Kryesore

Teatrin e bën kultura e një kombi dhe jo individët!

14:00 - 15.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – E gjithë problematika e madhe që ka shkaktuar në vend drejtimi i ekipit të mandatit të dytë Rama, pothuaj e ka shpërndarë vëmendjen e publikut në çudirat që ka afruar ky model qeverisje. Që nga tarifa e “Rrugës së Kombit” dhe duke vijuar me përballjen me biznesin e vogël, taksat në rritje, shpërndarjen e ndihmës sociale, duke vijuar në gjërat makro që lidhen me mungesën e investimeve të huaja, qeveria Rama 2, po merr vetëm notë ngelëse. “I fundit” problem, por që duket se do marr peshë është ideja për godinën e Teatrit të ri Kombëtar.




Larg platformave, prezantimeve dhe barazimeve që i bëhen Tiranës me kryeqytetet evropiane, Teatri Kombëtar ka nevojë të madhe që të rikonceptohet apo të ndërtohet. Ndërkohë që debati i cili mbizotëron lidhet me faktin nëse do mbetet aty ku është apo jo; do ndërtohet një i ri por me kullat pas; do prishet dhe do ndërtohet nga fillimi dhe e gjithë hapësira do jetë e tij; do zhvendoset diku; apo do të gjendet diçka që t’i bëjë të gjitha palët të jenë të interesuara.
Plaga e parë që është hapur me problematikën e teatrit në komunitetin e artistëve është më e dukshmja.

Komuniteti i artistëve është i ndarë sepse të tilla janë dhe interesat e tyre.
A është interesi kulturor kombëtar mbi të gjitha? A ka dhuruar ky teatër vlera kombëtare për të cilat jemi të vetëdijshëm se godina duhet mbajtur me çdo çmim? Nëse do të pranojmë pyetjen e parë, kjo e dyta po bjerret nga dita në ditë. Ashtu si po bjerret nga dita në ditë dhe nguti që Tiranës t’i ngjeshin dhe disa kulla në mjediset e saj.

Megjithatë qoftë nga strukturat e shtetit, që fshihen pas hijes së rëndë të Edi Ramës dhe verdiktit të tij, por edhe nga pjesa që sot mbulon artistët mungon një gjë, e cila mund të konsiderohet si primare. Ajo është realisht transparenca. E para duhej të ishte e detyrueshme nga zyrtarët e shtetit tonë që për fat të keq janë gjithnjë e më shumë lojcakë me shtetasit, ashtu si komuniteti i artistëve duhej të ishte shumë më i drejtë. Këta të fundit janë të konfuzuar shumë veç të tjerave edhe nga Ministrja e Kulturës, e cila deri në fund mëton se nuk ka projekt edhe kur një projekt u prezantua në një mjedis ku mungonin gati artistët. Në këtë katrahurë, e sollën dhe ata variantin e tyre.
Ndërkohë një pyetje tjetër të vjen ndërmend në të gjithë këtë hulli. Nëse artistët do ishin kaq të interesuar për teatrin dhe ndryshimet pse gjithnjë aktivizohen kur shteti vendos dorë mbi diçka dhe jo më parë? Pse zërat e tyre më parë ishin apatikë dhe mbeteshin në kuadër të prononcimeve kundër drejtorëve dhe njëri-tjetrit? Pse nuk janë dreqin bashkë dhe janë aq të ndarë?

Tirana po e rrit nga dita në ditë jetën e saj kulturore dhe realisht i mungojnë mjedise për t’u bërë arti. Ashtu si shteti nga dita në ditë po fut hundët deri në art duke i shfrytëzuar artistët për të bërë politikën e vet. Ka edhe më. Në çdo kulmim që ka një artist patjetër do kërkojë të ketë pranë bekimin e politikës!
Të kthehemi pak pas: Regjimi i kaluar e shfrytëzoi mrekullisht artin dhe shumë nga aktorët që janë gjallë kanë shërbyer me artin e tyre në përcjelljen e turpshme të realitetit dhe koncepteve artistike që regjimi sillte para njerëzve. Ndryshimi i më vonshëm dhe mohimi thjesht i ka bërë qesharakë. Të paktit që janë dënuar, sepse u munduan të dalin nga ky qerthull, sot nuk kanë më zë sepse një pjesë syresh janë të vdekur të tjerët janë të moshuar. Ndërkohë bashkimi me politikën realisht i ka bërë qesharakë artistët, sepse nga lakmia te një pjesë e pushtetit të Berishës kanë shkuar te Rama.
Tirana, si qytet, nuk ka ndonjë traditë për respektimin e godinave dhe traditave. Prishja e xhamisë së Sulejman Pashës dhe mos ndërtimi i saj, prishja e ish-Komitetit Ekzekutiv (Bashkisë së para luftës), shkatërrimi i Hotel “Dajtit”, dëmtimi makabër i Piramidës na bën thjesht njerëz që bëjmë fjalë, por asesi të dedikuar për trashëgiminë tonë. Ndërtimi i Teatrit me gjithë të drejtën e madhe është kaluar në dorë të dytë për zyrtarët kryeqytetas sepse momentalisht interesi është te bërja e xhamisë së madhe të Namasgjasë, ashtu si edhe retushimi i sistemit aktual.

Aman, nuk ngrihet dikush nga komuniteti artistik dhe të kujtojë se Tirana ende s’ka një bibliotekë bashkiake, ku duhej të ishte. Të mos harrojmë se gjuha është elementi kryesor që e ka mbajtur identitetin e shqiptarëve dhe vijimësinë e tyre. Jo luftërat hipotetike, jo fjalët dhe pozat protagoniste.
Me pak fjalë, mos bëni kulla të nderuar politikanë dhe ndoshta modifikojeni dhe ngrini një teatër sa e meriton Shqipëria; apo ndërtoni një të ri prej nga fillimi, që t’i kënaqë, porse mos i lodhni njerëzit me kauza të paqëna. Ashtu si artistët nuk duhet të mbesin në kampe politikanësh, sepse shtëpia e tyre është skena.
Në fakt, të ishte për komunitetin e artistëve, Shqipëria nuk do ndryshonte asnjëherë, sepse në shumicën e rasteve arti i tyre nuk e ka ngjitur dot stekën as në lartësinë më të pakët të vlerave botërore dhe madje të kontribuojë. Askund ku e ka çuar të paktën gjuhën shqipe Çabej, Kadare dhe Migjeni dhe që shqiptarët pothuaj i kanë fshirë. Teatrin e bën kultura e një kombi dhe jo individët të cilët presin të marrin ndonjë dorë nga politika! (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.