MILOSAO

Zanafilla e romanit “Lumi i Vdekur” të Jakov Xoxës

11:54 - 15.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Aristotel Mici – Ishte një mesditë e gushtit të vitit 1955. Po studjoja historinë e letërsisë së vjetër shqipe të hartuar nga Ziaudin Kodra, kur më vijnë në dritaren e dhomës përdhese fëmijë të kushurinjëve e më thonë se ka ardhur një mik nga Tirana dhe të kërkon. Dola jashtë dhe më vajti mëndja se duhej të ishte Jakovi, me që më kish dhënë fjalën . Dhe vërtetë ai qe. Po më priste duke mbajtur në duar një biçikletë.




– Paske gjetur kalë të shpejtë, – i thashë.
– Është biçikleta e Lil Beles, -m’u përgjegj. – Më bëri nder.
Pasi mbështetëm biçikletën në trungun e një fiku, Jakovi më tha:
– More , po si nuk më tregove, kur u takuam në Institut, se më kishje nisur dikur një tregim në redaksi? M’u duk e papritur, kur pashë emrin tënd dhe titiullin e tregimit “Subash Pallamari”.
– Tregimin nuk ua kam nisur me postë,- iu përgjegja,- po ua kam dhënë në Shkodër, kur erdhët dhe organizuat një takim me letrarët e rinj në gjimnaz.
– Ke të drejtë, – më tha,- ka më shumë se një vit.. Gjatë kësaj kohe kam grumbulluar mjaftë shkrime nga studentët e shkollave të mesme dhe të Fakultetit të Letërsisë.. I kam sistemuar në dosje dhe po bëj një seleksionim. Në këtë proces pune hasa edhe tregimin tënd, i cili më pëlqeu dhe në një të ardhme do të botohet.

Po mos harro se “Tribuna Letrare” si faqe e brendshme e gazetës del një herë në dy javë, kështu që siç kuptohet për tregimet nuk ka shumë sipërfaqe. Është ndryshe me poezitë. Me që ra fjala për shkrimet që jam duke përzgjedhur, desha të them gjithashtu se këto krijime, pasi të shaptilografohen, do të përmblidhen në një dispencë, e cila do të shërbejë si bazë për një seminar me letrarët e rinj, që do të mbahet nga fillimi i vitit të ardhshëm; mbase dhe në muajin shkurt. Kjo dispencë do t’u dërgohet gjithë autorëve të rinj. Po ti mos prit sa të të arrijë me postë. Kur të vish në Tiranë për provimet e sesionit të dimrit në janar, kthehu edhe nga redaksia e gazetës dhe merre vetë përmbledhjen me shkrime që të fitosh kohë për t’u njohur me materialin.

Ishte akoma vapë gushti, prandaj e pëlqyem të rrinim jashtë dhe u ulëm tek dy stola dërrase që ishin vendosur nën hijen e shelkut në oborr, ku dëgjoheshin mijëra cicërima të harabelave tok me këngën e pandërprerë të gjinkallave. Aroma e lule tatullave ne mezhden e gardhi e bënte edhe më të këndshem qendrimin përjashta .
Ndërkohë nëna ime, dukë parë se dikush kishte ardhur e po bisedonte me mua në oborr, doli nga shtëpia dhe, kur erdhi pranë nesh, te hija e shelkut, unë i thashë se “miku ka ardhur nga Tirana, është shkrimtar dhe e kam profesor në Institut, e quajnë Jakov Xoxa.”
Atëherë nëna i dha dorën dukë thënë:
“Mirësenaerdhet! Dhe të qoftë e mbarë ardhja që bëre dëri këtu ! Me sa dëgjova nga djali, mos jeni nga dera e Xoxallarëve.
– Po- u dëgjua Jakovi- i biri i Nasit.

Pastaj nëna m’u drejtua mua: “Po ti më mirë thuaj se e kemi mikun nga Fieri dhe jo nga Tirana. Me Xoxallarët kemi njohje të vjetra, sidomos me avokat Zoin.”
Sigurisht, në ato vite, ardhja në fshat e një intelektuali prej Tirane, dhe aq më tepër e një profesori nga Instituti i Lartë, ishte një vizitë e rrallë që nëna e priti me nderim.:
“Gëzohem, vazhdoi të fliste ajo që djali di të mbaj lidhje me njerëz të ditur e të mirë . Ashtu si i thonë një fjale , nga i dituri dhe nga i vuajturi ke çfarë të mësosh gjithnjë”.
Duke parë se jashtë në hije ishte bukur, nëna nuk kërkoi të qendronim brënda shtëpisë me një hërë sipas zakonit; ajo na la të vazhdonim bisedën që kishim nisur dhe pas pak minutash na solli me një tabaka dy gota me dhallë të freskët tundësi.
Ndërkohë, nëna vuri shkarpa të thatë të vatra me tulla jashtë shtëpisë, aty prane, tek hija e atij shelku, ndezi zjarrë me to dhe nisi të përgatiste vezë të skuqura me djathë të bardhë.

Kur ishim duke ngrënë atë drekë të shpejtë, Jakovi iu drejtua nënës tek po zjente xhezvenë e kafesë.
– Si e mban mend zotrote shpërnguljen e fisit nga Griza?
– Më tepër se shpërngulje, ikja jonë ishte dëbim. Na dëbuan në mënyrë të pamëshirëshme,- iu përgjegj nëna, duke afruar shkarpat te urat e zjarrit.
– Po si ndodhi? Për çfarë arsye?
– Në të vërtetë inati i beut filloi me kthimin e tim shoqi, Çaçit, nga kurbeti.. Ai kur erdhi nga Amerika, solli me vete ca para, dhe për çudi edhe një makinë shkrimi.

Atëherë, beu, me të marrë vesh, na erdhi gjoja për urim dhe i tha tim shoqi se fisi i Micallarëve i detyrohej atij për hakën e të tretave për dy vjet, që ishin të padhëna ende..
-Vërtëtë nuk ia kishit dhënë ?
-Ia jepnin, po nuk i mbushej syri qehajajit. Është pak, thoshte, e kini fshehur misrin dhe grurin .
– Po kishte fakte për atë që thoshte.
-Aspak. Qehajai fliste në tym. E treta dilte me pakicë, sepse pak u prodhua. Ishte koha e Luftës së Madhe. Austriakët erdhën që andej nga veriu; ushtarët e Italisë së Parë nga Vlora…..dhe bënin luftë midis tyre. Mjaftë të ruaje kokën; lëre më pastaj atë sëmundjen e keqe të Gripit Spanjoll. Gjysma e njerzëve të fisit vdiqën. Po ata nuk donin të dinin as për këtë mynxyrë as beu, as qehajai. Dhe kështu, kur erdhi Çaçi me ato para gjithë mundime, ia behën ata, siç thashë. Në fillim i kërkuan makinën e shkrimit për një avokat të tyren. Po nuk u mjaftuan me aq. “Mos harro”, ngulnin këmbë: “kemi dy vjet pa të tretë.”
“-More zotërinj, – ua ktheu Petua, një kushuri, – me ato para që na solli Çaçi, lamë borxhët , që qenë marrë nëpër miq, tani shpirti ka mbetur.”
– Po nuk na dhatë hakën, nuk do t’i keni mirë punët, – u hakërrua qehajai.
Në ato kohë Çaçi qe përzierë edhe me fanolistat. E kishte njohur Fan Nolin qysh në Amerikë. Një më dy dhe fliste për të. Pastaj u lidh edhe me ata të “Bashkimit”. Mirëpo më vonë, kur Fan Noli ra dhe iku, beu ngriti zërin edhe tha: “Më mirë një bujk më pak, se sa një kokëlartë më shumë. …. Nuk të lintë beu të çoje kokë sipër, ja, fjala vjen të ngrije oxhak në vend të baxhasë.


– Dhe pastaj, nga kërcënimi i beut, ju ikët me një hërë.- pyeti Jakovi.
– Nuk shkuleshim kollaj ne, Micallarët ishin fisi i madh. Gjithë djemtë kishin armë. Po me gjithë atë, ishte koha e bejlerëve. Ata bënin ligjin se kishin qeverinë me vete. Pastaj, duhet thënë se armiqësia e beut me fisin e Micallarëve ishte e vjetër.

Shumë e shumë vite para se unë të futesha nuse në këtë derë….Me të dëgjuar e kam se mëria kishte nisur qysh kur qe djegur një pjesë e kashtës së kënetës së Grizës. Po për këtë sherr, që u kthye në hasmëri, më mirë pyesni xha Kolin, sepse ai e ka më të qartë se sa unë. Dhe ashtu, ta ngas llafin, beu na kishte si halë në sy, sidomos kur guxuam të bënim oxhak në vend të baxhas. Ditën e Pashkës së Madhe na dërgoi lajmin që brenda muajit të largohëshim nga Griza. Dhe, kur pa se fisi nuk kishte sy për të lëvizur, beu vendosi të vriste burrat duke u zënë pusi. Ashtu mendoi dhe ashtu bëri. Si kohë më të përshtatshme atëherë gjeti një ditë të martë, që ishte dita e pazarit në Fier.

Atë dit im shoq ,Çaçi, dhe kushuriri i tij, Petro, u nisën kaluar për në qytet, po ecnin si për ditë pazari. Atyre nuk u shkonte në mend se tek kthesa e Mbyetit, tek një vend që i thonë Çesma e Shën-Kollit”, poshtë kodrës, tek ca blaca të mëdha me ferra dhe marina, i ligiu, një njeri i beut, iu kishte zënë pusi. Kur burrat iu afruan kthesës kaluar, duke u llafosur qetë- qetë midis tyre, i ligu, ai vrasësi, qëlloi dy herë. Petron e kapi plumbi në zemër dhe ra për tokë i vilanosur, kurse im shoq, Çaçi, që nuk e zuri plumbi, u hodh nga kali, nxori revolen dhë u sul vringthi nga vrasësi, duke qëlluar drejt tij, po ai u zhduk në shkorretë.. Ishte ditë pazari dhe tërë kalimtarët dhe pazarasit u grumbulluan për rreth të vrarit, ndanë rrugës. U bë zhurmë e madhe; dhe ashtu përmes asaj berihaje Peton e vrarë e sollën në shtëpi me qerre të lyer me gjak. Ditën e varrimit , tok me vajet, u nxor e u këndua edhe një këngë me “oi”, nga gratë dhe me kaba nga burrat::

Të vranë, Peto të vranë,
Të vrau beu me qehajanë.
Në Mbyet ç’ta u zunë pusinë,
Tek Çezm’ e Shën-Kollit,
Tek blacat me marinë.

Ditë pazari, u muar vesh,
Ç’u bë në Grizë Godolesh.
Shkrepi dyfeku për t’ vrarë,
Për të vrarë një myzeqar. .
* * *
Ndër kohë Jakovi hapi bllokun e shenimeve dhe shkroi shpejt e shpejt fjalë dhe fjali që i interesonin, duke pyetur përsëri:
– -Dhe pas kësaj ngjarje të dhimbshme, beu vazhdoi t’u binte më qafë?
-.Për ca javë beu nuk u ndje, po në mbarim të gushtit, na vjen një lajmëtar nga komunia më një shkresë në dorë, që ua dorëzoi burrave . Me anë të asaj karte të vulosur, si bazmata, nga kryetari i komunes jepej urdhëri që të largoheshim një orë e më parë dhe t’ia linim të lirë oborrin edhe tokën të zotit të çifligut. Po ne ,gjene, nuk po luanim, nuk na benin këmbët të lëviznim. Dhe ku do të shkonim?… Ku të mbyteshim…… Ishim shtëpi e madhe me shumë fëmijë të mbetur jetim që nga koha e Gripit Spanjoll.

Nuk kaloi dhe shumë kohë dhe në fillim të vjeshtës së parë një mëngjes, u çuditëm kur pamë qehallarët dhe xhandarët , që kishin sjellë me vete edhe ca argatë me shkallë dhe sqeparë.
– Keni shkelur urdhërin e komunës, na thanë. Meqënëse nuk u larguat vetë, po u dëbojmë ne, folën ata si më hakërrim. Vunë shkallet e drunjta nga jashtë dhe urdhëruan argatët që të hipnin lartë e të na hiqnin çatinë. Nuk kishim se çfarë të bënim. Nuk i bihej murit me kokë. Bejlerët e kishin marrë përsëri fuqinë. Kjo u duk qysh kur pazarin e Fierit, që tregëtarët në kohën e Fan Nolit e shpunë në Bishanakë, bejlerët e hoqën dhe e vunë brenda trojeve të tyre, siç pati qenë para Fan Nolit.
– Me lotë në sy ngarkuam qerret dhe kuajtë edhe u nisëm për në Fier. Në fillim na hapi oborrin dhe shtëpinë një mik i Çaçit, Tonç Bufi. Ku u sajuam e qëndruam për javë të tëra.

Po për këtë kohë nuk është për t’u harruar ajo që bëri , Stërgjyshja, që e thërrisnin Nëna e Mdhe, e veja e Petos së vrarë. Atë e quanin Urani, po djemtë e thërrisnin Gjyshe Maja. E vrerosur nga gjëma që na gjeti, ajo, Nëna e Madhe, një ditë nuk e mbajti veten; e ndërkryer nga gjëma e vrasjes dhe e dëbimit , na merr bastunin e të shoqit dhe vendosi të shkonte tek sarajet e beut dhe ta takonte atë dhe t’i fliste sy më sy. “Mos shko tek beu, i thanë djemtë, se ai do të vrasë”. Le të më vrasë, tha, turpi i tij do të jetë. Nuk më dhimbet më jeta. “Çfarë do të ndreqësh tani, o Gjyshe Maja?” E pyesnin çunat. Asgjë, u tha ajo, vetëm do ta nëm sy më sy. Zoti që është lart shikon, mënon , po nuk harron. Tha ato fjalë dhe mori udhen drejt sarajeve. Po djemtë nuk e lanë vetëm. Dikush mori një çfurk druri, dikush çomange gjuetije dhe i shkuan asaj pas . Vajti atëherë Nëna e Madhe dhe trokiti te porta e rëndë. Pas pak, u hap një derë dhe doli qehajai.
– Çfarë kërkon ? – i foli si me hakërrim.
– Dua të takohem me beun , – i tha .
Qehajai atë çast hodhi shikimin nga çunat dhe e pyeti Nënën e Madhe se ç’ donin ata djemtë prapa saj.
– Ata janë në merak se mos rrëzohem unë dhe, po të bie, të më marrin hopa dhe të me shpjenë në shtëpi..
– Do të presësh ca aty, sa të vete dhe të lajmëroj beun, – foli si me inat qehajai , duke mbyllur derën me panxhë.
Më kot po priste Nëna e Madhe t’i hapej dera përsëri. Beu nuk po dukej të zbriste shkallët që të shpinin në oborr. Po, megjithatë, ai doli në ballkonin e katit të dytë dhe iu drejtua prej andej nga lartë Nënës së

Madhe, duke shikuar edhe djemtë për rreth saj:
– Për se ke ardhur? Çfarë kërkon?
– Nuk të kërkoj gjë, po jam këtu që të të them se Zoti atje lart, shikon, mënon, po nuk harron. A i sheh këta djem jetim dhe pa strehë? Ja kështu
mbetsh dhe ti o zot, kështu me trastë krahu, që kur të të vërsulen qentë e të rrotullohesh, t’u biesh, të të këputet gjalmi i torbës e të përndahen kotheret e bukës e t’i hanë zagarët!2
Nëna ime, sado që nuk trembej nga bestytnitë, ajo prap i ruhej “syrit të keq” dhe mallkimit , prandaj dhe shtoi një ide të saj: “Sot kanë dalë ca djemuri që thonë se nuk ka Zot. Mirëpo ja që mallkimin e Nënës së Madhe të fisit e dëgjoi Zoti. Pas shumë vjetësh, …do ti që beu i humbi çifliqet edhe sarajet. Ngeli si i thonë fjalës me gisht në gojë; dhe ashtu, i pazoti për çdo lloj pune, ai e gjeti më të udhës të lypte.” Dhe për çudinë tone, një herë, Nëna e Madhe, megjithëse qe plakur shumë, sa që ecte me bastun, një ditë pazari, i zunë sytë beun me trastë në dorë duke lypur . Atëherë ajo e la inatin mënjanë, bëri kryq me shikim nga qielli, duke thënë: “Mëshiroje, o Zot, se nuk dua ta shoh më keq” .

Ndër kaq, Jakovi, i tërhequr dhe më shumë nga ngjarja, mori fjalën dhe shtoi nga ana e tij: “Kjo Nëna e Mdhe, a po Gjyshe Maja, më sjell në mendje nje grua tjetër guximtare nga Myzeqeja. Më kujtohet se kur ishja fare i ri, shkoja në avokatinë e Zoi Xoxes, ku lexoja dhe koleksionin e “Gazetës Zyrtare”. Një herë në atë gazetë më zunë syte një njoftim të padëgjuar ndonjëherë. Botohej një thirrje e gjyqit paqtues se “kërkohej një grua e ve nga fshati Pishë i Levanit të Fierit, grua, e cila, pasi kishte kundërshtuar tagrambledhësin e pat qëlluar atë, dhe ishte larguar në drejtim të paditur, duke marrë me vete edhe fëmijët e saj. Kjo grua e ve quhej Pulie Spiro Pali ….. Që të dyja këto raste tregojnë se edhe gratë e Myzeqesë kanë protestuar kundër dhunës dhe shfrytëzimit.”
Dhe pastaj, pasi bëri këtë krahasim, Jakovi pyeti nënën përsëri:
– Po duke qenë se ishit të strehuar ashtu, në një farë mënyre në Fier, si vendosët edhe erdhët pikërisht këtu në Shën-Pjetër ? -Shkak për ardhjen tonë këtu në këte vend qe njohja e Çaçit me ca shokë kurbeti qysh nga koha kur ishin ne Amerikë.

Ata, me t’u kthyer në Fier nga mërgimi, filluan të merreshin me tregëtira; kishin dhe ortakëri midis tyre dhe u pati ecur ekonomia, kishin bërë prokopi. Dhe këta , ortakët i thanë Çaçit:”Ti nuk kë fëmijë të rritur, po ke plot nipër; ….nipa që duan punë. Për të ndihmuar fisin tuaj, ….a nuk do të ishte mirë të bënim një marrëveshje? Në Shën-Pjetër ne kemi gjetur një shtëpi të madhe dykatëshe, që ka disa dhoma dhe konakë edhe oborr të gjërë. Shtëpia që të mbahet do njerëz, kurse ju doni 3shtëpi. Vendosuni atje, ku ne duam të bëjmë një si fermë, një si bujqësi alla amerikane, me që atje ka hapesira për kullota. Në këto mera4 gjysëm kënetore do të rrisim kuaj dhe derra, se i kërkon tregu i jashtëm. “Ne do t’u japim “mall” me”hakë” “për gjysëm”; pra “krerët tona”, kurse “prodhi” në mes. Kjo ide u pëlqye nga të gjithë dhe fisi vendosi të ngulitej këtu në Shën-Pjëtër..

Ashtu u krijua mundësia që gjithë fisi të grumbullohej tek kjo shtëpi e madhe dykatëshe. Nuk u sqarua atëherë se kush e kishte ndërtuar a po shitur godinën. Vetëm se ne mësuam se këtu ishin trojet e Mingajve , të cilët qenë larguar kohë më parë në Vlorë. Në do të dish, këtu, në këtë truall e në këtë shtëpi ka lindur edhe Jani Minga, për të cilin thonë se u bë njeri shumë i ditur. Për këtë arsye toka jonë dhe sot e kësaj dite quhet “Minga”, ose Arat e Minges .
Kështu, në fillim puna po ecte mirë. Kuajt kishin hapësirë dhe u shtuan e u bënë tufa si gjysëm të egër. Kishin plot mera, hanin truskë dhe çole që nga Vija e Ngjalës në kënetë dhe deri në bëset 5e Povelçës. Ishte vërtetë një kullotë kënetore, dhe kishte lloj lloj barërash të egra që rriteshin vetiu dhe kuajt i hanin e u bënë si të hasdisur. Kuajt e rinj, mëzenjte, u bënë aq të egër, sa nuk i kapje dot. Ndonjë herë thërriteshin pelarë të zotë ciganë, arixhinj, që ishin mjeshtra për zënien e kuajve të egër. Ata dinin të përdornin leqe të mëdhënj për këtë punë.

Në fillin ne gëzonim, sepse na dukej që punët në këtë lloj ferme po ecnin mirë dhe shpresonim se e kishim lënë pas varfërinë. Ditë e natë, gjithë fisi gëzonte; të mëdhenj e të vegjël mendjen dhe sytë i kishin te kafshët dhe gjëja e gjallë, tek bagëtia, se si i thonë asaj fjalës së moçme që gjëja e gjallë të mban gjallë.

Mirëpo kënaqësia jonë se po shpëtonim nga skamja nuk zgjati dhe aq. Përpjekja e
tyxharëve ortakë që të fitonin sa më shumë e të shpenzonin sa më pak, nuk doli për mbarë. Kuajt dhe kafshët e tjera vërtetë u shtuan për disa vjet, se qenë me dimra të butë, dhe…. nuk pati dëmtime. Mirë po na qëlloi që një vit dimri na doli tmërrsisht i keq. U bënë kallkan gjithë kullotat. Fryjti ajo era e fraqit që vjen nga Elbasani, që të merrte shpirtin. Pushonte fraqi, edhe thoshnim ne se po ikte dimri, po jo, dimri nuk tundej, do të bënte të tijën; iku fraqi, po fillonte smoreci, një erë edhe më e ftohtë. Në ato netë me acar kuajt donin kasolle, donin çati, donin ushqim, donin tagji .Kështu që në atë dimmër të egër, ca nga mungesa e kasolleve edhe ca nga pa ushqimi kuajt i zuri tartakuti. Mëkat nga zoti, shumica e kuajve ngordhi nëpër mera në mes të cingrimës.
Në ato rrethana tyxharët ortakë e panë të udhës ta prishnin marrëveshjen , të merrnin gjënë e gjallë të tyre, dhe ne, gjithë fisi, të mbeteshim pa bukë e pa dhallë.
– Dhe, si jetuat pastaj? Si e përballuat jëtën? – Pyeti, i bërë kurioz Jakovi, që e ndiqte ngjarjen me vëmendje.
– Shpëtimtarja e fisit tonë atëherë u bë kamina….. Shën-Pjëtra nga ana e kënetës është e rrëthuar nga toka shëllirë, kërkërishte, vende trokë, që nuk prodhojnë asnjë gjë. Po këto lloj dherash, ama, kanë një të mirë, se janë argjil e gjallë, argjil e pastër, “tallabak”, që bëjnë një baltë të përsosur për qeramidhe. Im shoq, në atë kohë, gjeti një usta, që bëntë shtëmba balte, po që ishte edhe mjeshtër për kaminë. E solli këtu që t’u mësonte djemëve si të ngrinin kaminë. Brenda një muaj ai ua dha atyre zanatin. Kurse ne nga ana jonë i dhamë një mës peshqesh. Kështu djemtë filluam të prodhojnë mijëra tulla dhe qeramidhe. Me to nxirrnim bukën e gojës. Shkëmbenim mall me mall.

Jepnim dy mijë tulla, fjala vjen, për një kuintal misër ose grurë. Ishim të vetmit që ngritëm kaminë në këto anë dhe prandaj nuk na ngeleshin pa shitur qeramidhet. Po edhe kjo punë nuk doli për mbarë. Duhej paguar shqopa, lënda djegëse, pa le taksat, që dilnin më shumë se sa fitim. Me një fjalë iknim nga varfëria në varfëri. Ngelëm përsëri, në udhë kryq., si i thonë fjalës.
Kështu e mbylli fjalën nëna atë pas dreke, tek pinim nga dalë filxhanët e kafesë. Lidhur me këto episode si dhe këngën e mësipërme të asj kohe, Jakovi do të shkruante dhe do të komentonte me shokët e kolegët e tij.

Siç tregon shkrimtari dhe studjuesi i mirënjohur Prof. Nasho Jorgaqi në librin e vet me kujtime, kur flet për një nga takimet me Jakovin, ai shkruan: “ Kësaj radhe m’u duk krejt ndryshe, gati i ngazëllyer, kur, sapo u ulëm, më tha: “Më në fund, u zgjidh lëmshi. E gjeta ngjarjen maja!” Unë akoma nuk po e kuptoja se për çfarë e kish fjalën konkretisht, sepse vetë togfjalëshi më tingëllonte i paqartë. Vetëm kur më shpjegoi, mora vesh se kish gjetur më në fund ngjarjen që do të lidhte lëndën e mbledhur e do ta ngjizte veprën. Si vjen puna,- më tha,- njoha rastësisht një mësues nga Shën Pjetra. Nuk di në se e njeh, se edhe ai shkruan. Aristotel Mici e quajnë. Më ftoi bile edhe në shtëpinë e tij në fshat, ku u takova me të ëmën. Ajo ishte një arkiv i gjallë. Këtë e kuptova kur u shtruam në muhabet. Familja e tyre kishte një histori sa dramatike, aq dhe heroike. Ishte historia e një familjeje myzeqare, vrarë e gjakosur me bejlerët, për të cilët këndohet edhe këngë, gjë e rrallë kjo në këto anë, ku shtypja dhe padrejtësia ishte ulur këmbëkryq. Fisi i Micallarëvë është nga Griza, por armiqësia me bejlerët e shpërnguli prej andej dhe i solli në Shën Pjetër. Nuk e ke idenë se sa u gëzova nga gjithësa më treguan. Gati sa nuk thirra :”eureka”6
* * *

Atëherë, pasi qemë llafosur nja dy orë, pasi kishim pirë edhe kafenë, kur ra vapa, e nxora Jakovin për të njohur sadopak fshatin. Në fillim e shpura tek kisha e Shën- Pjetrit, që i ka dhënë edhe emrin fshatit. Po nuk e gjetëm kisharin që të na hapte derën. Doja që Jakovi ta shikonte kishën nga brenda. Ishte kishë e vjetër, e ndërtuar me gurë të Apolonisë dhe shumë e ngjajshme nga konstrukti me kishën e Shën Mërisë së Pojanit.

Në auditorium, karshi ajodhimës, kishte afreske artisitke, ku figurat e aureolat e shënjtorëve qenë pikturuar me ngjyrë limoni, si në bojë të verdhë veze , ose bezh në gri. Kisha e Shën-Pjetrit ishte e kohës paraturke. Kur erdhën turqit kanë gjetur dhe regjistruan shtatëmbëdhjetë çifçinj. (Qe një humbje më vete prishja e asaj kishe e shekujve të Mesjetës).

Në oborrin e kishës e njoha Jakovin edhe me varrin e tim eti, që ndodhej aty afër mureve të saj. Ishte i vetmi varr që kishte fotografi prej porcelani. Babai atë fotografi e kishte pas bërë në Boston, po që nëna më vonë, pas vdekjes së tij, ia pat dhënë të kushuririt, Nas Shtëmbarit, i cili e rifotografoi në Itali, në porcelan.
– Këtu,- i thashë Jakovit, – tek ky varr më fillojnë kujtimet e fëmijërisë. Ishja vëtëm katër vjeç, kur prifti, Papa Kristua, u tha njerëzve përqark arkivolit, që po tendosnin qefinin:
– Le ta hedh djali dheun e parë !
– Dhe unë, i mësuar nga nëna, mora me dorë një copë plisi të zi dhe e hodha mbi qefinin e bardhë.
Dhe, kur atë çast u përlota pak, duke shqiptuar ato fjalë më dorën mbi fotografinë e tim eti, Jakovi më ngushëlloi me atë shprehjen lapidare: “S’ thonë kot që gurin e rëndë të varrit të vdekurit ia vënë, po i gjalli e mban”.

*
* *
Pastaj dolëm prej kishës që shprehte “antikitetin” e fshatit për të vajtur nga ana romantike e Shën-Pjetrës. Pra, do të ecnim andej nga ana e lumit .
– Tani do të shkojmë anës lumit, – i thashë,- po mos prit të shohësh lumë me ujë të valëzuar.
– Po pse?
– Sepse ky është lumë pa ujë tani në verë, prandaj i thone edhe Lumi i Vdekur. Ky është një lumë i çuditshëm, bën të kundërtën e lumenjëve të tjerë. Ndërsa gjithë lumenjtë, në kohë dimri, e shpjenë ujin nga toka në det, ky e sjell ujin nga deti në tokë.
– Po kur fillon kjo dukuri? Kur ngjet? Në ç’ kohë ?
-Atëherë kur do të ringjallet iu përgjegja, në kohën kur ngrihet bura e detit……
Atë çast, siç e kishte zakon për raste të veçanta, Jakovi nxori bllokun e shënimve nga xhepi dhe, duke buzëqeshur më tha:
– Më dukët sikur po flasim si në lëgjenda, për lumë qe vdes dhe ngjallet.
Dhe mbase në këtë moment, duke folur për atë lumë të vjetër që vdes dhe ringjallet, Jakovit do t’i ketë marrë shkas ideja për t’i dhënë emrin metaforik romanit “Lumi i Vdekur” .
Është për t’u shënuar me këtë rast dhe koincidenca midis Lumit të Vjetër, që ekziston realisht, që vdiste e ringjallej në Shën-Pjetër dhë imazhit të Jakovit për Legjendën e një lumi të vdekur.Vetë ai ka shkruar se “qysh më 1945 kisha shkruar rtëth 80 faqe të romanit “Legjenda e Lumit të Vdekur”7.
*
* *
Tok me Jakovin ndoqëm rrugën anës Lumit, shtrati i të cilit në vazhdim bën disa bërrylakë. Pas një ore ndalëm tek vendi që quhet Kurora e Laçanit. Në të djathtën e saj çoheshin ca pirgje të mëdhenj më rërë, që vendësit i quajnë bëse, kurse në të majtë shtrihej Pylli i Shëne Premtes. Pas drurëve të pyllit shquanin disa rrënjë ullinj pranë njëri tjetrit, duke formuar një si korije të vogël më vete..
Pranë ullinjve, buzë lumit, ndodhej kisha e Shëne-Premtes. U afruam dhe e soditëm nga jashtë. Kisha të bënte një përshtypje të çuditshme, jo me bukurinë e arkitekturës, po me fortësinë e mureve dhe vjetërsinë e saj. Pamja ekzotike e kësaj kishe do t’i linte një përshtypje të veçantë Jakovit . Shumë nga ngjarjet e subjektit të romanit “Lumi i Vdekur” do të realizohen aty tek kjo kisha e Shën e Premtes në Laçn, tek Pylli i Shëne-Premtes, tek ullastrat e Shëne-Premte, tek kurrizi i Shëne-Premtes, tek lëndinat e Shëne-Premtes, tek kullotat e Shëne-Premtes, nga Trokthi në Shëne-Premte, tek shkallët e drunjta të Shëne-Premtes, drejt dajlanit të Shëne -Premtes.(janë emra nga toponimia e romanit)
Të gjitha këto detaje, brenda romanit, tregojnë përkushtimin e shkrimtarit ndaj faktit real, që i jep dorë frymëzimit të tij, ashtu siç pohon studiuesja Sh. Islamaj se Jakovi është sinonimi i ndërgjegjes krijuese8. Një nga episodet më të pikëllueshëm të romanit do të pasqyronte Jakovi pikërisht këtu në mjediset e Shëne-Premtes, kur do të ndodhte përmbytja nga vërshimi i Lumit të Vdekur. Kjo tablo, që do të pershkruante ai në vepër, shpreh një pamje tronditëse mjerimi me përmasa migjeniane: me shprehjen:U ngjall Lumi i Vdekur, mjerë të gjallët!…

Ndërkaq lamë pas Shëne-Premten buzë Lumit të Vdekur. …Dhe ikëm duke ndjekur tragën e qerreve, që çante përmes kullotës verore drejt fshatit. Prapa shpinës kishim detin Adriatik, dhe disa gjole, që vinin si varg para grykës se Lumit të Vjetër, si gjolin e Kërrnicës, gjolin e Gallanit dhe atë të Povelçës, që arrinte deri te Pylli i Madh.. Kurse përball na shfaqej pylli i Shën-Pjëtrit gjithë qiparisa, vidha e lisa të stërlashtë.. Para syve tanë , nga e djathta, shtrihej edhe kodra e Apollonisë me rrënojat murale sipër dhe, ndanë saj ngrihej si një gisht i zgjatur gjiganti, Shtylla antike e Shtyllasit, që lartësohej sa takonte qiellin. Tek shikonim rrethe përqark, na dukej sikur ecnim në një si skenë në formë patkoi. Ashtu ngjante atëherë sipërfaqja kënetore e Hoxharës. I përmënda gjithë këto emra vëndesh, sepse mbi to fantazia e Jakovit do të ndërtonte veprimet e subjektit të romanit të ardhshëm. Tek iknim për gjatë tragës që gjarpronte midis bimëve dhe barishteve të ndryshme, kudo na shfaqej flora e kënetës me gjithë shumëllojshmërinë e vet: fshesa kripje, jamruk, truska, çole , grëmi i kripur, shkurre marinash dhe labot i egër.

Dielli kish anuar shumë nga perëndimi, po rrezet e tij e kishin nxehur tokën e çarë kënetore gjat tërë ditës. Avujt e kripur sikur dridheshin dhe shumë figura bimësh edhe kafshësh transfiguroheshin, dukë marrë pamje vigane për arësye të iluzioneve optike. Atë çast xhamat e dritareve të Manastirit të Shën-Mërisë në kodrën e Apolonisë reflektonin butësisht rrezet e diellit në perëndim e sipër. Flladi që vinte nga deti përhapte erën e kripur të gjolit të përtharë, që kishte edhe atë aromën ngacmuese te jodit . Në ecje e siper ndjehej ajo kënaqësi që të jepë natyra virgjine me gjithë erëzat e saj dehëse të bimëve të egëra. Pasi kishim ecur nga dalë gati për një gjysëm ore përmidis bimësisë kënetore, ndalëm dhe u ulëm tek një trung druri të rrëzuar nga barinjtë e merasë. Ndodhëshim në atë pjesë të kullotës që ishte krejt shëllire dhe e zhveshur nga çdo lloj bimësie.
-Këtë pjesë të kullotes e quajnë Trokas dhe është vendi më i pëlqyer i barinjve.. Këtu luhet cingël, dokërr dhe bidakthi me shumë kënaqësi.
– Po pse të jëtë aq i pëlqyer?- tha Jakovi..
– Sepse nuk të humbet as cingëla, as dokërra edhe kur i jep me aq forcë sa të ha krahu.
Jakovit siç dukej i kishte tërhequr vëmendjen emri i asaj ngastre me shëllirë të thatë “ Troka-s” dhe vazhdoi të më thoshte:”Po sikur ta quajmë Vendi Trokth”?
– Është mbase e njëjta gjë, ia kthëva unë, vëtëm se ndryshojmë gjininë gramatikore.
Edhe për këtë rast ai seç shkroi në bllokun e tij të shënimeve. Nuk e pyeta për efektin që do të kishte ky detaj toponomastik “Troka-s” në “laboratorin” krijues të shkrimtarit . Vëtëm se kur u botua romai “Lumi i Vdekur”, morëm vesh se ngjarjet e subjektit të veprës, që fillonin në Grizë, vijnë e shtjellohen në fshatin tjetër, pranë Lumit të Vdekur, që quhet Trokth. Siç do të shkruante vetë Jakovi:”Trokthi ne roman është fshati Shën- Pjetër”9

Mars, 30 – 2018
Massschusetts
1.Shprehje nga romani “Lumi i Vdekur”
2 Këto fjalë të Nënës së Madhe Jakovi do t’i vendoste si nje leitmotiv në krye të faqes së parë të romanit “Lumi i Vdekur”.
3 Truska dhe cole janë dy bimë kënetore
4 Fjal “mera” do të thotë kullotë
5 Bëset, jane kodra me rërë, duna, ose pirgje të formuara nga valët e detit gjat shekujve dikur.
6 N. Jorgaqi, “Koha e kujtimeve”, OMBRA GVG, Tiranë,2011, f..367
7 Shiko artikullin e J.Xoxës “Po ta kërkosh, do ta gjesh’” (gjeneza e një romani)”Nentori”, 11, 1974
8 Sh. Islamaj, “Gjuha e Jakov Xoxës”, Prishtinë, 2000
9 J.Xoxa, Po të kërkosh do të gjesh (Gjeneza e një romani) Nëntori 11- 1970


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.