Intervista

Herion Mustafaraj: Jeta pas divorcit, vajzës i kam dhënë shumë mbështetje

13:50 - 09.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Elsa Doda – Herion Mustafaraj është një personazh shumë i dashur për publikun shqiptar. Të gjithë e njohim si Beni pasi ka lënë gjurmë në memorien tonë si djali çamarrok në filmin e famshëm shqiptar “Beni ecën vete”. Edhe pse prej 27 vitesh vazhdon jetën e tij në Amerikë nuk i ka munguar skenës shqiptare me projekte të ndryshme. Këtë herë Herioni mendon ta suprimojë publikun shqiptar me një show të tijin “One man show” ku do të sjell me humor një ndërthurje të dy botëve, Shqipërisë dhe Amerikës. Në një intervistë për “Vip Pages” të “Gazeta shqiptare”, ai tregon me tepër mbi këtë komedi muzikore, e cila titullohet “Jashtë nga Broadway” dhe nuk ngurron të rrëfeje me tepër mbi jetën e tij në Amerikë, filmat që ka luajtur apo marrëdhënien e tij me të bijën.




Herion, një brez i tërë është rritur duke parë filmin e djalit çapkën “Beni ecën vetë”. Si po ecën Beni në SHBA?
Beni ishte djalë mamaje dhe u bë çapkën pasi njohu boteen. Ne kemi qenë dy vëllezër unë dhe Beni. Unë mbeta ndërsa Beni iku duke gjetur jetën, të vërtetën dhe unë tani përfaqësoj Benin. Beni në Amerikë po ecën me hapa vigane. Nga njeri cep i kontinentit në tjetrin ku ta çojëpuna dhe për pak e del në pension. Ç’ke me të, e ka në rregull jetën ai. Pensionin amerikan në xhep. Po ne këtu si do ia bëjmë me pensionet thuaj… Atë më thotë dhe Beni.” Ç’të duhet andej Herion, hajde këtu tek vëllai jot. Njerëzit atje ku të ikin një orë e më parë nga sytë këmbët, ti shkon t’u tregosh art e t’u flasësh për mua. Nuk do të dëgjojë njeri vëlla …atje vetëm politikë dëgjojnë dhe pinë kafe- raki nga mëngjesi deri në darkë. Do bëhesh si monument kulture më thotë. Do ruhesh nga klubi i lagjes për të bërë foto me fansat e mi.


Kanë kaluar kaq vite dhe ende ju njohin si Beni. Ju bezdis ky etiketim?
Si Beni më njohin vetëm në Shqipëri. Kur lëvizim dimensioni i botës zmadhohet dhe e kupton që ata që më njohin si Beni janë si familje dhe tjerët s’më njohin fare dhe më vjen mirë për këtë gjë.
A ngjani si karakter me ndonjë nga rolet qe keni luajtur?
Patjetër ngjaj, sepse mbi të gjitha është një dedikim që njeriu i vetvetes për të shprehur atë që është në pozicione të ndryshme dhe periudha kohë të ndryshme. Aktrimi nuk është gjë tjetër përveçse të besosh në atë që bën dhe kur ke mjeshtra si artistët që kishim, të cilët prodhonin filmin shqiptar kupton që është shumë e lehtë të besosh në atë që bën. Ata ta bënin si një histori që po të ndodh ty dhe ti mbi atë prodhon, por je ti që e përshkruan këtë karakter dhe ndërton figurën artistike.


Ju keni marrë pjesë edhe në spektakël kërcimi, a ju duket anakronike me ato në Amerikee?
Nuk më duket anakronike, por më duket moderne. Mua me ka pëlqyer në sensin artistik pasi kisha nderin të imitoja karaktere që i kam parë, ndjekur dhe kam qenë kurioz për to se si e kanë bërë artin e tyre. T’i shprehësh ata duhet të futesh në natyrën e tyre. Pavarësisht se ti do futesh në lëkurën e tjetrit ke diçka tënden pasi çdo artist shpreh veten e vet mbi to. Pra, s’duhet të kesh frikë të bëhesh interesant edhe pse po imiton dike tjetër. Normalisht s’do jetë motoja e jetës sime që të imitoj gjithë jetën psh “George Miçhael” në klube nate apo të vishem si ai, por për një natë në skenë është shumë bukur dhe tregon për me tepër aftësinë.
Herion ju keni një vajzë, Dean. Si ka ndryshuar marrëdhënia juaj me të pas divorcit?
Nuk ka ndryshuar asgjë, vajza ishte pothuajse 14 vjeç kur u divorcuam, dhe nuk ndryshoi asgjë, sepse besoj se një marrëdhënie e hapur ndihmon fëmijët, siç me ka ndihmuar dhe mua. I kam dhënë shumë mbështetje dhe ajo nuk do jetë kurrë vetëm. Për çdo problem do më pyesë mua, sepse dhe unë kam qene aty ku është ajo. Unë jam rritur me prindër të ndarë që në moshën 2 vjeçare dhe shumë gjëra i kam zgjidhur gjatë rritjes time, sepse s’kam pse të jem ndryshe nga të tjerët. Është një fenomen që i ndodh botës, mund të mos jetë faji tek njerëzit, por mund të themi që martesa ka dalë nga moda. Jam pro bashkëjetesës, sepse dhe tani qe jemi të divorcuar nuk ndiejmë ndonjë ndryshim përveçse një liri, mirësjellje dhe mirënjohje që kemi ne të dy me njëri- tjetrin si ish-bashkëshortë për fëmijën tone të mrekullueshëm.


Tani që vajza juaj është rritur, mendoni se do ndjekë gjurmët e babait?
Të gjithë prindërit që kanë parë fëmijët duke u rritur dhe u kanë ndenjur afër çdo ditë ne jetën e tyre, e njohin shumë mirë se kush është, e njohin si personalitet dhe çfarë ëndrrash ka disi. Dhe unë e di që vajza ime është një shëmbëlltyrë e imja, por në të vërtetë do doja që ajo të ndjekë diçka tjetër përtej artit. Për mua arti është një zanat pak si borgjez në shije, duhet të jesh shumë me fat apo të kesh atë luksin qe ta besh ndryshe. Si artist mund të jesh shumë i zgjuar dhe i aftë, por shanset për të gjetur punë janë shumë të vogla.
Ju po vazhdoni me jetën mes SHBA-së dhe Shqipërisë, me çfarë merreni ne Amerikë?
Zanati im si artist më jep komoditetin të përformoja aty ku kam audiencë, dhe më ndodh ngaqë jam 27 vjet ne Amerikë mes miqve të mi, mes njerëzve që kam lënë gjurmë dhe që kam punuar me ta të më ftojnë në punë të ndryshme. Pavarësisht se Shqipëria është vendi im, këtu është më e vështirë se në Amerikë që të çash në treg, tv show dhe këtë e kam provuar në kurrizin tim. Në Amerikë merrem me çdo lloj pune që të më dali. Njeriu duhet të punojë kudo dhe përveç ëndrrave që ka dhe dëshirave duhet të jetojë mbi të gjitha dhe të krijojë një jetë më të mirë. Edhe sot këtu ka ndryshuar koncepti, s’do të thotë që ke një profesion dhe duhet të qëndrosh në atë deri në vdekje edhe nëse ai profesion të lë në mes të rrugës dhe fillon të kërkosh lëmoshë.
I keni ndjekur zhvillimet e fundit ne Shqipëri mbi zhvendosjen e Teatrit Kombëtar dhe revoltën e artistëve? Ju si e shihni debatin e krijuar mes artistëve dhe ministrisë së Kulturës?
Ai është një institucion që mban brenda një shpirt të shqiptarëve, artistëve tanë dhe të krijimeve që kemi pasur në fushën e artit dhe kulturës. Në të vërtetë është asgjë, thjesht disa mure të dala nga çatia një metër diferencë që mund të shembej nga koha në kohë, ku poshtë nën atë skenën që rrotullohet këndojnë bretkosat ku disa nga ato kanë bërë një zë akoma më të fortë se aktorët. Ndonjëherë bretkosa ka më shumë ego se aktori në skene. Nëse një ndërtesë nuk ka vlera historike apo arkitektonike dhe të shprehi kulturën e një populli ajo patjetër duhet të kthehet në një mit të së djeshmes. Disi duhet të bëhet diçka e re që të shprehi interesat dhe vlerat e vërteta të artit të momentit të kulturës sonë, artistëve, asaj çka ne duhet të luftojmë dhe çka duam të jemi. Ashtu siç thotë dhe Dritëroi i famshëm tek “udhëtoj i menduar” “diçka duhet të përmbysim në emër të jetës së lirë që jeta mos të dergjet mes ndrojtjes strukur, që jeta t’i dali përpara jetës mirë dhe brezat që vijnë të thonë me plot gojë, “bukur”.


Cili është projekti yt i radhës në Shqipëri, po merresh me diçka aktualisht?
Kam shumë projekte që nga personalet deri te artistiket. Te artistiket jam duke prodhuar një show timin që e kam shfaqur në Amerike dhe e kam testuar tre herë në New York, dua ta bëj të ndjeshëm për shqiptarët në Shqipëri. Është një komedi muzikore e stilit one man show, domethënë me një aktor që jam vetëm unë dhe titullohet “Jashtë nga Broadway”. Dua të sjell skena të përfytyrimit që karakteri, “xhaxhi Dule” sjell mbrapsht jetën e tij në skenë duke krahasuar midis ëndrrave dhe realitetit në atë çka njeriu ndjekë në jetë dhe çfarë ka mësuar ai në jetën e tij që duhet të bej. Në fund fare xhaxhi Dulja me gjak shqiptari, siç jemi ne shqiptarët, merr guximin dhe bëhet ai që ëndërronte të bëhej, dhe kjo ka tragjeditë e veta në skenë që spektatori do i shohë dhe do kënaqet .
Na flisni pak rreth këtij show, kur pritet të shfaqet?
Premiera e showt u dha në Producer’s Çlub Theaters në New York city në shkurt të 2018. Kjo komedi muzikore fillon rrugëtimin e vet në Shqipëri këtë pranvere të 2018 si dhe në Evropë më pas, ku ndodhen komunitete shqiptare. Show është në gjuhën shqip e në anglisht nëse shfaqet për audiencë të huaj jo shqipfolëse. Përmes karakterit kryesor që është një teknik pianosh në moshe të thyer xha Dules, unë do sjell me humor një ndërthurje të dy botëve, Shqipërisë dhe Amerikës ku problemet sociale, familjare e personale të njerëzve janë pothuajse të njëjta në sytë e individit që prek këto tema mes monologëve komike në skenee. Me mesazhin-“Nuk ekziston një dështak që provon”, dua të zgjoj tek spektatorët ndjenjën e vlerësimit për mundimet e sakrificat njerëzore, rrugën e vështirë të emigrimit për një jetë më të mirë, respektin ndaj të moshuarve si dhe teori të ndryshme të të jetuarit të jetës duke i sjellë këto monologë në skenë me një protagonist komik. Ky show pretendon të jepet në teatrot më të mëdha të Shqipërisë si në kryeqytet ashtu edhe nëpër rrethe si Durrës, Fier, Vlorë, Berat, Korçë, Shkodër e Prishtine.


Ke marrë pjesë në disa filma amerikanë siç janë “Bird poop”, “Cash Only”, “Killarman”, “Being,American”, ” War Stories” , “Trace” çfarë rolesh ke luajtur kryesisht?
Tek filmi Killarman unë luaj me aktorin Liam Helmswoth, Çohen, Nick Shreli etj. me të cilët kemi bërë një punë shumë të mirë. Unë luaj rolin e Nikos, shoferi i Bosit të një dyqani diamantesh në NY. Filmi është action/thriller dhe u xhirua ne New York dhe në Savanah Georgia. Pritet të dalë në Movie Theaters këtë shtator.
Filmi i fundit përpara Killerman është “Cash Only” dhe shfaqet në Netflix. Unë kam një nga rolet e spikatura dhe quhem Agron. “Cash Only” është prodhuar në Amerikë nga lobi amerikano – shqiptar i Detroitit, duke sjellë një tjetër këndvështrim të jetës amerikane. Filmi është fitues i shumë çmimeve në festivalet ndërkombëtare të filmave. Ndërsa ne filmin “Bird Poop” jam, gjithashtu, skenarist e producent.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.