KULTURË

Debat për Teatrin në Kuvend, përplasen ministrja Kumbaro dhe opozita

08:00 - 08.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ishte dje e pranishme në një seancë dëgjimore në Komisionin për Median dhe Edukimin, si dhe çështjet e Kulturës në lidhje me prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, seancë që u shoqërua me tensione dhe debate.




Drejtuesja e komisionit, Albana Vokshi, i ka kërkuar ministres të shkojë pasditen e djeshme, në orën 19:00, në takim me artistët, duke shtuar se opozita do të jetë e pranishme. Ministrja dhe deputetët socialistë nuk e kanë komentuar protestën, ndërsa deputetja Vokshi deklaroi se opozita do të mbrojë trashëgiminë kulturore, duke e cilësuar Kumbaron ministren më të dështuar.

Deputeti socialist, Fidel Ylli akuzoi deputeten demokrate Albana Vokshi se e ka quajtur ministren të çmendur. Gjatë fjalës së saj pas seancës së zhvilluar, ministrja Mirela Kumbaro u shpreh se opozita mbajti qëndrimin e turpshëm të shamatës së zakonshme. “Opozita ia doli ta dështonte seancën e shqyrtimit të ligjit më të rëndësishëm për kulturën për të dhënë para medias ‘show’-n tashmë bajat të politikës së lodhur. Llafet i merr era, puna mbetet!”, – tha ndër të tjera ministrja Mirela Kumbaro.

FJALA E MINISTRES MIRELA KUMBARO
Llafet i merr era, puna mbetet
Sot opozita u rikthye në Komisionin për Median dhe Edukimin, por edhe për çështjet e Kulturës. Shpresova e besova se prania e saj kishte mesazhin se do të ishte pjesë e një debati konstruktiv, pasi në rendin e ditës, ishte diskutimi nen për nen i Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe për Muzetë.
.Ndërkohë që sot ishim përgatitur për të ndërtuar së bashku një stacion shumë të rëndësishëm të kësaj pune të gjatë, por edhe shumë të vyer për Trashëgiminë Kulturore siç është ky projektligj me 280 nene, mjerisht opozita mbajti qëndrimin e turpshëm të shamatasë së zakonshme, duke e kthyer për të disatën herë atë komision në një tollovi llafesh pa doganë e pa sintaksë, pa bereqet e pa prioritet, ku gjithçka thuhet, hidhet e përplaset pas sheshit, por aty vetëm për projektligjin nuk u fol. Kjo ndodh sepse opozita, siç e pohoi edhe vetë, ishte e papërgatitur edhe pas 5 muajsh që projektligji sillet në sirtarët e komisionit.
Komisioni, që nuk di si mund të jetë i Kulturës, u përmbys sërish sot nga opozita në një pazar (nga ato pazaret e para restaurimeve të bëra nga ne vitet e fundit).
Pikërisht nga ajo opozitë që, kur ishte në pushtet, zhduku nga faqja e dheut mbi 100 objekte pasuri kulturore pa lënë as nam as nishan, shkatërroi deri në moskthim mbi 200 monumente kulture, pa marrë mundimin as të bënte një herë të vetme një inventar të tyre.
Kjo opozitë, dikur aq vite të gjatë në qeverisje, nuk investoi as edhe 1 qindarkë për të ndërtuar ndonjë muze kombëtar, apo ndonjë teatër të ri. As edhe një! Ah po, hodhi në gropën e hapur të Piramidës 6 milionë dollarë për të bërë gjoja teatër, derisa ktheu mendje rrugës dhe vendosi ta prishte e të çonte 3 milionë të tjera dëm, gjoja për të ndërtuar parlament të ri! Ndërkohë që artistët e skenave kombëtare vijonin të ngjiteshin me dinjitet në skenë e të vuanin në prapaskenë prej kushteve aspak dinjitoze.
Ajo opozitë që në vitet e gjata të pushtetit i la të rrënoheshin qendrat historike ekzistuese – se për të futur në mbrojtje qendra të reja nuk bëhet fjalë, – opozitë që mbahet mend veç për torta e tallava, që la të vidhen ikonat e thesare të trashëgimisë në mes të ditës, ndërsa kishat e xhamitë trashëgimi kulturore i la në mëshirë të fatit apo të keqbërësve, sa u mbinte pema mbi çati, e mezi mbaheshin në këmbë.
Çfarë guximi, çfarë lehtësie e papërballueshme për të llomotitur, siç thotë populli ynë, si e ëma e Zeqos në majë të thanës! Guxon e akuzon sot, pikërisht kur ne po ndërtojmë e rindërtojmë muze të rinj, që janë pasaporta jonë më e mirë! Akuzon sot kur po restaurojmë zinxhir kishat e xhamitë, kalatë e qendrat historike! Akuzon sot kur ne po ndërtojmë teatro të rinj, akuzon sot kur artistët tanë po mbushin skenat e teatrove jo vetëm në Tiranë dhe ku premierat kanë qenë dinjitoze çdo natë!
Po cili prej tyre shkoi të shihte një, vetëm një shfaqje të vetme?! Cili prej tyre shkoi të duartrokiste artistët që mbushin sallat plotë 5 ditë në javë dhe t’i uronte për talentin, punën dhe pasionin, ndonëse në kushte aspak të përshtatshme?!
Mos kini frikë nga e bukura të dashur opozitarë, e bukura në art, trashëgimi e kulturë është e shëndetshme, është emancipim!
Sot opozita ia doli ta dështonte seancën e shqyrtimit të ligjit më të rëndësishëm për kulturën për të dhënë para medias ‘show’-n tashmë bajat të politikës së lodhur. “Dokrrat e hinit” nuk meritonin përgjigje në atë pazar pa kulturë, por shqiptarët dua t’i siguroj se fjalën e dhënë për një projektligj bashkëkohor për trashëgiminë kulturore, që u lëvdua edhe në Progres-Raportin e fundit të Komisionit Europian, do ta shpiem deri në fund. Natyrisht, nuk kemi bërë gjithçka, ka shume më tepër për të bërë, për këtë do të vazhdojmë të punojmë, të punojmë deri ditën e fundit!
Llafet i merr era, puna mbetet!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.