OPINION

Lindja e Mesme një rajon që jeton me krizën

07:40 - 05.05.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare gjallon përmes kontradiktave të brendshme dhe formave konkrete të krizave që kulmojnë herë pas here. Herë duket se po zgjidhen, herë flenë dhe herë shpërthejnë me përmbajtje të re. Tashmë ka disa vatra të mprehta e të rrezikshme krize, ku kriza e Lindjes së Mesme, pa mëdyshje, është nga më të vjetrat, më komplekse, shumë e vështirë për t’u trajtuar, për të mos folur për zgjidhjen e qëndrueshme, që duket e pamundur. Lindja e Mesme është një rajon që jeton me krizën, me format konkrete që gëlojnë rrezikshëm dhe nuk zgjidhen, ku përplasen aktorë konkretë, por edhe si aleanca, ku zhvillohet realisht një rivalitet i ndezur gjeostrategjik, ku përplasjet gjeopolitike, më shumë pengojnë se ndihmojnë për zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata. Fenomeni më i dukshëm ka qenë, një qetësim i krizës konkrete apo zgjidhje të pjesshme, që sigurojnë ta mbajnë të ndezur shpërthimin e formës tjetër të krizës. Madje krijohet përshtypja se edhe aktorët brenda rajonit e ata jashtë tij, sikur nuk dëshirojnë të shkohet në një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë. Ka disa ose shumë përbërës kjo krizë, që mundëson të mbetet një zjarr i ndezur, ku krizat ia lënë vendin njëra-tjetrës, ka një zemberek që duket se vetëkurdiset së brendshmi, por dhe ushqehet e mbështetet së jashtmi. Duket sikur ky rajon nuk jeton dot pa krizën, apo është në pritje të krizës së ardhshme.




Lindja e Mesme ka një histori të pasur e komplekse dhe që prodhon histori, për shkak të pozicionit strategjik që ka, të një problematike të brendshme ekonomike, politike e sociale, pasurive të rëndësishme natyrore e sidomos të naftës, ku kryqëzohen shumë interesa të aktorëve vendas, rajonalë e gjeostrategjikë, që kanë definuar këtë cilësi realiteti e histori komplekse në lëvizje të përhershme. Format e ndryshme të krizave, vërtet kanë një përmbajtje konkrete, por dhe një ngjashmëri mes tyre. Format konkrete të këtyre krizave, siç është dhe kjo e fundit, që njihet si kriza siriane, kanë brenda shumë elemente, ku nuk përjashtohet edhe një element thelbësor fetar, në formën e kontradiktës fetare mes shiitëve dhe sunitëve. Natyrisht, nuk ka pasur një kontradiktë të ashpër e përplasje fetare, por ajo është prezente në çdo formë tjetër krize e sa i përket definimit të qëndrimeve në këtë rajon dhe definimin e aleancave konkrete. Ky rajon, sa i pasur dhe sa i varfër njëkohësisht, është një realitet kontradiktor, një rajon me prapambetje të dukshme, sa i përket treguesve ekonomikë, socialë, kulturorë, politikë, pabarazive sociale apo sa i përket marrëdhënies me sistemin e vlerave, me liritë e të drejtat e njeriut, me demokracinë funksionale e sundimin e ligjit etj. Merrni me mënd që, përbën lajm në mediat botërore, lejimi i grave të drejtojnë automjetin apo hapja e një kinemaje etj. Është fakt që ky rajon gjeneron kriza periodike konkrete, që përmbahen së brendshmi, si kriza të ndezura, por që shpërthejnë herë pas here, natyrisht jo spontanisht dhe jo pa shkaqe të brendshme dhe pa impulsime të jashtme. Para formës së fundit të shfaqjes së krizës siriane në vazhdim, në këtë rajon, u realizua kriza e Jemenit, që acaroi së tepërmi marrëdhëniet mes dy aktorëve të rëndësishëm rajonalë, Iranin dhe Arabinë Saudite. Këta dy aktorë të rëndësishëm rajonalë kanë interesa, pozicione, aleanca e aleatë brenda rajonit e të jashtëm të ndryshëm, por edhe elementi fetar ka vendin e rëndësishëm, teksa Irani mbështet shfaqjen shiite dhe Arabia Saudite atë sunite të besimit mysliman. Irani dhe Arabia Saudite janë në rajon fuqi të rëndësishme rivalizuese, që me lëvizjet e tyre pasurojnë përmbajtjen e zhvillimeve e të krizave konkrete në këtë rajon.

Të dy nuk janë vetëm në rajon, por kanë dhe aleatë të rëndësishëm siç është SHBA për Arabinë Saudite dhe Rusia për Iranin. Marrëdhënia me këto fuqi të mëdha mbështetet jo në aspektin thjesht moral, por në interesa konkrete të rëndësishme, por që jo vetëm dallohen qartë, por dhe kryqëzohen ndjeshëm. Në zhvillimet aktuale të krizës siriane, Irani shfaqet më i aktivizuar, falë mbështetjes nga Rusia, që e përdor si aleat të rëndësishëm rajonal, në qëllimet e saj gjeostrategjike. Nga ana e vet, Irani, nisur, nga interesa konkrete roli në rajon, por edhe nga kritikat e SHBA për zbatimin e marrëveshjes bërthamore, ka avancuar në akuza duke e parë SHBA si një kërcënim të madh. Ky qëndrim iranian shpjegon edhe ambiciet për forcimin e modernizimin e arsenalit ushtarak, në funksion të rolit në rajon, madje dhe përtej tij.

Nuk ka si të mos tërheqë vëmendjen deklarimi i një komandanti të forcave detare iraniane Hosein Khonzadi se, forca detare iraniane, mund të dali edhe në Atlantik dhe në gjirin meksikan. Natyrisht që kjo deklaratë mund të shihet edhe si pjesë e mendësisë apo ndonjë projekti në mbrojtje të interesave e ambicieve konkrete përballë atij, që Irani e quan synim i SHBA, në bashkëpunim me Izraelin dhe Arabinë Saudite për të izoluar Iranin. Në fakt Irani dhe SHBA, që nga viti 1979, kanë pasur një marrëdhënie të vështirë mes tyre, ku evidentohet edhe një aleancë në zhvillim e SHBA me Arabinë Saudite dhe aleatët e saj. Në fakt, përgatitjet ushtarake të Iranit dhe Arabisë Saudite nuk mund të mos vlerësohen si shqetësim real për një mundësi destabilizimi në rajon që bashkëjeton me krizën. Marrëdhënia mes Iranit e Arabisë Saudite është hapur armiqësore, me retorikë të ndezur dhe akuza të rënda mes tyre. Kështu princi i Arabisë Saudite Muhamed bin Selman nuk nguron ta konsiderojë udhëheqësin shpirtëror të Iranit si “Hitleri i ri” i Lindjes së Mesme. Ne,- ka pohuar ai, mësuam nga Europa se, pajtimi nuk funksionon. Nuk duam, që Hitleri i ri në Iran, të përsërisë në Lindjen e Mesme, atë që mbolli në Europë. Vërtet duket si një lojë fjalësh, por që flet shumë. Në fakt, ekstremizmi dhe terrorizmi në këtë rajon shumë problematik, ushqejnë krizën e destabilitetin, jo vetëm rajonal.

Nuk mund të mos evidentohet roli dhe ambiciet konkrete të Turqisë në këtë rajon, që e kërkon një vend roli, jo rastësisht, që tregon dhe sjelljen e tanishme të Turqisë, në mënyrën se si po pjesëmerr në zhvillimin e krizës aktuale siriane, ku edhe pse është pjesë e perëndimit dhe anëtar i NATO-s, ka bërë lëvizje pragmatiste, që disa i shohin si “dalje nga reshti“. Nuk është vetëm çështja kurde, por një ambicie konkrete e Turqisë për një rol të rëndësishëm në këtë rajon, sa të pasur aq dhe strategjik në zhvillimet botërore, që të ndihmon të kuptosh sjelljen e Turqisë. Për shumë arsye e interesa të rëndësishme, zhvillimet në këtë rajon dhe ecurinë e krizave konkrete, ka një rol e pjesëmarrje edhe Izraeli. Është shumë konkrete përmbajtja e sjelljes së Izraelit, ku thelbësore është ruajtja e vendit nga ato që i quan “kërcënime konkrete të sigurisë”. Ka një kontradiktë reale me përmbajtje shumë konkrete mes Izraelit dhe Iranit, ku përplasen hapur interesa dhe synime roli të qarta në këtë rajon.

Një acarim konkret konstatohet gjatë ecurisë së tanishme të krizës siriane nga një hap i Izraelit, që në fillim të muajit prill, ndërmori një sulm ndaj faciliteteve iraniane në një bazë në Siri. Nëpërmjet zyrtarit të lartë Zarif, Irani akuzoi Izraelin për eskalim të tensionit, përmes dhunimit të hapësirës ajrore siriane, duke shtuar se nuk beson se kështu Izraeli kërkon të shkojë drejt luftës rajonale, apo se Izraeli do të vazhdojë të shkelë ligjin ndërkombëtar. Një reagim i adresuar, i qartë dhe i kuptueshëm nga Irani, që e paralajmëron kështu Izraelin, teksa duket qartë se e akuzon Izraelin për një lojë të rrezikshme, duke dhunuar integritetin territorial të një vendi tjetër, përmes veprimeve që i vlerëson si akte agresioni. Nga ana e vet Izraeli qartësisht e shpjegon sjelljen e vet me veprimet e vetë Iranit. Izraeli e sheh si një vijë të kuqe prezencën e Iranit në territorin sirian. Këto shpjegime tregojnë qartë pozicionet e synimet tërësisht ndarëse në interesa mes tyre, por dhe rolin që kanë në ecurinë e krizave konkrete në rajon. Aktualisht kriza siriane në zhvillim evidenton një problematikë që përmban rrezik të madh destabilizimi të sigurisë, jo vetëm në këtë rajon, por dhe më gjerë. Lindja e Mesme është tashmë një arenë e përplasjes së interesave komplekse, jo vetëm të aktorëve të rajonit, por edhe gjeostrategjike, ku interes e vëmendje të veçantë paraqet ajo mes SHBA dhe Rusisë, që kanë në rajon aleatë e aktorë, që, gjithashtu, kanë interesa shumë konkrete roli në rajon. Kriza siriane është shembulli real i përplasjes së interesave të ndryshme, por që koston e pasojave të rënda po e paguan populli sirian dhe popujt e rajonit në tërësi. Për arsye komplekse, ku veçanërisht kriza botërore financiare ka rolin e saj të pamohueshëm, SHBA nën presidencën Obama, realizoi një tërheqje apo zvogëlim angazhimi, që i mundësoi Rusisë ta përdorë për qëllime gjeostrategjike e të afirmimit si superfuqi botërore. Rusia gjeti aleat në rajon Iranin, e mbështet fort atë dhe inspiron përpjekjet e këtij vendi për rol e mbajtje nën kontroll strategjik e tregtar të ngushticës së Hormuzit.

Në një farë mënyre Rusia mbushi një lloj vakumi gjeostrategjik që krijoi SHBA, përmes një kostoje të lartë, por për synime të rëndësishme gjeopolitike. Rusia mbështeti dhe mbështet regjimin e Asadit, duke sabotuar çdo zgjidhje të mundshme të krizës siriane e cila, siç është provuar, nuk mund të zgjidhet me pjesëmarrjen e Asadit. Asadi ka një kontradiktë të mprehtë me popullin e vet, ndaj të cilit akuzohet se ka përdorur dhe armët kimike dhe kjo e përjashton mundësinë e pjesëmarrjes së tij në një zgjidhje të mundshme politike. Edhe pas aksionit perëndimor me goditje ajrore, si përgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike ndaj popullit të vet, Asadi reagoi me kërcënime, por edhe me arrestime të kundërshtarëve të tij, por edhe me masa të tjera si shpronësimi ndaj atyre që janë larguar nga vendi nga këto zhvillime. Kjo vlerësohet si një hakmarrje e re e dënim kolektiv ndaj sirianëve të larguar nga vendi, nga kërcënimi i jetës së tyre, që është njëherësh dhe një presion ndaj vendeve europiane, që u kanë ofruar status të përkohshëm qëndrimi. Rusia, me kosto shumë të lartë, e mundësoi synimin e saj të konfirmimit si një superfuqi, duke bërë të qarta dhe synimet e saj në këtë rajon problematik. Rusia e kupton koston e lartë, synon një lloj zgjidhje, që i mundëson praninë, por që do ta këtë shumë të vështirë praninë e rolin e saj në rajon. Rusisë duket se i nevojitet akoma Asadi, por nuk përjashtohet që në një të ardhme, jo të largët, ta sakrifikojë atë në interes të axhendës së saj gjeostrategjike. Pas mënyrës se si menaxhoi trysninë e perëndimit ndaj sjelljes së saj ndaj krizës siriane dhe vendosmërinë e SHBA dhe aleatëve të saj për një aksion ushtarak ajror ndaj regjimit të Asadit, Rusia nuk ka rrugë tjetër veçse të dialogojë me SHBA dhe BE, në menaxhimin e krizës siriane e të rajonit, ku nuk përjashtohet edhe nevoja e luftës kundër ekstremizmit, terrorizmit, kundër prapambetjes ekonomike e sociale etj.

Brenda zhvillimeve të krizës siriane, e në tërësi të krizës së Lindjes së Mesme, një kontradiktë në zhvillim mes Izraelit dhe Iranit, mund të shërbejë si shkak për një destabilizim e eskalim të rrezikshëm. Ka ndonjë qe e mendon dhe një luftë mes tyre. Irani është shumë i angazhuar në krizën siriane dhe në rajon. Ai ka një brigadë të tijën në një bazë ushtarake në territorin sirian, por dhe akuzohet nga Izraeli e vende perëndimore, se furnizon me armë Asadin, por dhe Hezbollahun. Ka një bashkëpunim të koordinuar ushtarak e ndarje roli mes Rusisë dhe Iranit në mbështetje të Asadit, ku Irani, me forcat e tij ushtarake, i kontribuon mbrojtjes së Asadit në rrugë tokësore dhe Rusia në rrugë ajrore. Kjo prani e ky angazhim ushtarak i Iranit në Siri e rajon, ka shqetësuar shumë Izraelin dhe acaruar marrëdhëniet mes tyre. Edhe pse Netanjahu ka deklaruar se askush nuk do luftë, ai e cilëson Iranin agresor, që e detyron Izraelin të mbajë qëndrim. Dhe në fakt një hap ushtarak Izraeli e kreu, me goditjen ajrore në qytetin Hama të Sirisë, ku kishte prani ushtarake iraniane, sipas izraelit.

Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur SHBA e ka konsideruar marrëveshjen bërthamore me Iranin si më të keqen, duke e shoqëruar me kritika dhe ka deklaruar mundësinë e tërheqjes nga kjo marrëveshje, e nënshkruar nga Obama, madje dhe ka deklaruar mundësinë e sanksioneve të reja ndaj Iranit. Në dallim nga qëndrimi amerikan, vendet europiane nënshkruese të marrëveshjes me Iranin, por edhe Kina e Rusia, ndajnë mendimin se marrëveshja ka funksionuar. Në këto rrethana Izraeli, duke iu referuar burimeve të shërbimeve inteligjente, përmes kryeministrit Netanjahu, ka bërë publike ato që i quan fakte se Irani ka shkelur marrëveshjen, duke vazhduar punën për prodhimin e armës bërthamore. Ai publikoi shumë dokumente të siguruara, në funksion të akuzës ndaj Iranit. Ai foli për kopje të sakta të dokumenteve, të cilat do t’ia bënte të njohura edhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Netanjahu brifoi dhe presidentin Trump për informacionet e shërbimeve sekrete si dokumente, foto etj. Sipas Netanjahut marrëveshja i ka mundësuar Iranit të avancojë me programin e vet bërthamor. Presidenti Trump ka caktuar datën 12 maj, si afatin e fundit për të përmirësuar ato që i quan “të meta të tmerrshme“ të marrëveshjes, shoqëruar me kërcënimin, që nëse nuk ndreqen, Uashingtoni do të tërhiqet nga marrëveshja. Irani ka mohuar mundësinë e ndryshimit të marrëveshjes, por edhe Moska ka deklaruar, në mbështetje të Iranit, se nuk ka alternativë tjetër për këtë marrëveshje. Macron dhe Putin kanë deklaruar nevojën e ruajtjes së marrëveshjes me Iranin, por dhe respektimin strikt të saj, si dhe mundësinë e kontrollit të aktiviteteve bërthamore të Iranit, pas vitit 2025. Ka dhe një ide për një marrëveshje dytësore, që synon kufizimin e programeve iraniane të raketave balistike, që do të frenonin sulmet iraniane në rajonin e Lindjes së Mesme, por që kjo nuk mund të funksionojnë, pa pasur në themel marrëveshjen ekzistuese, JCPOA. Presidenti i Iranit Ruhani, duke mohuar shkeljen e marrëveshjes, gjithashtu, kundërshton çdo sugjerim për ndryshimin e marrëveshjes së nënshkruar. Në këto kushte, në se asgjë nuk lëviz e ndryshon, SHBA mund të tërhiqet e të vendosë sanksione ndaj Iranit.

Këto zhvillime ushqejnë linjat e ashpra brenda Iranit, tensionojnë situatën dhe ashtu të rënduar në rajon. Edhe pse nënshkruesit europianë të marrëveshjes mendojnë se marrëveshja ka funksionuar dhe mundësia e kontrollit, gjithashtu, presidenti Trump ka insistuar në sigurimin, që siç ka pohuar ai, që ky regjim vrastar të mos ketë në dorë armë atomike. Priten kështu zhvillime të reja në këtë rajon krize, që, nëse nuk i lihet terren më shumë dialogut e rritjes së përgjegjshmërisë, mund të prodhojë ngjarje, që do të rrezikonin rëndë sigurinë, jo vetëm në rajonin e trazuar shumë tashmë, por dhe më gjerë. Në këto kushte, një lëvizje konkrete e Rusisë, për një dialog konstruktiv me SHBA, do t’i shërbente shumë shtensionimit të situatës, dhe hapjes së një mundësie kompromisi, që i shërben realisht, zgjidhjes së kësaj krize, që po zhvillohet e që mund të sjellë pasoja shumë të rënda. Rivaliteti i shtuar mes tyre nuk mund të sjellë avantazh konkret për asnjë.

3 maj 2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.