OPINION

Llogaridhënia publike: Si Rama po e nxjerr në pension opozitën

07:40 - 08.05.18 Julian Zyla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjetja strategjike e Partisë Socialiste në zgjedhjet e kaluara ishte ndryshimi i pyetjes kryesore të fushatës nga: Kush do të qeverisë, në: Si do të qeverisim, vetëm apo me partnerë koalicioni? Argumentet ishin të thjeshtë, që do të thotë: bindës. Kush nuk e do një qeveri më të qartë e më pastërtisht përgjegjëse për veprimet që do të bëjë? Kështu, zgjedhjet i dhanë përgjigje pyetjes që arriti të imponohet.




Kemi një qeveri monopartiake. Lehtësisht e vendosshme përpara përgjegjësisë. Por, kush duhet ta bëjë këtë duke u bazuar në detaje e të dhëna konkrete? Natyrisht, kjo është puna e opozitës. Por, kush po e bën këto ditë këtë punë? Kryeministri.

Ndërsa Lulzim Basha është shumë i zënë për të mbetur kryetar i Partisë Demokratike, Edi Rama vendosi të marrë përsipër edhe rolin e kryetarit të opozitës. Duke vënë qeverinë e tij përpara vërejtjeve të drejtpërdrejta të popullit, ai arrin t’ia heqë këtë mundësi opozitës, duke e nxjerrë de facto në pension.

Natyrisht, këto aktivitete nuk po organizohen me qëllime opozitare. Por, Rama nuk ka përtuar asnjëherë të vihet në anën e vërejtjeve kundër administratës së tij. A do të mbeten hapësira për opozitën? A do të gjejë hapësira opozita, e cila shpesh ose ka qenë duke diskutuar çështje ngushtësisht politike ose duke iu bashkuar çështjeve pasi ato ishin ngritur nga njerëzit më parë. Protestat e shumta janë tregues, duke përfshirë tani dhe çështjen e teatrit, ku opozita shprehet se është ftuar të jetë pjesë.

Qeveria, edhe pse siç pranohet nga kreu i saj ka ende shumë probleme për të zgjidhur, ka krijuar një rrugë të besueshme komunikimi, në të cilën, nëse flet, nuk rrezikon të hiqesh nga puna: edhe pse mund të heqësh nga puna ndonjë drejtor. Si mund të bëhet opozitë ndaj vendosjes së kryeministrit në anën e njerëzve? Nuk është e pamundur, por nuk është e lehtë.

Opozita e bashkuar, pa kryeministrin, duhet të krijojë një strategji që merr parasysh të gjithë këta faktorë, ndryshe, nuk kemi ndeshje. Opozita duhet të mësojë të mbajë shënim, me durim, problemet e rëndësishme për njerëzit. Kjo është rruga e gjatë. Rruga e shkurtër nuk ekziston.

Për momentin, këtë po e bën vetëm opozita në detyrë. Ajo që mban shënim për t’i përdorur vetë kundër vetes, në favor të vetes. Njerëzve u intereson që dikush të flasë me ta. U intereson të dëgjohen.
U intereson që dikush të ketë një zë të fuqishëm kundër qeverisë. Por nuk u intereson se kush e merr përsipër këtë detyrë. Nëse këtë e bën kryeministri, aq më mirë. Ata e dinë që ai, natyrisht, e bën edhe për arsye politike. Por, opozitën nuk do ta ndalonte askush që, për arsye politike, të fliste më pranë dhe më gjatë për gjërat që prekin ata drejtpërdrejt. Një fushatë për një ekonomi e republikë të re dhe disa vizita nëpër rrethe nuk mjaftojnë. Aq më tepër kur titulli nuk ndryshon: Rama të japë dorëheqjen.

Rama nuk po jep dorëheqjen. Përkundrazi, nëse qeverisja thuhet se konsumon, kryeministri pushon herë pas here nën çadrën e të bërit opozitë. Natyrisht, të udhëheqësh një strukturë të jep edhe luksin e dyzimit mes strukturës dhe njeriut në krye. Jo të gjithë e përdorin këtë strategji. Udhëheqësit shpesh bëhen njësh me strukturën për të përfituar edhe meritat, por edhe për të bërë anëtarët e skuadrës së tyre të ndihen të mbrojtur. Kryeministri ka zgjedhur strategjinë e marrjes së mirëqenë të besnikërisë së skuadrës. Kjo mund të jetë shenjë e një strategjie të mirë organizimi.

Kryeministri tha në llogaridhënien publike në Lezhë se kjo fushatë nuk do të finalizohet me votë. Kjo është e vërtetë. Por, kjo fushatë ka më shumë potencial sesa akuzat, të cilat, gjithashtu, nuk synojnë të finalizohen me votë. Informacioni i detajuar që mund të mblidhet në takime të tilla, është një tjetër element që do të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme.

Gjetja e llogaridhënies publike do të zhvendosë me hapa të plotë Partinë Socialiste drejt fushatës së ardhshme. Simpatizantët e PS-së, por edhe njerëzit e tjerë nuk do të ngurrojnë të jenë të sinqertë. Në anën tjetër, Partia Socialiste duket se është e përqendruar të dëgjojë: E vetmja mënyrë në të cilën nuk mund të dërgosh një vërejtje për administratën është duke e shkruar atë në një aeroplan letre. Kjo e bën nevojën për opozitën më të vogël. Kjo e bën punën për opozitën më të madhe.

Gjetja e llogaridhënies publike nuk synon të ndryshojë pyetjen kryesore për zgjedhjet e ardhshme. Por, me të synohet të jepet një mesash shumë i qartë nga PS: Bashkitë do të drejtohen ose nga kandidatë më të mirë ose nga të njëjtët kandidatë më mirë. Na thoni çfarë të përmirësojmë, thotë fushata. A qëndron diku pyetja: kush doni të qeverisë? Opozita nuk duhet të presë që këtë pyetje ta shtrojë qeveria.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.