OPINION

Kush e ka radhën pas Saimirit?

07:46 - 13.05.18 Dritan Hila
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kush ka shkuar të vizitojë Akropolin e Athinës, ka parë në këmbët e tij një grup vilash të bardha, dy kate e gjysmë. Janë të gjitha më shumë se një shembull arkitekture, një simbol fuqie. Njëra prej tyre ishte e Akis Xohaxopulos. Kush nuk e mban mend, ka qenë një ndër figurat emblematike të PASOK-ut, shok lufte i Andrea Papandreut, dhe ministër. Në martesën e dytë me një grua shumë më të re se veten u përpoq ta kompensonte diferencën e Zotit me dhurata. Vilë status simbol, dasmë në Kullën Eifel, bizhuteri dhe shpenzime sheikësh. Nuk bënte shumë përshtypje. Greqia ishte ende në fazën e bollëkut. Por erdhi kriza dhe Akis nuk e kuptoi. Nuk e kuptojnë në përgjithësi të gjithë të pasurit e vonshëm se ka një lloj etike në ekspozimin e pasurisë që duhet ruajtur. Përndryshe bëhesh pre e turmave. Dhe për të ndaluar furinë e tyre, shokët e dikurshëm të hedhin në arenë, ku të shqyejnë luanët dhe publiku dëfrehet. Kjo i ndodhi edhe Akit. Shokët e hodhën në dhëmbët e drejtësisë për ta bërë shembull. Pas kësaj skena politike greke u riformatua plotësisht, por të paktën i shpëtoi shumë shokë të Akis nga burgu.
Diçka e ngjashme po ngjet me Saimir Tahirin. Ai nuk është Akis, të kuptohemi. Akis ishte selfmademan dhe emër me traditë në politikën greke. Krahasuar me të, Saimiri nuk ishte as njeriu që bëri Policinë e Shtetit dhe as ndonjë ministër i suksesshëm. Përveç uniformave të policisë dhe spektakleve të demonstrimeve, nuk i mbahet mend gjë tjetër. Por nuk është as më i keqi. Si gjithë ministrat e tjerë të Brendshëm edhe ai ndoqi urdhrat e shefit të tij. Fatkeqësia e tij ishte se u ndodh në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar. Dhe kjo nuk ka lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Ky ishte një moment që mund të kalohej.
Por 27 vjet pas rënies së komunizmit, vendi ka pësuar veleritje nga kjo klasë politike aktuale. Saimir Tahiri mund të ketë qenë i lidhur me klanet e drogës më pak se ndonjë ministër demokrat, i cili i ka përdorur edhe për zgjedhje ato banda. Madje edhe më pak se ndonjë kryetar bashkie i PS, i cili i punëson edhe si fshesaxhinj kriminelët për t’i nxjerrë nga burgu, ndërkohë ky është marionetë në duart e tyre. Por Saimiri nuk dinte ta mbante eliksirin e pushtetit dhe arrogancës që vjen prej tij. Kjo, krahas raporteve që vinin nga fqinjët, e bënte të epshëm ndaj goditjes.
Ajo që i vuri kapak rënies së Tahirit ka brenda edhe tradhtinë nga ana e klasës politike ndaj tij. Pakkush nga ata që e akuzojnë, ka moral më shumë se ai. Madje disa prej tyre kanë vrarë dhe kanë shpartalluar shtetin shqiptar, për hir të pushtetit personal. Por kanë kuptuar që për të mbijetuar duhet të bëjnë kurban disa prej tyre. Dhe ky është një konsensus i përbashkët. Duhet të bëhen disa koka turku që të mbijetojnë të tjerët. Përndryshe vala e urrejtjes dhe neverisë do t’i përfshijë të gjithë. Saimiri ishte i pari dhe më i ekspozuari. Të tjerë do ta ndjekin. Kush e ka radhën, nesër?
Dritare.net





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.