MILOSAO

Poezi nga Gaqo Bushaka

13:55 - 29.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një poezi gati ‘naive’, por, që shpreh botën shumë të qashtër të autorit, që veprat më të mira ua ka kushtuar fëmijëve. Në këtë cikël, ai tregon qasjet e tij me realitetin që e rrethon dhe shumë problematika të tjera…




Nga Gaqo Bushaka

Parukierja
Vetëm te miqësia
Lidhja jonë mbahej
Ishim shumë të rinj
Ç’fluturante hahej.

Në duart e tua
Vajzat radhë-radhë
Nimfa e sorkadhe
Ashtu si në përrallë.

Në leshrat e tyre,
Ti diell që ngrihet
Herë çelnin lulet
Herë ndrisnin yjet.

Karficën e hollë
Mbaje në cepbuze
Ato vinin vajza
I përcille nuse.

Një ditë prej ditësh
Nuse edhe ti
Gjerdane e perla
Mbushur gushë e gji.

Pas kaq e kaq vjetësh
Po të pyes unë sot
Po zemrën vallë
A e mbushe dot?

Bisedë me nënën…
Erdha, moj nënë,
Erdha që nga larg
Varrin tënd të bardhë
Me lot po e lag.

Tani përmbi varr
Lule dhe qiri
Ngrihu të çmallemi
Nënë Amali.

Dil ashtu si ishe
Me shaminë e zezë
Dil të feksi dielli
Këtu në varrezë.

Shpirt, o moj nënë,
Kam një amanet
Babës dhe vëllait
Falë me shëndet.

Në pyetshin për mua
Ç’është ai atje…?
U thuaj askushi
Një hije mbi dhe.

Mjeranë
U bëmë njerëz
Të vegjël mjeranë,
Në vend të keqardhjes
Ai mbeti në shtrat
Ku i gjeti paratë
Për spital privat.

Fshati im
Fshati im një shoshë qiell
S’u ngop kurrë me bukë e diell.
Nëpër arra, djersa çurk
Vetëm gjashtë muaj bukë…

Nga e keqja çanë dete
Burrat ikën në kurbete
Ca u kthyen, ca dhe mbetën
Balta mbuloi të vërtetën.

Shamizezat mbenë në fshat
Vetë në magje, vetë në shat
Sa të bukura lastar
Besnike gjer në varr…

Ky dimër
Ky dimër i sivjetshëm
Oh, sa i ftohtë!
Në shtratin gjysmëzbrazur
Jo, nuk ngrohem dot.

Buza dridhet
Syri qan
Malli gurin
Dysh e çan.

U lodhëm
Unë…
Ti…
Edhe ju
Dhe fituam…
Të na shtrojn’ në dru
Dhe s’është pak
As për mua
As për ju…

Iku dhe vjeshta
Ja dimri me borë
U mblodh plaku
U bë një dorë.

Këmbët kallkan
Buzët mavi
As zjarr, as dritë
Në kasollen e tij.

Pleqëria dhe fjalën
Ia thau në buzë.
E gjatë për të dita
Po nata tërkuzë.

Ç’më duhet më jeta
As shkopi s’më mban
Merrmë moj vdekje
Për ty tani jam.

Erdhi dhe vdekja
Ai sa e pa:
Tutje, moj shtrigë:
Bëra shaka.

Një kulaç kërkoi gjyshi
Po nuk ia bënë kurrë
Ndonëse mbrujnë për të lëvdata
Për ta tundur si flamur.

Kishte qenë trim i mençur
S’qe treguar kurrë frikaç
Nuk mjaftojnë gjithë këto
Për t’i bërë një kulaç?

Kishte qenë i paepur
Askujt nuk iu bë urë
E me gjithë këto merita
Një kulaç s’ia bënë kurrë.

Kur gjyshi ndërroi jetë
Lulet vënë sërë-sërë
Për atë do qe më mirë
Një kulaç t’i kishin bërë.

Hënë, moj…!
Hënë, moj që hiqesh zvarrë,
Përmes reve copëzuar
Prit, të lutem, për pak çaste
Të zbras shpirtin e trazuar.

Rri, të lutem, këtë natë,
Vetmia po më tmerron
Era si pelë e harbuar
Ikën e nuk më dëgjon.

Me mendimet e mia
Mos më lër fillikat
Thonë, jeta është e bukur
Po unë linda I pafat.

Në se sonte nuk ke kohë,
Hënë duku nesër mbrëma
Ca më shumë hidhërim në zemër
Unë e mbaj e s’u bë gjëma.

Po s’më gjete në shtëpi
Është shuar jetë zeza
Do më gjesh ca më tej
Ja aty, kun is varreza.

Fitim i madh…
U lodhëm
Unë…
Ti…
Edhe ju.
Po nuk shpëtuam…
Nga… nga…
Ujë s’ka
Bukë s’ka
Dhe laku i gjakmarrjes
S’na u nda.

Për kë qajmë?
Ai na mungoi
S’pimë as kafe.
E përcollën sot
Me dhimbje
Me lotë.

Duke tërhequr këmbët
Thashë nën zë:
-Ne qamë për vete
-Apo qamë për të?

Shëndet!
Teshtitja atëherë
Uronte shëndet!
Fërkime në qafë
Dhe çajin të nxehtë.

Uron dhe tashti
Plaç se na çmende!
Ajo që betohej
Për kokën tënde.

Për dashurinë
E kërkoi drenushën
gjer në anëpyll.
Në qiellin e natës
as hënë, as yll.
Përtej autostradës
Ju duk se e pa
po këmbët e shpejta
nuk ishin krah.
Mëngjesi e gjeti
mbuluar me brymë.
Me sy nga qielli
pa jetë, pa frymë.
Jo, jo nuk qe.
Në pyll harbonte
me tjetër dre.
Po fundja I lumtur
iku ai…
dha jetën e vet
për dashuri.

Sytë
Ç’të them unë për këta sy
S’u ngopën me bukuri.
Sa të jetë syri hapur
Dhe më plaku s’është plakur.

Mosha s’i varrosi dot
Rrufis kot më kot filxhanin
Kafe jo nuk ka më
Me sytë nga trotuari
Kërkoj që të gjej atë.

Dhe ja çanta tundet në sup
Dhe koka si lule mënjanë
E pashë atë tek vinte…
Përmbysa qelqe e filxhanë.

U çuditet kamerieri
“Si harboi qengji i shtruar”
O mik, ja që mu zgjuan sot
Ato që mosha s’varrosi dot.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.