimin e fjalëve më popullore të viteve ’80 “Glasnost” dhe “Perestrojka”, baza e teorive të politikanit 54-vjeçar rus të asokohe. Shqiptarët, përveçse e anatemojnë sistemin e ri rus, mundohen me sa më shumë të jetë e mundur të përdorin stigmën për një realitet që nuk e njohin.




Por nuk është kështu në botë. Që nga koha e Stalinit ardhja e Gorbaçovit shikohet si risi. Politikani i ri e ka të qartë se gjendja e vështirë ekonomike e Rusisë mund të kalojë vetëm nëse vendi rrit produktivitetin dhe duke e përshpejtuar rritjen ekonomike. Ai e di mirë se shteti i tij është tejet i dëgjuar për burokracinë qesharake dhe censurën e tij. Pikërisht këto shpall se duhet t’i eliminojë pak e nga pak. Autori na e jep shumë të qartë këtë tablo.
Cilët ishin dëshmitarët e kësaj gjendje? A ishte realisht vërtetë Gorbaçovi një komunist? A kanë të ardhme idetë komuniste në një botë universale? Këto janë pyetje që gjejnë vend në librin interesant të studiuesit të shkencave të historisë politike. Një lexues me interesa gjen gjithashtu përgjigje edhe për pyetjet interesante që lidhen me Rusinë, fatin e saj në kohët moderne, si edhe metamorfozën e frikshme që kishte ngërthyer breza të tërë të cilët besonin në plotë gati tetë dekada me radhë se vendi i tyre ishte fanar ndriçues.

Në fakt burokratët e shumtë të shtetit rus që e kishin vjelë shtetin e madh nuk e dinin se Glasnosti, që është varianti rus i transparencës, kërkonte një lloj pasqyre drejtësie dhe transparence në të gjithë Bashkimin Sovjetik si dhe për lirinë e informacionit, që deri atëherë ishte shtypur. Duhet thënë se burokratët do bënin çmos ta pengonin kurse Perestrojka, që kishte të bënte me konceptin e ristrukturimit të shtetit përbënte një lloj transformimi të shtetit drejt një tregu të lirë. Kjo është koha e Gorbaçovit dhe tezat e tij janë të jashtëzakonshme për ta shkundur Rusinë. Vetë Gorbi na pasqyrohet shumë interesant në librin e studiuesit të njohur. Jo më kot, Perëndimi e kapi me erë se përballë kishte një bashkëbisedues interesant, ndaj edhe u afrua ta ndihë me të gjitha mënyrat. Fatkeqësisht fryma liberale e Gorbaçobit nuk mund t’i shkonte frymës ruse. Rezultati ishte gati katastrofik. Rusia filloi të ndryshojë shpejt, por për fat të keq në formë kaotike.

“M. Gorbaçovi nuk arriti të perceptojë dhe të zgjidhë raportet kontradiktore dhe interesant midis forcave të ndryshme e politike të shoqërisë sovjetike. Studiuesi i njohur i historisë moderne E. Hobsbawm në veprën kapitale “Epoka e ekstremeve” ka theksuar se në shoqërinë sovjetike ekzistonin tri forca: a)shtresa e komunistëve reformatorë dhe radikalë, burokracia tradicionale partiake dhe shtetërore me ide dhe koncepte konservatore dhe c) shtresat e gjera të punonjësve të qytetit dhe fshatit”, shkruan Adem Mezini.

Dhe, shqiptarëve u mjafton situata në vendin e madh për ta marrë me mënd katrahurën ruse. Duhet thënë se nëse para Gorbaçovit kishte pak mundësi zgjedhje, në kohën e Gorbaçovit filloi tmerri i rradhave dhe triskave, të cilat duhet të administroheshin me forcë se nuk përmbaheshin më.
Të gjithë rrugën e zhvillimit politik nga Gorbaçovi deri te ardhja e diktuar e Putinit meritojnë vëmendjen e autorit që e trajton me shumë kujdes por edhe me mjaft durim, duke treguar etapat, faktorët dhe ato që ndikuan në administratën që krijuan burrat e shtetit rus që ndajnë këtë segment tejet interesante për historinë ruse.

Ndërkohë vizita e 1 shkurtit të vitit 1992 të Jelcin në SHBA ku u nënshkrua midis dy vendeve “Deklarata për përfundimin e luftës së Ftohtë” është ajo që ndryshoj gjërat. Fraza që shkruhet aty sipas të cilës “të dy vendet nuk e shihnin njëra-tjetrën si kundërshtar potencial” do përbëjë thelbin e marrëdhënieve mes tyre. Në vitin 1992 Rusia u pranua në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Dhe ato iu zotuan vendin t’i jepnin deri 24 miliardë dollarë për të realizuar Reformat e Tregut. Paradoksi ishte se vetë armikja e saj më e madhe SHBA-ja ndikoi shumë që të realizoheshin këto afrime dhe e ndihmoi në terrenin administrativ Rusinë.

Të gjitha këto veçanti por më shumë njohuritë e thella të profesorit dhe shikimi i tij shumë i thukët mund t’i kuptosh në konkluzionet e librit ku thuhet se “Janë të rralla vendet që në harkun kohor të një shekulli të kenë njohur si Rusia dy tranzicione radikale me drejtim të kundër, që përfshinin transformime e reforma, të cilat ndryshuan natyrën e rendit politik dhe shoqëror”
Libri lexohet me një frymë nga studiuesit por nga ana tjetër është shumë ndihës për njerëzit që i pëlqen politika e jashtme dhe jo vetëm. Adem Mezini me thjeshtësinë sesi ka zbërthyer historinë politike të shtetit për gati tre dekadat e fundit na ka dhënë një çelës për të penetruar në shumë nga të panjohurat që na rrethojnë sot lidhur me Rusinë dhe rolin e saj në botë. (b.an)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.