KULTURË

Nji çaj me Martin Camajn e kujtimet e mbrëmjeve bavareze

14:30 - 16.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Këtë libër ia kushtoj me mirënjohje dhe mall Martinit, mësuesit dhe mikut”. Botimi i ri i Hans Joachim Lanksh nis me këtë përkushtim, pas titullit, “Martin Camaj, i pazbuluem”. Iu drejtohet atyre që në ardhmen do e lexojnë librin e tij me këto fjalë: I dashun lexues, e dashun lexuese, libri që po e hap nuk përmban studime shkencore për Martin Camajn. Studimet dhe punimet shkencore për nji shkrimtar zakonisht janë të thata teorike e të shkrueme nga nji shkencëtar për shkencëtarë të tjerë, jo për publikun lexues. Me shkrimet e mia të thjeshta dhe modeste synoj vetëm me ta afrue poezinë dhe figurën e Martin Camajt.
Tekstet e këtij libri i kam shkrue në rrjedhën e vjetëve me raste të ndryshme. I kam shkrue me dashuni për poetin tim të preferuem e ma të dashtun të letërsisë shqipe. Vargjet e Martinit “janë për t’i lexue në heshtje” e kërkojnë nji lexim të përqendruem…
Mbas këtij sqarimi paraprak, në librin me titull “Martin Camaj ende i pazbulum”, Hans Joachim Lanksch bën me dije që në krye të herës se personi i Martin Camajt ishte i qetë, paksa timid, i padukë e modest, me plot dinjitet dhe krenari të natyrshme, shpesh ishte ndërdyzash, e kërkonte vetminë. Nga ana tjetër, i njëjti Martin Camaj, djalë bariu nga katundi mbishkodran Temal, e çau rrugën e vet me energji dhe vullnet të rrallë.




DROMCA KUJTIMESH NGA ISH-STUDENTI
Autori i këtyne rreshtave, si student, kishte fatin e bardhë me mësue shqipen nga Martin Camaj. Nji ditë prej ditësh, gjatë pushimit dhetëminutash mes dy kursesh, tue u shëtitë në korridor para auditorit dhe tue bisedue për çkamos, profesori e pyeti studentin – me çka merreni në kohën e ngesë? Kur ky tha se me përkthimin e poezisë, Martin Camaj tha – punë interesante. Mbas nji pauze shtoi, me zâ të ulët – unë shkruej. Mbas nji pauze tjetër, studentit të shastisun i tha – jam shkrimtar shqiptar.
Martin Camaj ishte bashkëbisedues për mrekulli. Në radhë të parë, ai dinte ende artin pothuej të shuem me ia vû veshin tjetrit. Nuk mbahej si profesor, por si mik. Për hallet personale të studentëve e bashkëpunëtorëve shpesh kërkohej këshilla e tij.
Ai ishte nji qenie rebeluese që i çmonte traditat, vërtet, dhe nuk i duronte konvencionet. Martin Camaj nuk iu përgjigj shabllonit prej “emigranti”. Kishte sipas Lankschit, nji qëndrim bukur të kjartë rreth komunizmit, por nuk ishte i mbrujtun nga konservatorizmi syplasun siç donin qarqe të përcaktueme me e paraqitë atê. Nuk birrte kohë, si ca e ca të tjerë, me të shkruemit e shkrimeve aq të flakta sa dhe të kota për punë politike e patriotike. Simbas bindjes së tij “nuk jam njeri i politikës, por jam njeri politik”, u rrinte larg grupimeve, rrymave e partive politike të mërgatës. Lanksch kutjon se Camaj, nuk andërronte për Shqipninë e Madhe, as për Mbretninë e Shqipnisë dhe as për zbarkime parashutistash. Vetëm kah fundi i jetës, i lodhun nga përjetimi shumëdekadash i sundimit të paligjshmënisë si në Shqipni ashtu dhe në Kosovë, shpresonte fort te forcat politike që vetes ia vunë emnin “demokrat” dhe atyne u sinjalizonte simpati. Camaj nuk ishte i detyruem të shihte se çfarë kishte me u bâ mâ vonë nga këto forca dhe përçapjet e tyne politike – mbas rrëzimit zyrtar të monizmit u shue jeta e tij mu në kohë kur viheshin filizat e para të reja mbas regjimit i cili e kishte bâ Camajn me e lëshue vendin e vet amë.
Shton se jo vetëm në lidhje me poezinë “rurale” Martin Camajt i janë ngjitë epitete, etikete dhe klishe nga mâ të ndryshmet e të pavërteta.

NË DHOMËN E CAMAJT
Lanksch kujton në librin e tij, “Martin Camaj ende i pazbuluem” se në dhomën e tij të punës, në tryezën e shkrimit, Martin Camaj kishte nji koleksjon të madh breshkash, në të gjitha trajtat, ngjyrat dhe materialet. I donte breshkat dhe fliste me shumë qejf për punë breshkash ku theksoi ndjeshmëninë e tyne të hollë me të cilën i parandjejnë shkundullimat. Deri diku, me natyrën e tij paqësore që nuk ishte në gjendje me ia bâ ndonji të keqe kurrkuj, me nji rrashtë të fortë që mbronte ndjeshmëninë e tij të jashtëzakonshme prej lëndimesh nga jashtë, njeriu Camaj i ngjante kafshës së tij mâ të preferueme, breshkës.
Në atë kohë të miqësisë me Martin Camajn, vetë Lankschi kishte nji qen pekinez. Qeni e donte shumë profesorin dhe ky sillej bukur me qenin, por disí i rezervuem. Nji ditë i tregoi psenë. Si djalë i vogël, ai kishte nji shok të vërtetë, nji qen ujk. Tanë kohën e kalonte me qenin, madje tue kalërue mbi tê. Nji mëngjes prej mëngjeseve, qeni nuk ishte. Martini shkoi me e kërkue qenin dhe e gjeti te prroni, të shqyem e të copëtuem prej ujqve. Uji i prronit ishte i kuq. Prej asaj dite, Martini nuk ishte mâ në gjendje me dashtë nji qen.
Vjet me radhë, gjatë periudhës së semestrit universitar, mbas ligjeratave të tij, Martin Camaj shkonte në banesën e Lankschit afër universitetit, pinin çaj dhe bisedonin për punë letërsiet në përgjithësi dhe për poezitë e tij në veçantí. Gjatë gjithë këtyne vjetëve, Lanksch thotë, se kurrë s’ka dëgjuar as edhe nji fjalë të ashpër prej tij. Kur kishte nji vërejtje për përkthimin që Lankschi u kishte bërë poezive të tij, nuk e thoshte vrazhdë por me shumë delikatesë. “Edhe gjermanisht due me qenë Camaj, jo Camaj me kapelë bavareze”, tha.
Ishte pothuej e pamujtun shton, me pasë sherr me Martin Camajn. I vetmi njeri me të cilin grindej ishte miku i tij mâ i ngushtë, Arshi Pipa. Ata të dy dijshin me u grindë, gjithnji vetëm për nji temë të vetme, për përziemjen e Pipës të punëve letrare me politikën.
Shpesh çdo lloj komitetesh, shoqatash, organizatash a partish politike të mërgatës shqiptare tentojshin me e bâ Camajn për vete, me e angazhue për qëllimet e tyne politike. Mirëpo, ky i mbette besnik parimit të vet mos me u përzie në punërash politike të komiteteve, shoqatave dhe organizatave në mërgim. Përndryshe, në politikë ai nuk i kishte simpati konservatorët, por liberalët.

BISEDAT E PLEQNUEME
Ndër biseda, Camaj fliste me zâ të ultë dhe fjalët i matte mirë. Kur i bâje nji pyetje, shpesh heshtte gjatë për t’u mendue mirë dhe mbasandej të befasoi me nji përgjigje fare të papritun, kujton Lankschi. Mbas “pleqnimit më vete”, mbas dyshimesh e të kenët ndërdyzash, Camaj gjithmonë mbërrinte te kjartësia. “Përgjigjet, prononcimet a gjykimet e tij ishin aq kuvendvogla e të thjeshta në dukje sa dhe të kjarta e të kthjellta, si të kullueme në ‘kthjellësinë e idhtë/ edhè nësè pa gjuhë’. Kurrë nuk të jepte ndonji përgjigje me fjalë boshe a fraza stereotipe siç e kanë zakon me i çaprashitë letrarët që mendojnë se janë njerëz të posaçëm ku çdo fjalë e tyne duhet me kenë diç e jashtëzakonshme”, shkruan Lanksch.
Shton, se pesha e fjalës së Martin Camajt qëndronte – si dhe në vargjet e tij – në thellësinë e saj të kombinueme me trajtën e jashtme të gdhendun deri në thjeshtësi të skajshme. Punët që i kishte sidomos për zemër, i thoshte në mënyrë sidomos joimponuese dhe modeste, shpesh me dy-tri fjalë a me nji gjysmëfjali. “Mos me u përlye”, tha për shembull në vend të nji logoreje të gjatë. Edhe pse të befasonte me përgjigje e qëndrime të paprituna e jo konvencionale, fjala e tij kurrë nuk ishte zhanglluese. Etiketimet dhe insinuata në nivel personal që bâhen shpesh mes letrarëve shqiptarë, Camajt i ishin absolutisht të hueja. Ai fliste shkoqun, me argumente e parime.

NJI MBRAMJE LETRARE
Nji kapitull me vete qe e vetmja mbramje letrare e Martin Camajt në Gjermani. Botimi i parë i poezive të Camajt në gjermanisht âsht bâ më 1990 te revista letrare “Sirene”. Hans Joachim Lanksch kujton se redaktorët e revistës kuptuen se po botojshin nji poet të madh dhe organizuen nji takim të autorit me publikun gjerman. Martin Camaj kundërshtohej fort. “Nuk di me recitue”, ngulte kambë, “unë lexoj dobët”. Mbas nji lufte të gjatë e të randë, mâ në fund ai pranoi me u shfaq para publikut dhe me lexue nji cikël poezish shqip (versionet gjermanisht i lexoi nji aktore teatri) dhe – ai lexoi për mrekulli. Për fat të mirë në të vërtetë nuk dinte me “recitue”. Leximi i tij bani përshtypje të thellë mbi të pranishmit. Camaj i lexoi poezitë fort natyrshëm dhe me thjeshtësi të përsosun të kombinueme me ekspresivitet të jashtëzakonshëm. Thjeshtësia e leximit të Camajt, larg çdo bombastike recitimi poezi-vrasës ishte simptomatike: si vetja e tij ashtu, edhe vepra e tij ndërthuren prej kompleksitetit dhe thellësisë që manifestoheshin me thjeshtësinë e madhe të shprehjes dhe dukjes së tyne të jashtme.
Ish-studenti, thotë se Martin Camaj zemrën nuk e kishte akull. Nuk ishte në kontakt me familjen e vet në Temal, familjen në Shqipni, e kishte mall, por nuk mbante lidhje me tê mbasi nuk dëshironte me e vû në rrezik. “Mâ mirë mos me dijtë gjâ për ta”, tha me nji farë humori të idhtë. Mirëpo, zemra e tij rrihte gjithnji për “njerëzit e mij”. Zemra e profesorit universitar rrihte për njerëzit e thjeshtë. Profesori shkonte me punëtorë krahu, shqiptarë prej Kosovet, nëpër zyra gjermane tue i ndihmue ata me gjetë banesë e punë. Nuk janë të paktë ata që i ndihmonte edhe me para. Mbramjeve ishte koha për të folë në telefon me Martin Camajn, mbas orës 19.30, mbas përfundimit të Ditarit në kanalin e dytë televiziv gjerman. Në këtë kohë ai fliste me familjen e vet të gjanë dmth., me shqiptarët mërgimtarë anëmbanë botës, me profesora a studentë dhe punëtorë a gazetarë, prej Gjermaniet e Italiet deri në Amerikë.
Martin Camaj nuk ishte shkrimtar i tipit “mërgimtar”. Nuk shkruente vjersha sentimentale për vendlindjen, nuk e përshkruente me lot në pendë pejsazhin e vendlindjes. Nuk shkruente as pamflete me ideologji antikomuniste. Nuk ishte poet politik. Në veprën e tij hasim vetëm nji gjysmë duzinë poezish me përmbajtje shprehimisht politike, të cilat ndërkaq nuk përzihen me politikën e ditës, por i trajtojnë temat e dhunës. “Nuk jam njeri i politikës. Jam njeri politik”, ka kenë deviza e tij.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Martin Camaj u largua nga kjo jete pa u lexuar nga shqiptaret e Shqiperise si i arratisur. Martinin nuk e njohem si e sa duhet si poet, si prozator dhe shkencetar i gjuhes shqipe dhe shume pak njihet dhe sot nder shkollat tona pas ’90-s. Ja m habite me poezine e tij krejt te veçante. Per lexuesit po jap nje poezi te tij:
    Martin Camaj
    NJI VJET
    Shkove në pranverë
    kur kumbullat lulojnë mbi kodër
    e shelgjet gjethen në lumë.

    Mani n’oborr asht pjekë si tjetra herë
    e prroni nën shpi asht tha,
    xhingalla mbi plep ka britë e ka britë
    e ti s’e ke ndie, as pa.

    Vjeshta kur erdh
    e strehët e pullazit lëshuen
    ujin n’oborr, në kusi,
    unë ndenja të dera tue mendue për ty.

    Kur era nga bjeshka ia behi
    e prroni nën shpi u ngri
    dorën që në zjarrm isha tue nxe
    e prapova tue mendue për ty
    të ngrime nën dhe.

    Përgjigju ↓