OPINION

Për 3.6 miliardë eurot e shqiptarëve

07:19 - 08.05.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Janë mbi 3.6 miliardë euro të shpërndara në afër 30 mijë depozita nëpër bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Pra, rreth 30 mijë shqiptarë  (ka edhe disa qindra të huaj banues tek ne), shumica qytetarë të thjeshtë, një pjesë sipërmarrës, i kanë paratë e tyre në euro. A duhet të shqetësohen ata për këtë rënie të pandërprerë të monedhës evropiane këtu? Në maj 2015, tre vjet më parë, ajo tregtohej në një mijë e katërqind lekë të vjetër një euro. Tani këmbehet një euro me një mijë e dyqind e shtatëdhjetë lekë të vjetra, ose 9 përqind më pak. Kjo rënie e fortë, më e forta e euros në krahasim me monedhat kombëtare të vendeve të tjera ballkanike, si dinari serb, denari maqedonas, etj., ka arsyet e veta. Shumica e qytetarëve shqiptarë nuk i dinë të plota këto arsye(faktorë), prandaj dhe shqetësohen me të drejtë.
Pikërisht tek sjellja e këtyre faktorëve sot dhe në muajt në vazhdim, duhet të shikojmë mundësitë që euro ka të bjerë edhe pak, të ndalet apo të kthejë drejtim e të rritet në tregun tonë të këmbimit valutor. Faktori kryesor që ndikon tek kursi i këmbimit euro-lek është bilanci ynë tregtar, pra sa euro dalin dhe sa euro vijnë. E kemi deficitar(pra shumë më tepër euro dalin: 4.3 euro dalin si importe, për çdo një euro eksport që hyn). Megjithatë, ky deficit është përmirësuar disi (është pakësuar) në vitet e fundit, me rritjen më të fortë të eksporteve nga sa rriten importet. Ky përmirësim forcon menjëherë lekun, monedhën vendase. Faktori i dytë që ka dobësuar euron si raport këmbimi tek ne, janë investimet e drejtpërdrejta të huaja.
Në tre vitet e fundit, 2016, 2017 dhe këtë vit, prurjet e eurove nga projekte të mëdha si Gazsjellësi TAP (670 milionë euro) apo dy hidrocentralet mbi lumin Devoll(280 milionë euro), praktikisht e kanë “përmbytur” tregun tonë me euro. Si të mos mjaftonte ky lumë i madh eurosh, erdhën edhe “përrenjtë” formalë të eurove të shtuara nga turizmi i rritur ndjeshëm në tri vitet e fundit, si dhe fluksi i emigrantëve të rinj(115 mijë shqiptarë kaluan kufirin dhe aplikuan si azilantë ekonomikë në vitet 2015-2017, sidomos në Gjermani. Gjysma janë ende aty dhe dërgojnë plot entuziazëm para në shtëpitë e tyre këtu, pse janë punësuar). Pa dyshim që euron e dobësoi në Shqipëri edhe ekonomia informale, sidomos ajo kriminale, industria e kanabisit. Kjo industri funksionoi gati e patrazuar në vitet 2014-2016 tek ne.
Duke përgatitur një prodhim (pako plastike hashashi të tharë) në nivele të konsiderueshme, por edhe duke shitur(kalim me sukses të kufirit dhe tjetërsim pronari në Itali, Greqi, Belgjikë, Britani e Madhe, etj.). Këto janë euro të hyra ilegalisht në Shqipëri, në nivele 180-200 milionë euro në vit. Ato nuk u futen në ekonominë tonë të dukshme, formale(pra nuk u pastruan) menjëherë, por po depërtojnë gradualisht edhe tani. Futen, pastrohen, sidomos nëpërmjet aktivitetit të rritur ndjeshëm në vitet e fundit të ndërtimit(p.sh., në ndërtimin e një pallati të ri, blerjet e dyshimta të apartamenteve përpara nisjes së themeleve apo gjatë ngjizjes së tyre, ose në ndërtimin e një kompleksi zyrash, vilash, etj.). Në këto kushte dhe nga ndikimi i këtyre faktorëve, euro ra për periudhën maj 2015-maj 2018. Ra në nivel 70 përqind nga faktorët formalë, të njohur dhe në nivel 30 përqind nga kanabisi. Pyetja një milion dollarë sot është: do të vazhdojë të bjerë euro fort në tregun tonë?
Duke parë si po sillen dhe duke parashikuar se si do të sillen në të ardhmen e afërt faktorët e përmendur më sipër, përgjigjja është: JO! Euro nuk do të bjerë ndjeshëm më. Do të stabilizohet në nivele 1 mijë e dyqind e shtatëdhjetë ose gjashtëdhjetë lekë të vjetra për tre muajt e verës, pastaj, në shtator, do të nisë shumë ngadalë, rimëkëmbjen. Pra, forcimin gradual, në kurriz të monedhës sonë, lekut. Po pse? Sepse, për fat të mirë, kanabis nga janari 2017 mbillet shumë më pak se ritmet e çmendura të viteve 2014-2016. Nuk ka rëndësi nëse mbillet më pak se policia jonë kryen kontrolle më shumë, ose pse fermerët tanë humbën me aventurën “mbill hashash pa hesap”. Nga ana tjetër, euro do të ngrihet, sepse, për fat të keq, TAP-i dhe ndërtimi i hidrocentraleve mbi Devoll po mbarojnë. Do të ngrihet, sepse, po ashtu për fat të keq, eksportet tona, nga kosto e kësaj euro në Shqipëri kaq të dobësuar, kanë nisur prej muajsh të tkurrin rritjen e tyre aq premtuese. Për këta dy faktorët e fundit, qeveria jonë duhet të veprojë urgjentisht. Dhe jo të rrijë duarkryq. Të mos qëndrojë në flatrat e një opozite pak ose aspak konstruktive, të përhumbur mes fantazmave të veta të së kaluarës në pushtet, nga frika e vetingut.
Nëse qeveria e sotme e ka seriozisht të ndihmojë qytetarët dhe ekonominë, duhet të përgatisë dhe shpallë një orë e më parë një paketë të posaçme për nxitjen e investimeve të drejtpërdrejta të huaja(sipas Bankës Botërore, këto të fundit, nga viti 2019 do të jenë në rënie pikiatë-sikurse në rritje do të jetë euro si vlerë këmbimi- në masën 20 përqind çdo vit, ose 200 milionë euro më pak). Duhet po ashtu, që qeveria të përgatisë një paketë të posaçme lehtësirash fiskale për eksportuesit shqiptarë. Është sektori më premtues dhe me të ardhme në ekonominë e vendit. Këto tri vjet, edhe pse në rritje, po e vuan dukshëm euron e dobësuar fort. Ky sektor duhet ndihmuar menjëherë, duke ia hequr taksën doganore të shërbimit të skanimit të kamionëve që nisen për eksport. Mund të ketë edhe shumë lehtësira të tjera të përkohshme për eksportuesit. Për fasonistët, qeveria të gjejë “kurajën” t’u zerojë tatimin mbi fitimin për 2-3 vjet. Do “të humbë” 7 milionë euro nga mospagesa e kësaj takse në vit, por do të fitojë 4-5 herë më shumë në investime të huaja të shtuara dhe në hapje e dhjetëra mijëra vendesh pune. Po i mori këto dhe të tjera si këto masa urgjentisht, atëherë po, do të jetë pranë qytetarit dhe ekonomisë kombëtare, larg butaforisë pa bukë sot, të arritjeve “madhore” në qëndrueshmërinë e financave publike.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.