Kryesore

Kreditë e buta, Anisa Ruseti: Ja kriteret për ta përfituar

11:55 - 17.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ditën e djeshme kanë nisur aplikimet për 500 kredi të buta për të gjithë ata që duan të blejnë një shtëpi në Tiranë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti tregon të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë të interesuarit për t’u përzgjedhur si fitues. Më tej, ajo thekson se këtë vit procedurat e aplikimit janë thjeshtuar e tashmë, personat duhet të paraqiten pranë njësive administrative ku banojnë për plotësimin e formularit të strehimit, duke dorëzuar një fotokopje të kartës së identitetit. Pas vlerësimit të këtij aplikimi nga Drejtoria e Strehimit, personat aplikues do të njoftohen për të vijuar me plotësimin e dokumentacionit. Sipas Rusetit prioritet në programin e kredive të buta kanë çiftet dhe familjet e reja, ku mosha mesatare e çiftit duhet të jetë 70 vjeç. Për të gjithë të interesuarit, drejtoresha sqaron se fituesit e programit mund të përzgjedhin lirisht vendndodhjen e shtëpisë së tyre, me kushtin që ajo të jetë brenda territorit të Bashkisë së Tiranës.




Cilat janë kriteret që duhen plotësuar për të përfituar kredi të butë?
Duke u nisur nga kërkesat e shumta për strehim, por edhe për shkak se qyteti i Tiranës po rritet me ritme të shpejta, vitin e kaluar Bashkia e Tiranës nisi programin e “Subvencionimit të interesave të kredisë”. Ky program u vjen në ndihmë të gjitha çifteve të reja, të cilat kanë një nivel të caktuar të ardhurash nga punësimi dhe dëshirojnë të blejnë një shtëpi, por e kanë të pamundur të përfitojnë një kredi me kushtet e tregut. Kështu, Bashkia e Tiranës u subvencionon interesat e kredisë. Për të përfituar nga programi i “Subvencionimit të Interesave të Kredisë”, aplikuesit duhet të plotësojnë disa kritere, ku më kryesoret janë: Familjet që zotërojnë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar; individët të cilët në momentin e paraqitjes se kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç; familjet të cilat në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë në pronësi një banesë si dhe familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit.

Si mund të aplikojnë të interesuarit?
Në ndryshim nga thirrja e kaluar, kësaj here procesi është menduar të ndahet në 2 faza, ndërsa shpallja e përfituesve nga ky program do të bëhet në përfundim të gjithë procesit. Në fazën e parë, e cila filloi sot (dje) në 16 prill, do të zgjasë 30 ditë. Kjo është faza kur qytetarët që dëshirojnë të bëhen pjesë e programit të kredive të buta duhet të aplikojnë në njësinë e tyre administrative, duke plotësuar një formular të posaçëm, sipas udhëzuesit operacional të miratuar nga Këshilli Bashkiak. Me mbylljen e fazës së parë dhe vlerësimin e formularëve nga Drejtoria e Strehimit në Bashkinë Tiranë, qytetarët duhet të paraqiten pranë Bashkisë së Tiranës për të sjellë dokumentacionin e kërkuar. Kjo është faza e dytë e aplikimit. Më pas, lista e përfituesve do të dërgohet për miratim në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Cili është dokumentacioni që duhet të dorëzojnë kandidatët?
Në ndryshim nga programi i një viti më parë dhe duke marrë parasysh eksperiencën e krijuar me aplikimet e vjetshme, Bashkia e Tiranës ka thjeshtuar procedurat e aplikimit për këtë thirrje të dytë. Nëse më përpara kërkohej që plotësimi i dokumenteve të bëhej që në fazën e parë, tashmë, personat duhet të paraqiten pranë njësive administrative ku banojnë për plotësimin e formularit të strehimit, duke dorëzuar një fotokopje të kartës së identitetit. Pas vlerësimit të këtij aplikimi nga Drejtoria e Strehimit, personat aplikues do të njoftohen për të vijuar me plotësimin e dokumentacionit. Pas marrjes së njoftimit, personat përfitues dorëzojnë pranë zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë e Tiranës dokumentacionin e nevojshëm që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit në bazë të të cilit janë përzgjedhur fitues.

Si do të bëhet përzgjedhja e fituesve?
Prioritet në programin e kredive të buta kanë çiftet dhe familjet e reja. Mosha mesatare e çiftit duhet të jetë 70 vjeç. Megjithatë, ftojmë që të aplikojnë të gjithë qytetarët që gjykojnë se plotësojnë të gjitha kriteret e paraqitura nga Bashkia e Tiranës. Dua të theksoj se aplikimet e kryera vitin e shkuar nuk janë më të vlefshme për këtë thirrje. Çdo qytetar që kërkon të përfitojë nga ky program, duhet të aplikojë përsëri pranë njësisë administrative, ku figuron i regjistruar. Kujdes të veçantë duhet t’i kushtohet plotësimit të formularit të strehimit te njësia administrative dhe deklarimit sa me të saktë të të dhënave. Kjo pasi nëse do të verifikohet se të dhënat janë të deklaruara gabim, siç edhe ka ndodhur në thirrjen e kaluar, aplikuesi s’kualifikohet. Një tjetër element i rëndësishëm është plotësimi i saktë dhe në kohë i dokumentacionit ligjor të dorëzuar nga ana e aplikantit. Këto elementë ndikojnë në përzgjedhjen e përfituesve.

Sa është interesi i kredisë së butë dhe sa kohë do të kenë në dispozicion fituesit për ta shlyer?
Programi i vitit të kaluar parashikonte që kredia e disbursuar të shlyhej për një fat prej 15 ose 20 vitesh, gjithmonë në varësi të të ardhurave që familja ka deklaruar në momentin e aplikimit. Por, kur përfituesit u paraqitën në bankën e nivelit të dytë për të aplikuar për kredinë e miratuar nga Bashkia e Tiranës me afat kohor prej 15 vitesh, kësti i përllogaritur ishte më i lartë se aftësia paguese e kësaj familjeje për ta shlyer atë. Kjo është arsyeja pse kësaj here afatin e shlyerjes e kemi bërë 20 vite.
Fituesit mund të zgjedhin shtëpinë në cilën zonë të dëshirojnë apo janë të përcaktuara?
Nuk ka asnjë detyrim të tillë. Fituesit e programit mund të përzgjedhin lirisht vendndodhjen e shtëpisë së tyre, me kushtin që ajo të jetë brenda territorit të Bashkisë së Tiranës.

Kriteret që duhen plotësuar:

– Familjet që zotërojnë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar.
– Individët, të cilët në momentin e paraqitjes se kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç.
– Familjet, të cilat në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë në pronësi një banesë;
– Familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. A keni provuar të merrni kredi nga bankat pa sukses? Urgjentisht duhen para për të dalë nga borxhi? Keni nevojë për para për zgjerimin ose krijimin e biznesit tuaj? Merrni një kredi nga një nga kompanitë kryesore të kredisë në Mbretërinë e Bashkuar. Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni përmes WhatsApp: +14092051142 ose me email: [email protected]

    Përgjigju ↓