OPINION

PD-ja, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të jetë

07:30 - 01.05.18 Sulejman Mato
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kjo parti fillimisht u shfaq si një lëvizje popullore. Tashmë, pas 27 vjetësh, duke ndjekur dhe kuvendin e saj për miratimin e statutit, kujtoj me nostalgji ato ditët e para të themelimit, dhe sjell në përfytyrim entuziazmin e atyre ditëve dhe nismëtarët e parë për krijimin e një partie të re. Ishin të gjithë njerëz të rinj, studentë idealistë, persona të persekutuar, ish-të persekutuar, artistë, shkrimtarë, aktorë, intelektualë që shpresonin te një parti e re, punëtore të fabrikave dhe uzinave të falimentuara, qytetarë që kërkonin drejtësi dhe liri, persona që e kishin kuptuar dhe e kishin hequr mbi kurriz fenomenin diktatura e proletariatit… Të gjithë entuziastë. U shkëlqenin sytë. Themeluesit e parë të kësaj partie ishin një lloj race tjetër nga këtë që shohim sot të ngrihen në këmbë dhe të duartrokasin për liderin e tyre dy herë humbës.
Dikur kjo parti u shfaq para popullit si një dritë në errësirë dhe si një shpresë për një jetë të re. U ngritën mijëra njerëz dhe mbushën sheshet. Në ato ditë ka pasur shumë entuziazëm dhe shumë përkushtim, shumë idealizëm dhe shumë shpresë tek kjo parti e re, me emrin e bukur “demokratike”, e cila përfaqësonte gjerësisht aspiratat e shtresave popullore. Dhe njerëz të ndershëm, që dikur kishin besuar verbërisht tek ideali socialist, i kthyen sytë nga P.D-ja.
I kujtova ato ditë për të kuptuar kontrastin. Sot kjo parti shihet qartazi që është rrudhur e katandisur në një grupim të vogël, me figura të panjohura, me një rini pa ideale, pa ngjyrë, që nuk të ngjall as shpresë, as entuziazëm. Kujtoj P.D-në e 27 vjetëve më parë, ku merrja pjesë dhe unë me shokë. Pluralizmi ishte një fitore e madhe, e cila nuk u arrit vetëm nga studentët, por nga mbarë shtresat popullore. Ju kujtohet fare mirë se si punonjësit e uzinave dhe të minierave u afruan pranë zyrave të P.D-së, mirëpo, ashtu siç ndodh me çdo revolucion, të parët që largohen janë intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë, të fundit që largohen janë karrieristët, servilët dhe disa intelektualë me histori të dyshimta. Kështu ndodhi dhe me të famshmen partinë tonë të re. Të parët që u larguam ishim ne, ndërsa të fundit që nuk u larguan ishin ca persona me histori të dyshimta korruptive të kësaj partie. Tashmë, pas njëzet e shtatë vjetëve ka rrjedhur shumë ujë. Shumë ish-kuadro dhe themelues të PD-janë larguar, të tjerë i kanë hyrë biznesit, të tjerë janë larguar jashtë shtetit, figura të reja gati të panjohura i kanë zënë vendet e tyre. Disa do t’i klasifikoja si arrivistë dhe karrieristë, të cilët e kanë konceptuar jetën në një parti si një mjet përfitim dhe karrierë.




Para këtij problemi gjendemi…Partia Demokratike nga një parti e madhe, masive, shpresë e mirëqenies dhe të ardhmes popullore, përfundoi në një parti klanore, siç kanë përfunduar të gjitha partitë.
Gjatë këtyre viteve Partisë Demokratike i është besuar tri herë drejtimi i shtetit
Në zgjedhjet e vitit 1992, në 2005 dhe në 2009, me një shpresë pak më të vagëlluar.
Gjatë këtyre viteve të qeverisjes së saj janë sjellë vetëm shembuj të pasurimit të shpejtë të një grusht pushtetarësh me klanet e veta. 2009-a. Ky ishte një zhgënjim mbarë popullor, veçanërisht i elektoratit të djathtë, ndërkohë që në zgjedhjet e vitit 2013 u mbajt një qëndrim i prerë. “I pamë dhe ata prej të cilëve prisnim aq shumë.”
Kjo ishte një histori e shkurtër e ndërrimit të pushteteve në Shqipëri, djathtas-majtas, gjersa sot ndodhemi nën një timonier i cili dikur kishte synuar të merrte kreun e së djathtës, ndërsa sot, shtrëngon fort timonin e së majtës. Kush e solli të majtën në pushtet” Ishin gabimet e P.D-së dhe zhgënjimi i elektoratit të vet, apo tjetër gjë?
Mund të pranojmë dhe faktin që ishte L.S.I-ja ajo që me ato pak vota të saj solli ndryshime në pushtet, por unë mendoj se shkaqet janë të thella, të shumta dhe të ndryshme.
Së pari, në P.D mungon ai konfiguracion jo vetëm i liderit të saj të ri, por dhe ajo që duket nga pjesëmarrja e gjerë e shtresave të studentëve, të intelektualëve të shquar, të punëtorëve, biznesmenëve, të tregtarëve, të ish-të persekutuarve, të fermerëve.
P.D-ja ka kohë që gjendet në udhëkryq. Ky është një fakt. Ky udhëkryq , herë shfaqet qartazi e herë heshturazi. Ajo që konstatoj unë përmblidhet në dy fjalë: P’D-së i mungon frymëzimi. Lideri i saj me gjithë punën e tij të jashtëzakonshme, nuk është ai që mund të mbledhë rreth vetes anëtarë nga të gjitha shtresat, t’i japë frymëzim dhe të zgjerojë frymëmarrjen e kësaj partie. Ka kohë që pritet të bëhet një analizë për rrudhosjen dhe humbjen e saj të dytë. Në situatën që po kalon Partia Demokratike, kërkohej një analizë e fortë të shkaqeve, të cilën Lulzim Basha nuk mundi ta bëjë.

Nuk mund të them se çfarë mendon Berisha për beniaminin e tij, të cilit ia dha të gjitha portofolet, por, një gjë është e qartë; Lulzim Basha, me gjithë simpatinë time, nuk dha rezultatin e parashikuar. Le të pranojmë çfarëdo lloj arsyeje, dhe vjedhjet e votave dhe korrupsionin dhe frikën për të dalë në zgjedhje dhe emigracionin e shumë simpatizantëve, në fund të fundit, ndeshja kërkon rezultate. Një trajner i mirë e merr skuadrën për ta çuar drejt fitores. Arsyet pse skuadra nuk mund të bëjë gol nuk janë justifikime.
Po ta ndiqje me kujdes kuvendin do të konstatoje me kënaqësi se çdo gjë zhvillohej në kushtet ligjore të statutit dhe të parimeve demokratike, mirëpo, në situatën që kalon kjo parti, dhe duke menduar se partitë tek ne privatizohen dhe hipotekohen në emrin e një personi, personalisht do të dëshiroja që lideri i saj të ishte një idealist i ardhur nga shtresat e varfëra dhe të vuajtura. Lulzim Basha është një milioner, në moshë të re, i sprovuar dhe i ezauruar në disa detyra shtetërore.
Së dyti; Partia Demokratike lindi si një lëvizje masive, mbarë popullore. Kjo parti nuk është më e tillë. Veç rrudhjes, ajo nuk afron simpatizantë nga shtresa të ndryshme dhe të krijon imazhin e një partie liberale, madje ajo dhe disa nga themeluesit kryesorë të saj themelues të saj Arben Imami, Eduart Selami, Jozefina Topallit, Parti ka një historik. Historikun e bëjnë themeluesit e saj. Kjo moskujdesje për themeluesit ka kohë që ndodh në këtë parti.
Në 27 vjet të themelimit, nuk ka ndodhur që mua dhe disa intelektualëve të tjerë, të na jetë bërë ftesë për të marrë pjesë në festa jubilare.
Kjo nuk ka ndonjë rëndësi, merr rëndësi kur kupton se çfarë lidhje dhe uniteti kanë brezat që vijnë me ata që ikin, sa respekt kanë ata që vijnë ndaj atyre që zëvendësojnë dhe si e konceptojnë partinë, si një parti që përfaqëson shtresat mbarëpopullore apo si parti e një klani që e konsiderojnë partinë si një lopë.
P.D-ja ka kohë që gjendet në udhëkryq. Ky është një fakt. Ky udhëkryq, herë shfaqet qartazi e herë heshturazi. Fakt është që ajo nuk afron të larguarit dhe është mosbesuese për rininë studentore.
Kjo parti, në fillimet e saj ka pasur demokraci mendimi. Të dy partitë kryesore për sa i përket mendimit të lirë i ngjajnë njëra- tjetrës…Aq e dukshme u pa kjo sa që, në zgjedhjet e fundit u mbyllën në një dhomë dy liderët, për kompromise politike, pa pyetur komitetin drejtues, sikur të ishin pronarët e partive. Reduktimi i mendimit partiak dhe drejtimit partiak te një figurë e vetme është asfiksimi gradual i kësaj partie.
Jemi në një çast që maxhoranca po i vret çdo ditë shpresat e shqiptarëve, ndërkohë që opozita, siç thotë dhe B.Mustafaj, “nuk e ka energjinë e nevojshme për të ngjallur shpresë”
Dy janë mundësitë: Së pari një platformë bashkimi të anëtarëve të saj, së dyti, një lider, i cili duhet të vendoset në pozicionin e të barabartit midis të barabartëve.
Defekti i partive tona është i njëjtë në të gjitha partitë, së pari, lideri zgjidhet nga ish kryetari. Lideri i ri ngjitet në tribunë si ish pasues i liderit që ikën…Mendimi im i prerë është që lideri të dalë nga masat, me zgjedhje të lira. Lideri imponohet si një idealist që premton për një të ardhme të një partie, ndërkohë që liderët tanë, përfshi këtu dhe fillesat e para të pluralizmit, Nanon e Berishën, nuk erdhën nga poshtë, u piketuan nga paraardhësi, në rastin në fjalë nga vetë Ramiz Alia.
Ajo çfarë pashë dhe kuptova nga Kuvendi i Partisë demokratike, ishte një detashment i zgjedhur i cili, pa kartonë miratoi unanimisht një statut partie me ndryshime kozmetike. U hodhën disa ide të cilat me shumicë votash, të panumëruara, në mënyrë ceremoniale, si të ishin në një festë fitoresh, nuk u miratuan. Idetë nuk vlerësohen me vota. Idetë, miq të dashur, vlerësohen nga rëndësia e tyre.
Dhe diçka tjetër, jo më pak e rëndësishme, Partia Demokratike është kthyer në një parti burokratike. Ka dalë nga imazhi i saj i parë, imazhi i një partie masive dhe me prirje liberale, një parti e shesheve tek e cila hynte kush të donte dhe të dilte kur të donte.
Së katërti, është në mentalitetin tonë që lideri të jetë një njeri karizmatik. Shembujt e Berishës dhe të Ramës, e konfirmojnë më së miri këtë fakt. Lulzim Basha, herë pas herë përpiqet të paraqitet si një tip karizmatik, ndërkohë që loja e tij aktoreske është e dobët.
Së fundi, dua të përqendrohem sërish mbi pikën më të dobët dhe më debatuese, dorëheqjen, e cila konsiderohet si një akt moral të humbësit. E pranoj dhe unë që dorëheqja është një akt moral, por, edhe morali është një akt normative, i cili e dëmton shumë imazhin e partisë. Humbësi i një beteje nuk mund të quhet humbës, por prova e dytë është taksative. Humbja e dytë është një sinjal alarmi dhe një detyrë morale. Një parti nuk mund të shkojë përpara me një humbës kronik. Eduart Selami, duke iu drejtuar demokratëve, brenda dhe jashtë sallës së kuvendit, i bëri një thirrje dinjitoze kryetarit duke i kujtuar që “Lidershipi është vision”. Lidershipi është gjithçka pasi figura e tij lidhet me vizionin e fitores së një partie, siç është Partia e parë pluraliste, Partia Demokratike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.